BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Banka e Shqipërisë organizon konferencën virtuale me temë “COVID-19: Ndikimi në ekonominë reale dhe përshtatja e politikave të bankave qendrore”

Data e publikimit: 29.10.2020

 

Më 29 tetor 2020, Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Shkollën Ekonomike dhe të Shkencave Politike të Londrës (London School of Economics and Political Science - LSE), organizoi konferencën virtuale me temë “COVID-19: Ndikimi në ekonominë reale dhe përshtatja e politikave të bankave qendrore”.

DSC 0768

Në këtë aktivitet, morën pjesë përfaqësues të lartë të bankave qendrore të rajonit, politikëbërës në fushën e ekonomisë dhe financave në vend, përfaqësues të organizmave ndërkombëtare e institucioneve financiare, të komunitetit të biznesit, si dhe përfaqësues nga bota akademike.

Kjo konferencë u organizua nën kujdesin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, i cili nuk e pati të mundur t’u bashkohej punimeve të saj, për shkak të rezultimit pozitiv pas testimit të kryer për COVID-19. Fatmirësisht, Guvernatori Sejko është në gjendje të mirë shëndetësore dhe ka filluar karantinimin e detyrueshëm.

DSC 0739

Ky është viti i tretë që Banka e Shqipërisë organizon konferencën e saj vjetore në bashkëpunim me Shkollën Ekonomike dhe të Shkencave Politike të Londrës (London School of Economics and Political Science), një ndër 10 universitetet më të mira në botë në fushat e studimeve sociale, ekonomike, politike, shoqërore e ndërkombëtare.

Qëllimi i konferencës së kësaj radhe ishte diskutimi rreth ndikimit të COVID-19 në ekonominë reale si në vendet me ekonomi të zhvilluar ashtu edhe në ato me ekonomi në zhvillim; përshtatja e politikave të bankave qendrore në përgjigje të sfidave që lindën si rrjedhim i gjendjes së krijuar nga pandemia, me fokus rajonin e Evropës Juglindore, dhe në veçanti Shqipërinë. 

DSC 0891

Ndër të tjera, konferenca trajtoi mënyrën se si vendet me ekonomi në zhvillim zbatuan politika ekspansioniste njëlloj si ato në vendet me ekonomi të zhvilluar; zgjerimin e paketës së politikave ekonomike si dhe ruajtjen e stabilitetit ekonomik dhe financiar të vendit; rolin e bankave qendrore kryesore si Banka Qendrore Evropiane dhe Rezerva Federale; si edhe ndikimet në plan afatgjatë mbi inflacionin, stabilitetin financiar, kreditë me probleme, etj.

Konceptuar në dy sesione, punimet e konferencës u hapën me fjalët përshëndetëse të zj. Luljeta Minxhozi, Zëvendësguvernatore e Parë e Bankës së Shqipërisë; zj. Piroska Nagy Mohacsi, Drejtore e komanduar e Institutit për Çështjet Globale në Shkollën Ekonomike dhe të Shkencave Politike të Londrës; z. Erik Berglof, Kryeekonomist në Bankën Aziatike të Infrastrukturës dhe Investimeve; si dhe zj. Anila Denaj, Ministre e Financave dhe Ekonomisë.

DSC 0887

Gjatë fjalës së saj, Zëvendësguvernatore Minxhozi u shpreh se pandemia Covid-19 po tregon se ka të gjithë potencialin të riformëzojë mënyrën tonë të jetesës. Ndërkohë që emergjenca shëndetësore është ende në zhvillim e sipër, për institucionet politikëbërëse, veçanërisht në vendet me ekonomi në zhvillim, sfida për të përmbushur objektivat kryesorë si: rritja e qëndrueshme dhe stabiliteti i çmimeve e ai financiar, po i orienton këto të fundit të veprojnë në një territor të pashkelur më parë.

Zj. Minxhozi shtoi se vendosja e kufizimeve të domosdoshme shtroi rrugën drejt një recesioni global të sinkronizuar, megjithatë, lehtësimi i masave dhe zbatimi i politikave monetare dhe fiskale në nivel kombëtar, kanë filluar ta mbajnë ekonominë globale larg pragut të kolapsit. Në vendin tonë, shkalla e dy paketave kryesore të masave mbështetëse të ndërmarra në nivel kombëtar - fiskale dhe monetare - arriti në nivele të pashënuara më parë në shumë ekonomi, madje që nuk janë hasur as gjatë krizës së fundit globale të vitit 2008.

DSC 0921

Ajo theksoi se pandemia testoi qëndrueshmërinë e ekonomisë së Shqipërisë dhe të sistemit tonë financiar. Banka e Shqipërisë ka përdorur një tërësi instrumentesh për të mbështetur veprimtarinë financiare dhe kërkesën agregate. Gjithashtu nga ana e saj, Qeveria e Shqipërisë ofroi lehtësi fiskale. Kjo tërësi masash të ndërmarra në kohën e duhur dhe të mirëkoordinuara, patën për qëllim kontrollin e ndikimit të rënduar ekonomik dhe ruajtjen e stabilitetit monetar dhe financiar, si parakusht për rimëkëmbjen e ardhshme të ekonomisë.

DSC 1152

Në vijim, ajo shtoi se ekonomia shqiptare zotëron parakushte të mjaftueshme për një rigjallërim gradual. Duke u ndalur në parashikimin e Bankës së Shqipërisë, zj. Minxhozi u shpreh se qëndrimi i përgjithshëm i politikës monetare duhet të mbetet lehtësues edhe gjatë periudhës në vijim. Megjithatë, politikëbërësit duhet të jenë të kujdesshëm në kombinimin e drejtë të politikave, në mënyrë të tillë që, kostot potenciale afatgjata të mostejkalojnë përfitimet afatshkurtra.

Ajo e mbylli fjalën e saj, duke falënderuar pjesëmarrësit si dhe u shpreh e bindur se një shkëmbim i sinqertë mendimesh do të rrisë të kuptuarin mbi natyrën e sfidave, si dhe të politikave e instrumenteve më të mira që duhet të përdoren për t’i përballuar ato.

DSC 0999

Punimet e konferencës vijuan me panelin e parë, i cili trajtoi menaxhimin e rreziqeve nga pandemia Covid-19: Impakti në ekonominë reale. Ky panel moderohej nga zj. Piroska Nagy-Mohacsi, Drejtore e komanduar e Institutit për Çështjet Globale në Shkollën Ekonomike dhe të Shkencave Politike të Londrës dhe të ftuar për diskutim ishin: z. Erik Berglof, Kryeekonomist në Bankën Aziatike të Infrastrukturës dhe Investimeve; zj. Natasha Ahmetaj, Zëvendësguvernatore e Dytë, Banka e Shqipërisë; z. Andrés Velasco, Dekan, Shkolla e Politikave Publike, LSE; zj. Yan Sun, Shefe e misionit të FMN-së për Shqipërinë; z. Adnan Khan, Shkolla e Politikave Publike, LSE; z. Riccardo Crescenzi, Departamenti i Gjeografisë dhe Mjedisit, LSE.

Ky panel diskutoi mbi krizën shëndetësore që shkaktoi Covid-19, reagimin e vendeve për të mbrojtur shëndetin e individëve, si dhe për të zbutur goditjet e shkaktuara prej pandemisë në treguesit kryesorë makroekonomikë. Diskutantët vlerësuan reagimin e menjëhershëm dhe të paprecedentë, që kanë pasur autoritetet jo vetëm në vendet e zhvilluara por dhe ato në zhvillim, , duke marrë në konsideratë hapësirat dhe mundësitë që kanë pasur në dispozicion. Nga ana tjetër, kriza shëndetësore nënvizoi koordinimin e politikave jo vetëm në nivel kombëtar, por edhe në nivel global, si të domosdoshme për të zbutur efektet e shkaktuara nga kriza shëndetësore. Përveç ndikimit makroekonomik të shkaktuar nga kriza shëndetësore, u diskutua gjithashtu për sfidat me të cilat do të përballen vendet në të ardhmen, duke marrë në konsideratë nivelin e lartë të pasigurisë. Rëndësi të veçantë padyshim duhet t’i kushtohet ndërtimit të politikave që sigurojnë dhe rrisin qëndrueshmërinë e vendeve, duke mbajtur gjithmonë në konsideratë karakteristikat dhe problematikat e secilit vend, veçanërisht ekonomitë e vogla dhe të hapura në zhvillim.

498

Paneli i dytë, ai i Guvernatorëve, moderohej zj. Danae Kyriakopoulou, Kryeekonomiste, Forumi Zyrtar i Institucioneve Monetare dhe Financiare (OMFIF) dhe mblodhi në një diskutim të përbashkët Zëvendësguvernatoren e Parë të Bankës së Shqipërisë, zj. Luljeta Minxhozi; Guvernatoren e Bankës Kombëtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut, zj. Anita Angelovska Bezhoska; Guvernatorin e Bankës Kombëtare të Kroacisë, z. Boris Vujčić; Zëvendësguvernatorin e Bankës Kombëtare të Rumanisë, z. Leonardo Badea; Kryeekonomistin komentator pranë gazetës londineze Financial Times, z. Martin Wolf; Drejtoren e Departamentit të Analizave Ekonomike dhe Kërkimeve në Bankën Kombëtare të Austrisë, zj. Doris Ritzberger-Grünwald; dhe ish-Guvernatorin e Bankës Qendrore të Argjentinës dhe ish-drejtorin ekzekutiv të Bankës së Anglisë, z. Mario Blejer.

29.10.2020 konf vjetore online, family foto, 498

Ky panel bëri një përmbledhje të politikave monetare dhe atyre makro e mikroprudenciale të zbatuara nga disa nga bankat qendrore të EQJL-së për të mbështetur me çdo formë konsumatorët, sektorin privat dhe atë financiar, si dhe për të zbutur efektet e menjëhershme e të forta negative në ekonomi të krizës së shkaktuar nga COVID-19, në koordinim edhe me autoritetet fiskale të vendeve përkatëse. Ndër të tjera, disa nga konkluzionet e nxjerra ishin se, përveç reagimit të menjëhershëm ndaj recesionit afatshkurtër, politikëbërësit duhet të shohin përpara dhe të ndërtojnë politika për të përballuar sfidat e ardhshme shëndetësore dhe financiare, për të siguruar rritje ekonomike afatgjatë e të qëndrueshme, pa cenuar stabilitetin makroekonomik dhe financiar të vendit. Gjithashtu, rëndësi e veçantë duhet t’i kushtohet reformave strukturore dhe institucionale në nivel kombëtar, për të përshtatur ekonominë, tregun e punës dhe sistemin financiar në përputhje me zhvillimet teknologjike dhe ndryshimet e detyruara nga pandemia. Një rol të jashtëzakonshëm ka padyshim koordinimi ndërinstitucional, kombëtar e ndërkombëtar, për t’i bërë ballë sfidave më komplekse në të ardhmen, ndaj një normaliteti të ri.