BANKA E SHQIPËRISË

Dinamikat e inflacionit dhe strategjia e politikës monetare

Data e publikimit: 25.05.2002

 

Diskutimet rreth inflacionit dhe problemet që kanë të bëjnë me zgjedhjen e regjimit më të përshtatshëm të politikës monetare, vazhdimisht kanë krijuar debat dhe për shumë arsye ky debat vazhdon të mbetet ende i hapur. Duket se këto vitet e fundit, lufta me inflacionin është në avantazh të bankave qendrore të rajonit. Të paktën këtë tregojnë statistikat. Megjithatë, sfida për një stabilizim afatgjatë të tij është e pranishme jo vetëm për shumicën e ekonomive të përfaqësuara në këtë takim, por edhe më gjerë pa përjashtuar dhe ekonomitë e zhvilluara. Në rastin e Shqipërisë, megjithë angazhimin e madh që po i kushtojmë vënies nën kontroll të inflacionit, përsëri nuk po arrijmë të vendosim një kontroll të plotë mbi çmimet e konsumit për periudha relativisht të gjata kohe.

Më konkretisht, po t'i referohemi 2 - 3 viteve të fundit, më tipike është një lloj zikzakeje e inflacionit, i cili fatkeqësisht këta 3 - 4 muajt e fundit, ka dalë dukshëm jashtë intervalit objektiv të vendosur nga ana e Bankës së Shqipërisë. Mund të përmend shumë faktorë, subjektivë dhe objektivë, të cilët në një mënyrë ose në një tjetër kanë ndikuar ecurinë e inflacionit herë nën pathin e targetuar dhe herë sipër tij. Mund të them, gjithashtu, se në shumë raste faktori shock ka qenë i pranishëm. Megjithatë, qëllimi im nuk është ky. Ajo që dua të theksoj ka të bëjë me faktin se në disa rrethana, vendimet e politikës monetare duke reflektuar, infantilitetin e tregjeve në Shqipëri, nuk arrijnë të përçohen në masën dhe në kohën e duhur në ekonominë reale. Sidomos, kjo bëhet më evidente në ato periudha kur dhe kushtet e përgjithshme ekonomike kërkojnë një reagim më të shpejtë. Në të vërtetë, kjo përforcon edhe një herë domosdoshmërinë për të ndërtuar tregje më eficiente dhe më fleksibile, të cilat të jenë të afta të perceptojnë dhe të përçojnë në kohën e duhur vendimet dhe sinjalet e politikës monetare në ekonomi. Ndoshta më duhet të përmend edhe diçka tjetër që ka të bëjë me implikimet e politikës fiskale në ekonomi. Vitet e fundit kanë shënuar hapa të rëndësishëm edhe në drejtim të konsolidimit fiskal duke zbutur ndjeshëm presionin e politikës fiskale mbi atë monetare. Megjithatë, nuk mund të flitet ende për konsolidim dhe stabilitet të plotë fiskal. Për këtë gjykim, nisemi nga struktura e të ardhurave të buxhetit (pjesë të konsiderueshme kanë ende të ardhurat nga doganat), evazionit fiskal etj., ndërkohë që autoriteti fiskal nuk ka adoptuar shkallën e duhur të transparencës. Kjo do të thotë që efektiviteti i përdorimit të të ardhurave buxhetore nuk është plotësisht i qartë. Së fundi, niveli i ulët i mirëqenies në Shqipëri, papunësia e lartë si dhe praktikat jo të mira në administrimin e të ardhurave buxhetore janë faktorë, që do të ushtrojnë presion të fortë mbi autoritetet për ekspansion buxhetor dhe për dobësim të pozicionit dhe të stabilitetit fiskal.

E pra, duke ju kthyer edhe një herë idesë së fillimit do të theksoja se diçka është e qartë, që përveç arritjeve në stabilizimin afatshkurtër të inflacionit kemi ende shumë probleme me kontrollin afatgjatë të tij, probleme këto që siç i rendita më sipër pasqyrojnë një përzierje faktorësh si strukturorë ashtu dhe të politikave ekonomike dhe financiare. Në këtë kuptim, me të drejtë mund të lindë pyetja: Cili do të jetë regjimi i politikës monetare me të cilën do të luftohet inflacioni në të ardhmen? Të mos harrojmë se duhet mbajtur parasysh dhe objektivi strategjik i vendit, anëtarësimi në EU. Ka disa kohë që është hedhur si një alternativë e mundshme regjimi inflation targeting, ndërkohë që në disa qarqe studiuesish flitet dhe për një currency replacement ose e thënë ndryshe euroizim.

Në përfundim, sinqerisht do të doja që kjo dilemë të bëhej pjesë e debatit të këtij takimi, duke e parë atë në një kuadër më të gjerë, nga këndvështrimi rajonal.