BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
FMN Përfundon Konsultimet me Shqipërinë mbi Artikullin IV

Data e publikimit: 28.07.2006

 

Në datën 24 korrik 2006, Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) përfundoi konsultimet me Shqipërinë mbi Artikullin IV - (1).

Ecuria makroekonomike gjatë viteve të fundit ka qenë përgjithësisht në nivele të kënaqshme. Rritja ekonomike ka qenë e shpejtë dhe Shqipëria tashmë po del nga grupi i vendeve me të ardhura të ulëta. Kjo rritje e shpejtë ekonomike, bashkë me flukset e mëdha hyrëse të remitancave, ka zbutur varfërinë në mënyrë të ndjeshme. Norma e varfërisë absolute u ul në 18½ për qind në vitin 2005, nga 25½ për qind në vitin 2002, ndërkohë që norma e varfërisë ekstreme u ul në 3½ për qind, nga 4¾. Stabiliteti makroekonomik ka arritur të mbahet në nivelet e duhura, dëshmuar nga inflacioni i ulët, rritja e besimit ndaj monedhës dhe sistemit bankar, si dhe nga rritja e rezervave ndërkombëtare.

Politika fiskale ka frenuar huamarrjen e brendshme neto dhe ka arritur të ulë borxhin publik nga 67½ për qind të PBB-së në vitin 2001, në 55¼ për qind në vitin 2005. Kohët e fundit, reformat në administrimin e të ardhurave kanë rritur të ardhurat, të cilat në buxhetin shtesë të vitit 2006, u caktuan për shpenzime në investime, uljen e taksave dhe zvogëlimin e vazhdueshëm të borxhit. Mungesa e dominimit fiskal ka mbështetur drejtimin e politikës monetare nga ana e Bankës së Shqipërisë, e cila ndoqi një program monetar të rezervave me përdorimin e normës së repo-s si instrumentin kryesor, kombinuar me një regjim luhatës të kursit të këmbimit.

Megjithatë, progresi në reformat strukturore nuk ka qenë i barabartë, duke bërë që mjedisi i biznesit të mbetet relativisht jotërheqës. Pavarësisht nga përparimet e dukshme, institucionet publike shfaqen të dobëta, veçanërisht në fushën fiskale dhe atë financiare. Këta faktorë, bashkë me mungesat në infrastrukturë, veçanërisht në sektorin energjitik, pengojnë rritjen ekonomike dhe nxisin korrupsionin dhe veprimtaritë informale. Ndonëse nuk ka tregues të luhatjeve të mëdha në kursin e këmbimit, mungesa e konkurrencës jo të bazuar në çmim vijon të pengojë investimet dhe eksportet.

Pavarësisht nga arritjet në vitet e kaluara, zhvillimet më të fundit makroekonomike paraqesin sfida të reja:

  • Rritja e kredive ka qenë mjaft e shpejtë. Stoku i kredive të sektorit privat u rrit nga 9 për qind të PBB-së në fund të vitit 2004, në 17 për qind të PBB-së në prill 2006, duke rritur kërkesën për kredi në mënyrë të ndjeshme. Megjithatë, deri tani, rritja e çmimeve të mallrave të patregtueshme është ekuilibruar nga ulja e çmimeve të mallrave të tregtueshëm, duke bërë që inflacioni total të jetë ende i ulët dhe relativisht i qëndrueshëm.
  • Deficiti në llogarinë korrente u rrit në 7¾ për qind të PBB-së në vitin 2005, nga 5½ për qind në vitin 2004, si rezultat i uljes së kërkesës së partnerëve kryesorë tregtarë dhe rritjes së konkurrencës në industrinë e tekstileve (tregu kryesor i prodhimit në Shqipëri). Kjo, shoqëruar nga kërkesa e lartë për importe—nxitur pjesërisht nga rritja e kreditimit—dhe shpenzimet e larta për importin e naftës, bëri që deficiti tregtar të rritet në vitin 2005, tendencë që vijoi dhe në tremujorin e parë të vitit 2006.
  • Ndërkohë, rritja ekonomike është ngadalësuar. Kriza energjitike gjatë muajit tetor-nëntor 2005, ndikoi në mënyrë të ndjeshme në ekonominë e vendit, duke bërë që veprimtaria ekonomike në sektorin e ndërtimit të pësojë rënie. Shoqëruar nga ngadalësimi në eksporte, këta faktorë çuan në uljen e ritmit të rritjes në 5½ për qind në vitin 2005, nga afërsisht 6 për qind në vitin 2004. Gjatë tremujorit të parë të vitit 2006, ekonomia pësoi një rënie të mëtejshme, duke u pasqyruar në kufizimet e shfaqura në sektorët e mallrave të patregtueshëm dhe në mbyllljen e një fabrike të madhe metalurgjike.


Vlerësimi i Bordit Ekzekutiv

Drejtorët e Bordit Ekzekutiv kanë përgëzuar autoritetet për ecurinë e mirë makroekonomike të Shqipërisë gjatë viteve të fundit. Rritja e lartë ekonomike, e përcjellur nga presione joinflacioniste dhe shoqëruar me flukse të mëdha dhe të qëndrueshme hyrëse të remitancave, kanë rritur ndjeshëm të ardhurat dhe kanë zbutur varfërinë. Bordi vlerëson se politikat e shëndosha makroekonomike, duke përfshirë mbajtjen e një regjimi fleksibël të kursit të këmbimit dhe shfaqjen e një sistemi bankar gjithnjë e më konkurrues, kanë kontribuar mjaft në këtë sukses. Për periudhën e ardhshme, Bordi thekson nevojën e arritjes së reformave të gjera strukturore, me qëllim përmirësimin e klimës së biznesit, sigurimin e një rritjeje afatgjatë ekonomike, si dhe arritjen e Synimeve të Mijëvjeçarit që lidhen me Zhvillimin.

Bordi mbështet strategjinë fiskale të autoriteteve shqiptare, e cila ka për qëllim mbajtjen e një qeverie të vogël dhe privatizimin e veprimtarive që lidhen me të. Kjo strategji pritet të përmirësojë eficencën, të ruajë burimet e pamjaftueshme, si dhe t'u shërbejë në mënyrë sa më të frytshme nevojave të zhvillimit të Shqipërisë. Megjithatë, për të qenë të suksesshëm, do të nevojitet një buxhet i konsoliduar aftmesëm dhe një integrim më i mirë i buxhetit vjetor në kuadrin afatmesëm të shpenzimeve dhe në Dokumentin e Strategjisë të Zbutjes së Varfërisë.

Bordi përgëzon autoritetet për suksesin e tyre në forcimin e administratës tatimore dhe mbështet planet që lidhen me shtimin e të ardhurave. Megjithatë, nëse shtimi i të ardhurave tejkalon pritshmëritë, Bordi rekomandon një plan më agresiv për uljen e borxhit, sesa ky që ndiqet aktualisht. Bordi ra dakord që çdo ulje e taksave në të ardhmen duhet të përqëndrohet së pari në zvogëlimin e normave mbi taksat, të cilat çrregullojnë më së shumti tregun e punës. Megjithatë, ai thekson që ulja e taksave duhet të bëhet sipas një ritmi të rregullt dhe vetëm pasi të sigurohet që rritjet e tjera të të ardhurave, që zëvendësojnë taksat e kaluara, të jenë të qëndrueshme dhe të përhershme.

Bordi vlerëson se buxheti shtesë për vitin 2006 është plotësisht në përputhje me strategjinë e re fiskale dhe ekuilibron si duhet nevojën për investime në infrastrukturë, uljen e taksave, si dhe zvogëlimin e borxhit. Nevoja më e ulët gjatë vitit 2006 për huamarrje të brendshme do të ndihmojë në uljen e kërkesës agregate dhe do të japë mbështetjen e duhur në drejtimin e politikës monetare.

Bordi përgëzon Bankën e Shqipërisë për zbatimin e kujdesshëm të politikës së saj monetare. Ai mirëpriti rritjen e fundit të normës së interesit, e cila do të ndihmojë në zbutjen e presioneve mbi çmimet dhe në parandalimin e efekteve të mundshme të raundit të dytë të rritjes së çmimit të energjisë. Bordi vlerëson se regjimi i lirë i kursit të këmbimit i ka shërbyer më së miri Shqipërisë dhe rekomandon mbajtjen e tij, me qëllim që të ndihmojë ekonominë shqiptare në përballimin e faktorëve të jashtëm shock.

Bordi vlerëson rritjen e ndërmjetësimit financiar dhe dinamizmin e lartë të sektorit financiar, si mjaft të nevojshëm për rritjen e vazhdueshme dhe të shpejtë ekonomike. Megjithatë, ai tërheq vëmendjen për rreziqet e mundshme që shoqërojnë stabilitetin makroekonomik dhe financiar. Lidhur me këtë, ai përgëzon autoritetet për marrjen e masave të hershme dhe të nevojshme për forcimin e mbikëqyrjes bankare, si dhe i nxit ato për të qënë të gatshëm në rast nevoje të marrin masa të tjera të nevojshme shtesë. Gjithashtu, Bordi rekomandon forcimin e mbikëqyrjes jobankare. Ai mbështet krijimin e planifikuar të një agjencie mbikëqyrëse të sektorit financiar jobankar, e cila të jetë e pavarur, me fonde të mjaftueshme dhe me kapacitete profesioniste njerëzore.

Bordi mbështet programin e reformave strukturore të autoriteteve, i cili do të ndihmojë në rritjen e cilësisë dhe të infrastrukturës institucionale, si dhe në rritjen e të ardhurave në nivele më të larta. Qeverisja më e mirë, zbatueshmëria e të drejtave të pronës dhe përpjekjet për eliminimin e korrupsionit do të nxisin tërheqjen e investimeve cilësore private, të cilat nevojiten për zhvillimin e mëtejshëm të sektorit të eksporteve dhe për rritjen e formalitetit në veprimtarinë ekonomike. Bordi mbështet vendimin e autoriteteve për të privatizuar kompaninë elektroenergjitike (KESH) dhe i nxit ato që për pjesën e mbetur të privatizimeve, të hedhin hapat në kohën e duhur.

Bordi përkrah autoritetet në punën e tyre për eliminimin e mangësive në statistikat e llogarive kombëtare dhe të bilancit të pagesave.

(1) - Sipas Artikullit IV të Neneve të Marrëveshjes me FMN-në, FMN-ja bën çdo vit diskutime dypalëshe me anëtarët e saj. Një pjesë e stafit të saj viziton vendet anëtare, mbledh të dhëna ekonomike dhe financiare dhe diskuton me zyrtarë zhvillimet dhe politikat ekonomike të vendit. Me kthimin në selinë e FMN-së, stafi përgatit një raport, i cili përbën bazat për diskutim nga Bordi Ekzekutiv. Në përfundim të diskutimit, Drejtori i Përgjithshëm, i cili vepron si Kryetar i Bordit, përmbledh vlerësimet e Drejtorëve Ekzekutivë të Bordit dhe kjo përmbledhje iu dërgohet autoriteteve të vendit përkatës. Ky njoftim përmbledh vlerësimet e Bordit Ekzekutiv, të shprehura në diskutimin e mbajtur nga Bordi Ekzekutiv më 24 korrik, 2006, bazuar në raportin e stafit të FMN-së.

Kliko këtu për tabelën: Shqipëria - Tregues të zgjedhur Ekonomikë