BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Banka për Shqipërinë është i dyti fitim, pas lirisë..'100 vjet rrugëtim i bankingut qendror shqiptar'

Data e publikimit: 04.10.2013

 

Banka e Shqipërisë kremton këtë vit një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e bankingut qendror të vendit tonë: 100 vjetorin e nënshkrimit të aktit të parë koncesionar për krijimin e Bankës Kombëtare të Shqypërisë.

Me këtë rast, Banka e Shqipërisë në datë 4 tetor 2013, organizoi ekspozitën me vlera numizmatike: “...Banka për Shqipërinë është i dyti fitim, pas lirisë..”

foto1 6011 0

100 vjet më parë, më 4 tetor 1913, themeluesi i shtetit modern shqiptar, Ismail Qemal bej Vlora, nënshkroi në emër të qeverisë shqiptare, koncesionin e parë për krijimin e një banke kombëtare shqiptare. Marrëveshja e koncesionit u nënshkrua me përfaqësuesit e dy prej grupeve financiare më të mëdha të kohës austriake-hungareze dhe italiane. Hartimi i këtij koncesioni shënon gurin e themelit në ndërtimin e bankingut qendror shqiptar.

Ekspozita e çelur në kujtim të kësaj date të rëndësishme historike synon të njohë publikun me rrugëtimin e parasë në trojet shqiptare dhe historinë e formimit të institucionit të bankës qendrore në vendin tonë, përmban kryesisht monedha dhe kartëmonedha që kanë qarkulluar në viset shqiptare që nga lashtësia e deri në ditët tona.

Përveç materialeve historike mbi bankingun qendror dhe shumëllojshmërinë e pamjeve të monedhave dhe kartëmonedhave tona kombëtare gjatë zhvillimit të saj, ekspozita paraqet dhe nismat më të fundit të Bankës së Shqipërisë të ndërmarra në kuadër të edukimit financiar të publikut.

Çelja e ekspozitës u zhvillua në orën 11.00 nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në praninë e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta, si dhe të stërnipit të Ismail Qemal Bej Vlorës, z. Nedim Vlora.  Të ftuar në këtë aktivitet qenë përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në vendin tonë, të sektorit bankar, të studiuesve të fushës, të medias dhe të publikut të gjerë.

Ekspozita do të jetë e hapur për publikun deri ditën e premte, datë 11 tetor 2013.