BANKA E SHQIPËRISË

Ceremonia e hapjes së Javës së Parasë 12-18 mars 2018

Data e publikimit: 12.03.2018

 

Në datën 12 mars 2018, në ambientet e Bankës së Shqipërisë, u çel Java e Parasë për vitin 2018, gjatë së cilës do të organizohen aktivitete të ndryshme.

Kjo Javë është një festë mbarëbotërore e parasë, e cila ka për qëllim ndërgjegjësimin e  fëmijëve dhe të rinjve për të qenë qytetarë të ardhshëm të përgjegjshëm dhe të aftë për të marrë vendime financiare të mirëmenduara.

 GEL2543 - 498

Ky vit shënon plot një dekadë angazhimi të Bankës së Shqipërisë në fushën e edukimit financiar, që fillimin e saj e gjen pikërisht në një Memorandum Bashkëpunimi të nënshkruar me Ministrinë e Arsimit. Sivjet është viti i pestë që Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Shoqatën Shqiptare të Bankave, dhe partnerë të tjerë organizojnë aktivitete edukuese për fëmijë dhe të rinj me rastin e kësaj ngjarjeje.

Gjatë javës 12-18 mars 2018, Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Bankave dhe mbështetjen e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, organizojnë aktivitete të larmishme për  fëmijët dhe të rinjtë. Në thelb të këtyre aktiviteteve qëndron edukimi financiar, më konkretisht si ata të kujdesen për paratë, si të kursejnë, si të mendojnë financiarisht. Këto do të realizohen nëpërmjet pjesëmarrjes së tyre në leksione, konkurse, vizita në Muzeun e Bankës së Shqipërisë dhe në banka tregtare dhe orë të hapura mësimore.

Aktivitetin çelës të Javës së Parasë 2018 e përshëndetën Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, dhe Kryetari i Shoqatës Shqiptare të Bankave, z. Silvio Pedrazzi.

 GEL2764 - 498

Në fjalën e tij përshëndetëse, Guvernatori Sejko theksoi angazhimin serioz të Bankës së Shqipërisë në edukimin financiar, përmes zbatimit të programeve edukative dhe hartimit të teksteve mësimore dedikuar arsimit fillor dhe atij të mesëm.

Ai nënvizoi gjithashtu moton e aktivitetit “Paraja: Ç’të mbjellësh, do të korrësh ", i cili thekson rëndësinë e çështjeve që lidhen me paranë. Guvernatori Sejko shtoi se përtej mesazhit që banka dëshiron të përçojë, vlerëson frymëzimin, origjinalitetin dhe të menduarit aktiv, si mënyra më efektive për përthithjen e kësaj teme sa komplekse, aq edhe të prekshme.

Më tej, Guvernatori Sejko u shpreh se përmes aktiviteteve edukuese që do të organizohen gjatë gjithë kësaj jave, Banka e Shqipërisë kërkon të tërheqë edhe njëherë vëmendjen e të rinjve dhe fëmijëve mbi domethënien e financave personale dhe ndikimin e vendimeve të arsyetuara në suksesin personal të gjithsecilit e të shoqërisë si një e tërë.

 GEL2807 - 498

Më tej aktiviteti vijoi me ceremoninë e ndarjes së çmimeve për fituesit e tre konkurseve të para të organizuara nga Banka e Shqipërisë dhe Shoqata Shqiptare e Bankave me rastin e Javës së Parasë.

Konkursi i parë ishte "Paraja: Ç’të mbjellësh, do të korrësh!” në të cilën morën pjesë nxënësit e klasave VI të shkollave 9-vjeçare, me projekte kreative, si vizatim, punë dore, të cilat përcjellin qartë konceptin e tyre të administrimit të parasë. Në këtë konkurs u paraqitën për konkurrim rreth 70 projekte dhe morën pjesë 144 nxënës të 21 shkollave 9-vjeçare.

Konkursi i dytë i organizuar është ai i videos më të mirë. Konkursi ftoi nxënësit gjimnazistë të përcillnin me origjinalitet mesazhet e tyre për temën “Paraja: Ç’të mbjellësh, do të korrësh!” përmes një videoje prej jo më të gjatë se 2 min. Videoja mund të ishte produkt i punës individuale ose në grup. Gjithsej në konkurs u paraqitën 24 video, të realizuara nga 40 nxënës të 14 shkollave të mesme të vendit, prej të cilave u shpallën 3 fitues.

Konkursi i tretë i organizuar është ai i esesë më të mirë me temë “A përbën rrezik përdorimi i euros në transaksionet tregtare në Shqipëri?”. Studentët u ftuan të realizonin ese argumentuese jo më të gjata se 1500 fjalë, duke përmbushur kriteret e shkrimit akademik.