BANKA E SHQIPËRISË

BANKA E SHQIPËRISË
Deklaratë për Shtyp e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë

Data e publikimit: 06.08.2014

 

Sot, më datë 6 gusht 2014, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në një mbledhje të posaçme, u njoh me masat e marra nga administrimi i Bankës së Shqipërisë me qëllim garantimin e vijueshmërinë normale të të gjithë funksioneve operacionale që lidhen me emetimin e parasë letër dhe asaj metalike.

Pas një analize të hollësishme, Këshilli Mbikëqyrës ka arritur në përfundimet e mëposhtme.

I. Rregulloret, udhëzimet dhe procedurat që normojnë veprimtarinë për administrimin, ruajtjen dhe përpunimin e vlerave monetare në Bankën e Shqipërisë, janë hartuar në përputhje të plotë me dispozitat ligjore dhe nënligjore që rregullojnë veprimtarinë e fushës.

II. Të gjithë personat e ngarkuar me administrimin dhe ruajtjen e vlerave monetare, punonjës në Arkën Stok, ambientet dhe elemente të tjera të së cilës klasifikohen sekret shtetëror, janë të pajisur me certifikatë sigurie sipas përcaktimeve ligjore.

III. Zbatimi me korrektësi i bazës rregullatore që normon procedurat, strukturat organizative, sistemet elektronike dhe të teknologjisë së informacionit në Bankën e Shqipërisë, do të kishte parandaluar dhe do të mundësonte zbulimin në kohë të ngjarjes.

IV. Janë vërejtur shkelje dhe mosrespektime të bazës rregullatore nga ana e punonjësve të veçantë të Bankës së Shqipërisë, në zbatimin e procedurave për administrimin e çelësave, si dhe të protokolleve të regjimit hyrje-dalje në ambientet ku ruhen vlerat monetare.

Këshilli Mbikëqyrës, konfirmoi mbështetjen dhe miratoi masat e marra nga administrimi i Bankës së Shqipërisë.

Pas kallëzimit penal, për dy ish-punonjës të Bankës së Shqipërisë, Administrimi i Bankës së Shqipërisë ka:

1. Informuar autoritetet dhe institucionet më të larta të vendit;

2. Thirrur mbledhje të posaçme të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, në datat 22 korrik 2014, 29 korrik 2014, 1 gusht 2014, për ta informuar atë për ngjarjen e ndodhur dhe për masat e marra;

3. Ngritur tre grupe pune për të:

a. kryer inventarizimin e plotë të vlerave monetare në kartëmonedhë në administrim nga Banka e Shqipërisë,
b. verifikuar nëse ka pasur nxjerrje të informacionit që përbën sekret shtetëror nga punonjës që, për shkak të detyrës, kanë pasur akses ndaj këtij lloj informacioni,
c. konstatuar përputhshmërinë e veprimeve të kryera në terren nga punonjësit përgjegjës për ruajtjen dhe administrimin e vlerave monetare, me përcaktimet e akteve rregullatore të Bankës së Shqipërisë, sa i përket procedurave të ruajtjes, administrimit dhe të përpunimit të vlerave monetare në Bankën e Shqipërisë;

4. Bashkëpunuar ngushtësisht me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për evidentimin e çdo shkeljeje të akteve ligjore dhe nënligjore, që ka mundësuar krijimin e rrethanave të favorshme për përvetësimin e vlerave monetare nga ish-punonjës në Bankën e Shqipërisë;

5. Ndërprerë marrëdhëniet e punës me të gjithë personat e ngarkuar me vlera monetare, duke i zëvendësuar ata;

6. Liruar nga detyra dhe ka zëvendësuar me specialistë me eksperiencë drejtuesit e Departamentit të Emisionit dhe të Departamentit të Sigurimit e të Mbrojtjes;

7. Informuar të gjitha institucionet e sigurisë financiare në vend dhe të gjithë partnerët ndërkombëtarë, mbi ecurinë e zbatimit të planit të masave, për të garantuar ruajtjen e stabilitetit makro-ekonomik dhe sigurinë e depozituesve në sistemin bankar shqiptar;

8. Raportuar në Komisionin e Ekonomisë dhe të Financave rreth masave të marra në një seancë dëgjimore dhe përmes informimit shkresor;

9. Organizuar takime me punonjësit e Departamentit të Emisionit dhe të Departamentit të Sigurimit e të Mbrojtjes, për të analizuar ngjarjen e përvetësimit të vlerave monetare, për prezantimin e drejtuesve të rinj dhe për të detajuar planin e masave që do të garantojë vijimësinë e punës në këto departamente.

Këshilli Mbikëqyrës i kushtoi një vëmendje të veçantë përcaktimit të një strategjie më afatgjatë për të garantuar administrimin sa më efektiv të rrezikut operacional në të gjithë hallkat e përpunimit dhe ruajtjes së parasë cash. Më konkretisht, për të rritur shkallën e sigurisë, Këshilli Mbikëqyrës, ndër të tjera, përcaktoi si detyrë të mëtejshme që përpjekjet në këtë drejtim të përqendrohen në:

1. Rivlerësimin e të gjithë bazës rregullatore, procedurave dhe praktikave që lidhen me përpunimin dhe ruajtjen fizike të parasë cash, nën asistencën e institucioneve dhe agjencive të specializuara ndërkombëtare. Disa nga çështjet me më prioritet në këtë drejtim do të jenë:

  • rritja e shkallës së sigurisë,
  • instruktimi i pandërprerë i anëtarëve të komisioneve të inventarizimit të vlerave monetare,
  • forcimi i proceseve të monitorimit në kohë reale të pamjeve të regjistruara nga sistemi i kamerave të sigurisë,
  • përcaktimi më i detajuar i niveleve të kontrollit në të gjitha hyrjet sipas arkave,
  • rikalibrimi i rolit të kontrollorit mbikëqyrës, për të garantuar më mirë zbatimin e kuadrit ligjor dhe rregullator në fuqi;


2. Forcimin e bashkëpunimit dhe marrëdhënieve me organet e zbatimit të ligjit për monitorimin e pastërtisë dhe figurës morale të punonjësve që mbajnë pozicione kyç, si dhe të të ngarkuarve me vlera monetare;

3. Intensifikimin e procesit të nisur për ngritjen e strukturave për vlerësimin e rrezikut operacional në çdo sektor dhe në tërësi për institucionin;

4. Trajnimin dhe testimin e vazhdueshëm me qëllim informimin në kohë të të gjithë punonjësve të lidhur me rregulloret ekzistuese, me procedurat në fuqi dhe me rishikimet eventuale që mund të pësojnë ato;

5. Automatizimin e mëtejshëm të administrimit të lëvizjes dhe magazinimit të parasë cash.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në përfundim të mbledhjes së sotme, shpreh mirëkuptimin e tij për shqetësimin publik që ka krijuar kjo ngjarje dhe përfiton nga rasti që të garantojë opinion publik se po punohet me vendosmëri për të rikuperuar me shpejtësi të gjithë pasojat që ajo mbart.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë beson se kjo ngjarje kriminale nga ish-punonjës të saj nuk ka ndikuar dhe nuk do të ndikojë në kryerjen me efikasitet të aktivitetit të saj të përditshëm. Si deri më sot, Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të bashkëpunojë pa asnjë hezitim me organin e Prokurorisë, në mënyrë që hetimi të jetë i plotë dhe të përfundojë sa më shpejt, duke vënë të gjithë personat përgjegjës para drejtësisë.

Këshilli Mbikëqyrës i bën thirrje personelit të Bankës së Shqipërisë që të rrisin përqendrimin dhe angazhimin e përditshëm, në përmbushjen me sukses të të gjithë detyrave që rrjedhin nga ligji dhe aktet nënligjore.