BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Ftesë për pjesëmarrje dhe thirrje për kumtesa

Data e publikimit: 20.04.2018

 

Data:                    20 shtator 2018

Vendi:                  Banka e Shqipërisë, Tiranë.

Gjuhët e konferencës:  shqip dhe anglisht.

Banka e Shqipërisë ka kënaqësinë të njoftojë organizimin e Konferencës II të Muzeut të Bankës së Shqipërisë, e cila do të zhvillohet më 20 shtator 2018, në selinë e saj qendrore, në Tiranë.

Konferenca njëditore do t’i kushtohet temës: “Roli i parasë gjatë  luftërave”.

Monedha është padyshim një nga zbulimet më të rëndësishme të të gjitha kohërave. Por a ka influencuar lindja e monedhës dhe zhvillimi i sistemeve monetare deri në ditët e sotme vetëm ekonominë e qyteteve dhe shteteve? Studimet kanë provuar qartazi se monedha ka një lidhje të fortë jo vetëm me ekonominë, por edhe me luftën. Lindja e monedhës ndihmoi mbi të gjitha mbajtjen e arsenalit ushtarak nga qytet-shtetet antike, duke lehtësuar pagesat për ndërtimin e shpejtë të flotave detare ushtarake, mirëmbajtjen e ushtrisë, pagesat e ushtarëve dhe mercenarëve apo sigurimin e shpejtë të ushqimit për ushtrinë gjatë fushatave luftarake. Avancimi i studimeve shkencore ka treguar se ndryshimet rrënjësore në sistemet dhe politikat monetare janë shpesh të lidhura me periudha luftërash. Këto ndryshime monetare mund të shfaqen në ndryshimin e sistemit monetar, në shtimin e sasisë së monedhave/parave të emetuara para fillimit dhe gjatë zhvillimit të një lufte, në qarkullimin masiv të një tipi monetar në zona shumë larg vendit të tij të origjinës, rritjes së numrit të thesareve të gjetura në një zonë të përfshirë në konflikt. Shembujt ndër shekuj mbi këto fenomene janë të shumta, duke dëshmuar praninë e kësaj marrëdhënieje të vazhdueshme në të gjitha epokat, mes konflikteve ushtarake nga njëra anë dhe rolit të monedhës/parasë gjatë luftërave nga ana tjetër.

Në këtë kuadër, qëllimi i kësaj konference është të mbledhë së bashku historianë, numizmatë, arkeologë, studiues të historisë monetare e ekonomike, kërkues me përvojë por dhe të rinj, për të prezantuar e diskutuar gjetjet e studimeve të tyre për rolin që ka luajtur paraja përgjatë zhvillimit të  luftërave dhe anasjelltas ndër shekuj. Aktiviteti do të organizohet në sesione të fokusuara nga periudha e lashtësisë deri në atë  bashkëkohore.

Banka e Shqipërisë fton gjithë të interesuarit të shprehin interesin e tyre për të qenë pjesë e kësaj konference, duke dërguar një abstrakt të zgjeruar të kumtesave të propozuara dhe një jetëshkrim të shkurtër deri më 10 qershor 2018, ora 23:59, në adresat:

Muzeu i Bankës së Shqipërisë:                                               [email protected];

Elsa Zhulali (Departamenti i Kërkimeve):                                   [email protected]

Pjesëmarrja në këtë konferencë nuk parashikon pagesë.

Aplikuesit e kumtesave të përzgjedhura do të njoftohen brenda datës 20 qershor 2018.