BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Ceremonia e promovimit të librit: “Paraja, bankat dhe shoqëria. Bashkudhëtimi historik që nga fillesat deri në kohët moderne”

Data e publikimit: 22.02.2019

 

Në datën 22 shkurt 2019, në ambientet e Bankës së Shqipërisë u zhvillua ceremonia e promovimit të librit “Paraja, bankat dhe shoqëria. Bashkudhëtimi historik që nga fillesat deri në kohët moderne”, të autorëve Prof. Dr. Aristotel Pano dhe Akad. Prof. Dr. Anastas Angjeli.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Guvernatori Sejko shprehu vlerësimet e tij për dy profesorët Pano dhe Angjeli, të cilët përmes një gjuhe të thjeshtë e të qartë, kanë sjellë në duart e lexuesit një analizë të plotë të sistemeve monetare e financiare, të përshkruar në formën e një udhëtimi historik që nga lashtësia e deri në ditët tona. “Me kënaqësinë e veçantë si një ndër lexuesit e parë të këtij libri, por dhe si kontribuues në parathënien e tij, kam bindjen e plotë se ky libër do të mirëpritet nga publiku profesionist dhe jo vetëm, ndaj më lejoni të uroj dhe përgëzoj profesorët e nderuar, Aristotel Pano dhe Anastas Angjeli, për këtë vepër me vlera të padiskutueshme”, theksoi Guvernatori Sejko.

Analizimi dhe studimi ndër vite i zhvillimeve ekonomike e kryesisht i krizave financiare globale dhe rajonale ndihmon në edukimin financiar të agjentëve ekonomikë për të shmangur rënien pre e mashtrimeve me qëllim përfitimin nga palët e treta. Në këtë drejtim, Guvernatori theksoi se ky libër ka një rëndësi të veçantë nga këndvështrimi i edukimit financiar të publikut.

Aktiviteti u përshëndet edhe nga Akad. Prof. Dr. Anastas Angjeli, Prof. Dr. Muzafer Korkuti dhe Prof. Dr. Genc Ruli.

Fjala e Guvernatorit Sejko 

Fjala e Akad. Prof.Dr. Angjeli 

Fjala e Prof. Dr. Korkuti

Fjala e Prof. Dr. Ruli

Në ceremoninë e promovimit të këtij libri merrnin pjesë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, përfaqësues nga bota akademike, drejtues të sistemit bankar, ekonomistë, përfaqësues nga Banka e Shqipërisë, etj.

Libri “Paraja, bankat dhe shoqëria. Bashkudhëtimi historik që nga fillesat deri në kohët moderne” është një udhëtim historik e ekonomik në sistemet monetare që kanë mbisunduar dhe kanë administruar jetën ekonomike e financiare globale, si dhe në vende apo territore shqiptare. I mbushur me fakte dhe histori interesante dhe i ilustruar me imazhe të zgjedhura me kujdes, ky libër është një burim ndriçues informacioni mbi rolin vendimtar që kanë luajtur sistemet e ndryshme monetare në historinë e Kontinentit Evropian dhe rrjedhimisht edhe në atë të vendit tonë.

 Video 

 Foto Flickr