BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Banka e Shqipërisë, pjesë e kolegjeve mbikëqyrëse evropiane

Data e publikimit: 14.09.2015

 

Në shtator 2015, Autoriteti Bankar Evropian (European Banking Authority - EBA) vlerësoi regjimin e konfidencialitetit të Bankës së Shqipërisë si në përputhje të plotë me regjimin përkatës të Bashkimit Evropian (BE) dhe vendosi të përfshijë Bankën e Shqipërisë në listën e autoriteteve mbikëqyrëse të vendeve jashtë BE-së, të cilat marrin pjesë në kolegjet bankare mbikëqyrëse të Bashkimit Evropian. Këto kolegje janë struktura koordinuese që sjellin së bashku autoritetet rregullatore të vendeve të Bashkimit Evropian, të përfshira në mbikëqyrjen e grupeve bankare që operojnë në disa vende, dhe synojnë përforcimin e praktikave të mbikëqyrjes nëpërmjet bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit.
 
Bankat qendrore të vendeve evropiane që nuk bëjnë pjesë në Bashkimin Evropian (si Serbia, Maqedonia, Mali i Zi dhe tashmë edhe Shqipëria) do të nënshkruajnë një Marrëveshje Bashkëpunimi me EBA-n dhe do të bëhen pjesë e forumit të ngritur nga EBA me qëllim përforcimin e praktikave të mbikëqyrjes nëpërmjet bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit. 

Çfarë do të thotë kjo për Bankën e Shqipërisë?

Aktualisht, në Shqipëri operojnë disa grupe bankare, me kapital nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Në këtë kuadër, vendimi i mësipërm i EBA-s i mundëson Bankës së Shqipërisë marrjen e informacionit mbi gjendjen financiare të të gjithë grupit bankar. Njëkohësisht, Shqipëria bëhet pjesë e bashkëpunimit në fushat e lidhura me detyrat kryesore të këtij Autoriteti, që përfshijnë zhvillimin e Librit të vetëm të  Rregullave, nxitjen e konvergjencës së praktikave mbikëqyrëse dhe funksionimin konsistent dhe koherent të kolegjeve mbikëqyrëse.

Cili është Autoriteti Bankar Evropian?

Autoriteti Bankar Evropian (EBA) u krijua në vitin 2011, si një autoritet i pavarur që vepron për harmonizimin maksimal të rregullave dhe standardeve në fushën e bankingut në nivel evropian, të njohura edhe si “Libri i vetëm i rregullave – Single Rule Book”. Pjesë e rëndësishme e punës së këtij Autoriteti është edhe kryerja e testeve të rezistencës së bankave dhe grupeve bankare që operojnë në Bashkimin Evropian, me qëllim analizimin e shëndetit të tyre dhe të rreziqeve me të cilat përballen.

Për të lexuar njoftimin e plotë për shtyp të EBA-s, kliko këtu.