BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Diskutim i Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në Forumin e 11-ë të Euromoney - Zgjerimi i kufijve: Përforcimi i konkurrencës në Evropën Qëndrore dhe Juglindore, Vienë, 18 janar 2006

Data e publikimit: 20.01.2006

 

… Kohët e fundit ka pasur një rritje të menjëhershme në tregjet e brendshme, investimet e huaja direkte, pronën e patundshme, zhvillimin tregtar etj.

A do të vazhdojë ky nivel i lartë investimi dhe në cilat rrethana?

Ekonomia shqiptare ka patur një ecuri të mirë edhe gjatë vitit 2005, me një ngadalësim të lehtë gjatë fundvitit, për shkak të problemeve të energjisë. Zhvillimet pozitive përfshijnë si veprimtarinë ekonomike ashtu edhe stabilitetin makroekonomik. Vlerësimi ynë për ecurinë e shëndoshë ekonomike bazohet në rritjen e vëllimit të shitjeve, në përmirësimin e të ardhurave nga taksat dhe TVSH-ja, rritjen e kredidhënies për ekonominë, si dhe në rënien e papunësisë.

Krijimi i 13400 vendeve të reja pune në sektorin privat gjatë 4 tremujorëve të fundit, tregon për një rritje të fuqishme dhe gjithashtu, shërben si një tregues tjetër i rritjes së kapaciteteve të prodhimit të brendshëm gjatë këtij viti. Përveç sektorit të shërbimeve, vrojtimet e Bankës së Shqipërisë lidhur me besimin e bizneseve tregojnë një rritje të numrit të punonjësve në sektorët e prodhimit dhe të ndërtimit, për tremujorin e dytë. Të dhënat paraprake tregojnë se niveli i punësimit gjithashtu, është rritur gjatë tremujorit të tretë, ndryshe nga rënia që pritej nga tremujori i kaluar.

Ndonëse është e vërtetë se kohët e fundit ka pasur një rritje të ndjeshme në tregjet vendase, tabloja është më komplekse nëse shohim segmente të veçanta. Kështu, investimet e huaja direkte ende mbeten në nivele të ulta, edhe pse Shqipëria ofron mundësi të mira për tërheqjen e tyre me vendndodhjen e favorshme gjeografike, me pagat konkurruese dhe me burimet natyrore.

Edhe investimet vendase, bazuar në disa vrojtime të Bankës së Shqipërisë, duket se kanë hapësira për t'u rritur më tej. Një burim i rëndësishëm i investimeve vendase mbeten remitancat. Vlerësimet e Bankës së Shqipërisë tregojnë se remitancat totale kanë arritur në rreth 1,028 milionë (një miliard) dollarë amerikanë ose 13.5 për qind e PBB-së. Kjo shifër është sa dyfishi i të ardhurave nga eksporti i mallrave, gjë që e bën "forcën e punës" eksportin kryesor për vendin tonë. Është vlerësuar se remitancat janë tre herë më të larta se investimet e huaja direkte dhe vlera e tyre tejkalon dukshëm ndihmën zyrtare nga jashtë. Gjatë fazës së parë të tranzicionit nuk ka patur një politikë të qartë lidhur me optimizimin e administrimit dhe shfrytëzimin e remitancave për qëllime zhvillimi. Disa masa sporadike kanë synuar dërgimin e remitancave nëpërmjet kanaleve zyrtare dhe përmirësimin e kursimeve si dhe nxitjen e emigrantëve për të investuar në vend, por këto masa kanë qenë të pamjaftueshme. Kohët e fundit i është treguar më tepër vëmendje remitancave dhe kontributit të tyre potencial në financimin e rritjes dhe zhvillimin e vendit. Më konkretisht, po punohet në tre fusha kryesore (1) përmirësimi i statistikave; (2) dërgimi i remitancave nëpërmjet kanaleve zyrtare; (3) drejtimi i remitancave për nevoja të zhvillimit të vendit.

Ndërkohë, ka patur një rritje të ndjeshme në fushat e tjera të ekonomisë si huatë tregtare dhe ndërtimi. Kredia për ekonominë vlerësohet të jetë rritur, rreth 60-70 për qind gjatë vitit që lamë pas. Në terma të PBB-së, kredia për ekonominë është rritur me 3 pikë përqindje gjatë vitit 2005, duke iu afruar nivelit prej 11 për qind të PBB-së. Rritja e kredisë për ekonominë ka shërbyer si burimi kryesor i zgjerimit monetar gjatë kësaj periudhe, duke sjellë një zhvendosje nga huamarrja e qeverisë dhe aktivet në valutë. Huatë në valutë vazhdojnë të jenë të preferuara për shkak të normave të ulëta të interesit, duke u llogaritur kështu në rreth 75 për qind të totalit të huave në fund të korrikut. Rritja e shpejtë e kredisë deri tani nuk ka ndikuar në cilësinë e përgjithshme të kredisë. Raporti i huave me probleme u ul në 3.5 për qind të totalit të huave në mars, nga 4.2 për qind që ishte në muajin dhjetor të vitit të kaluar.

Aktualisht, bankat e huaja në Shqipëri zotërojnë rreth 95 për qind të totalit të aktiveve. Pjesa më e madhe e aktiveve zotërohet nga banka që vijnë nga Zona e Bashkimit Evropian. Kjo pjesëmarrje e gjerë e bankave të huaja sigurisht që ka pasur implikime pozitive si për qeverisjen e bankave ashtu edhe për cilësinë e shërbimeve. Kjo e fundit është përmirësuar dukshëm gjatë viteve të fundit me privatizimin e ish-Bankës së Kursimeve, e cila vazhdon të jetë banka më e madhe në Shqipëri. Si rezultat, kemi hasur një zgjerim të rrjetit bankar në të gjithë territorin e vendit, një ristrukturim gradual të bilancit të sistemit bankar, përfshirë një rritje të shpejtë të kredisë për ekonominë, si dhe futjen e ATM-ve dhe të produkteve të tjera të reja bankare etj.. Bankat private me kapital shqiptar, që janë licencuar gjatë tre viteve të fundit, kanë qenë mjaft aktive në përpjekjen e tyre për t'u pozicionuar në këto tregje në ndryshim. Ato ofrojnë një gamë të plotë shërbimesh bankare, pasi kanë përparësinë e të kuptuarit më mirë të mjedisit vendas.

Krahas arritjeve të mësipërme, ekonomia është ende e brishtë dhe nevojiten akoma shumë përpjekje për të krijuar një kuadër tërheqës për investime dhe rritje të qëndrueshme, dhe zhvillim të sektorit privat. Procedurat doganore, administrimi i taksave, lejet për truall dhe për ndërtim, rregullat e licencimit dhe sistemi gjyqësor vazhdojnë të karakterizohen nga elemente jo shumë nxitëse për investimet në Shqipëri.

Ç'mund të bëjnë guvernatorët e bankave qendrore për të nxitur më tej këtë rritje të re? A ka disavantazhe?

Reformat për konsolidimin institucional mbeten kritike përsa i përket zhvillimit të një klime biznesi të bazuar në rregulla dhe për të tërhequr rritjen e investimeve. Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë është e angazhuar të ecë përpara në drejtim të reformave strukturore, me qëllim përmirësimin e ndërmjetësimit bankar dhe ofrimin e shërbimeve financiare. Në bashkëpunim të ngushtë me bankat tregtare, me institucionet qeveritare dhe me sektorin privat, Banka e Shqipërisë ndërmori një plan veprimi për rritjen e përdorimit të rregullt të sistemit bankar nga bizneset.

Lidhur me një aspekt të rëndësishëm të bankës sonë qendrore, stabilitetin e sistemit bankar, është punuar mjaft mirë për të nxitur zhvillimin dhe konsolidimin e një sistemi të shëndoshë bankar e financiar, me qëllim përparimin ekonomik të vendit. Masat e mbështetura nga Banka e Shqipërisë përfshijnë privatizimin e Bankës së Kursimeve, zhvillimin e një sistemi për sigurimin e depozitave, përmirësimin e kuadrit të falimentimit dhe zbatimin e kolateralit, dhe forcimin e rregullimit dhe të mbikëqyrjes bankare, të cilat gjithashtu do të ndihmojnë në përpjekjet e qeverisë kundër pastrimit të parave. FMN-ja ka ofruar ndihmesë teknike për Bankën e Shqipërisë. FMN-ja gjithashtu, ka financuar një këshilltar rezident për të mbështetur zbatimin e programit të zhvillimit institucional për mbikëqyrjen bankare të zhvilluar nga Banka e Shqipërisë. Në vazhdën e privatizimit të Bankës së Kursimeve, sektori financiar po bëhet më dinamik dhe Banka e Shqipërisë po përmirëson mbikëqyrjen e saj të kujdesshme. Ushtrimi i programit të FSAP sigurisht që do të ndihmojë në përparimin e mëtejshëm të reformave në sektorin financiar.

Gjithashtu, Banka e Shqipërisë është e përkushtuar të përmirësojë marrëdhëniet reciproke me të gjithë partnerët ndërkombëtarë. Ne po përpiqemi që të jemi një partner real në tryezën e diskutimit, duke prezantuar politikat ekonomiko-financiare përmes paraqitjes së alternativave që çojnë drejt zgjidhjes së tyre e duke i shtjelluar ato, jo vetëm në bazë të logjikës ekonomike, por edhe duke u bazuar në realitetin shqiptar. Për këtë arsye, ndihem i lumtur që Shqipëria është pranë arritjes së një marrëveshjeje të re PRGF/EFF me FMN-në. Kjo marrëveshje do të përmbushë nevojat aktuale të vendit. Duke marrë parasysh të kaluarën e vështirë të Shqipërisë, si dhe rënien e krijuar nga ngjarjet e vitit 1997, vendit i nevojitet një përshpejtim i axhendës së reformave, me qëllim futjen në Bashkimin Evropian. Kjo kërkon investime të konsiderueshme, përmirësime të institucioneve publike dhe asistencë teknike në të gjitha fushat. Marrëveshja e PRGF-së i jep mundësi Shqipërisë, që jo vetëm të përfitojë shumë prej këtyre fondeve të organizatave të FMN-së dhe BB-së, por edhe të mund të përvetësojë fondet e disponueshme të Bashkimit Evropian, në mënyrë sa më efektive.

Ne gjithashtu, jemi duke punuar për institucionalizimin e bashkëpunimit ndërmjet bankave qendrore të rajonit. Nisur nga takimet e organizuara prej nesh kohët e fundit me disa autoritete bankare rajonale, nisma e bashkëpunimit rajonal është mirëpritur mjaft. Megjithatë, unë besoj se kjo është koha e duhur për të marrë disa masa konkrete në këtë drejtim, nëpërmjet krijimit të një klubi të bankave rajonale, i cili do të bënte të mundur shkëmbimin e përvojave dhe konsolidimin e bashkëpunimit, kryesisht në fushën e zhvillimit të mëtejshëm të sektorit financiar dhe bankar në Evropën Juglindore. Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të mbështesë dhe të promovojë fuqimisht krijimin e këtij klubi në të ardhmen. Do të doja gjithashtu, të përmendja "Programin e Konvergjencës", i cili është një program i ri mbi zhvillimin financiar, sponsorizuar nga Banka Botërore për të promovuar politikën e dialogut publik-privat në Evropën Juglindore. Ky program do të shërbente si një instrument i frytshëm për të intensifikuar përpjekjet tona në krijimin e urave lidhëse ndërmjet shoqatës së bankave dhe homologëve të tjerë në rajon.

Si arrijnë guvernatorët të mbajnë ekuilibrin ndërmjet rritjes dhe stabilitetit?

Teorikisht, përgjigja do të ishte zbatimi i "Rregullit Taylor" duke vendosur pesha të barabarta në të dyja, në diferencën (gap-in) e prodhimit dhe inflacionin. Megjithatë, për një ekonomi të vogël, të hapur e në zhvillim, përvoja empirike mund të mos jetë edhe aq e thjeshtë. Një problem do të ishte se sa janë në gjendje ekonomitë e vogla si ne të ndjekin politika të pavarura monetare.

Një argument që unë e përkrah është se ekonomia shqiptare është një ekonomi relativisht fleksible, pasi ajo arrin të sjellë inflacionin në nivele normale brenda një periudhe kohore relativisht të shkurtër. Ngurtësitë e vërejtura në disa ekonomi të tjera duket se nuk aplikohen në rastin e Shqipërisë. Këtu kam parasysh procedurat e gjata për punësim dhe shkurtime apo shumëllojshmërinë e rregullave lidhur me tregjet e mallrave dhe të shërbimeve. E rëndësishme mbetet mbajtja e një regjimi lirisht të luhatshëm të kursit të këmbimit, i cili ka qenë dhe vazhdon të jetë një ndër kontribuesit kryesorë në fleksibilitetin e lartë të ekonomisë shqiptare.

Prej këtij fleksibiliteti, Shqipëria ka shfaqur rezultate mjaft të mira në drejtim të stabilitetit të çmimeve. Inflacioni përgjithësisht është karakterizuar nga norma më të ulëta krahasuar me ekonomitë e tjera në tranzicion. Në pesë vitet e fundit, inflacioni ka qëndruar në nivele mesatare, me shifra të matura në fund të periudhës dhe në periudhën mesatare, edhe pse ndonjëherë ai zhvendoset nga objektivi për shkak të shock-eve të paparashikuara dhe faktorëve spekulativë, të cilët janë përtej kontrollit të bankës qendrore. Ne do të vazhdojmë të synojmë mbajtjen e normës së inflacionit në nivelin rreth 3 për qind. Megjithatë, disa kërcënime të jashtme mund ta pengojnë bankën në arritjen e objektivit të saj gjatë ruajtjes së rritjes ekonomike. Si fillim, fuqia sinjalizuese e agregatëve monetarë synuar nga Banka e Shqipërisë mund të fillojë të përkeqësohet. Kjo mund të përfshijë ndryshime në çmimet administrative dhe reformat strukturore në përgjithësi, çështjet lidhur me pasiguritë fiskale, impaktin e dollarizimit mbi efikasitetin e politikës monetare, uljen e mundshme të remitancave nga jashtë dhe implikimin e tyre në paqëndrueshmërinë e kursit të këmbimit, zhvillimin dhe stabilitetin e sistemit financiar etj..

Gjithashtu, çka është edhe më e rëndësishme, ndërkohë që ekonomia kalon drejt formalizimit, fleksibiliteti i hasur deri tani mund të bjerë, duke e vështirësuar detyrën tonë të ruajtjes së inflacionit në nivele të ulëta, me pak kosto reale.

Për të ardhmen ne po konsiderojmë kalimin në regjime alternative, siç është ai i shënjestrimit të inflacionit, që mund të përçojë më mirë sinjalet e politikës monetare dhe të jetë më i përshtatshëm në mbajtjen e një ekuilibri ndërmjet shock-eve ekonomike dhe inflacionit. Në krye të listës së përfitimeve teorike të një regjimi të shënjestrimit të inflacionit krahasuar me regjimet e tjera (përmbledhur në një seri materialesh diskutimi nga Mishkin et al. (1997, 2000, 2002)) është baza më e gjerë e informacionit që ai përdor, elasticiteti relativisht më i lartë i tij përsa i përket shock-eve të ofertës, fakti që kuptohet lehtë nga publiku, referenca e një zhvendosjeje të suksesshme të regjimit në ekonomitë e tjera evropiane në tranzicion e në zhvillim, si për shembull në Republikën Çeke, në Hungari, në Islandë, në Poloni dhe në Turqi.

Duke pasur parasysh çështjet e mësipërme, Banka e Shqipërisë gjykon se kalimi në shënjestrimin e inflacionit gjatë periudhës afatmesme do të na vendosë në një pozicion më të mirë, për të arritur ekuilibrin e duhur ndërmjet rritjes dhe stabilitetit. Për rrjedhojë, së bashku me asistencën teknike të FMN-së, Banka e Shqipërisë ka filluar hapat e saj drejt përmirësimit të strukturës së drejtimit dhe përforcimit të kapaciteteve të saj analitike. Për këtë qëllim, në fund të vitit të kaluar u organizua një forum i hapur, ku ekspertët më të mirë diskutuan në pjesën më të madhe të çështjeve lidhur me zbatimin e shënjestrimit të inflacionit. Motivimi kryesor për kalimin drejt një regjimi të shënjestrimit të inflacionit është vendosja e pritshmërive inflacioniste në periudhën afatmesme deri në atë afatgjatë, duke krijuar hapësira për përgjigjen ndaj shock-eve .

Jam i ndërgjegjshëm se adoptimi zyrtar i regjimit të shënjestrimit të inflacionit është një proces që kërkon mjaft punë dhe plotësimin e disa parakushteve. Forumi i organizuar prej nesh tregoi qartë se ky nuk është një vendim i njëhershëm, por më tepër ai duhet të jetë një proces gradual. Kjo vlen sidomos për një vend në tranzicion siç është Shqipëria, pasi vendi ynë përballet me sfida dhe situata të ndryshme krahasuar me ato të vendeve të zhvilluara.