BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko gjatë prezantimit të Raportit Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2018 në Kuvendin e Shqipërisë

Data e publikimit: 23.04.2019

 

I nderuar zoti Kryetar i Komisionit,

Të nderuar zonja dhe zotërinj Deputetë,

Ju falënderoj për ftesën!

Raporti Vjetor dhe pasqyrat financiare që e shoqërojnë atë, janë instrumenti kryesor i llogaridhënies sonë institucionale. Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë e shikon prezantimin e këtij Raporti si një mundësi për të forcuar e përmirësuar dialogun me ju.

DSC 7264 498

Puna e Bankës së Shqipërisë gjatë vitit 2018 është bazuar në tre premisa kryesore:

  • Së pari, në objektivat dhe detyrat e përcaktuara në kuadrin ligjor e nënligjor, i cili rregullon punën e institucionit;
  • Së dyti, në objektivat e përcaktuar në Strategjinë tonë Afatmesme të Zhvillimit; dhe,
  • Së treti, në rekomandimet e dhëna nga Kuvendi në Rezolutën “Për vlerësimin e veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë për vitin 2017”.

Rezultatet e punës sonë tregojnë se Banka e Shqipërisë ka shënuar progres në të tre drejtimet e mësipërme. Më lejoni t’i shtjelloj shkurtimisht, që në fillim të fjalës time.

Në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi, Banka e Shqipërisë: kujdeset për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, si parakusht për rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të vendit; licencon, mbikëqyr dhe rregullon aktivitetin e sektorit bankar, duke promovuar kështu stabilitetin financiar; administron emetimin dhe qarkullimin e monedhës shqiptare; kontribuon në zhvillimin e sistemit të pagesave; si dhe kryen një sërë detyrash të tjera specifike, të cilat prekin jetën ekonomike dhe sistemin financiar të vendit.

Bazuar në informacionin e disponuar, Banka e Shqipërisë konstaton se viti 2018 ishte një vit progresi për ekonominë dhe financat shqiptare. Aktiviteti ekonomik dhe punësimi vijuan të zgjerohen, pagat dhe presionet e brendshme inflacioniste erdhën në rritje, treguesit kryesorë të shëndetit të sektorit bankar shënuan përmirësim, dhe një sërë indikatorësh të balancave të brendshme dhe të jashtme ekonomike erdhën drejt forcimit. Kjo dinamikë zhvillimesh pasqyron, në një masë jo të vogël, edhe efektin e politikave, masave dhe instrumenteve, të ndërmarra në vazhdimësi nga ne.

Më konkretisht, gjatë vitit 2018, Banka e Shqipërisë:

  1. ka ndjekur një politikë monetare stimuluese, e cila ka nxitur rritjen ekonomike dhe kthimin e inflacionit në objektiv, si dhe ka ndihmuar përmirësimin e bilanceve të biznesit, familjeve, sektorit publik dhe institucioneve financiare të vendit;
  2. ka forcuar dhe përmirësuar kuadrin politik, rregullator e operacional, të mbikëqyrjes së sektorit bankar, duke u kujdesur njëkohësisht për administrimin e procesit të konsolidimit të tij; si dhe,
  3. ka krijuar incentiva për zhvillimin e sistemit të pagesave dhe zgjerimin e thellimin e tregut financiar.

Sa i takon përmbushjes së objektivave të strategjisë, Banka e Shqipërisë ka punuar intensivisht për përvetësimin e standardeve dhe praktikave më të mira të bankingut qendror. Në këtë drejtim, ne kemi bërë progres në përmirësimin e statistikave, punës kërkimore, plotësimit të kritereve të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian, forcimit të qeverisjes së institucionit, si dhe në shumë drejtime të tjera.

Së fundi, dëshiroj të theksoj se Banka e Shqipërisë ka plotësuar të gjitha rekomandimet e lëna nga Kuvendi.

Raporti Vjetor shtjellon në detaje veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë gjatë vitit 2018, në të gjitha dimensionet e saj. Gjatë fjalës time do të bëj fillimisht një përmbledhje të punës së Këshillit Mbikëqyrës, si organi vendimmarrës dhe monitorues i aktivitetit të institucionit. Më tej, do të shtjelloj në mënyrë të përmbledhur aktivitetin e Bankës së Shqipërisë, sipas linjave kryesore të veprimtarisë.

 

***

  1. Aktiviteti i Këshillit Mbikëqyrës

Këshilli Mbikëqyrës i ushtron kompetencat e tij, në përputhje me dispozitat e ligjit organik dhe me procedurat e parashikuara në rregulloren e brendshme për organizimin dhe funksionimin e tij.

Gjatë vitit 2018, Këshilli Mbikëqyrës zhvilloi 15 mbledhje dhe miratoi 76 vendime, prej të cilave 55 ishin akte të reja dhe 21 ndryshime aktesh ekzistuese. Këto vendime mbuluan gjithë spektrin e aktiviteteve të ushtruara nga institucioni. Vendime të rëndësishme, përtej miratimit të politikës monetare dhe rishikimit të rregulloreve që konturojnë aktivitetin e sektorit bankar, janë: (i) miratimi i politikës dhe masave për rritjen e përdorimit të monedhës kombëtare në veprimtarinë e bankave; (ii) miratimi i politikës së mbikëqyrjes së sistemeve të pagesave dhe të shlyerjes; (iii) miratimi i Politikave Kontabël sipas Standardeve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar; dhe (iv) miratimi i Strategjisë Afatmesme të Zhvillimit të Bankës së Shqipërisë për periudhën 2019-2021. Strategjia ruajti të pandryshuar misionin, vizionin dhe vlerat e Bankës së Shqipërisë, por rifreskoi listën e detyrave për përmbushjen e tyre.

Përtej realizimit të objektivave ligjorë të Bankës, Këshilli Mbikëqyrës ka mbajtur në monitorim qeverisjen e institucionit dhe ka punuar për përmirësimin e saj.

  • Si përgjegjës për procesin e raportimit financiar dhe sistemin e kontrollit të brendshëm, Këshilli është informuar rregullisht, nga hallkat e kontrollit të brendshëm e të jashtëm, për respektimin e ligjit dhe akteve të tjera që rregullojnë veprimtarinë e institucionit. Po ashtu, Këshilli është informuar mbi politikat e administrimit të institucionit dhe përdorimin e mjeteve financiare për realizimin e veprimtarisë operative të Bankës së Shqipërisë. Në mënyrë periodike, janë paraqitur informacione mbi pozicionin dhe rezultatin financiar të Bankës së Shqipërisë dhe mbi ecurinë e administrimit të rezervës valutore.
  • Monitorimi i kontrollit të brendshëm është kryer nëpërmjet Komitetit të Auditit, të krijuar në vitin 2015. Në komitet janë diskutuar çështje si: (i) plani vjetor i punës dhe angazhimet e auditimit të brendshëm për vitin; (ii) raportimi periodik i Inspektorit të Përgjithshëm mbi veprimtarinë e auditimit; (iii) pasqyrat financiare; dhe (iv) ecuria e administrimit të rrezikut operacional në Bankën e Shqipërisë. Ai ka kryer takime të rregullta dhe pa praninë e administratorëve me Inspektorin e Përgjithshëm.

Së fundi, gjej me vend të theksoj se Këshilli ka përmbushur rregullisht detyrimet e llogaridhënies së Bankës së Shqipërisë ndaj Kuvendit dhe detyrimet e transparencës ndaj sistemit financiar dhe publikut.

 

  1. Ekonomia shqiptare dhe politika monetare gjatë vitit 2018

Politika monetare ka ruajtur, e madje forcuar, kahun e saj lehtësues gjatë vitit 2018. Kjo politikë është në përputhje me përmbushjen e objektivit tonë të inflacionit, konsistente me pozicionin ciklik të ekonomisë shqiptare dhe e harmonizuar me kahun konsolidues të politikës fiskale.

Ekonomia shqiptare pati një ecuri pozitive gjatë vitit 2018. Kërkesa agregate erdhi në zgjerim, duke mundësuar rritjen e mëtejshme të prodhimit, të punësimit e të pagave, si dhe duke ndihmuar në përmirësimin e balancave kryesore ekonomike e financiare të vendit. Më lejoni të sjell disa shifra për ilustrim.

  • Sipas të dhënave të INSTAT-it, ritmi i rritjes ekonomike u përshpejtua në 4.1% gjatë vitit 2018. Rritja ekonomike pati bazë të gjerë; ajo pasqyroi kontribute pozitive nga zgjerimi i konsumit familjar, i investimeve të biznesit dhe i eksporteve.
  • Po sipas të dhënave të INSTAT-it, punësimi në ekonomi u rrit me 1.6% gjatë vitit të shkuar, ndërsa norma e papunësisë u ul në nivelin 12.3%, nga 13.4% një vit më parë.
  • Deficiti i llogarisë korrente zbriti në 6.7% të PBB-së gjatë vitit 2018, nga niveli 7.5% i një viti më parë. Përmirësimi i tij reflektoi në një masë të madhe rritjen e aktivitetit turistik.
  • Deficiti buxhetor dhe borxhi publik vijuan të shënojnë një tendencë rënëse, duke pasqyruar si kursin konsolidues të politikës fiskale, ashtu dhe rritjen ekonomike dhe forcimin e kursit të këmbimit.
  • Treguesit kryesorë të shëndetit të sektorit bankar, e në veçanti ai i likuiditetit, i përfitueshmërisë dhe i kapitalizimit, mbetën në nivele të kënaqshme.

Përkundrejt këtyre zhvillimeve, inflacioni vjetor rezultoi mesatarisht 2.0%, duke mbetur në nivel të njëjtë me vitin 2017 dhe poshtë objektivit tonë prej 3%. Stabiliteti i inflacionit i detyrohet veprimit të dy efekteve me kahe të kundërta. Rritja e presioneve të brendshme inflacioniste, - e gjeneruar nga rritja e punësimit, pagave dhe kostove të prodhimit, - u neutralizua nga mbiçmimi i shpejtë i monedhës vendase në gjysmën e parë të vitit.

Mbiçmimi i kursit të këmbimit ka qenë një faktor frenues për arritjen e objektivit të inflacionit. Kursi i këmbimit ka ndjekur një trend të lehtë forcimi në tre vitet e fundit, i ndikuar nga faktorët themelorë që diktojnë sjelljen e tij, si: përmirësimi i bilancit të shkëmbimeve tregtare me jashtë, nivelet e larta të investimeve të huaja direkte, dhe reduktimi i primeve të rrezikut në tregjet e brendshme financiare. Megjithatë, përtej këtyre efekteve, kursi i këmbimit ishte subjekt i disa goditjeve në gjysmën e parë të vitit 2018. Këto goditje sollën zhbalancimin e përkohshëm të kërkesës dhe ofertës për valutë dhe ndikuan në krijimin e pritjeve për forcim të mëtejshëm të kursit, duke u shoqëruar edhe me ndryshimin e sjelljes së disa operatorëve të ekonomisë. Ata iniciuan një spirale të shpejtë forcimi të kursit në tremujorin e dytë, që u shoqërua me çrregullim të funksionimit të tregut të brendshëm valutor.

Në këto rrethana, Këshilli Mbikëqyrës gjykoi se ritmi i shpejtë i forcimit të kursit rrezikonte përmbushjen e objektivit të inflacionit në afatin e mesëm. Rrjedhimisht, në përputhje të plotë me objektivin e stabilitetit të çmimeve dhe pa cenuar regjimin e lirë të kursit të këmbimit, në muajin qershor, Këshilli vendosi:

  • reduktimin e normës bazë të interesit, nga niveli 1.25% në nivelin 1.00%. Paralelisht me të, u reduktuan normat e interesit të depozitës dhe kredisë njëditore; dhe,
  • fillimin e një programi blerjesh valute, me synim frenimin e ritmit të forcimit të kursit të këmbimit dhe krijimin e premisave për një aktivitet normal tregtimi në tregun e brendshëm valutor.

Ulja e normës bazë të interesit synoi reduktimin e mëtejshëm të kostove të financimit dhe zbutjen e presioneve forcuese mbi kursin e këmbimit. Ndërhyrja në tregun e brendshëm valutor, si një instrument i përkohshëm dhe i jashtëzakonshëm i politikës monetare, u konsiderua e nevojshme në kushtet kur hapësirat për reduktimin e mëtejshëm të normës bazë të interesit ishin të pakta.

Ndërhyrjet në tregun valutor u përqendruan në muajt e verës. Më tej, ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në treg kanë qenë praktikisht inekzistente dhe kursi i këmbimit ka pasqyruar raportet e kërkesës dhe ofertës të vetë tregut. Rezultatet e deritanishme tregojnë se ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun valutor kanë përmbushur objektivat. Ritmi i mbiçmimit të kursit të këmbimit është zbutur dhe aktiviteti i tregut valutor është kthyer në parametra normalë.

Në përputhje me këto zhvillime, Banka e Shqipërisë ruajti të pandryshuar kahun dhe intensitetin e stimulit monetar gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit. Norma bazë e interesit mbeti e pandryshuar, në nivelin 1.0%, ndërkohë që tregu financiar u furnizua me likuiditetin e nevojshëm dhe u orientua për qëndrimin e politikës monetare në të ardhmen.

Politika monetare stimuluese e ndjekur nga Banka e Shqipërisë ka rezultuar e suksesshme në nxitjen e rritjes ekonomike, shfrytëzimin më të mirë të kapaciteteve prodhuese dhe rritjen e presioneve inflacioniste në ekonomi. Përcjellja e stimulit monetar vërehet në disa drejtime.

  • Së pari, stimuli monetar ka sjellë uljen e kostove të financimit për familjet dhe bizneset shqiptare. Normat e interesit janë pranë minimumeve historike, në të gjithë harkun e instrumenteve financiare.
  • Së dyti, politika monetare lehtësuese ka sjellë ndihmuar zgjerimin e kreditimit në lekë dhe uljen e kostos së shërbimit të borxhit ekzistues. Kredia në lekë për sektorin privat u rrit mesatarisht me 6.7% gjatë vitit 2018. Paralelisht me të, ulja me 5.6 pikë përqindje e normës së interesit të kredisë në lekë në raport me vitin 2011, vit i cili korrespondon me fillimin e lehtësimit të politikës monetare, i kursen biznesit dhe familjeve shqiptare rreth 15 miliardë lekë në vit.
  • Së treti, politika monetare lehtësuese ka mbështetur stabilitetin financiar të vendit. Rritja e kërkesës për mallra e shërbime dhe ulja e kostos së borxhit kanë sjellë përmirësimin e aftësisë paguese të biznesit dhe familjeve, si dhe kanë inkurajuar ristrukturimin e kredive. Po ashtu, orientimi i kredidhënies drejt lekut ka ulur ekspozimin e ekonomisë dhe të sistemit financiar ndaj luhatjeve të kursit të këmbimit.

Masat e politikës monetare të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë kanë kontribuuar në zgjerimin e kërkesës agregate dhe në nxitjen e rritjes ekonomike. Vlerësimet tona sugjerojnë se politika monetare lehtësuese ka kontribuar pozitivisht, mesatarisht me 0.5 pikë përqindje, në rritjen ekonomike të dy viteve të fundit. Gjithashtu, kursi stimulues i politikës monetare ka kontribuar në qëndrueshmërinë e monedhës vendase. Të dy këto kanale transmetimi, kanë ndihmuar e do të vijojnë të ndihmojnë stabilitetin e çmimeve në vend. Trendet aktuale të zhvillimit të ekonomisë dhe parashikimet tona sugjerojnë se inflacioni do të kthehet në objektiv brenda një horizonti kohor dyvjeçar.

 

  1. Mbikëqyrja bankare dhe stabiliteti financiar

Drejtimet kryesore të punës për ruajtjen e stabilitetit financiar kanë qenë forcimi i qëndrueshmërisë së sistemit bankar, rritja e rezistencës së tij në përballimin e goditjeve, adoptimi i standardeve ndërkombëtare në fushën e mbikëqyrjes dhe rregullimit, si dhe administrimi i procesit të konsolidimit të sektorit bankar.

Banka e Shqipërisë vlerëson se aftësia e sektorit bankar për të përballuar rreziqet është e lartë.

Veprimtaria e sektorit bankar gjatë vitit 2018 u paraqit e qëndrueshme dhe me tregues të mirë të performancës e të rezistencës financiare. Rezultati financiar i sistemit ishte pozitiv: norma e kthimit nga aktivet (RoA) rezultoi në nivelin 1.3% dhe norma e kthimit nga kapitali (RoE) arriti në nivelin 13%. Nivelet e kapitalizimit dhe të likuiditetit rezultuan mbi kërkesat rregullatore përkatëse. Rreziku i kredisë vijon të përfaqësojë rrezikun kryesor të aktivitetit të sektorit bankar, por cilësia e kredisë është rritur në krahasim me një vit më parë. Në fund të vitit 2018, raporti i kredive me probleme shënoi 11.1% nga 13.2% një vit më parë, ndërkohë që teprica e kredive me probleme u zvogëlua me 20%.

Banka e Shqipërisë mbetet e angazhuar për të realizuar të gjitha detyrimet e saj në kuadër të planit kombëtar për reduktimin e kredive me probleme. Në funksion të këtij qëllimi, ajo: (i) ka hartuar projektrregulloren për adresimin jashtëgjyqësor të kredimarrësve; (ii) ka shtrirë kërkesat për përdorimin e pasqyrave financiare zyrtare në vlerësimin e rrezikut të kredisë për të gjitha kategoritë e huamarrësve; (iii) ka iniciuar masat për përmirësimin e Regjistrit të Kredive, si dhe ka nisur punën për harmonizimin e raportimit të kredive në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Në respektim të synimit për ruajtjen e stabilitetit financiar, Banka e Shqipërisë ka vijuar punën për ndërtimin dhe zhvillimin e instrumenteve të politikës makroprudenciale dhe për ndërtimin e sistemeve të paralajmërimit të hershëm për rreziqet sistemike. Në këtë kuadër, do të veçoj dy zhvillime kryesore.

  • I pari lidhet me masat në kuadër të rritjes së përdorimit të monedhës vendase, si instrument për rritjen e efektivitetit të politikave ekonomike dhe për uljen e rreziqeve financiare. Gjatë vitit 2018, Banka e Shqipërisë miratoi disa ndryshime rregullative në këtë drejtim: (i) uljen e normës së rezervës së detyrueshme për depozitat në lekë dhe rritjen e asaj për depozitat në valutë; (ii) rritjen e nivelit minimal të kërkuar për raportin e aktiveve likuide ndaj detyrimeve afatshkurtra në valutë; dhe, (iii) vendosjen e kërkesave për rritjen e transparencës lidhur me rreziqet për huamarrësin për kredinë në valutë.
  • I dyti lidhet me hartimin e bazës rregullatore për krijimin e rezervave makroprudenciale të kapitalit, në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare. Rezervat e kapitalit zbusin rreziqet sistemike ciklike dhe strukturore të veprimtarisë bankare, duke synuar parandalimin e rritjes së shpejtë të kreditimit dhe huamarrjes; kufizimin e përqendrimeve të drejtpërdrejta dhe të tërthorta të ekspozimeve; dhe kufizimin e rrezikut të tepërt në institucionet financiare sistemike.

Në drejtim të përmirësimit të proceseve mbikëqyrëse, Banka e Shqipërisë ka punuar për vlerësimin e procedurave të brendshme të vlerësimit të rreziqeve, shqyrtimin e planeve individuale të bankave për rimëkëmbje dhe vlerësimin e mjaftueshmërisë së kapitalit; përshtatjen e kuadrit rregullator me aktet ligjore e rregullatore të Bashkimit Evropian dhe të dokumenteve të Bazelit.

Monitorimi i sistemit financiar është mbështetur nga inspektimet në vend. Gjatë vitit 2018 janë zhvilluar ekzaminime të plota dhe të pjesshme në: 7 banka, 10 subjekte financiare jobanka dhe 31 zyra të këmbimit valutor. Vëmendje kryesore i është dhënë ekzaminimeve të bankave, që zënë peshën kryesore në aktivitetin e tregut financiar, atyre në proces blerjeje ose bashkimi, apo bankave me ritëm të lartë rritjeje. Në përgjithësi, institucionet e monitoruara kanë reaguar në kohën e duhur ndaj rekomandimeve, duke marrë masat përkatëse.

Një vëmendje më të madhe ka marrë mbikëqyrja për zbatimin e masave për parandalimin e pastrimit të parave, e kryer në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave (DPPPP). Bashkëpunimi me DPPPP ka vijuar në mënyrë më intensive në kuadër të procesit të vlerësimit të Shqipërisë nga Komiteti i Ekspertëve për Vlerësimin e Masave kundër Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit (MONEYVAL). Banka e Shqipërisë mori pjesë aktive në plotësimin e komenteve në lidhje me pyetësorin teknik dhe atë të efektivitetit. Në raportin përfundimtar të MONEYVAL, subjektet financiare u vlerësuan në nivelin “substantial /i konsiderueshëm” të efektivitetit. Veçanërisht, bankat paraqesin një njohje të mirë të rreziqeve të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit dhe të detyrimeve ligjore, si dhe kanë marrë përgjithësisht masat e duhura, në raport të drejtë me nivelin e vlerësuar të rrezikut, për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Procesi i vlerësimit u shoqërua me një plan masash, me qëllim adresimin e problematikave kryesore të evidentuara në raport, përmbushja e të cilave do të vijojë edhe përgjatë vitit 2019.

Në kuadër të konsolidimit të sektorit bankar, gjatë vitit 2018 kanë ndodhur disa ndryshime strukturore të pronësisë, të cilat e çuan numrin e bankave në sistem në 14 në fund të vitit: Banka Intesa SanPaolo mori në pronësi dhe u bashkua me Bankën Veneto, dhe Banka Amerikane e Investimeve mori pronësinë dhe u bashkua me Bankën NBG Shqipëri. Dua të nënvizoj që këto ndryshime u diktuan nga zhvillime në vendet e origjinës së bankave evropiane apo strategjitë e tyre ndërkombëtare, dhe jo nga probleme të brendshme të tregut shqiptar. Më tej, në fillim të vitit 2019 u hap rruga për ndryshimin e pronësisë së Bankës Ndërkombëtare Tregtare dhe të Bankës Societe Generale Albania. Ndryshime ka pasur dhe në pronësinë e dy bankave të tjera, ku njëra prej tyre është reflektuar në rritjen e peshës së kapitalit vendas në treg. Banka e Shqipërisë vlerëson se konsolidimi i sistemit bankar është një zhvillim i mirëpritur, i cili do të sjellë një gjallërim të aktivitetit bankar, do të rrisë eficiencën e industrisë bankare dhe do të mbështesë politika zhvilluese dhe inovative kreditimi e pagesash.

Në cilësinë e Autoritetit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme, gjatë vitit 2018, Banka e Shqipërisë ka hartuar kuadrin rregullator dhe procedural për planifikimin e ndërhyrjes së jashtëzakonshme, duke synuar harmonizimin me standardet ndërkombëtare, si dhe ka filluar faza e parë e hartimit të planeve individuale të ndërhyrjes së jashtëzakonshme. Gjithashtu, gjatë vitit 2018 është themeluar Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme dhe është ngritur procedura për monitorimin e administrimit të tij duke thelluar marrëdhëniet e bashkëpunimit me Agjencinë e Sigurimit të Depozitave.

Në mbyllje, gjej me vend të theksoj dhe njëherë se ruajtja e stabilitetit financiar është detyrë e përgjegjësi jo vetëm e Bankës së Shqipërisë, por dhe e agjencive të tjera rregullatore dhe e qeverisë shqiptare. Politikat dhe masat për ruajtjen e stabilitetit financiar dhe forcimin e rezistencës së sistemit bankar, kërkojnë vijimin e përpjekjeve të koordinuara, ndërinstitucionale dhe multidimensionale.

 

  1. Funksionimi i sistemeve të sigurta dhe efikase të pagesave

Banka e Shqipërisë i ka kushtuar vëmendje të veçantë garantimit të sigurisë dhe efikasitetit të infrastrukturës bazë të pagesave në lekë, si nëpërmjet rolit të saj si operator i sistemit, ashtu edhe nëpërmjet rolit si mbikëqyrës e katalizator. Dy sistemet që operon Banka e Shqipërisë, - ai për pagesat  me vlerë të vogël dhe ai për pagesat me vlerë të madhe në lekë, - kanë funksionuar pa ndërprerje, me efikasitet dhe siguri. Gjatë vitit, ajo ka ndërmarrë një sërë masash për përmirësimin e mëtejshëm të kuadrit ligjor dhe rregullativ për mbikëqyrjen e sistemeve dhe të instrumenteve të pagesave. Ndryshimet synojnë të adoptojnë praktikat evropiane për nxitjen e inovacionit në fushën e pagesave dhe krijimin e hapësirave për iniciativa private.

Një nga arritjet kryesore në drejtim të përmirësimit të kuadrit ligjor është finalizimi i projektligjit “Për shërbimet e pagesave” (PSD2), i cili realizon transpozimin e direktivës përkatëse të Bashkimit Evropian. Miratimi dhe zbatimi i tij pritet të nxisë konkurrencën dhe inovacionin në fushën e pagesave me vlerë të vogël, të rrisë transparencën e këtyre shërbimeve dhe të ofrojë një kuadër për mbrojtjen e konsumatorit.

Komiteti Kombëtar i Sistemit të Pagesave, i cili kryesohet nga Banka e Shqipërisë dhe mbledh aktorë publikë dhe privatë me interesa në fushën e pagesave, miratoi Strategjinë Kombëtare për Pagesat me Vlerë të Vogël në Shqipëri për periudhën 2018-2023. Qëllimi i strategjisë është përmirësimi i tregut të pagesave me vlerë të vogël, nxitja e përdorimit të instrumenteve elektronike të pagesave dhe zgjerimi i përfshirjes financiare të popullsisë. Zbatimi i strategjisë do të realizohet nëpërmjet përmirësimit të kuadrit ligjor e rregullator, nëpërmjet përmirësimeve infrastrukturore dhe nëpërmjet edukimit financiar.

 

  1. Aktivitete të tjera

Në fushën e statistikave, ka vijuar puna për përafrimin metodologjik të statistikave me standardet ndërkombëtare dhe harmonizimin e tyre sipas acquis communautaire. Në bashkëpunim me INSTAT-in dhe me mbështetjen me ekspertizë nga Bashkimi Evropian, Banka e Shqipërisë ka koordinuar punën për zhvillimin e treguesve të disbalancave makroekonomike për Shqipërinë. Gjatë vitit 2018, EUROSTAT-i kreu një mision vlerësues të Sistemit Statistikor në Shqipëri, i cili vlerësoi se statistikat e Bankës së Shqipërisë janë në përputhje me parimet e Kodit të Praktikave të Statistikave Evropiane.

Në fund të vitit 2018, rezerva valutore arriti nivelin 3.4 miliardë euro, i mjaftueshëm për të mbuluar 6.7 muaj importe mallrash dhe shërbimesh dhe 156% të borxhit të huaj afatshkurtër. Për të rritur fleksibilitetin e administrimit të nevojave për likuiditet në valutë, gjatë vitit u finalizua marrëveshja me Bankën për Rregullime Ndërkombëtare për ngritjen e një linje krediti në valutë. Marrëveshja përbën një mekanizëm të rëndësishëm në dispozicion të Bankës së Shqipërisë për të vepruar në situata emergjente.

Puna kërkimore ka vijuar të mbështesë procesin vendimmarrës për hartimin dhe zbatimin e politikave të Bankës së Shqipërisë. Gjatë vitit 2018, në fokus të hulumtimit shkencor kanë qenë çështje që lidhen me politikën monetare, ruajtjen e stabilitetit financiar dhe bashkërendimin e këtyre objektivave. Rezultatet e punës kërkimore janë ndarë me ekspertë vendas dhe të huaj në panele shkencore, si dhe janë publikuar në materiale studimore.

Pjesë e rëndësishme e strategjisë së zhvillimit të Bankës së Shqipërisë është krijimi i marrëdhënieve transparente dhe jetëgjata me publikun. Banka e Shqipërisë ka shtuar komunikimin me publikun për të ofruar opinionin e saj mbi zhvillimet ekonomike e financiare, si dhe mbi rolin e Bankës në ruajtjen e ekuilibrave makrofinanciarë. Gjithashtu, ajo ka përmbushur detyrat që burojnë nga ligji “Për të drejtën e informimit” dhe ka qenë korrekte në informimin e publikut sipas kërkesave.

Gjatë vitit u organizuan disa konferenca dhe forume kombëtare e ndërkombëtare, ku u diskutuan tema në qendër të debatit të ditës dhe me interes për stadin e zhvillimeve në vend. Veçoj këtu konferencën vjetore të organizuar në bashkëpunim me Shkollën Ekonomike dhe të Shkencave Politike të Londrës (LSE), e cila këtë vit iu kushtua qasjeve të reja në kuadrin e politikës monetare dhe sfidave të integrimit ekonomik. Kjo konferencë solli bashkë personalitete të shquara të bankingut qendror nga vende të zhvilluara dhe të rajonit, guvernatorë, akademikë dhe përfaqësues të autoriteteve rregullatore ndërkombëtare. Konferencat dhe forumet e diskutimit i kanë shërbyer forcimit të bashkëpunimit me partnerët tanë kryesorë, siç janë sistemi financiar shqiptar, bankat homologe evropiane dhe institucionet financiare ndërkombëtare. Forcimi i bashkëpunimit është konkretizuar me lidhjen e disa marrëveshjeve, ku veçoj atë me Bankën Qendrore Evropiane dhe atë me Bordin e Përbashkët të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme. Këto marrëveshje i hapin rrugën Bankës së Shqipërisë për pjesëmarrjen me të drejta të plota në kolegjet mbikëqyrëse të bankave të rëndësishme evropiane të pranishme në vend dhe për shkëmbimin e informacionit në lidhje me planifikimin e ndërhyrjes së jashtëzakonshme për grupet bankare ndërkufitare.

Edukimi financiar është një instrument i rëndësishëm për rritjen e efektivitetit të përcjelljes së vendimeve të bankës në ekonomi. Krahas botimeve edukative, gjatë vitit janë organizuar aktivitete të ndryshme që kanë targetuar kryesisht brezin e ri. Gjithashtu, ngritja e Muzeut brenda Bankës së Shqipërisë ka lehtësuar logjistikën e ndërmarrjes së fushatave edukative.

Së fundmi, por jo më pak e rëndësishme, Banka e Shqipërisë mbetet një partner serioz në angazhimet kombëtare për aderimin në Bashkimin Evropian. Detyrimet e Bankës së Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit evropian janë përfshirë në objektivat afatmesëm të zhvillimit të Bankës së Shqipërisë. Ajo koordinon kapitullin 4 “Lëvizja e lirë e kapitalit” dhe kapitullin 17 “Politika ekonomike dhe monetare”, dhe është kontribuuese në 6 kapituj të tjerë të acquis. Banka e Shqipërisë ka përmbushur detyrimet që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, Plani Kombëtar për Integrimin Evropian dhe rekomandimet e Komisionit Evropian. Konkretisht, ajo ka vijuar zbatimin e masave për: (i) uljen e nivelit të kredive me probleme, (ii) uljen e nivelit të euroizimit në sistemin financiar; (iii) përafrimin e kuadrit rregullator mbikëqyrës me kërkesat e Bazel III dhe Bazel IV; (iv) përafrimin e direktivave për shërbimet e pagesave; dhe (v) rritjen e transparencës së politikës monetare.

***

Si pjesë e këtij raportimi, dua të ndalem në një moment të rëndësishëm të garantimit të mirëqeverisjes së institucionit: sistemet e kontrollit të brendshëm. Kontrolli i brendshëm është i pavarur nga administrimi dhe kjo pavarësi sigurohet nëpërmjet Inspektorit të Përgjithshëm, të emëruar nga Kuvendi.

 

  1. Forcimi i sistemeve dhe procedurave të brendshme të kontrollit e monitorimit

Viti 2018 shënoi një konsolidim dhe maturim të funksionit të administrimit të rrezikut operacional, një funksion i ri ky në Bankën e Shqipërisë. Ai mbështetet në standardet ndërkombëtare të Administrimit të Rrezikut si dhe të praktikave më të mira të bankave qendrore. Në vlerësimin e fundit, niveli i Administrimit të Rrezikut Operacional është rritur, nga ‘ad-hoc’ në ‘i menaxhuar’, duke kapërcyer nivelin ‘bazik’ dhe duke tejkaluar objektivin e Bankës së Shqipërisë.

Këtë vit ka vijuar projekti për “Hartimin dhe implementimin e programit të Menaxhimit të Vijueshmërisë së Veprimtarisë në Bankën e Shqipërisë”, i cili aktualisht është në fazën finale të përfundimit. Qëllimi i këtij projekti është të sigurojë vazhdimësinë e proceseve kritike si dhe të rimëkëmbë veprimtarinë normale të aktivitetit të Bankës sa më shpejt të jetë e mundur, në rast të një situate krize apo emergjence.

Auditimet e kryera gjatë vitit 2018 janë fokusuar në: (i) dhënien e opinionit mbi mjaftueshmërinë e kontrolleve të brendshme të vendosura nga Drejtimi për funksionet/proceset e audituara, përfshirë dhe aplikacionet mbështetëse për kryerjen e aktiviteteve; dhe (ii) angazhime të tjera audituese dhe joaudituese të paplanifikuara me kërkesë të veçantë nga Administratorët apo Institucione të tjera jashtë Bankës.

 

***

I nderuar zoti Kryetar,

Të nderuar zonja dhe zotërinj deputetë,

Në përfundim të fjalës sime, dua t’ju siguroj se Banka e Shqipërisë do të vijojë të mbetet e përkushtuar për respektimin e objektivave të saj ligjorë, si dhe për zbatimin e detyrave e angazhimeve tona institucionale.

Perspektivat e zhvillimit të vendit mbeten pozitive, por sfidat që kemi përpara nuk mungojnë. Adresimi i tyre kërkon vëmendjen dhe angazhimin e të gjithë politikëbërësve dhe agjencive rregullatore në vend.

Ekonomia, sistemi financiar dhe publiku shqiptar, si dhe partnerët tanë institucionalë të brendshëm e të jashtëm, do të vijojnë të gjejnë te Banka e Shqipërisë një aktor të besueshëm, profesional dhe transparent.

Ju faleminderit për vëmendjen tuaj!