BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Çel punimet konferenca vjetore e Bankës së Shqipërisë

Data e publikimit: 01.11.2018

 

"Politika Monetare, Integrimi Ekonomik dhe “Normaliteti i Ri"

Në datën 1 nëntor 2018, Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Shkollën Ekonomike dhe të Shkencave Politike të Londrës (London School of Economics and Political Science), organizon konferencën vjetore me temë: Politika Monetare, Integrimi Ekonomik dhe “Normaliteti i Ri”.

Kjo konferencë organizohet nën kujdesin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, me pjesëmarrjen e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z. Edi Rama, Ministrit të Financave dhe të Ekonomisë, z. Arben Ahmetaj, përfaqësuesve të kabinetit qeveritar dhe deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Të pranishëm janë gjithashtu guvernatorë, zëvendësguvernatorë, anëtarë të bordeve drejtuese dhe përfaqësues të lartë të bankave qendrore, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, përfaqësues të institucioneve financiare ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, rrethe akademike në vend, përfaqësues të sistemit bankar e financiar, përfaqësues të medias, si dhe stafi i Bankës së Shqipërisë.

#350EZH 2277

#350 DSC2472

Kjo konferencë realizohet në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit nënshkruar mes Bankës së Shqipërisë dhe Shkollës Ekonomike dhe të Shkencave Politike të Londrës (London School of Economics and Political Science).

Konceptuar në katër sesione, punimet e konferencës u hapën me fjalët përshëndetëse të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko; Drejtorit të Institutit për Çështjet Globale në Shkollën Ekonomike dhe të Shkencave Politike të Londrës, z. Erik Berglof; Ministrit të Financave dhe të Ekonomisë, z. Arben Ahmetaj; dhe Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama.

#350 DSC2758

#350 DSC2752

Gjatë fjalës së tij, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë bëri një ekspoze të zhvillimeve makroekonomike botërore, të rajonit dhe vendit tonë. Ai u shpreh se në raportet e fundit të institucioneve financiare ndërkombëtare prestigjioze theksohet se perspektiva e zhvillimit ekonomik botëror vijon të mbeten pozitive.

Duke u ndalur më gjatë në panoramën ekonomike shqiptare, Guvernatori theksoi se edhe Shqipëria gjendet në një trajektore të qëndrueshme e pozitive të rritjes ekonomike, dhe politikat ekonomike të ndjekura kanë krijuar premisa për shfrytëzimin e plotë të kapaciteteve prodhuese dhe për kthimin e inflacionit në objektiv.

3350EZH 2353

#350EZH 2393

“Në këtë pikë, seria e gjatë e reformave strukturore – të ndërmarra apo në fazë implementimi – duhet t’i hapë rrugë një rritjeje ekonomike më të shpejtë, më të qëndrueshme dhe më gjithëpërfshirëse.” – u shpreh Guvernatori.

Në vijim, lidhur me sistemin financiar në vend, ai theksoi se ai mbetet likuid, rentabël dhe i mirëkapitalizuar, duke zotëruar kapital dhe likuiditet të nevojshëm për të mbuluar nevojat e ekonomisë për financim, si dhe shfaqet rezistent ndaj goditjeve të mundshme.

Më tej, Guvernatori Sejko u ndal në temën e konferencës vjetore të Bankës së Shqipërisë, e cila ka të bëjë me sfidat që shtrohen përpara politikëbërësve, si në terma të rritjes ashtu dhe në terma të stabilitetit ekonomik e financiar.

Guvernatori nënvizoi se politika monetare shpesh përballet me efektivitet të kufizuar dhe e vetme ajo nuk disponon instrumentet e duhura për të gjeneruar një përshpejtim të qëndrueshëm të ritmit të rritjes në afatin e gjatë.

Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë ka adoptuar një përqasje të integruar për rritjen e efektivitetit të stimulit monetar, si adoptimin e instrumenteve të reja, ashtu dhe inicimin e një sërë reformash strukturore, të cilat synuan përmirësimin e mekanizimit të transmetimit të politikës monetare.

#350 DSC2399

#350EZH 2314

Në drejtim të kuadrit të instrumenteve, ai u shpreh se Banka e Shqipërisë ka filluar përdorimin e orientimit të tregut mbi të ardhmen e politikës monetare (forward guidance), dhe ka aplikuar masa makroprudenciale kundërciklike, në mbështetje të rritjes së kreditimit.

Gjithashtu, Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Qeverinë Shqiptare, ka ndërmarrë një sërë reformash strukturore në sistemin financiar, në drejtim të mekanizmit të transmetimit. Reforma të cilat synuan zhvillimin e tregut financiar, përmirësimin e ambientit ligjor e rregullator, ekzekutimin e kolateralit dhe uljen e rrezikut të kreditit, si dhe reduktimin e fenomenit të huamarrjes së pambrojtur.

Në përfundim të fjalës së tij, Guvernatori Sejko theksoi se nevoja për bashkërendimin e politikave të brendshme dhe rritja e ndërveprimit midis tregjeve dhe autoriteteve është e domosdoshme. Ky bashkëpunim në rang kombëtar, rajonal e botëror, do të ndihmonte shmangien e pasojave të padëshirueshme, jo vetëm për ekonomitë e vogla e në zhvillim, por dhe për ekonomitë mëdha.

Duke falënderuar të pranishmit, Guvernatori Sejko u shpreh i bindur se konkluzionet e paneleve të konferencës do të jenë shumë të dobishme për të gjithë dhe do të portretizojnë e paraqesin në mënyrë të plotë rreziqet dhe përfitimet nga problematikat e përmendura më lart.

#498EZH 2512

Sesioni i parë i konferencës trajton elementet kyçe për “normalitetin e ri” të politikës monetare dhe bankingun qendror në ekonomitë e zhvilluara, si dhe do të vlerësojë rrjedhojat e tyre. Në fokus do të jenë gjithashtu edhe ekonomitë e vogla në zhvillim dhe të angazhuara në procese integruese në “sferën e politikave” të BQE-së.

Gjatë sesionit të dytë, diskutimet fokusohen në përvojat dhe mësimet e nxjerra nga disa vende në zhvillim; koherencën dhe komplementaritetin në peizazhin e ri të stabilitetit; dhe domosdoshmërinë për bashkëpunimin e autoriteteve mbikëqyrëse të vendeve pritëse me ato të vendeve joanëtare të BE-së.

Sesioni i tretë prek efektshmërinë e ndërhyrjeve rregulluese në periudhën pas krizës dhe ndikimin transformues të fintech-ut mbi sistemin financiar, ekonominë në përgjithësi dhe përfshirjen financiare, si dhe trajton çështjen se si kuadri rregullator dhe ai i politikës monetare mund të jenë të përgatitur për këtë “botë të re”.

Sesioni i katërt, paneli i Guvernatorëve, mbledh në një tryezë të veçantë diskutimi: Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko; Guvernatorin e Bankës Qendrore të Islandës, z. Már Gudmundsson; Guvernatorin e Bankës Qendrore të Bosnje-Hercegovinës, z. Senad Softić; Zëvendësguvernatoren e Bankës Kombëtare të Kroacisë, zj. Sandra Švaljek; dhe Zëvendësguvernatorin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, z. Sokol Havolli.

Në këtë panel, diskutimet do të përqendrohen kryesisht në sfidat kryesore për ekonomitë e vogla në këtë “normalitet të ri” dhe përgjigjet që mund të vijnë nga bankat qendrore dhe autoritetet.