BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Banka e Shqipërisë thellon studimet e saj mbi të ardhmen e politikës monetare

Data e publikimit: 08.12.2006

 

"Tryeza e Rrumbullakët mbi Inflacionin e Shenjëstruar 2" zhvilloi punimet në datat 7-8 dhjetor 2006, në ambientet e Hotel Tiranës. Ky aktivitet ishte një përballje mendimesh të ekspertëve kombëtarë dhe ndërkombëtarë mbi të ardhmen e politikës monetare në Shqipëri, me konkretisht mbi mundësinë e adoptimit të regjimit të Shenjëstrimit të Inflacionit.

Kjo Tryezë e Rrumbullakët është vazhdim i Forumit të Hapur organizuar në dhjetor 2005 gjatë të cilit u identifikuan parakushtet e adaptimit të Shenjëstrimit të Inflacionit. Gjatë dy ditëve të Tryezës së Rrumbullakët u përpunuan më në thellësi çështjet komplekse, që duhet të zgjidhen përpara se Banka e Shqipërisë të fillojë adoptimin formal të regjimit të Shenjëstrimit të Inflacionit. Kështu u diskutua modelimi ekonometrik, statistikat dhe komunikimi, kuadri ligjor, qeverisja e brendshme në Bankën e Shqipërisë, marrëdhëniet me Ministrinë e Financave, INSTAT-in dhe aktorë të tjerë të tregut.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani duke përshëndetur punimet e kësaj tryeze, deklaroi se synimi strategjik i Bankës së Shqipërisë mbetet kontrolli i rritjes mesatare të indeksit të çmimeve të konsumit në nivelin 3 për qind. Sipas guvernatorit, Banka e Shqipërisë po rrit kapacitetet e saj analitike duke ndërtuar modele të ndryshme, në thelbin e të cilëve qëndron identifikimi i të gjithë kanaleve të transmetimit të politikës monetare. Qëllimi kryesor i këtij modelimi është analiza e reagimit të çmimeve, të konsumit të investimeve, në përgjigje të ndryshimeve të mundshme që pëson ambienti makroekonomik. Në këtë mënyrë Banka e Shqipërisë do të ketë parashikime sa më të denja për inflacionin në të ardhmen e afërt dhe të largët.

Vëmendje e veçantë iu kushtua statistikave, me theks zgjerimin sasior dhe cilësor të tyre. Gjithashtu në këtë Tryezë të Rrumbullakët u diskutua mbi përmirësimin e komunikimit me publikun dhe rritjen e transparencës së Bankës së Shqipërisë, nga ku u konstatua se gjatë viteve të fundit ka patur progres në nivel të konsiderueshëm.

Të ftuar aktivë në këtë Tryezë të Rrumbullaket ishin edhe Ministri i Financave z. Ridvan Bode si dhe përfaqësues të tjerë të Ministrisë së Financave dhe INSTAT-i, Zv. Guvernatori i Bankës Qendrore të Kroacisë, Z. Boris Vujcic, përfaqësues të lartë të Komisionit Evropian, FMN-së, Bankës Qendrore Evropiane, Bankave Qendrore te Hungarisë, Çekisë, Turqisë si dhe akademikë të shquar.