BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko gjatë prezantimit të Raportit Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2019 në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave

Data e publikimit: 01.06.2020

 

E nderuar zonja Kryetare e Komisionit,

Të nderuar zonja dhe zotërinj Deputetë,

Më lejoni t’ju falënderoj, pavarësisht rrethanave jo të zakonta, për mundësinë që më keni dhënë për të prezantuar përpara jush mesazhet kryesore të Raportit tonë Vjetor.

Ky Raport përshkruan punën e kryer nga Banka e Shqipërisë për përmbushjen e mandatit të saj ligjor, e objektivave strategjikë të zhvillimit, si dhe të rekomandimeve të dhëna nga Kuvendi në Rezolutën për Vlerësimin e Veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë. Me kënaqësi konstatoj se puna jonë ka pasur një kontribut pozitiv në forcimin e stabilitetit monetar e financiar të vendit. Si gjithnjë, gjej me vend të theksoj se Banka e Shqipërisë e konsideron këtë stabilitet si një parakusht të domosdoshëm për zhvillimin e qëndrueshëm dhe afatgjatë, si dhe për të kapërcyer me sukses sfidat që kemi përpara.

DSC 6801 498

Të nderuar zonja dhe zotërinj Deputetë,

Prej kohës së përgatitjes së Raportit Vjetor, vlerësimet tona mbi situatën aktuale dhe perspektivën ekonomike e financiare të vendit kanë ndryshuar qenësisht. Pandemia Covid-19 shkaktoi një goditje të fortë mbi ekonominë dhe financat shqiptare. Për këtë arsye, në fjalën time sot e gjej me vend të ndalem jo vetëm në drejtimet dhe rezultatet kryesore të punës së Bankës së Shqipërisë gjatë vitit të shkuar, por edhe në kontekstin aktual dhe pritjet tona për të ardhmen.

Mesazhi ynë kryesor është se ekonomia shqiptare i ka premisat ta përballojë me sukses këtë sfidë, duke devijuar vetëm përkohësisht nga rruga e rritjes së qëndrueshme dhe afatgjatë. Megjithatë, minimizimi i kostove të pandemisë kërkon reagimin e vendosur dhe të koordinuar të autoriteteve publike, si dhe fleksibilitet dhe kurajë nga sektori privat.

Më lejoni ta filloj prezantimin me arritjet kryesore të punës së Bankës së Shqipërisë gjatë vitit 2019.

***

DSC 6834 498

 

  1. Ekonomia shqiptare dhe politika monetare gjatë vitit 2019

Në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi, objektivi kryesor i punës së Bankës së Shqipërisë është arritja dhe ruajtja e stabilitetit të çmimeve. Për përmbushjen e këtij objektivi, Banka e Shqipërisë vijoi të ndjekë një politikë monetare stimuluese gjatë vitit 2019. Ky qëndrim u diktua nga nivelet ende të ulëta dhe nën objektiv të inflacionit.

DSC 6797 498

Viti 2019 ishte një vit sfidues për ekonominë shqiptare. Mjedisi i huaj ekonomik u shfaq i pafavorshëm, i karakterizuar nga ngadalësimi i ritmeve të rritjes ekonomike, nga inflacioni i ulët, si dhe nga pasiguri të shtuara, si pasojë e forcimit të masave proteksioniste në tregjet botërore. Nga ana tjetër, ekonomia shqiptare vijoi të përfitojë nga rritja e konsumit privat, si dhe nga zgjerimi i eksportit të shërbimeve, kryesisht si pasojë e vijimit të trendit pozitiv të turizmit. Megjithatë, aktiviteti ekonomik në vend u ndikua negativisht nga rënia e fortë e prodhimit të energjisë elektrike, nga përfundimi gradual i investimeve në projektet madhore energjetike, si dhe nga tërmeti i muajit nëntor, i cili shkaktoi dëme dhe humbje të konsiderueshme ekonomike. Për rrjedhojë, rritja ekonomike e vitit 2019 rezultoi në nivelin 2.2%, në rënie kundrejt nivelit 4.1% të shënuar në vitin paraardhës.

Në gjykimin tonë, goditjet që pësuam ngadalësuan tempin e rritjes ekonomike, por nuk e shmangën ekonominë shqiptare nga trendi pozitiv i zhvillimit. Kjo ecuri u pasqyrua në reduktimin e normës së papunësisë, e cila zbriti në minimumin historik prej 11.2% në fund të vitit, në rritjen e punësimit dhe të pagave, si dhe në reduktimin e borxhit të huaj dhe të borxhit publik të vendit. Paralelisht me to, treguesit kryesorë të shëndetit të sektorit bankar mbetën në nivele të kënaqshme.

Inflacioni mesatar i vitit 2019 rezultoi në nivelin 1.4%, duke ardhur në rënie nga viti i shkuar. Reduktimi i inflacionit pasqyroi përcjelljen më të plotë të mbiçmimit të kursit të këmbimit dhe rënien e inflacionit të mallrave në tregjet ndërkombëtare, ndërkohë që presionet e brendshme inflacioniste erdhën në rritje.

DSC 6820 498

Nivelet ende nën objektiv të inflacionit, diktuan ruajtjen e kahut stimulues të politikës monetare gjatë vitit 2019. Kështu, Banka e Shqipërisë mbajti të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 1.0%, orientoi tregun drejt ruajtjes së kahut lehtësues të politikës monetare në horizontin afatmesëm, si dhe furnizoi bankat me të gjithë likuiditetin e nevojshëm.

Në përgjigje të politikës sonë monetare, kushtet financiare ishin stimuluese për rritjen e kërkesës agregate dhe të përshtatshme për kthimin e inflacionit në objektiv. Më lejoni të evidentoj kanalet kryesore nëpërmjet të cilave politika jonë monetare lehtësuese ndihmoi ekonominë.

Së pari, stimuli monetar solli uljen e çmimit të kredisë dhe nxiti rritjen e kreditimit. Tregjet financiare u karakterizuan nga nivele të ulëta të normave të interesit, nga një situatë e mirë likuiditeti dhe nga një qëndrueshmëri në rritje e kursit të këmbimit.

Në këto rrethana, kreditimi i sektorit privat përjetoi rritje relativisht të shpejtë dhe shfaqi  shpërndarje më të mirë. Duke shmangur efektin e kredive të nxjerra jashtë bilancit dhe atë të kursit të këmbimit, kjo kredi shënoi një normë mesatare rritjeje prej 8% gjatë vitit 2019, duke u përshpejtuar ndjeshëm në krahasim me vitet e kaluara. Po ashtu, kreditimi i sektorit privat shfaqi një orientim në rritje drejt financimit të nevojave të biznesit për investim, ndërsa struktura valutore e kredisë vijoi të përmirësohet. Raporti i kredisë në lekë ndaj kredisë totale u rrit në 48.7%, nga 44.7% në vitin 2017.

Trendi pozitiv i kreditimit përfitoi nga rritja e kërkesës dhe e ofertës për kredi. Në veçanti, ndërkohë që normat e ulëta të interesit kanë nxitur kërkesën për kredi, përmirësimi i ofertës pasqyroi rrezikun në rënie të kreditimit në vend, sikundër ilustrohet nga rënia e kredive me probleme, si dhe efektin pozitiv të ristrukturimit dhe të rritjes së konkurrencës në sektorin bankar.

Së dyti, stimuli monetar ka sjellë reduktimin e kostos së shërbimit të borxhit për bizneset dhe familjet. Vlerësimet tona sugjerojnë se ky efekt për vitin 2019 është në intervalin 14-15 miliardë lekë. Këto fonde ndihmojnë në përmirësimin e gjendjes së tyre financiare dhe përbëjnë një burim shtesë financimi për konsum dhe investime.

Së treti, stimuli monetar ka krijuar premisa për një kurs më të qëndrueshëm këmbimi gjatë vitit 2019. Ndonëse Banka e Shqipërisë nuk ishte e pranishme në tregun e brendshëm valutor për të ndikuar kursin, krijimi i një ambienti të qetë monetar ndihmoi stabilizimin e tij.

Së katërti, orientimi i tregut mbi të ardhmen e politikës monetare ka ndihmuar në qartësimin e aktorëve të tregut mbi trajektoren e pritur të inflacionit dhe të normave të interesit.

Nëpërmjet këtyre kanaleve, politika jonë monetare stimuluese ka kontribuar në nxitjen e rritjes ekonomike dhe në forcimin e presioneve të brendshme inflacioniste. Vlerësimet tona empirike tregojnë se falë stimulit monetar rritja ekonomike dhe inflacioni gjatë tre viteve të fundit janë përkatësisht dhe mesatarisht rreth 0.6 dhe 0.7 pikë përqindjeje më të larta se ç’do të ishin në mungesë të tij.

Sikurse e përmenda dhe më parë, përhapja e pandemisë ka ndryshuar realitetin ekonomik dhe perspektivën për të ardhmen. Me fillimin e krizës, Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë një paketë të plotë masash për adresimin e situatës imediate dhe për krijimin e një baze solide për rikuperimin e shpejtë të ekonomisë. Shtjellimin e tyre do ta lë për në fund. Ndërkohë, tani do të vazhdoj me një drejtim tjetër të punës sonë : Promovimi i stabilitetit financiar, nëpërmjet forcimit së qëndrueshmërisë të sektorit bankar dhe funksionimit eficient dhe të sigurt të sistemeve të pagesave.

  1. Mbikëqyrja bankare dhe stabiliteti financiar

Situata financiare e sektorit bankar paraqitet e shëndetshme dhe e qëndrueshme. Kjo ecuri lexohet në zgjerimin e aktivitetit të sektorit bankar, në rritjen e treguesve të kthimit nga aktivet dhe kapitali, përkatësisht në 1.4% dhe 13.5%, si dhe në ruajtjen e një niveli të lartë, prej 18.3%, të raportit të mjaftueshmërisë së kapitalit. Po ashtu, ushtrimet tona të provave të rezistencës tregojnë se ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve sistemike është i kontrolluar dhe se aftësia e tij për të përballuar këto rreziqe është e fortë.

Më poshtë do të rendis shkurtimisht disa nga drejtimet kryesore të punës sonë për forcimin e mbikëqyrjes bankare dhe për mbështetjen e stabilitetit financiar.

Së pari, Banka e Shqipërisë përfundoi punën mbi administrimin e procesit të konsolidimit të sektorit bankar gjatë vitit 2019. Gjatë kësaj periudhe, ne kemi koordinuar dhe  monitoruar me kujdes procesin, për të shmangur çdo efekt negativ dhe për të siguruar mbarëvajtjen e aktivitetit të bankave. Sot, numri i bankave në sistem është 12 nga 16 banka në vitin 2018. Gjatë vitit 2019 u mbyll procesi i transferimit të pronësisë për dy banka, përthithja e një banke, si dhe vetë-likuidimi i një banke tjetër. Ky proces ri-formatoi tregun bankar vendas, i cili tashmë gëzon  prani më të lartë të kapitalit vendas dhe  rritje të konkurrencës.

Së dyti, Banka e Shqipërisë ka përmbushur të gjitha detyrimet e saj në kuadër të planit kombëtar për reduktimin e kredive me probleme. Falë masave të marra ndër vite, raporti i kredive me probleme nga një maksimum prej pothuaj 25% në vitin 2014, u ul në 8.4% në fund të vitit 2019. Vetë stoku i kredive me probleme u zvogëlua me rreth 25%, duke reflektuar uljen e kredive me probleme për biznesin. Gjatë vitit 2019, u finalizua miratimi i kuadrit rregullator për zbatimin e projektit Tirana Approach, i cili synon të krijojë një platformë jashtëgjyqësore bashkëpunimi midis bankave dhe klientëve për trajtimin e kredi-marrësve në vështirësi. Zbatimi i kësaj platforme do të ndikojë në uljen e mëtejshme të nivelit të kredive me probleme në të ardhmen afatmesme dhe afatgjatë.

Së treti, Banka e Shqipërisë punoi me rigorozitet për përmbushjen e rekomandimeve të Komitetit të Ekspertëve të Këshillit të Evropës  për Vlerësimin e Masave kundër Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit (MONEYVAL).

Në raundin e pestë të vlerësimit të Masave kundër Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit, Banka e Shqipërisë ka luajtur një rol të rëndësishëm mbështetës duke qenë autoriteti mbikëqyrës për pjesën më të madhe të sistemit financiar. Në raportin vlerësues të Moneyval-it, subjektet financiare u vlerësuan në nivelin “substantial / i konsiderueshëm” të efektivitetit, për arsye se veçanërisht bankat paraqesin një njohje të mirë të rreziqeve dhe të detyrimeve ligjore, si dhe kanë marrë përgjithësisht masat e duhura për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Procesi i vlerësimit u shoqërua me disa rekomandime dhe me një plan masash për adresimin e tyre. Këto rekomandime janë zbatuar gjatë vitit 2019 nëpërmjet ndryshimeve në kuadrin rregullator dhe forcimin e efektivitetit të procesit mbikëqyrës në vend.

Së katërti, edhe gjatë vitit 2019 Banka e Shqipërisë vijoi të jetë pjesëmarrëse  e  kolegjeve mbikëqyrëse të organizuara nga Banka Qendrore Evropiane, me qëllim shkëmbimin e informacionit për disa banka që e kanë origjinën në BE dhe operojnë në tregun shqiptar.

Puna për nxitjen e kreditimit të shëndetshëm të ekonomisë është shoqëruar në vazhdimësi nga një monitorim i kujdesshëm në vend i sistemit financiar. Gjatë vitit 2019, janë zhvilluar 17 ekzaminime të plota dhe të pjesshme, duke mbuluar pothuaj të gjitha bankat, 3 subjekte jo-banka, 1 SHKK dhe 97 zyra të këmbimit valutor. Programi i inspektimeve ka marrë parasysh edhe përmbushjen e rekomandimeve të ekspertëve të Moneyval dhe disa ekzaminime janë kryer në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave (DPPPP).

Banka e Shqipërisë ka vijuar të adoptojë akte të reja rregullatore të aktivitetit bankar, apo të rishikojë ato në fuqi, me synim përafrimin e mëtejshëm me direktivat dhe rregulloret e Bashkimit Evropian dhe me dokumentet e Komitetit të Bazelit.

Në cilësinë e Autoritetit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme, Banka e Shqipërisë ka punuar për fuqizimin e aftësisë për ndërhyrje të jashtëzakonshme, nëpërmjet hartimit të planeve specifike për çdo bankë sistemike, si dhe përmirësimit të vazhdueshëm të raportimit të bankave.

Në funksion të stabilitetit financiar, Banka e Shqipërisë ka një rol parësor në hartimin dhe zbatimin e politikës makroprudenciale. Kjo politikë parandalon akumulimin e rreziqeve dhe forcon rezistencën e sistemit financiar. Puna jonë në këtë drejtim u përqendrua në prezantimin e shtesave rregullatore të kapitalit, si instrument makroprudencial, si dhe në zhvillimin e një pakete treguesish analitikë për paralajmërimin e rreziqeve sistemike, në përputhje me kërkesat dhe praktikën e autoriteteve mbikëqyrëse evropiane.

Në kuadër të zbatimit të strategjisë ndërinstitucionale për fuqizimin e përdorimit të monedhës vendase, Banka e Shqipërisë ka vlerësuar periodikisht efektivitetin e masave të marra. Këto efekte, ndonëse të vogla, kanë qenë pozitive. Megjithatë, materializimi i plotë i tyre kërkon më shumë kohë dhe angazhimin e plotë dhe të vazhdueshëm të të gjitha institucioneve përgjegjëse.

Realizimi i detyrave institucionale nënkupton dhe një vëmendje konstante ndaj fushave të tjera të aktivitetit të Bankës së Shqipërisë, ku, për mungesë kohe, do të nënvizoj vetëm ato kryesoret.

  1. Aktivitete të tjera

Funksionimi i ekonomisë dhe i sistemit bankar është mbështetur nga një sistem eficient dhe i sigurt i pagesave. Dy sistemet që operon Banka e Shqipërisë në lekë, ai për pagesat me vlerë të vogël, AECH, dhe ai për pagesat me vlerë të madhe, AIPS, kanë funksionuar në mënyrë të sigurt dhe efikase. Viti 2019 ka shënuar rritje të përdorimit të instrumenteve elektronike të pagesave nga publiku, ku numri i pagesave me këto instrumente është 24% më i lartë se një vit më parë.

Gjatë vitit 2019, ka nisur puna për përmirësimin e kuadrit rregullator që lidhet me operimin e këtyre sistemeve, për të mundësuar aksesin e institucioneve financiare jo-banka në sistemin AECH si dhe krijimin e kushteve për promovimin e pagesave elektronike. Po ashtu, Banka e Shqipërisë i ka kushtuar vëmendje rregullimit të aktivitetit të sistemeve të shlyerjes së titujve nga operatorët privatë dhe licencimit të operatorit që do të realizojë shlyerjen dhe regjistrimin e titujve të emetuar nga kompanitë private. Prania e këtij operatori ndihmon në plotësimin e infrastrukturës për funksionimin e tregjeve të kapitaleve në Shqipëri.

Në kuadër të promovimit të reformave në tregun e pagesave, Banka e Shqipërisë ka luajtur një rol aktiv në zbatimin e Strategjisë Kombëtare të Pagesave me Vlerë të Vogël (2018-2023). Ajo ka bashkëpunuar për nxitjen e projekteve që lidhen me formalizimin e ekonomisë (i njohur ndryshe si “Projektligji për fiskalizimin”); me zhvillimin e infrastrukturës përkatëse për realizimin e pagesave në kohë reale (instant payment) dhe atë për shlyerjen e pagesave në euro brenda vendit; si dhe me përpjekjet për rritjen e edukimit financiar. Nga pikëpamja e përmirësimeve ligjore, arritja kryesore ishte hartimi dhe dorëzimi për miratim i projektligjit “Për shërbimet e pagesave”, i cili transpozon direktivën përkatëse të Bashkimit Evropian. Ky projektligj u miratua në 30 prill të këtij viti nga Kuvendi. Përdorimi i tij do të shërbejë për promovimin dhe zgjerimin e përfshirjes financiare të popullatës, reduktimin e kostove të shërbimeve të pagesave dhe nxitjen e përdorimit të instrumenteve elektronike të pagesave.

Banka e Shqipërisë është emetuese ekskluzive e monedhës dhe e kartëmonedhës shqiptare.

Gjatë vitit 2019, në përfundim të një pune shumëvjeçare  Banka e Shqipërisë prodhoi serinë e re të kartëmonedhave “Lek” me qëllim rritjen e cilësisë së tyre.  Gjithashtu, 5 prerjeve ekzistuese iu shtua dhe një prerje e re, ajo  prej 10 000 lekësh. 

Më 30 shtator 2019 u hodhën në qarkullim prerjet e para të serisë së re, ato 200 lekë dhe 5000 lekë.  Ndërsa brenda vitit 2020 pritet të hidhen në qarkullim seritë e reja të prerjeve 1000 lekë dhe 10 000 lekë. Prezantimi i serisë së re u shoqërua me një fushatë njohjeje me karakter edukues, e shtrirë në të gjithë vendin. Në zbatim të rezolutës së Kuvendit, një prej objektivave  të fushatës edukuese ishte dhe ndërgjegjësimi i publikut për mospërdorimin   e terminologjisë “lek i ri – lek i vjetër”.

Banka e Shqipërisë është autoriteti kombëtar për ruajtjen dhe administrimin e rezervës valutore. Në këtë proces, ajo udhëhiqet nga një listë hierarkike objektivash, të cilat nënkuptojnë ruajtjen e likuiditetit të rezervës, të sigurisë së saj, si dhe të të ardhurave. Në fund të vitit 2019, rezerva valutore është e investuar në aktive likuide 0-3 vjet dhe rreth 84% e portofolit është e investuar në letra me vlerë të emetuara nga institucione që kanë renditje të cilësisë së lartë. Kthimi nga investimi i rezervës është pozitiv, por në nivele të ulëta si pasojë e një mjedisi me norma të ulëta interesi.

Banka e Shqipërisë është edhe një prej agjencive statistikore publike. Në këtë kuadër, gjatë vitit 2019 u arrit që statistikat e sektorit të jashtëm të hartohen në përputhje me kërkesat e Eurostatit, si dhe u punua për krijimin e të ashtuquajturave “të dhëna të grimcuara”

Si një nga institucionet e përfshira në planin kombëtar për integrimin evropian, Banka e Shqipërisë ka përmbushur të gjitha detyrimet për raportim, si dhe ka integruar rekomandimet e Komisionit Evropian në realizimin e detyrave të saj të përditshme. Në raport me publikun, ajo ka qenë vazhdimisht transparente dhe e pranishme nëpërmjet mjeteve të komunikimit vizual dhe online. Ky komunikim ka synuar të jetë i qartë dhe i kuptueshëm.

Së fundi, një vëmendje e veçantë i është kushtuar përmirësimit të qeverisjes së brendshme. Pas ngritjes dhe funksionimit të infrastrukturës për administrimin e rrezikut operacional, në vitin 2019 përfundoi zbatimi i platformës për menaxhimin e vijueshmërisë së veprimtarisë. Kjo platformë orienton njësitë në Bankën e Shqipërisë të reagojnë me efikasitet për të siguruar vazhdimësinë e proceseve kritike gjatë një krize, si dhe të rimëkëmbin veprimtarinë normale sa më shpejt të jetë e mundur. Platforma për menaxhimin e vijueshmërisë së veprimtarisë e kaloi me sukses testin e saj, kur masat e parashikuara në të i mundësuan institucionit të vazhdonte normalisht punën dhe gjatë periudhës së pandemisë.

***

E nderuar zonja Kryetare e Komisionit,

Të nderuar zonja dhe zotërinj Deputetë,

Kohën e mbetur në dispozicion dëshiroj ta përdor për të ndarë me ju opinionin e Bankës së Shqipërisë mbi situatën ekonomike aktuale dhe të pritur, si dhe masat që ne kemi ndërmarrë gjatë muajve të fundit për të neutralizuar ndikimin në ekonomi të pandemisë.

Kjo pandemi përbën, padyshim, një goditje të fortë negative për ekonominë dhe financat e vendit, si dhe rrit pasigurinë për të ardhmen. Masat parandaluese të distancimit social dhe mbylljes së përkohshme të disa aktiviteteve ekonomike, si brenda vendit ashtu edhe jashtë, kanë pasur një ndikim negativ në konsum, në investime, dhe në eksportin e mallrave e shërbimeve. Ekonomia shqiptare pritet të shënojë rënie gjatë vitit 2020, rënie e cila do të shoqërohet me reduktim të punësimit e rritje të papunësisë, me rënie të të ardhurave për familjet, si dhe me përkeqësim të situatës financiare të bizneseve dhe shtim të kredive me probleme në sektorin bankar. Kjo goditje erdhi në një moment delikat për ekonominë shqiptare, e cila pësoi dëme dhe humbje ekonomike të vlerësuara në 7.5% të PBB-së nga tërmeti i datës 26 nëntor të vitit të kaluar.

Stimujt e koordinuar fiskalë, monetarë e financiarë, kanë synuar të ndihmojnë familjet dhe bizneset e prekura, të ruajnë stabilitetin monetar dhe financiar dhe të krijojnë premisa që efektet e kësaj krize të mbeten kalimtare.

Në këtë mjedis ekonomik tejet të vështirë, Banka e Shqipërisë, prej fillimit të pandemisë ka ndërmarrë një paketë të plotë masash për të siguruar mbështetje për familjet dhe sektorët më të prekur nga kriza. Këto masa sigurojnë likuiditetin e nevojshëm për sistemin bankar dhe për ekonominë në tërësi, mbrojnë fluksin e pandërprerë të kreditimit të familjeve e të firmave dhe ruajnë kushte financimi të favorshme për to.

Paketa e masave të marra nga ne përfshin:

  • uljen në 0.5% të normës bazë të interesit dhe furnizimin e pakufizuar me likuiditet të sistemit bankar, me synim nxitjen e funksionimit sa më normal të tregjeve financiare dhe uljen e kostos së kredisë për sektorin privat;
  • lehtësimin e përkohshëm të rregulloreve bankare, për të mundësuar shtyrjen e përkohshme, me dy tremujorë, të pagesës së kësteve të kredisë, me synim ruajtjen e pozicionit likuid të bizneseve dhe të individëve në vështirësi të përkohshme;
  • eliminimin e kostove të operimit të sistemit të pagesave elektronike, në përgjigje të rritjes së kërkesës për këtë lloj aktiviteti;
  • rritjen e kapaciteteve operacionale për të garantuar furnizimin e ekonomisë me para fizike, duke siguruar një stok të mjaftueshëm për përballimin e rritjes së kërkesës së tregut për cash.

Në gjykimin tim, Banka e Shqipërisë ka marrë masat e duhura në kohën e duhur. Në përgjigje të tyre, tregjet financiare vazhdojnë të funksionojnë normalisht, me gjithë kërkesën e rritur të sektorit publik për financim dhe pasigurinë e shtuar për thellësinë dhe kohëzgjatjen e impaktit negativ të pandemisë në ekonomi.

Këto masa mundësojnë dhe plotësojnë paketën fiskale të qeverisë shqiptare. Pa një reagim të përbashkët e të koordinuar të politikave makroekonomike, perspektiva ekonomike e vendit do të ishte më sfiduese dhe rimëkëmbja ekonomike më e vështirë.

***

Të nderuar zonja dhe zotërinj Deputetë,

Kohët që po jetojmë janë të jashtëzakonshme dhe të vështira. Por, shikimi ynë duhet të jetë i drejtuar tek e ardhmja, tek formulimi dhe implementimi i politikave publike të nevojshme për rimëkëmbjen e vendit. Të gjithë aktorët duhet të luajnë rolin e tyre.

Së pari, politika fiskale duhet të vijojë të luajë një rol primar për përballimin e situatës. Garantimi i fondeve të nevojshme për sistemin shëndetësor, ndihma financiare për punonjësit e prekur, si dhe masat për përmirësimin e likuiditetit të biznesit, nënkuptojnë rritje të borxhit publik por janë dhe mbeten të pazëvendësueshme. Në rrethanat që ndodhemi, rritja e borxhit është një kosto e pranueshme për të garantuar ruajtjen e ekuilibrave ekonomikë dhe financiare.

Së dyti, Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të ndjekë një politikë monetare stimuluese, të kombinuar me një mbikëqyrje dhe rregullim të kujdesshëm të sektorit bankar. Nga njëra anë, stimuli monetar – i lëvruar në kohën e duhur dhe i bazuar në instrumentet që mundëson kuadri ligjor i Bankës së Shqipërisë dhe nevojat e tregut shqiptar – do të krijojë premisa për nxitjen e kërkesës dhe për reduktimin e kostove financiare. Nga ana tjetër, mbikëqyrja dhe rregullimi i kujdesshëm i sektorit bankar do të orientohen drejt ruajtjes së treguesve të shëndetit të tij dhe drejt ruajtjes së kursimeve të familjeve shqiptare.

Së treti, sektori privat duhet të jetë i gatshëm për të rishikuar modelin e biznesit, për të adoptuar forma novatore dhe eficiente prodhimi. Po ashtu, ai duhet të kujdeset për menaxhimin optimal të likuiditetit dhe për një shpërndarje sa më efektive të kostove të goditjes në zinxhirët e prodhimit, për të mundësuar riaktivizimin sa më të shpejtë të tyre me përfundimin e pandemisë.

Të nderuar zonja dhe zotërinj Deputetë,

Parashikimi i zhvillimeve të ardhshme është relativisht i vështirë, edhe pse logjika e ngjarjeve diktohet në një masë të madhe nga konsiderata të natyrës shëndetësore. Në skenarin tonë bazë, ne presim që tremujori i dytë të shënojë dhe pikun e goditjes në ekonomi, e më pas  situata të vijë në përmirësim, fillimisht gradual në dy tremujorët në vazhdim dhe më tej të dukshëm e të prekshëm gjatë vitit 2021.

Në çdo rast, ne mbetemi të bindur se përballimi i goditjes është brenda mundësive tona, nëse secili nga ne do të bëjë më të mirën e vet dhe nëse do të vazhdojmë të garantojmë me prioritet stabilitetin monetar dhe financiar të vendit.

Ju faleminderit!