BANKA E SHQIPËRISË

BANKA E SHQIPËRISË
Deklaratë për shtyp e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë

Data e publikimit: 24.09.2014

 

Sot në datën 24 shtator 2014, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë:

1 - Mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin Mujor të Politikës Monetare. Pasi u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomike e monetare në vend, si dhe në vijim të diskutimeve mbi ecurinë e pritur të tyre në të ardhmen, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 2,50%. Në gjykimin e Këshillit Mbikëqyrës, qëndrimi i politikës monetare dhe kushtet financiare janë të përshtatshme për të siguruar kthimin e inflacionit në objektiv, brenda një periudhe afatmesme. Arsyet dhe argumentet që motivuan këtë vendim, mund të konsultohen në deklaratën e përgatitur për vendimmarrjen e politikës monetare dhe të publikuar në faqen e Bankës së Shqipërisë www.bankofalbania.org .

2 – Miratoi Deklaratën dhe Raportin e Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e parë të vitit 2014. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka arritur në përfundimin se, sektori bankar dhe sistemi financiar në përgjithësi paraqiten me një ecuri dhe shëndet të qëndrueshëm. Vëllimi i aktivitetit është zgjeruar, depozitat në sektorin bankar janë rritur dhe situata financiare është përmirësuar. Treguesit e likuiditetit dhe të kapitalizimit të sektorit bankar paraqiten në nivele të kënaqshme. Ecuria e treguesve makroekonomikë ka mbështetur qëndrueshmërinë e sistemit financiar. Përmirësimi i rritjes ekonomike dhe veprimet e politikës fiskale dhe të asaj monetare, janë shoqëruar me një funksionim të mirë të tregjeve financiare dhe ulje të kostove të financimit.

Në sektorin bankar, cilësia e portofolit të kredisë vijon të përbëjë shqetësimin kryesor,  pavarësisht faktit se gjatë kësaj periudhe, raporti i kredive me probleme paraqitet më i stabilizuar. Në vlerë absolute, kredia me probleme është tkurrur si dhe mbulimi me provigjione dhe kolateralizimi i saj është në nivele të përshtatshme.

Ekspozimi i sektorit bankar ndaj rrezikut të kreditit vlerësohet i ngjashëm me periudhën paraardhëse. Sidoqoftë, në përputhje me standardet për një vlerësim sa më të mirë të rrezikut, bankat duhet të vlerësojnë fondet rezervë për rrezikun e kreditit duke u mbështetur në një analizë konservatore të zhvillimeve të ardhshme.

Në lidhje me rrezikun e tregut dhe të likuiditetit, zhvillimet në mjedisin e jashtëm imponojnë nevojën për të vlerësuar ndikimin e mundshëm për veprimtarinë bankare në vendin tonë, të veprimeve që po ndërmarrin autoritetet evropiane për rivlerësimin e cilësisë së aktiveve, të niveleve të kapitalizimit dhe të masave të ristrukturimit të grupeve më të mëdha bankare evropiane.

Pas kryerjes së ushtrimit të provës së rezistencës (stress-test), sektori bankar, në tërësi, paraqitet i qëndrueshëm ndaj goditjeve të supozuara që burojnë prej lëvizjeve në treguesit makroekonomikë dhe në vlerën e portofolit të investimeve të tij. Treguesit e kapitalizimit të veprimtarisë janë aktualisht në nivele të kënaqshme, por bankat duhet të vlerësojnë me kujdes skenarët e mundshëm të zhvillimeve të ardhshme dhe nevojat e tyre për kapital shtesë.

Raporti i Stabilitetit Financiar do të publikohet i plotë në ditët në vijim.

3 – Diskutoi mbi efektet dhe ndikimin që ka sjellë lehtësimi i mëtejshëm i politikës monetare nga ana e Bankës Qendrore Evropiane (ECB) në administrimin e rezervave valutore. Më konkretisht, si rrjedhojë e kësaj lëvizjeje, norma e kthimit për investimet në euro, në instrumente financiare me afat maturimi deri në tre vjet, me nivel të pranueshëm të rrezikut të kredisë është negative (poshtë zeros).

4 – U njoh dhe vlerësoi masat e marra nga Banka e Shqipërisë për ecurinë normale të veprimtarisë operacionale të emisionit monetar dhe garantimin e sigurisë fizike të vlerave monetare. Banka e Shqipërisë siguroi se ka nën kontroll ruajtjen dhe sigurinë e vlerave monetare, përfshirë dhe ambientet ku ato magazinohen. Zhvillimi i ngjarjeve të fundit ka sjellë rrjedhje të informacionit të klasifikuar të niveleve të ndryshme sipas përcaktimeve ligjore, por Banka e Shqipërisë ka marrë dhe po ndërmerr masa për garantimin dhe forcimin e elementeve të sigurisë.

5 – U njoh me zhvillimet në sistemin e pagesave gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2014, n ga ku rezulton se sistemet që operojnë kanë reflektuar siguri dhe efikasitet, kushte këto të domosdoshme për të siguruar qëndrueshmërinë e infrastrukturës bazë të pagesave në monedhën kombëtare Lek. Objektiv i punës në këtë drejtim ka qenë përafrimi i mbikëqyrjes së sistemeve të pagesave me praktikat më të mira ndërkombëtare dhe në veçanti me ato evropiane.