BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fillon punimet Konferenca e Pestë e Bankës së Shqipërisë

Data e publikimit: 24.03.2005

 

Sot, më datë 24 mars 2005, në Hotelin Adriatik, Durrës, filloi punimet Konferenca e Pestë e Bankës së Shqipërisë "Banka qendrore në kohën e integrimit". Në këtë konferencë marrin pjesë shumë të ftuar nga vendi, nga bankat qendrore të vendeve te rajonit dhe Bashkimit Evropian si dhe përfaqësues nga institucionet ndërkombëtare.

Në fjalën e tij te hapjes, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, zoti Ardian Fullani, theksoi se aspirata e integrimit të vendit është një nga sfidat më të mëdha të momentit. Për këtë qëllim, është e rëndësishme që krahas progresit në përafrimin politik, ligjor, social dhe kulturor të hidhen hapa konkretë edhe në drejtim të integrimit financiar të vendit.

Në vijim të fjalës së tij përshëndetëse Zëvendëskryeministri i Republikës së Shqipërisë, zoti Namik Dokle, në emër të ekzekutivit shqiptar, ndërmjet të tjerash deklaroi se Qeveria është e vendosur të respektojë pavarësinë e Bankës së Shqipërisë dhe se prej kohësh vihet re një bashkëpunim institucional, i cili ka pasur frytet e veta në hartimin e programve të përbashkëta të zhvillimit ekonomiko-financiar të vendit.

Në prezantimet e tjera në përgjithësi u vu theksi në çështje të ndryshme që kanë të bëjnë me rritjen e efektivitetit të politikës monetare. Në përgjithësi, politika monetare e Bankës së Shqipërisë vlerësohet e suksesshme edhe pse ende ka paqartësi në mekanizimin e transmisionit monetar. Po kështu, në mënyrë që politikat bazë në ekonomi të jenë më të harmonizuara dhe më të efektshme nga ana e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë u kërkua që si sistemi bankar, ashtu dhe institucionet e tjera financiare të vendit të jenë më aktive, më të hapura dhe më të mbikëqyrura. Në fund të fundit, është shumë e rëndësishme që të krijojmë një treg të vërtetë financiar ku të gjithë aktorët të njohin rregullat e lojës dhe t'iu binden atyre me ndershmëri.

Folës të tjerë nëpërmjet eksperiencave të ndryshme ndërkombëtare, hodhën ide dhe rekomandime që mund t'i përshtaten realitetit ekonomik shqiptar.

Një temë tjetër, të cilës ju kushtua një kujdes i veçantë kishte të bënte me stabilitetin financiar. Zhvillimi i tregjeve mbart rrezikun e ekspozimit të vendit ndaj goditjeve të ndryshme e për rrjedhim, ky proces zhvillimi ka nevojë që të shoqërohet me kuadre të plota ligjore dhe mbikëqyrjeje. Në këtë kontekst, u evidentua domosdoshmëria e adoptimit pa vonesë të standardeve dhe praktikave më të mira, të cilat do të përbënin një garanci më shumë për stabilitetin financiar.

Nga folës të ndryshëm u pranua gjerësisht se sistemi bankar është një segment i rregulluar dhe i mbikëqyrur mirë, i cili në kontekstin e zhvillimeve të fundit të fundit ka krijuar më shumë konfidencë në publik. Megjithatë, ka vend për rishikim të kuadrit ligjor dhe atij rregullator, veçanërisht në drejtim të rritjes së fleksibilitetit të tregut valutor, politikave të kreditimit dhe tregut të parasë.