BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fillon nga zbatimi Projekti "Për Implementimin e Sistemit Ndërbankar të Pagesave" (RTGS) në Shqipëri

Data e publikimit: 20.05.2003

 

Sot paradite në ambjentet e Bankës së Shqipërisë u zhvillua ceremonia zyrtare e prezantimit të fillimit të projektit "Për Implementimin e Sistemit RTGS--Sistem Ndërbankar i Pagesave".

Në fjalën e hapjes Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z.Shkëlqim Cani u shpreh se "ngritja e këtij sistemi është një ndër hapat e Bankës së Shqipërisë të ndërmarra në procesin e thellimit të reformave financiare në Shqipëri, forcimin e stabilitetit dhe rritjen e efiçiencës së sektorit financiar dhe atij bankar në veçanti. Sistemi mbështetet në standardet dhe në praktikat më të mira ndërkombëtare dhe efekti kryesor pritet të jetë zgjerimi cilësor i kapaciteteve operacionale për një shkëmbim efiçient dhe të sigurtë të vlerave monetare. Ky zgjerim, do të sjellë rritjen e besueshmërisë të përdoruesve vendas dhe të huaj tek kapacitetet dhe qëndrueshmëria e sistemit bankar shqiptar".

Argumenti kryesor i ngritjes së këtij sistemi të ri është fakti se sistemi aktual i pagesave ndërbankare dhe i atyre në vlerë të madhe në Shqipëri, karakterizohet nga kosto e lartë operacionesh, kohë e gjatë në përpunim të instrumenteve të pagesës dhe kohë e gjatë për finalizim.

Duke folur për objektivat e zbatimit të projektit RTGS, Guvernatori vuri në dukje përmirësimet e pritshme në sistemin bankar si: shlyerja e menjëhershme e pagesave në vlerë të madhe; krijimi i lehtësirave në rritjen e efiçencës së administrimit të përditshëm të likuiditetit nga ana e vetë bankave; ulja e rrezikut në sistemin bankar dhe krijimi i një infrastrukture të shëndoshë për inkurajimin e mëtejshëm të zhvillimeve të tregjeve financiare duke mundësuar një transmetim më efikas të politikës monetare.

Sistemi i ri RTGS, tha më tej z.Cani, do të shtrijë aktivitetin e tij dhe në ekzekutimin e pagesave në vlerë të madhe të bizneseve dhe të individëve, duke sjellë uljen e kohës së ekzekutimit. Pra, pritet që ndikimi i sistemit të ri të jetë i ndjeshëm dhe i pranishëm edhe jashtë sistemit bankar, në përgjithësi tek të gjithë agjentët ekonomike, që shlyerjen e detyrimeve të tyre financiare e realizojnë nëpërmjet sistemit bankar".

Sistemi RTGS, ndonëse do të zbatohet dhe do të administrohet nga Banka e Shqipërisë, është në thelb një shërbim i ri që u ofrohet bankave. Shtrirja e pajisjeve, programet kompjuterike, baza rregullatore dhe procedurat operuese, që janë pjesë përbërëse të sistemit do të përfshijnë si Bankën e Shqipërisë ashtu dhe të gjitha bankat tregtare që operojnë në Shqiperi. Për këtë arsye roli dhe kontributi i bankave gjatë procesit të zbatimit, gjykohet i një rëndësie të veçantë.

Për zbatimin e këtij projekti, nën ndihmën tekniko-financiare të Bankës Botërore, është kontraktuar firma amerikane "Montran", e cila mendojmë se ka kapacitetet dhe përvojën e mjaftueshme dhe përbën një garanci për realizimin e suksesshëm të projektit.

Banka Botërore është, gjithashtu, bashkëfinancuesja dhe mbështetësja kryesore e Bankës së Shqipërisë në këtë projekt. Nuk mendoj se e ekzagjeroj po të pohoj se është pikërisht ky institucion, që e ka iniciuar këtë projekt. Përveç kësaj, ndihmesa e Bankës Boterore vlerësohet e rëndësishme edhe përsa i përket ofrimit të asistencës teknike, ndërkohë që do të jetë e angazhuar edhe gjatë instalimit dhe më pas gjatë operimit të sistemit.

Realizimi i projekit është dhe rezultati i punës së deritanishme të specialisteve të Bankës së Shqipërisë, të ekspertëve të Bankes Boterore, Fondit Monetar Ndërkombëtar, etj., të cilët kontribuan në konceptimin, dizenjimin dhe përcaktimin e kërkesave tekniko-funksionale të sistemit si dhe në evidentimin dhe përcaktimin e mënyrës së zbatimit të standardeve më të mira ndërkombëtare, brënda kuadrit ligjor shqiptar.

Gjatë ceremonisë mbajtën nga një fjalim të shkurtër edhe z.Eugen Scantie, shef i Misionit dhe Përfaqësues Rezident i Bankës Botërore në Shqipëri dhe zv.Presidenti i kompanisë Montran, z. Charles P. Ëalsh.

Të pranishëm në ceremoninë e prezantimit të projektit ishin edhe drejtues te Bankave Tregtare, Komisioni Parlamentar i Ekonomise, Misioni i Bankës Botërore në Shqipëri, Misioni Fondit Monetar Ndërkombëtar, Ambasada Amerikane në Tiranë etj.