BANKA E SHQIPËRISË
NJOFTIM PËR SHTYP
Ekspozita lëvizëse e Bankës së Shqipërisë në kuadër të festimeve për 100-vjetorin e Pavarësisë ndal udhëtimin e saj në Prishtinë
Data e publikimit: 23.11.2012
Në vigjilje të 100-vjetorit të Pavarësisë, ekspozita lëvizëse e Bankës së Shqipërisë 100 vjet Pavarësi: Pasqyrimi i historisë në monedhën tonë kombëtare ndali udhëtimin e saj në datë 23 nëntor 2012, në Prishtinë, në ambientet e Muzeut Kombëtar. Kjo ishte hera e parë që Banka e Shqipërisë organizon një ekspozitë numizmatike jashtë vendit.
Ekspozita vjen në qytetin e Prishtinës si një nderim për të gjithë ata rilindës e patriotë shqiptarë që dhanë kontributin e tyre në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.
Ekspozita bashkë me historinë e monedhës dhe të kartëmonedhës shqiptare, synon të sjellë për publikun edhe zhvillimin e bankës qendrore në Shqipëri, e cila zë fill pas Pavarësisë me përpjekjet e Ismail Qemalit për krijimin e saj nëpërmjet nënshkrimit të një marrëveshjeje me grupe financiare austro-hungareze dhe italiane. Ismail Qemali do ta quante krijimin e bankës si të dytën fitore pas lirisë, një mendim vizionar i cili është ende i vlefshëm edhe sot, pasi banka qendrore renditet ndër institucionet më të rëndësishme të një vendi.
Në ceremoninë e mbajtur me këtë rast, morën pjesë Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z.Ardian Fullani, Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, z.Gani Gërguri, Zv.Ministri i Kulturës, z.Hajdin Abazi, dhe shumë personalitete të tjera kosovare.
Me këtë rast Guvernatori Gërguri, Zv. Ministri Abazi dhe Guvernatori Fullani mbajtën një fjalë përshëndetëse për të pranishmit.
Në ekspozitë, përveç koleksionit numizmatik, publiku i gjerë pati mundësinë të shikojë nga afër edhe serinë e monedhave përkujtimore që Banka e Shqipërisë ka emetuar me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. Seria përbëhet prej tre monedhash:
-
Monedhë ari, 200 lekë. Në pamjen kryesore të monedhës është vendosur shqiponja dykrenore e flamurit dhe nën të shkruhet vlera emërore 200 lekë. Në pamjen e pasme është vendosur portreti i Ismail Qemalit, ndërsa poshtë portretit është shkruar emri i tij.
-
Monedhë argjendi, 100 lekë. Në pamjen kryesore të monedhës është vendosur shqiponja dykrenore e flamurit, ndërsa në pjesën e pasme monedha ndahet në dy rrathë. Në pjesën qendrore të saj ka të vendosur aktin e pavarësisë. Në rrethin e dytë shkruhet Shqipëri-Albania 2012 dhe Akti i shpalljes së Pavarësisë.
-
Monedhë me metal të thjeshtë, 50 lekë. Në pamjen kryesore të monedhës është vendosur shqiponja dykrenore e flamurit, ndërsa në pjesën e pasme të monedhës zë vend skulptura simbolike me dy duar të bashkuara fort me njëra-tjetrën.
Në kuadër të kësaj ngjarjeje të shënuar të historisë së shqiptarëve, seria me tematikë 100-vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë i është dhuruar dhe Muzeut Kombëtar të Kosovës.
Udhëtimi në Prishtinë ishte ndalesa e tetë e ekspozitës lëvizëse, ndërkohë që ajo është organizuar edhe në shtatë qytete të ndryshme të Shqipërisë, si në qytetet e: Beratit, Gjirokastrës, Korçës, Elbasanit, Shkodrës, Tiranës dhe Vlorës.