BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Ceremonia e hapjes së Javës së Parasë, 22-26 mars 2021

Data e publikimit: 23.03.2021

 

Në datën 23 mars 2021 u organizua ceremonia hapëse online e Javës së Parasë për vitin 2021, gjatë së cilës u ndanë çmimet për nxënësit fitues në konkurset e kësaj ngjarjeje.

Kjo Javë është një nismë ndërkombëtare e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), e cila synon ndërgjegjësimin e brezit të ri për të qenë qytetarë të përgjegjshëm financiarisht në të ardhmen.

DSC 5358 498

Prej pothuajse 10 vitesh Banka e Shqipërisë dhe Shoqata Shqiptare e Bankave, me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, si dhe partnerëve të tjerë, si Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD), bëhen pjesë e kësaj lëvizjeje duke organizuar përgjatë çdo fund marsi aktivitete edukative dhe ndërgjegjësuese për grupmoshat e nxënësve të arsimit para universitar dhe atij universitar. 

DSC 5315 498

Tema e Javës Globale të Parasë për vitin 2021 ishte “Kujdesu për veten, kujdesu për paratë e tua!”. Ajo nënvizon rëndësinë kyçe që kanë njohuritë mbi një treg financiar gjithnjë e më të digjitalizuar dhe inovator. Zhvillimi i teknologjisë së informacionit i ka  hapur rrugë inovacionit financiar i cili i mundëson publikut përdorimin e produkteve të reja financiare e bankare. Instrumentet e reja të pagesave kanë siguruar gjithashtu distancimin fizik në mbrojtje më të mirë të shëndetit publik veçanërisht në situatën e krijuar nga COVID-19.

Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë, si institucioni mbikëqyrës dhe nxitës i sistemit bankar shqiptar, përveç përgjigjes së menjëhershme ndaj vështirësive të ardhura si pasojë e COVID-19, përmes një pakete të plotë masash monetare, mbikëqyrëse, makroprudenciale dhe operacionale, gjen jo me më  pak rëndësi  edhe hartimin dhe organizimin e iniciativave edukuese siç është dhe Java Globale e Parasë.

DSC 5426 498

Aktivitetin çelës të Javës së Parasë 2021 e përshëndetën Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, zj. Evis Kushi, dhe Kryetari i Shoqatës Shqiptare të Bankave, z. Silvio Pedrazzi.

DSC 5480 498

Në fjalën e tij përshëndetëse, Guvernatori Sejko theksoi se nëpërmjet aktiviteteve edukuese Banka e Shqipërisë synon të afrojë brezin e ri me botën e ndërlikuar të financave dhe bankingut; të prezantojë dhe të përçojë njohuri mbi mundësitë, por dhe rreziqet, që produktet e larmishme bankare e financiare mbartin; si dhe të prezantojë publikun e ri me informacione të nevojshme mbi huamarrjen dhe kursimin.

Guvernatori shtoi se iniciativat edukuese të Bankës së Shqipërisë nuk kufizohen vetëm në aktivitetet e Javës Globale të Parasë. Edukimi financiar i publikut është pjesë e rëndësishme e punës së përditshme ku përmes mjeteve edukative virtuale të vendosura në faqen tonë zyrtare, nxënësit dhe mësuesit mund të mësojnë gjatë gjithë vitit mbi çështje të financave, duke parë video dhe shfletuar literaturë dedikuar arsimit parauniversitar dhe studentëve.

DSC 5497 498

Guvernatori Sejko theksoi se Banka e Shqipërisë vlerëson se edukimi financiar duhet të nisë sa më herët. Ky pohim përbën dhe filozofinë e programeve të institucionit i cili synon ndërtimin e urave të komunikimit, ndërgjegjësimin dhe rritjen e njohurive financiare tek brezi i ri. Ata duhet të përftojnë gradualisht njohuritë, aftësitë, qëndrimin dhe sjelljet e nevojshme për të marrë vendime të shëndosha financiare, me qëllim që në të ardhmen e tyre si individë të maturuar të arrijnë mirëqenie financiare si dhe të jenë të aftë të përballojnë situatat e emergjencës, siç është kjo që po kalojmë aktualisht.

 

DSC 5511 498

Në përfundim të fjalës së tij, Guvernatori falënderoi të gjithë pjesëmarrësit dhe bashkëpunëtorët e Bankës së Shqipërisë në të gjitha iniciativat dhe programet e saj edukuese, dhe specifikisht për Javën Globale të Parasë si dhe i inkurajoi ata, të mos i rreshtin përpjekjet për t’i sjellë tematika të tilla si planifikimi i financave personale në vëmendje të brezit të ri.

Në fjalën e saj Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, zj. Evis Kushi falënderoi Bankën e Shqipërisë dhe Shoqatën Shqiptare të Bankave për organizimin e këtij aktiviteti shumë kuptimplotë, një fushatë e cila nxit fëmijët dhe studentët për të mësuar më shumë rreth parasë, për t’u bërë qytetarë më të ndërgjegjshëm dhe më të aftë në fushën financiare.

DSC 54111 498

Ministrja Kushi shtoi se edukimi financiar është pjesë e kurrikulës së arsimit para universitar.   Nëpërmjet kulturës financiare që fillon të mësohet gjatë ciklit 9-vjeçar dhe thellohet në shkollimin e mesëm, brezi i ri  do të ketë mundësinë të  forcojë aftësitë individuale në  sipërmarrje  dhe si vendimmarrës të ardhshëm, duke bazuar vendimet mbi njohuri të shëndosha ekonomike dhe financiare. Ajo theksoi rëndësinë e ndërgjegjësimit të brezave të rinj mbi rëndësinë e parasë dhe rolin e saj në sistemin ekonomik e financiar. Ministrja u shpreh se  shoqëria jonë duhet te reflektojë për t’i dhënë vlerën e duhur parasë, si vlerë këmbimi për mundin dhe punën tonë të përditshme.

Gjithashtu Ministrja bëri thirrje se disa zakone që ne si shoqëri i mbartim ndër vite nuk duhet t’i trashëgojmë te brezi i ri, si për shembull leximi i lekut me një zero më shumë. Në këtë kuadër zj. Kushi theksoi se duhet të nxisim të rinjtë  të lexojnë drejtë vlerën e parasë dhe ta menaxhojnë atë duke mësuar format e kursimit dhe menaxhimit të saj dhe se kjo mund të arrihet nëpërmjet aktiviteteve edukuese, programeve, konkurseve etj që kanë në fokus rritjen e përfshirjes financiare.

Zj. Kushi  falënderoi gjithë organizatorët dhe pjesëmarrësit për angazhimin në këtë aktivitet kushtuar rëndësisë së parasë, jo vetëm për nxënësit dhe studentet por dhe për shoqërinë në përgjithësi, si dhe shprehu gatishmërinë e Ministrisë së Arsimit Sportit dhe Rinisë për të bashkëpunuar në të ardhmen për përmbushjen e objektivit për rritjen e kulturës financiare të brezit të ri.

Më tej, aktiviteti vijoi me ceremoninë e ndarjes së çmimeve për fituesit e konkurseve të organizuara nga Banka e Shqipërisë dhe Shoqata Shqiptare e Bankave me rastin e Javës së Parasë.

Në kuadër të kësaj jave u organizuan katër konkurse mbi temën “Kujdesu për veten, kujdesu për paratë e tua”. Konkursi i parë i organizuar ishte ai i “Vizatimit të Mirë” drejtuar nxënësve të klasave të V të vendit, konkursi i dytë ishte ai mbi fotomontazhet (memet) më të mira, drejtuar nxënësve të klasave VII dhe VIII në të gjithë vendin. Konkursi i tretë ishte ai mbi videon më të mirë drejtuar gjimnazistëve të vendit, dhe konkursi i katërt ai mbi postimin më të mirë në Facebook me temë “Ndikimi i Covid-19 në ekonomi dhe kujdesi për financat personale në periudha pandemie”, drejtuar studentëve të degëve Ekonomi/ Financë-Bankë.

Gjithashtu, në kuadër të Javës së Parasë 2021, në datën 25 mars do të organizohet për herë të tretë Kuizi Evropian i Parasë, një konkurs mbarëevropian me qëllim përmirësimin e kulturës financiare të fëmijëve në moshën 13-15 vjeç (klasat e 9-ta) pavarësisht lëndëve mësimore që zhvillojnë. Kuizi pritet të përfshijë qindra nxënës. Fituesit në rang kombëtar, do të konkurrojnë në finalen evropiane të Kuizit Evropian të Parasë, i cili do të zhvillohet online në datë 20 prill 2021.