BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Banka e Shqipërisë organizon konferencën me temë “Modernizimi i sistemeve të pagesave me vlerë të vogël”

Data e publikimit: 21.06.2018

 

Në datën 21 qershor 2018, në ambientet e Bankës së Shqipërisë u zhvillua konferenca me temë “Modernizimi i sistemeve të pagesave me vlerë të vogël”.

Në këtë konferencë, pjesëmarrës ishin përfaqësues nga Banka Botërore, Banka Qendrore Evropiane, banka qendrore të rajonit, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Shoqata Shqiptare e Bankave dhe përfaqësues nga komuniteti i biznesit.

498 DSC4965-2

Konferenca me temë “Modernizimi i sistemeve të pagesave me vlerë të vogël”, u çel nga Zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, njëherazi kryetare e Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave, zj. Elisabeta Gjoni si dhe u përshëndet nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko dhe Zëvendëskryeministrja e Republikës së Shqipërisë zj. Senida Mesi.

Zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, zj. Elisabeta Gjoni pasi i uroi mirëseardhjen të pranishmëve në këtë konferencë, prezantoi strategjinë kombëtare për reformimin e sistemeve të pagesave me vlerë vogël, për vitet 2018-2023. Ajo theksoi se kjo strategji kombëtare synon që përmirësimet në tregun e pagesave me vlerë të vogël t’u japin qytetarëve shqiptarë më shumë mundësi zgjedhjeje për të kryer transaksionet e tyre të përditshme, në mënyrë të lehtë dhe me kosto efektive.

Në vijim, zj. Gjoni u shpreh se strategjia kombëtare për reformimin e sistemeve të pagesave me vlerë vogël ka në qendër të saj përmirësime ligjore dhe rregullative. Përmirësime të cilat janë kurorëzuar me hartimin e projektligjit “Për shërbimet e pagesave në Republikën e Shqipërisë” nga Banka e Shqipërisë.

498 DSC4790-2

Më tej, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z. Gent Sejko, në fjalën e mbajtur për të pranishmit, u shpreh se ky aktivitet është i një rëndësie të veçantë, pasi zhvillimi i sigurt dhe efikas i sistemeve të pagesave përbën një objektiv të rëndësishëm të Bankës së Shqipërisë. Kjo jo vetëm në mbështetje të zbatimit të politikës monetare dhe ruajtjes së stabilitetit financiar, por edhe si një mjet i rëndësishëm për një zhvillim ekonomik të formalizuar dhe të qëndrueshëm.

Guvernatori shtoi se në ditët e sotme, pjesa më e madhe e aspekteve të jetës së përditshme po dixhitalizohen dhe automatizohen, ndaj modernizimi i sistemeve të pagesave bëhet edhe më i rëndësishëm. Me këtë qëllim, Komiteti Kombëtar i Sistemit të Pagesave i udhëhequr nga Banka e Shqipërisë, po ndërmerr hapa të rëndësishëm në kuadër të reformimit dhe modernizimit  të sistemeve të pagesave me vlerë të vogël.

Në vijim, Guvernatori falënderoi institucionet ndërkombëtare si Banka Botërore dhe Banka Qendrore Evropiane për mbështetjen dhe asistencën e tyre në nismat e ndryshme të ndërmarra, si dhe pjesëmarrësit e kësaj konference, të cilët do të ndajnë eksperiencën e tyre në zhvillimin e tregut të sistemeve të pagesave me vlerë të vogël.

498 DSC4838-2

Së fundi, Guvernatori Sejko prezantoi edhe botimin më të ri të Bankës së Shqipërisë dedikuar remitancave, i cili synon zhvillimin e njohurive dhe informacioneve në lidhje me remitancat  për tregun shqiptar, si dhe përcjell mesazhe në kuadër të nevojave për ndërhyrje dhe potencialin që kanë remitancat për aktorë të ndryshëm të ekonomisë.

Ndërsa, Zëvendëskryeministrja e Republikës së Shqipërisë zj. Senida Mesi, në fjalën e saj theksoi se qeveria shqiptare, si një ndër prioritetet kryesore, ka reformën në shërbimet publike dhe duke filluar nga tetori i vitit 2017 ka filluar një përpjekje intensive për të realizuar objektivat në këtë fushë: Shërbime cilësore, në kohë dhe eficiente për qytetarët dhe bizneset.

"Kryerja e pagesave online, standardizimi e modernizimi i tyre janë gjithashtu pjesë e transformimit të shërbimeve publike e administrative që qeveria shqiptare ka ndërmarrë. Natyrisht që e gjitha kjo kërkon një ndryshim rrënjësor në kulturën e punës së administratës publike dhe ofruesit e shërbimeve, dhe ne kemi trajnuar dhe zhvilluar kapacitetet e stafit për të ofruar shërbime sa më cilësore tek qytetarët dhe bizneset, duke lehtësuar barrën burokratike administrative.”- u shpreh zj. Mesi.

Në përfundim të fjalës së saj, Zëvendëskryeministrja u shpreh se qeveria shqiptare është duke përgatitur një kod etike dhe sjelljeje për gjithë stafin e administratës publike si një udhëzues për t’u shërbyer më mirë qytetarëve me parimin e kujdesit ndaj klientit – qytetarit. 

Më tej, konferenca i zhvilloi punimet në një nivel më teknik, gjatë të cilës përfaqësues nga Banka Qendrore Evropiane, Banka Botërore, Banka e Italisë, e Kosovës e Serbisë, e operatorëve dhe ofruesve të shërbimeve në fushën e pagesave, të mirënjohur në tregun ndërkombëtar, përfaqësuesve të industrisë bankare e të pagesave në Shqipëri prezantuan për të pranishmit zhvillimet kryesore, projektet dhe përvojën  e tyre në fushën e sistemeve të pagesave me vlerë të vogël.