BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Bordi i Fondit Monetar Ndërkombëtar rishikon marrëveshjen e parë me Shqipërinë

Data e publikimit: 25.07.2006

 

Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) përfundoi sot rishikimin e parë të ecurisë së Shqipërisë dhe garancitë financiare në bazë të marrëveshjes tre-vjeçare PRGF/EFF. Përfundimi i rishikimit mundëson lëvrimin e një shume të barasvlefshme me 2.43 milion SDR (rreth 3.6 milion USD), që e çon shumën totale të lëvruar në bazë të marrëveshjeve në rreth 4.87 milion SDR (rreth 7.2 milion USD).

Gjatë rishikimit, Bordi miratoi kërkesën e autoriteteve për një parashkrim për mospërmbushje të një kriteri strukturor performance për kompaninë shtetërore të energjisë elektrike KESH që të arrinte objektivat në bazë të Plan Veprimit të Sektorit të Energjisë Elektrike për periudhën 2006-2008 në lidhje me normat e mbledhjes së faturimeve dhe humbjeve.

Marrëveshjet paralele trevjeçare PRGF dhe EFF me një shumë totale prej 17.045 milion SDR (ose 25.2 milion USD) janë miratuar në 1 shkurt 2006.

Në vijim të diskutimeve të Bordit mbi Shqipërinë, znj. Anne O. Krueger, Zëvendësdrejtorja e parë dhe kryetarja e radhës tha:

"Ecuria makroekonomike e Shqipërisë gjatë vitit të kaluar ka qenë e mirë, me rritje të fortë, dërgesa të larta emigrantësh dhe një reduktim të ndjeshëm në varfëri. Borxhi është duke rënë dhe stabiliteti makroekonomik është ruajtur dhe inflacioni ka mbetur i ulët. Megjithëse deficiti i bilancit të pagesave është përkeqësuar disi, leku ka vazhduar të forcohet, gjë që reflekton rritjen e besimit dhe rënien e primeve të riskut.

"Pritshmëritë janë që rritja të moderohet lehtësisht në 2006, por me një rikthim në ritme më të shpejta në 2007 dhe në afatin e gjatë. Megjithatë që të mbahet ky ritëm i lartë do të kërkohen reforma domethënëse për të përmirësuar infrastrukturën dhe cilësinë e institucioneve—përfshirë këtu qeverisjen dhe shtetin e të drejtës. Reforma të tilla do t'i mundësojnë Shqipërisë të thithë investime të huaja me cilësi të lartë të nevojshme për ta zhvilluar më tej sektorin e eksportit, i cili mbetet i vogël.

"Rritja e shpejtë e ndërmjetësimit financiar është një zhvillim pozitiv dhe i nevojshëm për të mbështetur rritjen e lartë. Megjithatë norma e rritjes duhet të mbetet në përputhje me stabilitetin makroekonomik dhe financiar dhe programi merr masa për këtë. Do të merren masa për të shtrënguar gradualisht rregulloret e mbikëqyrjes dhe për të përmirësuar mbikëqyrjen bankare që të ruhet cilësia e kredive. Gjithashtu po punohet për të hapur një zyrë informacioni për kreditë dhe për të përmirësuar kuadrin ligjor të ekzekutimit të kolateralit. Këto masa pritet që të reduktojnë normën e rritjes së kredisë duke rritur kostot efektive të kredidhënies.

"Kuadri fiskal i programit dhe buxheti suplementar i 2006 janë në përputhje me strategjinë e autoriteteve për të pasur një qeveri të vogël, por efektive të përqendruar në funksionet e saj bazë. Një pjesë në rritje e shpenzimeve do të përdoret për investime dhe fusha të tjera prioritare, ndërsa përfitimet e ardhshme nga reforma në administrimin e taksave do të përdoren për të ulur taksat dhe borxhin. Buxheti suplementar i ndan përfitimet strukturore në të ardhura në bazë të kësaj strategjie.

"Reformat e ardhshme institucionale që nxisin rritjen do të përqendrohen në fusha që ndikojnë drejtpërdrejt në klimën e biznesit, si p.sh. të drejtat e pronësisë dhe zbatimi i kontratave. Privatizimi do të përshpejtohet në fushat jo-kryesore të qeverisë, përfshirë këtu privatizimin e divizionit të shpërndarjes së kompanisë së energjisë elektrike (KESH)," tha znj. Krueger.