BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Deklarata e stafit të FMN - së në përfundim të misionit të negocimit PRGF - EFF në Shqipëri

Data e publikimit: 21.11.2005

 

Një mision i FMN-së vizitoi Tiranën gjatë 7-21 Nëntor, 2005 për të zhvilluar bisedime për një program të ri trevjeçar. Misioni ka arritur mirëkuptimin me autoritetet për politikat ekonomike të periudhës 2006-08 të nevojshme për të ruajtur stabilitetin makroekonomik, për të rritur potencialin e rritjes, reduktuar dobësitë dhe për të forcuar aftësitë paguese të qeverisë. Objektivat e politikës monetare janë vendosur për të nxitur stabilitet të vazhduar çmimesh, ndërsa programi fiskal afatmesëm do të synojë një ekuilibër midis reduktimit të borxhit publik dhe rritjes së shpenzimeve që nxisin rritjen dhe reduktojnë varfërinë. Misioni arriti gjithashtu mirëkuptim për reformat kyçe në administratën tatimore dhe doganore, në menaxhimin e borxhit publik, në menaxhimin e shpenzimeve publike dhe në zhvillimin e tregut financiar. Megjithë një rënie të përkohshme në 2005-06 për shkak të mungesës së energjisë, rritja ekonomike parashikohet të rikthehet në nivelet e 6 përqindëshit në afatin e mesëm nëse këto politika zbatohen. Marrëveshja e propozuar do të diskutohet nga Bordi Ekzekutiv i FMN-së në fillim të 2006.

Kuadri makroekonomik. Rritja e PBB-së është parashikuar të bjerë në 5 përqind në 2006 nga niveli i parashikuar prej 5½ përqind i këtij viti, duke reflektuar efektin e mungesës së energjisë. Megjithatë, kur shkurtimet të eleminohen gradualisht, rritja reale e PBB-së pritet që të rikthehet në 6 përqind në vitet e mëpasme, e përforcuar nga investimet në rritje të nxitura nga përmirësimet e pritshme në klimën e biznesit. Inflacioni parashikohet të mbetet në intervalin objektiv prej 2-4 përqind të Bankës së Shqipërisë për periudhën e programit. Duke qenë se kursimet pritet që të rriten më shpejt sesa investimet private dhe publike, bilanci i llogarisë korrente parashikohet të përmirësohet gradualisht.

Programi fiskal dhe buxheti 2006. Programi fiskal afatmesëm do të vendosë një ekuilibër midis reduktimit të borxhit publik dhe rritjes së shpenzimeve publike që nxisin rritjen dhe reduktojnë varfërinë. Huamarrja e brendshme e qeverisë do të reduktohet në 2.4 përqind të PBB-së në 2008 nga niveli i sivjetshëm i vlerësuar në 2.8 përqind, duke rezultuar në një rënie të moderuar të borxhit publik në raport me PBB-në nga fundi i programit. Projekt-buxheti i vitit 2006 është i bazuar në parashikime konservatore mbi të ardhurat, që nuk përfshijnë përfitime nga masat për administrimin e taksave. Për më tepër ai përmban një nivel të konsiderueshëm shpenzimesh kontigjente, rreth ¾ e PBB-së, të cilat mund të lëvrohen në gjysmën e dytë të vitit nëse prirja e të ardhurave është në përputhje me parashikimet. Në rast se ka një tejkalim të qëndrueshëm të ardhurash p.sh. falë përfitimeve prej mirëadministrimit të taksave dhe/ose të ardhura më të larta nga privatizimi sesa ato të planifikuara, qeveria në konsultim me FMN-në, planifikon të paraqesë një buxhet suplementar në parlament në gjysmën e dytë të vitit.

Programi monetar. Kuadri aktual i politikës monetare, me objektiva sasiorë për rezervën monetare dhe normën e marrëveshjeve të riblerjes si instrumentat kryesorë të politikës monetare, do të ruhet. Objektivat brenda këtij kuadri janë vendosur për të ruajtuar inflacionin në intervalin objektiv të Bankës së Shqipërisë prej 2-4 përqind. Qëndrimi aktual i politikës monetare është i përshatshëm. Megjithatë, Banka e Shqipërisë duhet të ndjekë me vëmendje zhvillimet e inflacionit dhe të pagave, dhe të ndërmarrë hapat e nevojshëm nëse rritja e kostove në ekonomi që vjen si pasojë e mungesave të energjisë fillon të përkthehet në efekte dytësore në çmimet e konsumit. Kredia ndaj sektorit privat pritet që të vazhdojë të rritet shpejt ndërsa ndërmjetësimi financiar thellohet dhe klima e biznesit përmirësohet. Ndërsa ky është një zhvillim i mirëpritur, kuadri rregullativ, mbikqyrja bankare dhe kuadri për zbatimin e kolateralit do të duhet të forcohen më tej për të minimizuar risqet ndaj stabilitetit të sistemit financiar.

Administrimi i të ardhurave. Një objektiv madhor i programit të ri të planifikuar është për të shndërruar agjencitë që grumbullojnë të ardhura në organizata moderne që bazohen në vetëvlerësimin dhe në zbatimin vullnetar nëpërmjet procedurave të thjeshta dhe transparente dhe zbatimit të fortë. Autoritetet dhe stafi i FMN-së kanë rënë dakord që masat në këtë drejtim do të udhëhiqen nga rekomandimet e kohëve të fundit të një misioni asistence teknike të FMN-së dhe do të adresojnë të gjitha shqetësimet kryesore të drejtimit dhe mungesat operacionale dhe administrative. Përpjekjet për grumbullimin e taksave do të ripërqëndrohen në zyrën e taksapaguesve të mëdhenj. Reforma të tjera do të nixsin efiçencën dhe do të përmirësojnë drejtimin në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, për të siguruar një zbatim të mëtejshëm të sistemit ASYCUDA dhe përdorimin më të mirë të modulit të vlerësimit të riskut.

Shpenzimet pubike dhe menaxhimi i borxhit. Me asistencën e partnerëve të zhvillimit, qeveria do të vazhdojë të zbatojë masa për të rritur cilësinë, efiçencën dhe produktivitetin e shpenzimeve publike dhe për të krijuar hapësirë për më shumë investime publike dhe shpenzime prioritare, përfshirë këtu kujdesin shëndetësor dhe arsimin. Gjithashtu do të forcohet kuadri institucional për të vlerësuar dhe prioritarizuar projektet e investimeve publike dhe do të zhvillohen studime të pavarur fizibiliteti për çdo projekt të madh të financuar nga hua jo-koncesionare. Përmirësimi i menaxhimit të borxhit publik do të jetë një objektiv kryesor i programit të ri. Kapacitetet e dobëta institucionale në këtë fushë dhe maturiteti mesatar i shkurtër i borxhit publik i bëjnë financat publike të prekshme nga shoqet në tregjet financiare. Për të zgjidhur këto probleme, qeveria do të zhvillojë një program të gjithanshëm reformash, të bazuar në gjetjet e një misioni asistence teknike të FMN-së, që është parashikuar paraprakisht për në fillim të 2006.

Reformat në tregun financiar. Reformat në sektorin financiar do të udhëhiqen nga raporti FSAP (programi i vlerësimit të stabilitetit financiar) i FMN-së dhe Bankës Botërore. Në mënyrë të veçantë, masat do të synojnë të përmirësojnë ndërmjetësimin financiar dhe kapacitetet e mbikqyrjes, sidomos në sektorin e sigurimeve dhe pensioneve, do të reduktojnë më tej përqindjen e pagesave cash në ekonomi dhe do të promovojnë efiçencë më të madhe në sektorin financiar. Ndërsa dritarja e bonove të thesarit në Bankën e Shqipërisë do të mbahet ende, autoritetet do të marrin masat për të eliminuar pagesat në cash për bonot e thesarit. Për të përfunduar procesin e privatizimit në sektorin bankar, do të përshpejtohen pregatitjet për të shitur paketat minoritare të aksioneve në dy banka tregtare.

Sektori energjitik. Gjatë javëve të fundit, për të rritur importet e energjisë elektrike, janë marrë masa që përfshijnë edhe rregulla të reja për prokurimin. Një kontroll financiar i KESH-it është në punë e sipër dhe në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe donatorët e tjerë, po pregatitet një Plan Veprimi i rifreskuar për sektroin e energjisë për 2006-08. Megjithatë nevojiten përpjekje të mëtejshme për të ndryshuar kahjen e përkeqësimit të performancës së KESH-it. Në këtë kuadër, autoritetet do të marrin masa që do të forcojnë disiplinën e pagesës të institucioneve, përfshirë këtu një rakordim të shpejtë dhe shlyerje të faturave të papaguara të energjisë për 2005 dhe instalimin e sahateve në të gjitha institucionet buxhetore deri në mes të 2006.

Kushtet strukturore. Autoritetet kanë rënë dakord të ndërmarin tre masa përpara mbledhjes së Bordit Ekzekutiv të FMN-së për programin e propozuar: miratimi i buxhetit të 2006 që është në përputhje me objektivat fiskalë të rënë dakord, forcimi i zyrës së taksapaguesve të mëdhenj dhe miratimi i një plan veprimi për reforma në administratën tatimore. Përveç këtyre, janë vendosur kritere performance strukturore dhe objektiva që fokusohen në masat kryesore strukturore për të nxitur zbatimin e qëndrueshëm të reformave.

Misioni dëshëron të falenderojë autoritetet për bashkëpunimin e ngushtë dhe mikpritjen e ngrohtë.

Istvàn P. Szèkely K. Ann-Margret Westin
Shef i Misionit Përfaqësuese e Përhershme