BANKA E SHQIPËRISË

Fjala e Guvernatorit Sejko gjatë prezantimit të Raportit Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2017 në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave

Data e publikimit: 10.04.2018

 

I nderuar zoti Kryetar i Komisionit,

Të nderuar zonja dhe zotërinj Deputetë,

Ju falënderoj për ftesën!

Është kënaqësi për mua të prezantoj përpara jush punën dhe rezultatet e Bankës së Shqipërisë gjatë vitit 2017.

Dëshiroj ta filloj këtë komunikim duke theksuar se viti që lamë pas ka qenë një vit progresi për ekonominë dhe për sistemin financiar shqiptar. Sipas të dhënave të Instat-it: ekonomia shqiptare u rrit me 3.8% në terma vjetorë dhe krijoi rreth 79 mijë vende të reja pune në sektorin privat jobujqësor; norma e papunësisë dhe deficiti i llogarisë korrente u reduktuan; ndërsa, inflacioni erdhi në rritje. Paralelisht me zhvillimet në sektorin real, normat e interesit në tregjet financiare mbetën të ulëta dhe treguesit e shëndetit të sistemit bankar erdhën në përmirësim. Në veçanti, raporti i kredive me probleme zbriti në 13.2% në fund të vitit, një reduktim ky prej rreth 5 pikësh përqindjeje krahasuar me një vit më parë. Të gjithë këta indikatorë tregojnë një përmirësim të pozicionit ciklik të vendit dhe ofrojnë sinjale inkurajuese për perspektivën e rritjes ekonomike në të ardhmen.

Banka e Shqipërisë dha kontributin e saj në përmirësimin e ambientit ekonomik e financiar. Ky kontribut u materializua nëpërmjet:

  • zbatimit të një politike monetare stimuluese, e cila mbështeti rritjen e ekonomisë, të punësimit e pagave, dhe të inflacionit;
  • mbikëqyrjes së kujdesshme dhe përqasjes proaktive të rregullimit bankar, duke ndihmuar përmirësimin e treguesve të aktivitetit të sektorit bankar;
  • rritjes së sigurisë së sistemit bankar, nëpërmjet ngritjes së strukturave të specializuara për të administruar ndërhyrjet e ristrukturimet e nevojshme tek bankat me vështirësi paguese;
  • nxitjes së zhvillimit e funksionimit eficient të sistemit të pagesave;
  • nxitjes së edukimit financiar;
  • forcimit të mëtejshëm të institucionit të bankës qendrore, nëpërmjet investimit të vazhdueshëm për rritjen e profesionalizmit, të pavarësisë, llogaridhënies dhe transparencës, si dhe nëpërmjet bashkëpunimit e shkëmbimit të informacioneve e opinioneve me partnerë të brendshëm e të jashtëm.

Aktiviteti ynë i vitit 2017 ka pasur si udhërrëfyes Strategjinë Afatmesme të Zhvillimit, për periudhën 2016-2018. Gjithashtu, Banka e Shqipërisë i ka kushtuar vëmendje të veçantë zbatimit të rekomandimeve të lëna nga ky Komision në Rezolutën “Për vlerësimin e veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë për vitin 2016”.

Në fillim, më lejoni të bëj një përmbledhje të aktiviteteve të Këshillit Mbikëqyrës, në ushtrimin e funksionit të tij si organi më i lartë vendimmarrës i Bankës së Shqipërisë.

 

1. Veprimtaria e Këshillit Mbikëqyrës dhe forcimi i qeverisjes së institucionit

Këshilli Mbikëqyrës ka ushtruar veprimtarinë e tij në përputhje me dispozitat e ligjit organik dhe me procedurat e parashikuara në rregulloren e brendshme për organizimin dhe funksionimin e tij.

Në ushtrim të detyrave të tij, gjatë vitit 2017, Këshilli Mbikëqyrës zhvilloi 15 mbledhje dhe mori 82 vendime. Gjithashtu, gjatë këtij viti, ai miratoi 29 rregullore dhe 1 udhëzim me zbatim të përgjithshëm.

Si organi më i lartë përgjegjës për Bankën e Shqipërisë, Këshilli Mbikëqyrës ka pasur në vëmendje jo vetëm realizimin e objektivave ligjorë të Bankës, por edhe forcimin e qeverisjes institucionale të bankës, si një premisë kryesore për rritjen e besueshmërisë së saj. Gjatë vitit 2017 u përditësua Strategjia Afatmesme e Zhvillimit të Bankës së Shqipërisë, së bashku me buxhetin afatmesëm,.

Strategjia Afatmesme e Zhvillimit të Bankës së Shqipërisë përcakton objektivat kryesorë për periudhën trevjeçare 2018-2020. Ajo përcakton prioritetet në funksionet kryesore të Bankës së Shqipërisë dhe zhvillimin e shërbimeve mbështetëse. Në këtë mënyrë, Banka e Shqipërisë ka adoptuar modelin e një numri bankash të Sistemit Evropian të Bankave Qendrore, të cilat kanë një sistem të dyfishtë planifikimi strategjik: (i) një proces madhor planifikimi, një herë në 3-5 vjet; dhe (ii) një proces të përvitshëm përditësimi. Shtrirja e kohëzgjatjes së zbatimit siguron mbështetjen e duhur planifikuese për buxhetin orientues afatmesëm të Bankës së Shqipërisë për vitet 2019 dhe 2020. Për herë të parë këtë vit, shpenzimet kapitale dhe projektet e përfshira në buxhet u miratuan paraprakisht në Komitetin e Shpenzimeve Kapitale, një organ i krijuar si masë kontrolli mbi shpenzimet për investime të mëdha.

Me qëllim forcimin e procesit të auditimit të brendshëm, në vitin 2015 u krijua Komiteti i Auditit, i cili përbëhet nga tre anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës. Gjatë vitit 2017, ky Komitet ka ushtruar detyrat e tij në mbështetje të forcimit të linjave të kontrollit të brendshëm dhe të jashtëm. Ai ka kryer takime të rregullta dhe pa praninë e administratorëve, me Inspektorin e Përgjithshëm. Realizimi i këtyre takimeve u ka mundësuar anëtarëve të Komitetit njohjen e sistemeve të kontrollit të brendshëm dhe procedurat e administrimit të rreziqeve. Me propozim të Inspektorit të Përgjithshëm dhe pas konsultimit në Komitetin e Auditit, Këshilli miratoi për herë të parë nivelin e tolerancës ndaj rrezikut operacional në Bankën e Shqipërisë.

Aktiviteti i Këshillit Mbikëqyrës është pasqyruar me besnikëri në njoftimet tona periodike për shtyp.

 

2. Politika monetare e Bankës së Shqipërisë

Vendimmarrja e politikës monetare mbështetet në një kuadër të plotë, konsistent e transparent analizash dhe parashikimesh makroekonomike. Pas tyre qëndron gjithë gama e informacionit të disponuar në kohën e vendimmarrjes, si dhe ekspertiza e gjykimi i specialistëve të Bankës mbi trendet e zhvillimit ekonomik dhe mekanizmin e transmetimit të politikës monetare.

Arsyet e vendimmarrjes sonë për të ruajtur kursin stimulues të politikës monetare edhe gjatë vitit 2017, si dhe vlerësimin e efekteve të kësaj politike në ekonomi, do t’i diskutoj në vijim.

 

2.1 Zhvillimet ekonomike dhe politika monetare gjatë vitit 2017

Ekonomia shqiptare pati një ecuri pozitive gjatë vitit 2017. Vëllimi i aktivitetit ekonomik erdhi në rritje, kapacitetet e pashfrytëzuara në tregun e punës u reduktuan, ndërsa treguesit kryesorë të stabilitetit ekonomik dhe financiar të vendit shënuan përmirësim. Më lejoni të sjell disa shifra për ilustrim.

  • Sipas statistikave të INSTAT-it, vëllimi i aktivitetit ekonomik u rrit me 3.8% gjatë vitit 2017, duke regjistruar një dinamikë pozitive në krahasim me rritjet prej 2.2% dhe 3.4% të shënuara gjatë viteve 2015 e 2016. Zgjerimi i aktivitetit ekonomik rezultoi me bazë të gjerë. Nga këndvështrimi i kërkesës agregate, ai u mbështet nga rritja e konsumit, e investimeve dhe e eksporteve. Nga ky zgjerim i kërkesës agregate përfituan kryesisht sektori i shërbimeve, ai i industrisë dhe ai i ndërtimit. Një zhvillim i spikatur për vitin 2017 ishte ecuria pozitive e sektorit të turizmit, i cili siguroi një impuls pozitiv në rritjen ekonomike. Së bashku me nivelet e larta të investimeve të huaja direkte, ai ndikoi gjithashtu në rritjen e të hyrave valutore në ekonominë shqiptare.
  • Punësimi u rrit me 3.3% gjatë vitit 2017, i ndikuar në masë të madhe nga rritja e punësimit në sektorin e shërbimeve. Paralelisht me rritjen e punësimit, shkalla e papunësisë u ul, nga 14.2% në fund të vitit 2016 në 13.4% në fund të vitit 2017.
  • Deficiti i llogarisë korrente zbriti në një mesatare prej 6.9% të PBB-së gjatë vitit 2017, nga niveli 7.6% i një viti më parë. Përmirësimi i tij reflektoi rritjen e aktivitetit turistik dhe të shërbimeve të tjera të biznesit.
  • Treguesit fiskalë shënuan konsolidim, duke u reflektuar në një nivel të ulët të deficitit buxhetor dhe ruajtjen e kontrollit mbi borxhin publik.
  • Në aspektin financiar, sistemi bankar i vendit ruajti tregues të mirë të likuiditetit, të përfitueshmërisë, dhe të kapitalizimit. Situata financiare e bizneseve ka ardhur në përmirësim, ashtu sikurse ilustrohet nga nivelet e larta të likuiditetit të tyre dhe rënia progresive e treguesit të kredive me probleme.
  • Së fundi, inflacioni erdhi në rritje, duke shënuar nivelin mesatar prej 2.0%, nga 1.3% një vit më parë. Kahu rritës i tij pasqyroi përmirësimin e aktivitetit ekonomik, por niveli i tij nën objektiv reflekton operimin e ekonomisë nën potencial, nivelin e ulët të inflacionit në vendet partnere, si dhe fortësinë e kursit të këmbimit.

Dëshiroj të ndalem pak më gjatë tek faktori i fundit – kursi i këmbimit. Forcimi i lekut gjatë dy viteve të fundit ka qenë në vëmendjen e Bankës së Shqipërisë, si pasojë e ndikimit të gjithanshëm që ka ky faktor mbi treguesit e përgjithshëm ekonomikë e financiarë, përfshi dhe inflacionin. Analizat tona tregojnë se tendenca mbiçmuese e kursit të këmbimit pasqyron përmirësimin e faktorëve fondamentalë, të tillë si ngushtimi i deficitit tregtar dhe i atij të llogarisë korrente, nivelet e larta të prurjeve valutore në formën e investimeve të huaja direkte, si dhe rritja e besimit ndaj monedhës kombëtare në tregun e brendshëm financiar. Për sa kohë ky mbiçmim përfaqëson efektin e faktorëve të qëndrueshëm ekonomikë e financiarë, ai nuk sjell pasoja të dëmshme për ekonominë shqiptare. Megjithatë, efektet e tij shfaqen në formën e presioneve të reduktuara inflacioniste në tregun e brendshëm shqiptar. Forcimi i lekut vlerësohet të ketë reduktuar inflacionin e vitit 2017 me 0.2-0.3 pikë përqindje.

Në kontekstin e shfrytëzimit ende jo të plotë të kapaciteteve prodhuese dhe të presioneve të dobëta inflacioniste, Banka e Shqipërisë ruajti të pandryshuar kahun dhe intensitetin e stimulit monetar gjatë vitit 2017. Norma bazë e interesit ruajti nivelin e ulët historik prej 1.25%, duke krijuar premisa për uljen e kostove të financimit të sektorit real. Injektimi i likuiditetit në tregun ndërbankar u rrit në vëllim dhe në kohëzgjatje mesatare, duke mundësuar funksionimin normal të tregjeve financiare.

Politika monetare stimuluese ka rezultuar efektive në nxitjen e kërkesës së brendshme, e cila ka qenë dhe burimi kryesor i rritjes ekonomike. Efektet e politikës monetare janë të prekshme në disa drejtime:

  • Së pari, në uljen e kostove për financimin e konsumit dhe investimeve. Reduktimi kumulativ i normës bazë të interesit me 5.0 pikë përqindje nga fillimi i vitit 2009, është shoqëruar me rënien kumulative të normave të interesit të kredisë, të bonove 12-mujore të thesarit dhe të depozitave në lekë, përkatësisht me 6.9, 4.5 dhe 6.6 pikë përqindje. Normat e ulëta të interesit kanë rritur kërkesën për kredi të reja dhe kanë ulur koston e shërbimit të kredive ekzistuese. Në përgjigje të tyre:
  • Vëllimi i kredisë në lekë për sektorin privat u rrit me 7.2% në vitin 2017, duke qenë kontribuuesi kryesor i rritjes së kredisë totale. Norma e rritjes së kësaj të fundit ishte vetëm 3.3%, në përgjigje të kërkesës ende të dobët për kredi dhe të politikave ende konservatore të bankave ndaj kredidhënies.
  • Kostoja e shërbimit të kredive ekzistuese është reduktuar. Ky kursim financiar krijon hapësira për rritjen e konsumit dhe të investimeve, nëpërmjet përdorimit të fondeve të veta.
  • Së dyti, në reduktimin e pasigurive të agjentëve ekonomikë. Komunikimi i kursit të ardhshëm të politikës monetare ka garantuar sektorin privat se stimuli monetar do të jetë i pranishëm edhe gjatë tremujorëve në vazhdim, duke nxitur orientimin e tyre drejt konsumit e investimit.
  • Së treti, në zbutjen e presioneve mbiçmuese të kursit të këmbimit, duke ndihmuar përmirësimin e bilancit të shkëmbimeve tregtare dhe rritjen e mëtejshme të aktivitetit ekonomik.
  • Së katërti, në forcimin e stabilitetit financiar. Ambienti financiar me interesa të ulëta ka ndihmuar përmirësimin e bilanceve financiare të kredimarrësve, nëpërmjet nxitjes së kërkesës agregate, nëpërmjet lehtësimit të kostos së shërbimit të borxhit, si dhe nëpërmjet inkurajimit të ristrukturimit të bizneseve dhe kredive ekzistuese.

Vlerësimet tona për impaktin e politikës monetare tregojnë se kontributi i saj në rritjen ekonomike për vitet 2015, 2016 dhe 2017 është përkatësisht rreth 0.2, 0.4 dhe 0.7 pikë përqindjeje. Përtej ndikimit në normat e rritjes, kontributi pozitiv i politikës monetare ka ndikim kumulativ edhe në nivelin e aktivitetit ekonomik. Për vitin 2017, efekti i politikës monetare stimuluese në nivelin e aktivitetit ekonomik në vend vlerësohet rreth 1.3 pikë përqindjeje.

Rritja e kërkesës agregate ka sjellë rritjen e punësimit dhe përmirësimin e shkallës së shfrytëzimit të kapaciteteve, duke nxitur forcimin e presioneve afatmesme inflacioniste. Megjithatë, inflacioni vijon të mbetet poshtë objektivit tonë. Persistenca e inflacionit të ulët ka qenë në fokus të analizave tona. Konsensusi i këtyre analizave është se politika monetare ka qenë dhe mbetet efektive për të stimuluar kërkesën agregate dhe për të garantuar stabilitetin e çmimeve në afatin e mesëm e të gjatë.

Në këto rrethana, Banka e Shqipërisë mbetet e bindur se kthimi i ekonomisë në potencial dhe shfrytëzimi më i plotë i kapaciteteve prodhuese, do të shoqërohen me një rritje më të shpejtë të pagave dhe të kostove të prodhimit. Për rrjedhojë, inflacioni parashikohet të kthehet në objektiv brenda vitit 2019.

Ky parashikim është i kushtëzuar nga ruajtja e kursit stimulues të politikës monetare për tremujorët në vijim, si dhe faktorizon vijimin e procesit të konsolidimit fiskal. Vazhdimi i konsolidimit fiskal ka mundësuar një përcjellje më të mirë të stimulit monetar në ekonomi, ka ndihmuar në reduktimin e dobësive fiskale dhe në rritjen e rezistencës së sektorit publik ndaj sfidave të së ardhmes.

Bashkërendimi i politikës monetare me atë fiskale është jetik për forcimin e stabilitetit makroekonomik të vendit dhe për sigurimin e një rritjeje të qëndrueshme. Ne vlerësojmë se miksi aktual i politikave makroekonomike është i përshtatshëm. Nga njëra anë, ai ruan një kah rezultant stimulues të politikave kryesore ekonomike dhe, nga ana tjetër, adreson dobësitë që vijnë nga niveli relativisht i lartë i borxhit publik.

***

 

Të nderuar anëtarë të Komisionit,

Në përgjigje të rekomandimi tuaj për përmirësimin e vazhduar të mekanizmit të transmetimit të politikës monetare, më lejoni të ndaj me ju pengesat e identifikuara nga ne dhe matricën tonë të veprimit për adresimin e tyre.

 

2.2. Politika monetare dhe mekanizimi i transmetimit

Në gjykimin tonë, përcjellja e efektit të politikës monetare në tregjet financiare dhe ekonominë shqiptare, apo me fjalë të tjera mekanizmi i transmetimit, vijon të vuajë nga tre pengesa strukturore.

Pengesa e parë është niveli relativisht i lartë i përdorimit të monedhës euro në tregjet financiare dhe në ekonominë shqiptare. Shkalla e lartë e euroizimit vështirëson përcjelljen e politikës monetare, duke reduktuar fushën e saj të veprimit, si dhe ekspozon agjentët privatë dhe sistemin financiar ndaj luhatjeve të kursit të këmbimit. Duke njohur këtë fakt, Banka e Shqipërisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, nënshkruan një Memorandum Bashkëpunimi “Për zgjerimin e përdorimit të monedhës kombëtare në sistemin financiar dhe në ekonominë shqiptare”. Në këtë dokument (të publikuar), në kuadër të objektivit për deeuroizimin, të gjitha institucionet nënshkruese angazhohen të identifikojnë dhe ndërmarrin veprime në sferat e tyre të kompetencës.

Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë identifikoi një paketë masash të cilat parashikojnë zbatimin e normave të diferencuara për mbajtjen e rezervave të detyrueshme për detyrimet e bankave në valutë dhe në lekë. Kjo masë synon inkurajimin e ndërmjetësimit financiar në lekë nëpërmjet reduktimit relativ të kostos së tij. Gjithashtu, bankave do t’iu kërkohet të plotësojnë kërkesa më të larta likuiditeti për detyrimet në valutë. Për të rritur ndërgjegjësimin e huamarrësve në valutë lidhur më rreziqet potenciale të kësaj forme huamarrje, bankave do t’iu kërkohet të sqarojnë me shembuj konkretë rreziqet e kredimarrjes në valutë, si edhe t’i ofrojnë huamarrësit një kredi alternative dhe të krahasueshme në lek.

Propozimet për këto masa janë diskutuar më industrinë bankare dhe janë përgatitur ndryshimet e nevojshme në aktet rregullative.

Pengesa e dytë është gatishmëria ende e ulët e bankave për të zgjeruar kreditimin. Kjo sjellje vijon të pasqyrojë efektin e dy faktorëve: (i) politikat e reduktimit të ekspozimit ndaj vendeve të rajonit, përfshi dhe Shqipërinë, të bankave mëma me origjinë nga Eurozona; dhe, (ii) perceptimin e rrezikut të kreditit në vend. Megjithëse bilancet e bankave në Shqipëri janë përmirësuar dhe rreziku i kredisë është reduktuar, politikat për reduktimin e ekspozimit ndaj vendeve jashtë Bashkimit Evropian mbeten konservatore. Këto politika reflektojnë gjithashtu rregullat e reja mbikëqyrëse të vendosura nga EBA për reduktimin e ekspozimit të grupeve bankare evropiane ndaj vendeve të Evropës Qendrore Juglindore.

Në kuadër të trajtimit të këtij problemi, Banka e Shqipërisë ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Kolegjin e Autoriteteve Bankare Evropiane (European Banking Authority College) në vitin 2015, me qëllim shkëmbimin e informacionit dhe harmonizimin e politikave mbikëqyrëse.

Sa u takon kredive me probleme, Banka e Shqipërisë vijon të jetë e angazhuar për zbatimin e masave në kuadër të planit kombëtar për uljen e nivelit të tyre. Ulja e rrezikut të kreditit, paralelisht me përmirësimin e bilancit të bankave dhe rritjen e ekonomisë, duhet të shoqërohen me politika më realiste kreditimi nga ana e sistemit bankar. Kjo është një thirrje e përsëritur nga ana ime në daljet publike. Ndjekja e politikave të tilla do të krijonte premisa për plotësimin e nevojave për financim të ekonomisë, të cilat pritet të vijnë në rritje në të ardhmen.

Pengesa e tretë është shkalla e zhvillimit të tregjeve financiare dhe diapazoni i ngushtë i instrumenteve financiare. Gjatë vitit 2017, Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe Bankën Botërore, ka eksploruar opsionet për zhvillimin e tregut dytësor të letrave me vlerë të Qeverisë dhe për përmirësimin e funksionimit të tregut primar. Ky projekt do t’i shërbejë rritjes së tregtimit të letrave me vlerë të Qeverisë, rritjes së bazës së investitorëve dhe formimit të një kurbe yield-esh përfaqësuese për ekonominë. Një kurbë e tillë mundëson një administrim më të mirë të likuiditetit, për të gjithë agjentët financiarë, si dhe një përcjellje më të mirë të politikës monetare në tregjet financiare. Megjithatë, theksoj se zhvillimi i tregjeve është një proces i gjatë dhe kërkon bashkëpunimin e të gjithë agjentëve ekonomikë dhe financiarë në ekonomi.

***

Duke iu rikthyer kontributit të Bankës së Shqipërisë në përmirësimin e gjithanshëm të kontekstit ekonomik e financiar, dëshiroj që minutat në vazhdim t’i përdor për të prezantuar punën e bërë për ruajtjen e promovimin e stabilitetit financiar. Drejtimet kryesore të punës kanë qenë forcimi i qëndrueshmërisë së sistemit bankar, rritja e rezistencës së tij në përballimin e goditjeve dhe adoptimi i standardeve ndërkombëtare.

 

3. Stabiliteti financiar dhe ecuria e sektorit bankar

Veprimtaria e sektorit bankar gjatë vitit 2017 ka qenë e qëndrueshme dhe mbështetëse për ruajtjen e stabilitetit financiar. Pesha e aktiveve të sektorit bankar ndaj PBB-së shënoi 92.5% në fund të vitit 2017. Treguesit kryesorë financiarë të veprimtarisë së sektorit bankar u shfaqën në përmirësim, ndërsa rezultati financiar neto i sektorit bankar është rritur dukshëm gjatë vitit 2017. Kthimi nga aktivet e sistemit (RoA) arriti në 1.54% në dhjetor 2017 nga 0.7% një vit më parë, ndërsa kthimi nga kapitali arriti në 15.7% nga 7.2%. Treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit, shënoi 16.6% në fund të vitit 2017, duke u rritur me 0.2 pikë përqindje në krahasim me një vit më parë.

Treguesit e monitoruar sugjerojnë zbutje të rreziqeve ndaj stabilitetit financiar. Në veçanti, rreziku i kreditit shënoi ulje të ndjeshme gjatë këtij viti, sikurse ilustrohet nga rënia e kredive me probleme. Rreziku i likuiditetit në veprimtarinë bankare vijon të jetë i ulët, ndërkohë që ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve të tregut mbetet i rëndësishëm.

Pavarësisht zhvillimeve pozitive, Banka e Shqipërisë ka vijuar punën për përmirësimin e kapaciteteve të saj mbikëqyrëse dhe për përmirësimin e mëtejshëm të kuadrit rregullator.

Gjatë vitit 2017, u përgatit dhe u miratua Strategjia e Politikës Makroprudenciale. Zbatimi i politikës makroprudenciale u koordinua e u bashkërendua me një mbikëqyrje të kujdesshme dhe proaktive. Praktika mbikëqyrëse ka shënuar përmirësim në drejtim të metodologjisë së kontrollit të bankave, të përafrimit të standardeve me parimet e Bazelit, si dhe në drejtim të adoptimit të praktikave më të mira ndërkombëtare.

Më lejoni të veçoj, përgatitjen e kuadrit rregullator për Vlerësimin e Brendshëm të Mjaftueshmërisë së Kapitalit. Ky kuadër u përgatit në frymën e parimeve të Bazelit dhe të direktivave të BE-së. Procesi për vlerësimin e brendshëm të mjaftueshmërisë së kapitalit është veçanërisht i rëndësishëm, pasi plotëson perspektivën mbikëqyrëse me dimensionin vetëvlerësues të bankave.

Ndryshime të ndjeshme janë bërë edhe në procesin e parandalimit të pastrimit të parave, nëpërmjet rishikimit të kuadrit rregullativ përkatës.

Gjatë vitit 2017 ka vazhduar puna për rishikimin e metodologjisë mbikëqyrëse për vlerësimin cilësor të qeverisjes korporative të bankave, të funksionimit dhe pavarësisë së komiteteve të tyre, të strukturës së kontrollit të brendshëm në vlerësimin e rreziqeve dhe të funksionimit të tyre. Në këtë projekt, ne jemi partnerë me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Pavarësisht progresit të arritur në reduktimin e kredive me probleme, nuk ka munguar vëmendja për përmbushjen e objektivave vjetorë të bankave lidhur me ecurinë e kredive me probleme si dhe hartimin e Planeve të Rimëkëmbjes e të Zgjidhjes të kredimarrësve të mëdhenj. Në përmbushje të kërkesave tona, bankat raportojnë periodikisht tek Banka e Shqipërisë për nivelin e marrëdhënieve të tyre me çdo kredimarrës, si dhe pritjet e planet për zhvillimet e ardhshme. Me asistencën e Bankës Botërore dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar është duke u hartuar një kuadër rregullativ, i cili synon të nxisë bashkëpunimin dhe koordinimin e bankave për adresimin e kredimarrësve të përbashkët.

Vëmendje të veçantë kanë marrë proceset konsoliduese me bashkimin e pritshëm të dy bankave në Shqipëri, si dhe planet strategjike për ripozicionim në treg në varësi të faktorëve afatshkurtër dhe afatgjatë.

Paralelisht me punën për përmirësimin e kuadrit rregullator dhe adoptimin e standardeve më të mira ndërkombëtare, prioritet i lartë u është dhënë edhe ekzaminimeve në vend. Gjatë vitit 2017 janë zhvilluar 14 ekzaminime të plota dhe të pjesshme të subjekteve banka, jobanka, si dhe të shoqërive të kursim-kreditit. Ekzaminimet treguan se sektori bankar është përmirësuar në drejtim të cilësisë së politikave të brendshme dhe zbatimit të tyre, ngritjes së proceseve të përshtatshme për administrimin e rrezikut, zbatimit të kuadrit rregullativ mbikëqyrës. Nga ana tjetër, subjektet financiare jobanka vlerësohet se kanë ende hapësira për të siguruar efektivitetin, pavarësinë dhe autoritetin e duhur. Disa prej shoqërive të kursim-kreditit u ekzaminuan për herë të parë pas përfundimit të procesit të konsolidimit dhe shkëputjes nga unionet.

Gjatë vitit 2017, hyri në fuqi ligji “Mbi rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka, në Republikën e Shqipërisë”. Ky ligj njeh Bankën e Shqipërisë si Autoritet i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme për bankat dhe degët e bankave të huaja që ushtrojnë aktivitetin e tyre në vend. Ky ligj përbën një tjetër hap në drejtim të adoptimit të standardeve evropiane në kuadrin rregullator të Bankës së Shqipërisë. Përmes përmbushjes së funksionit si Autoritet i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme, Banka e Shqipërisë rrit sigurinë e sistemit bankar.

Në zbatim të kërkesave ligjore, u themelua dhe “Fondi i ndërhyrjes së jashtëzakonshme”, i cili do të mundësojë zbatimin e instrumenteve të ndërhyrjes së jashtëzakonshme. Gjatë këtij viti, ne hartuam metodologjinë për llogaritjen e kontributeve që secila bankë duhet të derdhë si dhe procedurën për kryerjen e pagesës së tyre. Metodologjia e përllogaritjes dhe mënyra e administrimit të fondit ishte temë e takimeve informuese me bankat dhe Shoqatën Shqiptare të Bankave.

Në gjykimin tonë, politikat e ndjekura dhe masat e ndërmarra i kanë shërbyer promovimit të stabilitetit monetar e financiar, duke kontribuar në ruajtjen e ekuilibrave ekonomiko-financiarë të nevojshëm për rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të vendit.

***

Në vijim do të ndalem shkurtimisht në punën e bërë nga Banka e Shqipërisë në drejtim të mbështetjes dhe promovimit të zhvillimit të sistemit të pagesave.

 

4. Funksionimi i sistemeve të sigurta dhe efikase të pagesave

Në kuadër të forcimit të mbikëqyrjes së sistemeve të pagesave dhe instrumenteve të pagesave, Banka e Shqipërisë ka punuar për përafrimin e bazës rregullatore me parimet ndërkombëtare që garantojnë sigurinë dhe promovojnë efikasitetin e sistemeve të pagesave.

Një punë voluminoze është bërë për hartimin e projektligjit për Shërbimet e Pagesave, i cili përafron zbatimin e Direktivës së Bashkimit Evropian për Shërbimet e Pagesave. Zbatimi në praktikë i kësaj direktive pritet të kontribuojë ndjeshëm në përmirësimin e sigurisë dhe efikasitetit të shërbimeve të pagesave nëpërmjet nxitjes së konkurrencës, rritjes së transparencës dhe përcaktimit të qartë të të drejtave dhe detyrimeve të ofruesve dhe përdoruesve të këtyre shërbimeve. Gjithashtu, ai adreson rreziqet që mbart zbatimi i risive teknologjike (Fin-Tech) në shërbimet e pagesave. Aktualisht, Banka e Shqipërisë është në proces konsultimi dhe finalizimi të projektligjit. Miratimi i këtij projektligji përbën një hap të rëndësishëm në zbatimin e rekomandimeve të Komisionit Evropian për lëvizjen e lirë të kapitalit dhe aderimin në Tregun e Vetëm të Pagesave në Euro (SEPA).

Banka e Shqipërisë luan dhe rolin e reformatorit të sistemeve të pagesave. Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë ka vijuar punën për konsolidimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, nëpërmjet funksionimit të Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave (KKSP), ku mban pozicionin drejtues. Nëpërmjet Komitetit, janë iniciuar një sërë projektesh, ku si më kryesor përmend atë për hartimin dhe zbatimin e projektstrategjisë për reformimin e tregut të pagesave me vlerë të vogël, rritjen e përfshirjes financiare dhe vlerësimin e tregut të remitancave.

Realizimi me sukses i objektivave kryesorë ligjorë është mbështetur nga një sërë funksionesh të tjera të Bankës së Shqipërisë. Më lejoni të përmend shkurtimisht përmirësimet e shënuara në këto veprimtari.

 

5. Aktivitete të tjera të Bankës së Shqipërisë

Në fushën e statistikave, ka vijuar puna për përafrimin metodologjik të statistikave me standardet ndërkombëtare dhe harmonizimin e tyre sipas acquis communautaire. Konkretisht, janë rishikuar metodologjitë për përgatitjen e treguesve të shëndetit financiar, ato të normave të interesit, të llogarive financiare, të rezervës ndërkombëtare, etj. Për herë të parë u miratua Kodi i praktikave për statistikat në Bankën e Shqipërisë i cili siguron integritet, cilësi, akses dhe konfidencialitet në përdorimin dhe raportimin e statistikave, sipas standardeve ndërkombëtare. Gjithashtu, për herë të parë, Banka e Shqipërisë bëri publike politikën dhe kalendarin e rishikimit të statistikave, të cilat sigurojnë transparencë të plotë lidhur me rishikimin e statistikave të publikuara. Që prej qershorit, Shqipëria zbaton Sistemin e Përmirësuar të Shpërndarjes së të Dhënave të Përgjithshme të FMN-së (eGDDS), ku një pjesë e statistikave hartohet nga Banka e Shqipërisë.

Lidhur me administrimin e rezervës valutore, janë bërë ndryshime rregullative, të cilat synojnë të qartësojnë funksionin e administrimit të rezervës valutore, përgjegjësitë e strukturave vendimmarrëse, si dhe zgjerojnë gamën e instrumenteve të investimit në përputhje me politikat e miratuara. Rezerva valutore në fund të vitit rezultoi rreth 3 miliardë euro, e mjaftueshme për të mbuluar 6.7 muaj importe mallrash dhe shërbimesh ose 178% të borxhit të huaj afatshkurtër. Kthimi nga investimi i saj rezultoi lehtësisht negativ dhe u ndikua tërësisht nga normat e ulëta të interesit në monedhën euro në tregjet ndërkombëtare.

Analizat ekonomike dhe financiare dhe vendimet e Bankës së Shqipërisë mbështeten nga një punë e gjerë kërkimore brenda institucionit. Banka e Shqipërisë gjykon se investimi në burime njerëzore dhe teknike në kërkim është gjithnjë dobiprurës, duke parë dinamikën e shpejtë të ndryshimeve strukturore në ekonomi dhe në tregjet financiare. Fokusi kryesor i materialeve studimore gjatë vitit 2017 ka qenë transmetimi i politikës monetare, ruajtja e stabilitetit financiar dhe mbikëqyrja bankare, si dhe bashkëveprimi midis këtyre objektivave. Rezultatet e studimeve janë ndarë me ekspertë vendas dhe të huaj në panele shkencore, si dhe janë publikuar në materiale studimore. Gjithashtu, me ndihmën e ekspertëve të huaj ka vijuar puna për përmirësimin e modeleve makroekonometrike dhe statistikore, mbi të cilat mbështeten projeksionet e Bankës së Shqipërisë.

Komunikimi me publikun përbën një hallkë të rëndësishme në aktivitetin e Bankës së Shqipërisë, për rritjen e transparencës dhe të besueshmërisë së institucionit. Rrugët klasike të komunikimit janë plotësuar edhe me platformat dixhitale, si Twitter (informacion), YouTube (video) dhe Flickr (foto). Banka e Shqipërisë ka vijuar praktikën e organizimit të konferencave shkencore dhe forumeve kombëtare e ndërkombëtare, në interes të shkëmbimit të opinioneve me partnerët dhe grupe interesi, vendas dhe të huaj.

Banka e Shqipërisë mbetet e angazhuar në zgjerimin e kulturës financiare të publikut. Kjo, sepse një publik i informuar kupton më mirë dhe reagon më drejt ndaj vendimeve të bankës qendrore. Po ashtu, një publik i edukuar është në gjendje të administrojë më mirë financat e tij personale. Me ngritjen e Muzeut brenda Bankës së Shqipërisë, ky angazhim është konkretizuar më tej. Gjatë vitit 2017, aty janë organizuar një sërë veprimtarish informuese dhe edukuese, të cilat kanë mbledhur akademikë të fushave të ndryshme për të ndarë njohuritë e tyre me publikun e gjerë.

Banka e Shqipërisë ka forcuar bashkëpunimin me institucione vendase dhe të huaja, nëpërmjet shkëmbimit të informacionit, konsultimit dhe projekteve të përbashkëta. Gjatë vitit 2017 u nënshkruan disa memorandume bashkëpunimi, me partnerë vendas dhe të huaj.

Element i llogaridhënies së institucionit është edhe ai mbi mirëqeverisjen e tij në terma të ecurisë së proceseve të punës, eficiencës së përdorimit të burimeve dhe administrimit të rrezikut. Për këtë arsye, më lejoni të përmend dhe përmirësimet kryesore që janë bërë në drejtim të sistemeve të kontrollit të brendshëm.

Kontrolli i brendshëm është një veprimtari e pavarur nga administrimi dhe kjo pavarësi sigurohet nëpërmjet Inspektorit të Përgjithshëm, të emëruar nga Kuvendi.

 

6. Kontrolli i brendshëm

Viti 2017 ka qenë periudha e konsolidimit të funksionit të Administrimit të Rrezikut Operacional. Qëllimi i Administrimit të Rrezikut Operacional është të miradministrojë pasiguritë, si dhe të informojë vendimmarrjen mbi rreziqet që mund të pengojnë arritjen e objektivave të Bankës, apo të kenë ndikime negative financiare dhe/ose reputacionale. Niveli i maturitetit të aktivitetit të administrimit të rrezikut operacional i vlerësuar nga ekspertët ndërkombëtarë, u rrit në kategorinë ‘i menaxhuar’, duke kapërcyer nivelin ‘bazik’. Ky nivel maturiteti tregon që politika e administrimit të rrezikut operacional udhëhiqet nga një matricë rreziku dhe një strukturë qeverisëse e përcaktuar.

Gjatë vitit, u realizua dhe zbatimi i aplikacionit për menaxhimin e automatizuar të auditimeve dhe të procesit të menaxhimit të rrezikut operacional. Gjatë vitit 2018, pritet që pjesa më e madhe e aktivitetit të auditimit të brendshëm të realizohet dhe të dokumentohet në sistemin e ri. Automatizimi i vlerësimit të rrezikut për qëllime auditimi mundëson planifikimin e auditimeve të bazuara plotësisht në rrezik, sikurse është praktika ndërkombëtare.

***

I nderuar zoti Kryetar,

Të nderuar zonja dhe zotërinj deputetë,

Në përfundim të fjalës sime, dua t’ju siguroj se Banka e Shqipërisë do të vijojë të mbetet e përkushtuar për respektimin e objektivave të saj ligjorë, si dhe për zbatimin e detyrave e angazhimeve tona institucionale.

Jam i bindur se ekonomia dhe sistemi financiar shqiptar do të vijojnë të gjejnë te Banka e Shqipërisë një partner të besueshëm, profesional dhe transparent.

 

Ju faleminderit për vëmendjen tuaj!