BANKA E SHQIPËRISË

Cikli i leksioneve “Netët e Muzeut”- “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullën shqiptare”, nga Prof. Dr. Jovan Basho

Data e publikimit: 05.03.2018

 

Në datën 2 mars 2018, Muzeu i Bankës së Shqipërisë organizoi leksionin e radhës së ciklit “Netët e Muzeut”, me temë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullën shqiptare”. Ky leksion u mbajt nga mjeku dhe filatelisti Prof. Dr. Jovan Basho.

 DSC6405498-2

Përmes organizimit të ciklit “Netët e Muzeut”, Muzeu i Bankës së Shqipërisë hap dyert për të interesuarit pas orarit zyrtar të punës së tij. Vizitorët nuk kryejnë vetëm një vizitë në Muze por mund të dëgjojnë leksione mbi tematika të ndryshme të lidhura jo vetëm me monedhën por edhe me informacione të gjendura në arkiva, biblioteka, koleksione private apo edhe atë të shfaqur përmes arkitekturës, skulpturës, arteve vizive dhe fotografisë.  

Gjatë leksionit “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullën shqiptare”, Prof. dr. Basho prezantoi në mënyrë të detajuar emisionet e koleksionit filatelik shqiptar të lidhura me figurën e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeut, duke evidentuar kronologjikisht dhe ilustruar me pamje disa nga emisionet filatelike më interesante për Skënderbeun gjatë viteve 1913-2005.  Pjesë interesante e prezantimit ishin edhe disa kuriozitete lidhur me emetime të pullave postare të rralla, të kartëpostaleve me rëndësi historike, si dhe të gabimeve në emetime që i bëjnë pullat edhe më të kërkuara për filatelistët.

 DSC6422 498 -2

Në përfundim të leksionit, dëgjuesit shijuan një ekspozitë të ndërtuar nga koleksioni i z. Basho me tematikë “Heroi Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në emisionet postare të viteve 1913-1918”.