BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Ceremonia virtuale e përfundimit të Projektit të Binjakëzimit “Forcimi i kapaciteteve të Bankës së Shqipërisë në kuadër të përafrimit me legjislacionin e Bashkimit Evropian”

Data e publikimit: 18.01.2021

 

Sot, më datë 18 janar 2021, u zhvillua ceremonia virtuale e përfundimit të Projektit të Binjakëzimit “Forcimi i kapaciteteve të Bankës së Shqipërisë në kuadër të përafrimit me legjislacionin e Bashkimit Evropian (BE)”.

Ky projekt u prezantua në dhjetor të vitit 2019 dhe u financua nga fondet e Bashkimit Evropian, në kuadër të Instrumentit të Asistencës së Para-Anëtarësimit (IPA II) të vitit 2015, në vazhdimësi të projektit të mëparshëm “Identifikimi i nevojave për përafrimin e Bankës së Shqipërisë” - konceptuar dhe udhëhequr nga Banka Qendrore Evropiane, në partneritet me 11 banka qendrore të Bashkimit Evropian.

#498DLL 7070

Projekti u zbatua nga Banka e Shqipërisë, Banka e Italisë dhe Banka e Gjermanisë, si dhe disa komponentë të caktuar të tij u zbatuan nga Banka e Francës dhe Banka Kombëtare e Rumanisë. Ai kishte si qëllim parësor, përmirësimin e praktikave të punës të Bankës së Shqipërisë dhe njëjësimin e tyre me praktikat e Sistemit Evropian të Bankave Qendrore, dhe falë trajnimit të ekspertëve të Bankës së Shqipërisë, synoi të sjellë ekspertizën e BE-së dhe përvojën e dy prej vendeve themeluese të BE-së në dobi të sistemit bankar shqiptar, duke ndihmuar kështu në integrimin ekonomik të vendit me BE-në.

#498DLL 7077

Ceremonia e përfundimit të këtij projekti, u hap nga fjalët përshëndetëse të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko; Ambasadorit të BE-së, SH.T.Z. Luigi Soreca; Zëvendësguvernatorit të Bankës së Italisë, z. Daniele Franco; Ambasadorit të Italisë në Shqipëri, SH.T.Z. Fabrizio Bucci; Ambasadorit të Gjermanisë në Shqipëri, SH.T.Z. Peter Zingraf.

#498DLL 7094

Gjatë fjalës së tij, Guvernatori Sejko u shpreh se pavarësisht situatës së jashtëzakonshme të krijuar për shkak të pandemisë COVID-19  në pjesën e parë të vitit 2020, nëpërmjet përshtatjes me mënyrën e re, atë të të punuarit në distancë, ia dolëm të përmbushnim projektin me sukses dhe në kohë.

#498 DLL 7132

Në vijim, Guvernatori prezantoi një panoramë të Projektit të Binjakëzimit, ku theksoi se ai përfshiu 8 departamente të Bankës së Shqipërisë, duke adresuar çështje të rëndësishme të bankingut qendror, të përmbledhura në 5 komponentë si: mbikëqyrja bankare dhe stabiliteti financiar; politika monetare dhe statistika; kontrolli i brendshëm; sistemet e pagesave; si dhe funksione të tjera, si burimet njerëzore dhe integrimi evropian.

#498DLL 7135

Gjatë zbatimit të Projektit të Binjakëzimit u realizuan 105 misione, duke përfshirë 73 ekspertë të bankave qendrore në BE, si dhe një numër të konsiderueshëm punonjësish të 8 departamenteve të Bankës së Shqipërisë. Të gjitha rezultatet e planifikuara në projekt u realizuan plotësisht si dhe secili prej komponentëve të projektit u pasqyrua në një numër rezultatesh të matshme, në formën e dokumenteve rregullatore. U hartuan 29 dokumente të ndryshme, si rregullore, akte nënligjore, manuale dhe udhëzues.

#498 DLL 7142

Guvernatori Sejko shtoi se ndërmarrja e projekteve të tilla nënvizon qartazi angazhimin reciprok të BE-së dhe të Shqipërisë në drejtim të thellimit të proceseve integruese me objektiv kryesor përafrimin e kuadrit ligjor, rregullator dhe operacional të Bankës së Shqipërisë, me atë të Sistemit Evropian të Bankave Qendrore.

#498DLL 7148

Më tej, Guvernatori nënvizoi se Banka e Shqipërisë mbetet e angazhuar në rrugën e saj për konvergimin e shpejtë me modelin e Sistemit Evropian të Bankave Qendrore dhe u shpreh besimplotë se ky është kontributi më i mirë për vendin në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian - një objektiv strategjik që e kemi përfshirë në planet tona të punës për vitin 2021 dhe më tej. “Jam i sigurt se bashkëpunimi ynë do të vazhdojë në të ardhmen dhe mbështetja e udhëheqja evropiane do të na shoqërojë në çdo hap që hedhim drejt integrimit në familjen e përbashkët evropiane.”- shtoi Guvernatori.

#498DLL 7080

Në përfundim, Guvernatori shprehu falënderimet më të sinqerta për Komisionin Evropian, mbështetja e të cilit mundësoi financimin e këtij projekti, Drejtorinë e Përgjithshme të Kontraktimeve dhe Financimeve për profesionalizimin dhe angazhimin e vazhdueshëm gjatë gjithë periudhës së zbatimit të programit, Bankën e Italisë, për angazhimin e saj afatgjatë në mbështetje të institucionit tonë, Bankën e Gjermanisë, për pjesëmarrjen e saj aktive në këtë projekt dhe për rolin e saj drejtues në projektin rajonal, Bankën Kombëtare të Rumanisë dhe Bankën e Francës për përfshirjen e tyre specifike në këtë projekt dhe stafin e Bankës së Shqipërisë, i cili kapërceu vështirësitë e shkaktuara nga pandemia Covid-19, dhe ia doli ta përfundojë me sukses këtë projekt në të gjithë objektivat e tij të përcaktuar.

#498DLL 7152

Ambasadorët gjatë fjalës së tyre, vlerësuan punën e bërë nga Banka e Shqipërisë në drejtim të ruajtjes dhe garantimit të sistemit financiar në vend, sidomos në këto kohë të vështira të krijuara nga pandemia e Covid-19.

Ata theksuan se, nëpërmjet instrumenteve të politikës monetare, Banka e Shqipërisë ka luajtur një rol thelbësor duke ofruar në vazhdimësi stimujt e nevojshëm ekonomikë. Gjithashtu falë masave të marra nga Banka e Shqipërisë janë krijuar premisat për një rimëkëmbje sa më të shpejtë të ekonomisë në periudhën vijuese. Ndër të tjera, ata shtuan se Banka e Shqipërisë është një institucion qe ka luajtur një rol të spikatur nëpërmjet kontributit të vazhdueshëm të dhënë në rrugën e integrimit evropian të vendit.

Në përfundim, Ambasadorët përgëzuan Bankën e Shqipërisë për përfundimin me sukses të Projektit të Binjakëzimit “Forcimi i kapaciteteve të Bankës së Shqipërisë në kuadër të përafrimit me legjislacionin e Bashkimit Evropian” pavarësisht sfidave të vitit 2020.

#498DLL 7058

Ndërsa ekspertët e Bankës së Italisë dhe të Bankës së Gjermanisë prezantuan në detaje rezultatet konkrete të detajuara të këtij projekti. Në vijim, ata vlerësuan stafin e Bankës së Shqipërisë për kontributin e vyer në këtë projekt si dhe shprehën vullnetin e tyre për bashkëpunime të tjera në të ardhmen midis bankave qendrore.