BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko gjatë prezantimit të Raportit Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2017 në Kuvendin e Shqipërisë

Data e publikimit: 17.05.2018

 

I nderuar zoti Kryetar i Kuvendit,

Të nderuar zonja dhe zotërinj Deputetë,

Banka e Shqipërisë e sheh procesin e llogaridhënies si një element esencial të aktivitetit të saj. Ky proces plotëson pavarësinë tonë institucionale, rrit transparencën dhe besueshmërinë e Bankës së Shqipërisë, si dhe përmirëson efektivitetin e politikave tona.

Për këtë arsye, është kënaqësi për mua të prezantoj përpara jush punën dhe rezultatet e Bankës së Shqipërisë, gjatë vitit 2017.

Dëshiroj ta filloj këtë raportim duke ndarë me ju tre mesazhe të rëndësishme, të cilat pasqyrojnë konkluzionet e analizave tona dhe kanë qenë lajtmotivi i komunikimit tonë publik gjatë vitit të shkuar.

Së pari, ekonomia dhe sistemi financiar shqiptar kanë shënuar progres gjatë vitit 2017. Trendi pozitiv i zhvillimit ilustrohet nga përshpejtimi i ritmit të rritjes ekonomike, nga rritja e punësimit dhe rënia e normës së papunësisë, si dhe nga përmirësimi i bilanceve financiare të sektorit publik dhe privat shqiptar. Ky progres e ka sjellë ekonominë e vendit tonë më afër nivelit të saj potencial, si dhe ka forcuar faktorët afatshkurtër e afatmesëm të cilët mbështesin rritjen ekonomike.

Së dyti, aktiviteti i Bankës së Shqipërisë, gjatë vitit të shkuar, ka qenë në përputhje me detyrat tona ligjore dhe në linjë me Rekomandimet e Kuvendit. Politika dhe instrumentet tona kanë patur një ndikim pozitiv, në të gjithë fushën e veprimit të aktivitetit tonë:

  • në nxitjen e rritjes ekonomike, nëpërmjet ndjekjes së një politike monetare stimuluese;
  • në forcimin e stabilitetit financiar, nëpërmjet zbatimit të një politike mbikëqyrëse dhe rregullatore të kujdesshme e pro-aktive;
  • në nxitjen e zhvillimit dhe rritjen e eficiencës së sistemit financiar, nëpërmjet mirëmbajtjes dhe zhvillimit të sistemit të pagesave, nëpërmjet vëmendjes së vazhdueshme që ushtrojmë ndaj edukimit financiar, si dhe nëpërmjet bashkëpunimit dhe iniciativave të përbashkëta me agjenci dhe partnerë të tjerë, të brendshëm dhe të huaj.

Së treti, dëshiroj të tërheq vëmendjen në faktin se, pavarësisht premisave pozitive të zhvillimit, ekonomia shqiptare vazhdon të përballet me sfida afatmesme dhe afatgjata zhvillimi. Identifikimi dhe reduktimi i vulnerabiliteteve ekonomike e financiare, shmangia e rreziqeve potenciale, si dhe vazhdimi i reformave strukturore në interes të përshpejtimit të ritmit të rritjes së vendit, janë disa nga sfidat kryesore me të cilat përballemi. Detyra jonë si politikëbërës është hartimi dhe zbatimi i planeve konsistente dhe konsekuente të veprimit, për të adresuar në kohë të gjitha problemet me të cilat përballemi.

Më lejoni të ndalem më gjatë në secilën nga çështjet e mësipërme, duke filluar me një pasqyrë të zhvillimeve kryesore ekonomike dhe financiare të vitit të shkuar.

 DSC2018-2 - 498

 

1. Ekonomia dhe sistemi financiar shqiptar gjatë vitit 2017

Viti që lamë pas ka qenë një vit progresi për ekonominë dhe për sistemin financiar shqiptar.

Sipas të dhënave të INSTAT-it, vëllimi i aktivitetit ekonomik u rrit me 3.8% gjatë vitit 2017, duke regjistruar një dinamikë pozitive në krahasim me normat prej 2.2% dhe 3.4% të rritjes së shënuar gjatë viteve 2015 e 2016.

Zgjerimi i aktivitetit ekonomik rezultoi me bazë të gjerë.

Nga këndvështrimi i kërkesës agregate, ai u mbështet nga rritja e konsumit, investimeve dhe eksporteve. Rritja ekonomike e vendit ka përfituar nga përmirësimi i ambientit të huaj, si dhe është mbështetur nga kushtet e favorshme të financimit në vend dhe nga besimi i agjentëve ekonomikë.

Nga këndvështrimi sektorial, zgjerimi i kërkesës agregate ndihmoi rritjen e aktivitetit, kryesisht në sektorin e shërbimeve dhe në degë të caktuara të sektorit të industrisë. Një zhvillim i spikatur për vitin 2017 ishte ecuria pozitive e sektorit të turizmit, i cili siguroi një impuls pozitiv në rritjen ekonomike.

Rritja ekonomike mundësoi krijimin e rreth 79 mijë vendeve të reja të punës në sektorin privat jobujqësor. Punësimi total u rrit me 3.3% gjatë vitit 2017, i ndikuar në masë të madhe nga rritja e punësimit në sektorin e shërbimeve. Paralelisht me rritjen e punësimit, shkalla e papunësisë u ul nga 14.2% në fund të vitit 2016, në 13.4% në fund të vitit 2017.

Inflacioni erdhi në rritje gjatë vitit 2017, duke shënuar një nivel mesatar prej 2.0%, nga 1.3% një vit më parë. Rritja e inflacionit pasqyroi përmirësimin e aktivitetit ekonomik dhe forcimin e presioneve të brendshme inflacioniste. Megjithatë, ky tregues vijon të mbetet nën objektiv, në reflektim të pranisë së kapaciteteve të pashfrytëzuara në ekonomi, të nivelit të ulët të inflacionit në vendet partnere, si dhe të fortësisë së kursit të këmbimit.

Zgjerimi i aktivitetit ekonomik është shoqëruar me përmirësimin e disa prej balancave kryesore ekonomike dhe financiare të vendit. Më konkretisht:

  • Deficiti i llogarisë korrente zbriti në 6.9% të PBB-së gjatë vitit 2017, nga niveli 7.6% i regjistruar një vit më parë. Përmirësimi i tij reflektoi rritjen e aktivitetit turistik dhe të shërbimeve të tjera të biznesit.
  • Treguesit fiskalë shënuan konsolidim, duke u reflektuar në një nivel të ulët të deficitit buxhetor dhe në ruajtjen e kontrollit mbi borxhin publik.
  • Së fundi, situata financiare e bizneseve ka ardhur në përmirësim, sikurse ilustrohet nga nivelet e larta të likuiditetit të tyre dhe nga rënia progresive e treguesit të kredive me probleme.

Në tregjet financiare, normat e interesit mbetën të ulëta dhe treguesit e shëndetit të sistemit bankar erdhën në përmirësim. Sistemi bankar i vendit ruajti tregues të mirë likuiditeti dhe përmirësoi treguesit e përfitueshmërisë dhe të kapitalizimit. Mjaftueshmëria e kapitalit shënoi 16.6% në fund të vitit 2017, duke u rritur me 0.2 pikë përqindje në krahasim me një vit më parë. Pesha e aktiveve të sektorit bankar ndaj PBB-së shënoi 92.5% në fund të vitit 2017.

Veprimtaria e sektorit bankar ka qenë e qëndrueshme dhe ka sjellë reduktimin e rreziqeve ndaj stabilitetit financiar. Në veçanti, rreziku i kreditit shënoi ulje të ndjeshme gjatë këtij viti. Raporti i kredive me probleme zbriti në 13.2% në fund të vitit, duke shënuar një reduktim prej rreth 5 pikësh përqindjeje krahasuar me një vit më parë. Rreziku i likuiditetit në veprimtarinë bankare vijon të jetë i ulët, ndërkohë që ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve të tregut mbetet i pranishëm dhe në monitorim.

Përmirësimi i pozicionit ciklik të vendit dhe sinjalet inkurajuese për perspektivën e rritjes ekonomike kanë pasqyruar dhe rezultatet e punës së Bankës së Shqipërisë. Më lejoni të ndalem më në detaj.

2. Aktiviteti i Bankës së Shqipërisë gjatë vitit 2017

Aktiviteti i Bankës së Shqipërisë ka qenë dhe mbetet i orientuar drejt përmbushjes së misionit dhe detyrave tona ligjore. Në aspektin operacional, ky aktivitet ka pasur si udhërrëfyes Strategjinë Afatmesme të Zhvillimit, për periudhën 2016-2018.

Dy drejtime kryesore të aktivitetit tonë kanë qenë, natyrisht, politika monetare dhe mbikëqyrja e rregullimi i sektorit bankar.

Politika monetare e Bankës së Shqipërisë vijoi të ruajë një karakter stimulues gjatë vitit 2017, në prani të shfrytëzimit ende jo të plotë të kapaciteteve prodhuese dhe të presioneve të dobëta inflacioniste. Stimuli monetar u transmetua nëpërmjet ruajtjes së normës bazë të interesit në nivelin e ulët historik prej 1.25%, nëpërmjet rritjes së vëllimit dhe kohëzgjatjes mesatare të likuiditetit të injektuar në tregun ndërbankar, si dhe orientimit të tregut mbi kahun e ardhshëm të politikës monetare.

Efektet pozitive të politikës monetare janë të prekshme në disa drejtime.

  • Së pari, në uljen e kostove të financimit të konsumit dhe të investimeve. Vëllimi i kredisë në lekë për sektorin privat u rrit me 7.2% në vitin 2017, duke dhënë kontributin kryesor në rritjen e kredisë totale.
  • Së dyti, në reduktimin e pasigurive të agjentëve ekonomikë, duke i nxitur ata drejt konsumit e investimit.
  • Së treti, në zbutjen e presioneve forcuese të kursit të këmbimit, duke ndihmuar përmirësimin e bilancit të shkëmbimeve tregtare dhe rritjen e mëtejshme të aktivitetit ekonomik.
  • Së katërti, në forcimin e stabilitetit financiar. Ambienti financiar me interesa të ulëta ka ndihmuar përmirësimin e bilanceve financiare të kredimarrësve, nëpërmjet nxitjes së kërkesës agregate, lehtësimit të kostos së shërbimit të borxhit, si dhe inkurajimit të ristrukturimit të kredive ekzistuese.

Vlerësimet tona për impaktin e politikës monetare tregojnë se kontributi i saj në rritjen ekonomike për vitet 2015, 2016 dhe 2017 është përkatësisht rreth 0.2, 0.4 dhe 0.7 pikë përqindjeje.

Gjithashtu, Banka e Shqipërisë ka vijuar përpjekjet për përmirësimin e mekanizmit të transmetimit të politikës monetare. Gjatë vitit 2017, ne kemi punuar në tre drejtime kryesore.

  • Së pari, në nxitjen e përdorimit të monedhës kombëtare.

Shkalla e lartë e euroizimit ekspozon agjentët privatë dhe sistemin financiar ndaj luhatjeve të kursit të këmbimit, si dhe vështirëson përcjelljen e politikës monetare. Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, nënshkruan Memorandumin e Bashkëpunimit “Për zgjerimin e përdorimit të monedhës kombëtare në sistemin financiar dhe në ekonominë shqiptare”. Në këtë Memorandum, palët nënshkruese angazhohen të identifikojnë dhe ndërmarrin veprime konkrete në sferat e tyre të kompetencës. Brenda këtij kuadri, Banka e Shqipërisë identifikoi një paketë masash të cilat, pas konsultimit me industrinë bankare, do të hyjnë në fuqi gradualisht gjatë gjysmës së dytë të vitit 2018.

  • Së dyti, në rritjen e gatishmërisë së bankave për të zgjeruar kreditimin.

Oreksi i bankave për kreditim vijon të mbetet relativisht i ulët, duke pasqyruar efektin e dy faktorëve: (i) politika e reduktimit të ekspozimit ndaj vendeve të rajonit, përfshi dhe Shqipërinë, të bankave mëma me origjinë nga Eurozona; dhe, (ii) perceptimi i rrezikut të kreditit në vend. Për të adresuar këtë problem, Banka e Shqipërisë ka vijuar bashkëpunimin me Kolegjin e Autoriteteve Bankare Evropiane, me qëllim shkëmbimin e informacionit dhe harmonizimin e politikave mbikëqyrëse. Gjithashtu, institucioni ynë ka vijuar zbatimin e masave të planit kombëtar për uljen e nivelit të kredive me probleme dhe përmirësimin e ambientit kreditues.

  • Së treti, në nxitjen e zhvillimit të tregjeve dhe në zgjerimin e gamës së instrumenteve financiare.

Gjatë vitit 2017, Banka e Shqipërisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Banka Botërore, kanë eksploruar mundësitë për zhvillimin e tregut dytësor të letrave me vlerë të Qeverisë dhe për përmirësimin e funksionimit të tregut primar. Ky projekt do t’i shërbejë rritjes së tregtimit të letrave me vlerë, rritjes së bazës së investitorëve, dhe administrimit më të mirë të likuiditetit.

Në drejtim të stabilitetit financiar, Banka e Shqipërisë ka vijuar punën për zbatimin e një politike mbikëqyrëse e rregullatore të kujdesshme dhe pro-aktive.

Gjatë vitit 2017 janë zhvilluar 14 ekzaminime të plota dhe të pjesshme të subjekteve banka, jobanka, si dhe të shoqërive të kursim-kreditit. Ekzaminimet treguan se sektori bankar është përmirësuar në drejtim të: cilësisë së politikave të brendshme dhe zbatimit të tyre, ngritjes së proceseve të përshtatshme për administrimin e rrezikut, zbatimit të kuadrit rregullator. Nga ana tjetër, subjektet financiare jo-banka vlerësohet se kanë ende hapësira për të siguruar efektivitetin, pavarësinë dhe autoritetin e duhur. Praktika mbikëqyrëse ka shënuar përmirësim në drejtim të metodologjisë së kontrollit të bankave, të përafrimit të standardeve me parimet e Bazelit, si dhe në drejtim të adoptimit të praktikave më të mira ndërkombëtare.

Vëmendje të veçantë kanë marrë proceset konsoliduese, si dhe planet strategjike të sistemit bankar.

Po ashtu, gjatë vitit 2017, Banka e Shqipërisë:

  • përgatiti dhe miratoi Strategjinë e Politikës Makroprudenciale, e cila do të orientojë përdorimin e instrumenteve rregullatore në interes të forcimit të stabilitetit financiar të vendit;
  • përgatiti kuadrin rregullator për Vlerësimin e Brendshëm të Mjaftueshmërisë së Kapitalit, i hartuar në frymën e parimeve të Bazelit dhe të direktivave të BE-së. Vlerësimi i brendshëm i mjaftueshmërisë së kapitalit plotëson perspektivën mbikëqyrëse me dimensionin vetëvlerësues të bankave;
  • bëri ndryshime të ndjeshme në procesin e parandalimit të pastrimit të parave, nëpërmjet rishikimit të kuadrit rregullator përkatës;
  • vazhdoi punën për rishikimin e metodologjisë mbikëqyrëse të vlerësimit të qeverisjes korporative të bankave, të funksionimit dhe pavarësisë së komiteteve të tyre, të strukturës së kontrollit të brendshëm në vlerësimin e rreziqeve dhe të funksionimit të tyre. Në këtë projekt, ne jemi partnerë me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Pavarësisht progresit të arritur në reduktimin e kredive me probleme, nuk ka munguar vëmendja për përmbushjen e objektivave vjetorë të bankave, lidhur me ecurinë e kredive me probleme, si dhe hartimin e Planeve të Rimëkëmbjes e të Zgjidhjes të kredimarrësve të mëdhenj. Në përmbushje të kërkesave tona, bankat raportojnë periodikisht tek Banka e Shqipërisë për ecurinë e marrëdhënieve të tyre me çdo kredimarrës, si dhe pritjet e planet për zhvillimet e ardhshme. Me asistencën e Bankës Botërore dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar është duke u hartuar një kuadër rregullator, i cili synon të nxisë bashkëpunimin dhe koordinimin e bankave për adresimin e kredimarrësve të përbashkët.

Gjatë vitit 2017, hyri në fuqi ligji “Mbi rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka, në Republikën e Shqipërisë”. Ky ligj njeh Bankën e Shqipërisë si Autoritet i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme për bankat dhe degët e bankave të huaja që ushtrojnë aktivitetin e tyre në vend. Ai përbën një tjetër hap në drejtim të adoptimit të standardeve evropiane në kuadrin rregullator të Bankës së Shqipërisë. Në zbatim të kërkesave ligjore, u themelua dhe “Fondi i ndërhyrjes së jashtëzakonshme”, i cili do të mundësojë zbatimin e instrumenteve të ndërhyrjes së jashtëzakonshme.

Paralelisht me drejtimet e mësipërme të punës, Banka e Shqipërisë ka qenë e vëmendshme dhe ka punuar në drejtim të: nxitjes së zhvillimit të sistemit të pagesave; përmirësimit të procedurave dhe modaliteteve të administrimit të rezervës valutore; përmirësimit të komunikimit me publikun; thellimit të punës kërkimore; zgjerimit dhe përmirësimit të statistikave; rritjes së kulturës dhe përfshirjes financiare; bashkëpunimit me institucione vendase dhe të huaja etj.

Gjej me vend të theksoj se Banka e Shqipërisë ka pasur në vëmendje jo vetëm realizimin e objektivave ligjorë, por edhe forcimin e qeverisjes së saj institucionale. Në këtë kontekst, gjatë vitit 2017 u përditësua Strategjia Afatmesme e Zhvillimit të Bankës së Shqipërisë, si dhe u hartua dhe u miratua buxheti afatmesëm i saj. Për herë të parë, shpenzimet kapitale dhe projektet e përfshira në buxhet u miratuan paraprakisht në Komitetin e Shpenzimeve Kapitale. Gjithashtu, gjatë vitit të shkuar ka vijuar punën Komiteti i Auditit, i cili ushtron një funksion monitorues të pavarur nga administrimi i Bankës së Shqipërisë. Së fundi, gjatë vitit 2017, Këshilli Mbikëqyrës miratoi për herë të parë nivelin e tolerancës ndaj rrezikut operacional në Bankën e Shqipërisë, çka do të ndihmojë administrimin eficient të rrezikut, nëpërmjet identifikimit e trajtimit të hershëm të tij, në përputhje me procedurat e paracaktuara.

Në tërësi, politikat e ndjekura dhe masat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë i kanë shërbyer promovimit të stabilitetit monetar e financiar, duke kontribuuar në ruajtjen e ekuilibrave ekonomiko-financiarë të nevojshëm për rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të vendit.

 

I nderuar zoti Kryetar i Kuvendit,

Të nderuar zonja dhe zotërinj Deputetë,

Sikundër e thashë në fillim të fjalës sime, perspektiva e zhvillimit të vendit mbetet pozitive. Megjithatë, ne përballemi dhe do të vazhdojmë të përballemi me sfida, të cilat duhen adresuar me kurajë, vizion dhe vendosmëri.

Me lejoni të parashtroj, në mbyllje të këtij prezantimi, vizionin e Bankës së Shqipërisë mbi të ardhmen e ekonomisë dhe të sistemit financiar shqiptar, si dhe mbi politikat e duhura të zhvillimit.

3. Perspektiva dhe sfidat e zhvillimit të vendit

Përmirësimi ciklik i ekonomisë shqiptare, i nxitur nga kushtet e favorshme të financimit, nga gjallërimi i mëtejshëm i aktivitetit ekonomik botëror, si dhe nga forcimi i besimit në ekonomi, pritet të vazhdojë edhe gjatë horizontit afatmesëm të dy–tre viteve të ardhshme. Rritja e kërkesës agregate do të nxitë një rritje të mëtejshme të punësimit dhe një rritje më të shpejtë të pagave. Shfrytëzimi më i plotë i kapaciteteve prodhuese do të mundësojë kthimin e inflacionit në objektiv brenda horizontit kohor afatmesëm, dhe do të ndihmojë në përmirësimin e ekuilibrave të përgjithshëm ekonomikë dhe financiarë.

Përmbushja e këtij skenari mbetet e kushtëzuar nga mungesa e goditjeve, të brendshme apo të jashtme, mbi ekonominë apo sistemin financiar shqiptar. Gjithashtu, ajo kërkon vazhdimin e kursit stimulues të politikës monetare dhe ruajtjen e kursit konsolidues të politikës fiskale. Bashkërendimi i këtyre politikave është jetik për sigurimin e një rritjeje të qëndrueshme dhe për forcimin e stabilitetit makroekonomik të vendit. Nga njëra anë, ai ruan një kah rezultant stimulues të politikave kryesore ekonomike dhe, nga ana tjetër, adreson dobësitë e ndryshme.

Duke parë përtej horizontit afatmesëm, Banka e Shqipërisë vlerëson se ka ende mjaft punë për të bërë, në drejtim të forcimit të ritmit të rritjes ekonomike dhe rritjes së rezistencës së ekonomisë shqiptare ndaj goditjeve. Politika monetare stimuluese ofron një ndihmë në këtë drejtim, por ajo nuk mund të zëvendësojë reformat e nevojshme strukturore, të nevojshme për përmirësimin e funksionimit tërësor të ekonomisë shqiptare.

Në gjykimin tonë, këto reforma strukturore duhet të adresojnë disa çështje kyçe.

  • Përmirësimin e mëtejshëm të klimës së biznesit, nëpërmjet: vijimit të masave për uljen e informalitetit dhe promovimin e konkurrencës së ndershme; përmirësimit dhe harmonizimit të gjithanshëm të kuadrit ligjor dhe të procesit të zbatimit të ligjit; si dhe uljes së burokracisë dhe përmirësimit të funksionimit të administratës publike. Përmirësimi i klimës së biznesit është esencial për tërheqjen e investimeve të huaja dhe nxitjen e investimeve vendase.
  • Zgjerimin e tregjeve për produktet shqiptare, nëpërmjet: promovimit të markës së produkteve shqiptare; nxitjes së integrimit rajonal; dhe përshpejtimit të procesit të integrimit evropian.
  • Rritjen e eficiencës të ekonomisë shqiptare, nëpërmjet: investimeve të mëtejshme në infrastrukturë, arsim dhe shëndetësi; inkurajimit të rritjes së shkallës së pjesëmarrjes në forcat e punës; si dhe përmirësimit të standardeve të administrimit të biznesit. Rritja e eficiencës së ekonomisë nënkupton norma më të larta rritjeje ekonomike dhe standarde më të larta mirëqenieje për shoqërinë shqiptare.
  • Rritjen e fleksibilitetit dhe rezistencës së ekonomisë shqiptare, nëpërmjet: inkurajimit të procesit të ristrukturimit të ndërmarrjeve; përmirësimit të mëtejshëm të arkitekturës së mbikëqyrjes dhe rregullimit të sistemit financiar; si dhe rritjes së kujdesit ndaj treguesve të borxhit publik dhe privat. Një ekonomi më rezistente dhe elastike përballon më lehtë goditjet dhe riorientohet më shpejt ndaj oportuniteteve të zhvillimit.
  • Zgjerimin dhe diversifikimin e mëtejshëm të tregjeve financiare, duke punuar paralelisht për rritjen e kursimeve në ekonominë shqiptare, për zhvillimin e studiuar të segmenteve të tjera të tregut financiar, si dhe për prezantimin e kujdesshëm të produkteve të reja dhe instrumenteve të reja financiare. Zhvillimi dhe diversifikimi i tregjeve financiare përmirëson aksesin në financë, duke rritur bazën e sipërmarrësve potencialë dhe duke mundësuar një administrim më të mirë të financave personale. Gjithashtu, ai përmirëson strukturën e financimit të ekonomisë shqiptare dhe i hap rrugë zhvillimit të vendit, në një të ardhme jo të largët ku, potencialisht, roli i bankave dhe i industrisë bankare do të jetë më i reduktuar.

Banka e Shqipërisë gjykon se procesi i integrimit evropian duhet të jetë ankora orientuese e gjithë politikave të zhvillimit të vendit. Ndjekja e këtij objektivi kërkon bashkëpunimin dhe energjitë e të gjithë aktorëve të përfshirë në proces, duke nënkuptuar dhe vullnetin e tyre për të përballuar kostot e politikave dhe reformave të nevojshme për integrimin e vendit.

***

I nderuar zoti Kryetar i Kuvendit,

Të nderuar zonja dhe zotërinj Deputetë,

Në përfundim të fjalës sime, dua t’ju siguroj se Banka e Shqipërisë do të vijojë të mbetet e përkushtuar për respektimin e objektivave të saj ligjorë, si dhe për zbatimin e detyrave e angazhimeve të saja institucionale.

Ju faleminderit për vëmendjen!