BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
FMN-ja përfundon në parim rishikimin e dytë të programit PRGF për Shqipërinë dhe aprovon huanë prej 6 milion dollarë

Data e publikimit: 03.07.2003

 

Departamenti i Marrëdhënieve me Jashtë i Fondit Monetar Ndërkombëtar në një njoftim të vetin bën të ditur se Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) përfundoi dje në parim rishikimin e dytë të ecurisë ekonomike të Shqipërisë në kuadrin e marrëveshjes për reduktimin e varfërisë dhe nxitjen e rritjes ekonomike (PRGF). Vendimi i Bordit të FMN-së do të hyjë në fuqi mbas një vendimi të mëtejshëm të Bordit Ekzekutiv të Bankës Botërore për rishikimin e Strategjisë së Uljes së Varfërisë së Shqipërisë, më 10 korrik 2003. Pas kësaj, Shqipëria do të mundi të tërheqë 4 milion SDR (rreth 6 milion dollarë) nga FMN-ja.

Marrëveshja 3-vjeçare PRGF është aprovuar më 21 qershor 2002 (mund të shikoni përmbledhjen e të rejave nr. 02/52) për një total 28 milion SDR (rreth 39 milion dollarë). Deri tani, Shqipëria ka tërhequr nga FMN, 8 milion SDR (rreth 11 milion dollarë) nën marrëveshjen e tanishme PRGF.

PRGF është huaja më konçensionale e FMN-së për vendet me të ardhura të ulta. Është synuar që programet e mbështetura nga PRGF të bazohen me kalimin e kohës në strategjitë kombëtare të uljes së varfërisë të miratuara në një proçes me pjesmarrje të gjerë që përfshin shoqërinë civile dhe partnerët e zhvillimit dhe të shprehura në një strategji të uljes së

varfërisë. Kjo synon të sigurojë që çdo program i mbështetur nga PRGF të jetë në përputhje më një kuadër gjithëpërfshirës të politikave makroekonomike, strukturore dhe politikave sociale, në mënyrë që të nxitet rritja ekonomike dhe të reduktohet varfëria. Huatë e PRGF kanë një interes vjetor prej 0.5 përqind dhe janë të pagueshme për 10 vjet, me një periudhë faljeje pesë vjet e gjysëm për pagesat e principalit.

Në përfundim të diskutimeve të Bordit Ekzekutiv, Anne Krueger, Zv. Drejtorja e parë e Menaxhimit dhe kryetarja e radhës tha:

"Ecuria e Shqipërisë gjatë vitit të parë të programit tre vjeçar të mbështetur nga PRGF ka qenë e kënaqshme, me inflacion të ulët, me një kurs këmbimi të qëndrueshëm dhe efektiv dhe me një konsolidim fiskal gradual. Megjithatë reforma strukturore ka qenë më e ngadaltë sesa parashikimi. Autoritetet kanë ndërmarrë hapa për të përshpejtuar proçesin dhe për të përforcuar strategjinë e tyre ekonomike. Në kuadër të programit, Fondi ka përfunduar rishikimin e dytë mbi përkushtimin e autoriteteve ndaj programit dhe zotërimin e tij, mbi progresin e bërë në fushën fiskale, si dhe në axhendën e fortë dhe të mirëorganizuar të reformave strukturore.

"Politika fiskale është penguar nga mbledhja e të ardhurave më e ulët sesa parashikimi, por objektivat për defiçitin janë arritur. Për të ardhmen, janë identifikuar masa të forta për zgjerimin e bazën së taksave, për përmirësimin në mbledhjen e të ardhurave dhe për përforcimin e proçedurave buxhetore. Kjo do të lejojë si rritjen e shpenzimeve për masat prioritare për zbutjen e varfërisë ashtu edhe konsolidimin e vazhdueshëm fiskal. Në kontekstin e një inflacioni bazë të ulët dhe të një stabiliteti të vazhdueshëm të kursit të këmbimit, ka hapësirë për një ulje të mëtejshme të normës bazë të interesit.

"Zbatimi i vendosur i reformave strukturore mbetet thelbësor për një rritje ekonomike të lartë që udhëhiqet nga sektori privat. Prioritete kyçe mbeten heqja e barrierave administrative për investimet, përmirësimi i qeverisjes dhe lufta kundër korrupsionit".

"Autoritetet kanë pregatitur një raport të parë të ecurisë të Strategjisë së tyre Kombëtare për Zhvillimin Ekonomiko-Social. Ky dokument vërteton përkushtimin e Qeverisë ndaj strategjisë së saj të uljes së varfërisë, e cila vazhdon të sigurojë një kuadër të përshtatshëm për programin e politikave të tanishme dhe për mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar," pohoi Zj. Krueger.