BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
EFSE konfirmon angazhimin për financimin e Ndërmarrjeve Mikro dhe të Vogla (NMV) gjatë Mbledhjes Vjetore në Tiranë

Data e publikimit: 07.06.2011

 

EFSE konfirmon angazhimin për financimin e Ndërmarrjeve Mikro dhe të Vogla (NMV) gjatë Mbledhjes Vjetore në Tiranë

  • Nënshkruhen 4 marrëveshje të reja huaje
  • Komisioni Evropian kontribuon me 5 milionë euro për të mbështetur zgjerimin e EFSE-s në Kroaci dhe Turqi
  • Shqipëria mes vendeve që do të jenë në fokus të investimeve shtesë të EFSE-s gjatë viteve të ardhshme
  • EFSE nis veprimtari për fuqizimin e kapaciteteve në rajonin e përzgjedhur të saj

Tiranë, Shqipëri, 7 qershor –  Mbledhja Vjetore dyditore e Fondit Evropian për Evropën Juglindore (EFSE) çeli zyrtarisht punimet sot në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë. Ndër rreth 300 pjesëmarrësit e kësaj mbledhjeje, janë përfaqësues të bankave qendrore dhe sektorit financiar nga Evropa Juglindore, Evropa Lindore dhe Kaukazi bashkë me përfaqësues nga Komisioni Evropian dhe Ministria për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik e Republikës Federale Gjermane, si dhe institucione të ndryshme financiare dhe investitorë privatë. Gjithashtu, të pranishëm janë edhe Prof. Dr. Sali Berisha, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë; z. Ardian Fullani, Guvernator i Bankës së Shqipërisë; zj. Carola Müller-Holtkemper, Ambasadore e Gjermanisë në Republikën e Shqipërisë; dhe Gerhard Schumann-Hitzler, Drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme për Zgjerimin në Komisionin Evropian.

Lidhur me temën kryesore të Mbledhjes Vjetore të këtij viti “Formimi dhe Rritja e Realitetit të Ri”, në sesionet e panelit diskutohen aspekte dhe mundësi të reja të financimit për zhvillim në Evropën Juglindore dhe në Rajonin Fqinj Lindor të Evropës, në kontekstin pas krizës së fundit botërore. Fokusi  është në financat e mikrondërmarrjeve, atyre të vogla dhe të mesme si dhe me pjesëmarrjen e “Green for Growth Fund”, Evropa Juglindore, për financimin e efektshmërisë së energjisë dhe energjisë së ripërtëritshme.

EFSE – një nismë e KfW Entwicklungsbank (Banka Gjermane për Zhvillim) me mbështetjen financiare të Ministrisë për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik të Republikës Federale Gjermane dhe të Komisionit Evropian – njoftoi gjithashtu sot nënshkrimin e marrëveshjeve të reja të huasë me 4 institucione financiare për të mbështetur ndërmarrje vendase mikro dhe të vogla (NMV) si dhe financimin për përmirësimin kushteve të banimit. Marrëveshjet e huave u nënshkruan me: Banka ProCredit Maqedoni (hua e kombinuar prej 2.5 milionë në euro dhe 2.5 milionë në dinarë maqedonas për hua përmes të tretëve për MSE-të), Raiffeisenbank Serbi (25 milionë euro për hua për përmirësimin e kushteve të banimit), MCC Mikrofin në Bosnje-Hercegovinë (4 milionë euro për hua për NMV-të) dhe Banka ARARAT në Armeni (10 milionë dollarë amerikanë për hua përmes të tretëve për NMV-të). Më tej, Komisioni Evropian njoftoi se do të investojë 5 milionë euro për të mbështetur zgjerimin e operacioneve të investimit të EFSE-s në Kroaci dhe Turqi. EFSE ka tani 16 vende partnere gjithsej.

“Mbledhja Vjetore e këtij viti shënon vitin e gjashtë të suksesit të vazhdueshëm të EFSE-s në forcimin e rritjes ekonomike, krijimin e të ardhurave dhe hapjen e vendeve të punës”, tha Dr. Klaus Glaubitt, Kryetar i Bordit të Drejtorëve të EFSE-s. “Që prej dhjetorit 2005, EFSE ka dhënë rreth 975 milionë euro për institucionet financiare vendase për hua përmes të tretëve për NMV-të, duke lehtësuar afërsisht 270,000 hua për biznesin dhe përmirësim të kushteve të banimit, me një vlerë prej 1.5 miliardë euro gjithsej. Vetëm në Shqipëri, EFSE ka financuar mbi 8,700 hua për NMV-të dhe përmirësimin e kushteve të banimit.” Ai shtoi se: "Kjo dhe fakti që G20 e rendit EFSE-n ndër zgjidhjet financiare më novatore për mikrondërmarrjet, ato të vogla dhe të mesme dëshmon vlerat që mbart modeli i EFSE-s për partneritetin publik-privat si katalizator për financimin për zhvillim.”

Për sa u takon planeve të EFSE-s në të ardhmen për rajonin e përzgjedhur të saj, Dr. Klaus Glaubitt tha: "Ne i shohim vitet e ardhshme me besim, të gatshëm për të kontribuar, së bashku me partnerët tanë, për nxitjen e hapjes së vendeve të reja të punës dhe krijimit të prosperitetit në rajonin e përzgjedhur të EFSE-s në frymën e Financave të Përgjegjshme. Lidhur me rajonin e përzgjedhur në tërësi, EFSE planifikon të investojë 900 milionë euro në institucione kreditimi partnere deri në vitin 2015, që do të mbështesin 280,000 hua të reja për NMV-të dhe përmirësim të kushteve të banimit.” Duke komentuar specifikisht për Shqipërinë, ai tha: “Fakti që Tirana është vendi i Mbledhjes Vjetore të EFSE-s rikonfirmon partneritetin e konsoliduar me Shqipërinë. EFSE do të rrisë financimin e institucioneve vendase me 30 milionë euro gjatë tri viteve të ardhshme. Kjo do të lehtësojë afërsisht 9,400 hua për NMV dhe përmirësim të kushteve të banimit. Përveç forcimit të ekonomisë shqiptare, kjo do të ndihmojë Shqipërinë në rrugën e integrimit të saj me ekonominë evropiane.”

Monika Beck, Drejtore e Qendrës së Kompetencës për Zhvillimin e Sektorit Financiar në Bankën për Zhvillim, KfW Entwicklungsbank, anëtare e Bordit të Drejtorëve të EFSE-s dhe Kryetare e Komitetit të EFSE-s të Lehtësimit për Zhvillim tha: “EFSE do të rrisë, gjithashtu, programet e asistencës teknike dhe të trajnimit për institucionet partnere huadhënëse, me qëllim rregullimin e praktikave të huadhënies në përputhje me panoramën e re ekonomike pas krizës së fundit financiare. Përveç huadhënies për segmentin e NMV-ve, kjo do të sigurojë që financimi i EFSE-s po e mbështet ekonominë reale."

Prof. Dr. Sali Berisha, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, tha: “Jam shumë krenar që kemi EFSE-n si investitor në Shqipëri. Që fillimeve të veprimtarisë së saj në vendin tonë, EFSE ka kanalizuar 8,700 hua në zemrën e rritjes së sektorit privat në Shqipëri, mikrondërmarrjet dhe ato të vogla. EFSE ka ndihmuar, në të vërtetë, krijimin dhe sigurimin e të paktën po aq vendeve të punës. Nga mbresat prej ndikimit të EFSE-s në zhvillimin ekonomik të vendit, në vitin 2009, Republika e Shqipërisë u bë aksionari i parë qeveritar rajonal që iu bashkua EFSE-s. Në këndvështrimin e arritjeve të EFSE-s, qeveria shqiptare mbetet e angazhuar ndaj EFSE-s dhe do të konsiderojë rritjen e angazhimeve të saj.”

Ardian Fullani, Guvernator i Bankës së Shqipërisë, duke falenderuar EFSE-n për kontributin e dhënë anekënd rajonit tonë, për mbështetjen financiare dhënë këtij rajoni, për ekspertizën e ofruar, për zhvillimin e tregut financiar, komentoi: “Nuk mund të mos përmend në mënyrë më specifike ndihmesën që  EFSE ka dhënë në Shqipëri nëpërmjet financimit me kushte konkurruese të projekteve të biznesit, në një kohë kur kredia e sektorit bankar ka regjistruar ritme të ngadalta gjallërimi.”

Carola Müller-Holtkemper, Ambasadorja Gjermane në Republikën e Shqipërisë, tha: “Marrëdhëniet e ngushta e të konsoliduara që ekzistojnë midis Gjermanisë dhe Shqipërisë sot, janë rritur përgjatë shumë viteve dhe EFSE është një prej shtyllave kyçe të saj. Duke qenë se bashkëpunimi në fushën e zhvillimit është aspekt madhor i lidhjeve të forta mes dy vendeve, kremtimi i pesë vjetorit të EFSE-s do të thotë, gjithashtu, kremtim i një arritjeje tjetër të rëndësishme në atë që ka qenë deri më tani, dhe premton se do të mbetet, një partneritet shumë i suksesshëm.”

Rreth Fondit Evropian për Evropën Juglindore (EFSE)

Fondi Evropian për Evropën Juglindore (EFSE) ka për qëllim të forcojë zhvillimin dhe prosperitetin ekonomik në Evropën Juglindore dhe në Rajonin Fqinj Lindor të Evropës, ku përfshihen Shqipëria, Armenia, Azerbajxhani, Bjellorusia, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Republika e Maqedonisë, Gjeorgjia, Kosova, Moldavia, Mali i Zi, Rumania, Serbia, Turqia dhe Ukraina. Fondi jep financim afatgjatë, kryesisht për ndërmarrjet mikro dhe të vogla (NMV-të) dhe individë e familje për përmirësimin e kushteve të banimit, nëpërmjet institucioneve partnere huadhënëse vendase. Meqenëse, mundësia për t’u financuar është çelës suksesi për zhvillimin e NMV-ve dhe të ndërmarrjeve të mesme, fokusi i EFSE-s është të ndihmojë sektorët financiarë vendas të rrisin kapacitetin për të dhënë financimin e duhur dhe në baza të qëndrueshme. Veprimtaritë e investimit të EFSE-s mbështeten nga njësia e EFSE-s për Lehtësimin e Zhvillimit, e cila u siguron institucioneve partnere huadhënëse asistencë teknike, shërbim konsultimi dhe trajnim për të forcuar aftësitë operacionale dhe administrimin profesional. ESFE u krijua më 15 dhjetor 2005 nga KfW Entwicklungsbank (Banka Gjermane e Zhvillimit) nga katër programe shumëpalëshe donatore të administruar prej saj. Fondi është partneriteti i parë publik-privat i këtij lloji dhe administrohet në mënyrë private për financimin e zhvillimit, i cili ka për qëllim të rrisë kapitalin privat për financimin e NMV-ve në rajonin e përzgjedhur. Kapitali jepet nga agjenci donatore, institucione financiare ndërkombëtare dhe investitorë institucionalë privatë, përfshirë: Ministrinë për Bashkëpunimin dhe Zhvillimin Ekonomik të Republikës Federale Gjermane, Komisionin Evropian, Qeverinë Shqiptare si aksionarja e parë e EFSE-s nga rajoni i përzgjedhur, Banka Austriake për Zhvillim (OeEB), Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Agjencia Daneze për Zhvillim (Danida), KfW Entwicklungsbank si investitori udhëheqës, Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC), Banka Holandeze për Zhvillimin e Ndërmarrjeve (FMO), Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Bankën Evropiane të Investimeve, dhe Sal. Oppenheim dhe Deutsche Bank. Oppenheim Asset Management Services S.à. r.l, në Luksemburg, dhe Finance in Motion GmbH, në Gjermani, janë përkatësisht Administruesi dhe Këshilluesi i EFSE.

Për më shumë informacion, jeni të lutur të vizitoni: http://www.efse.lu

Kontakte EFSE për median
Samir Djikić  
Menaxher i Komunikimit  
Tel: +49 (0)69/977 876 50-26 
E-mail: [email protected]