BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko gjatë prezantimit të Raportit Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2020 në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave

Data e publikimit: 20.04.2021

 

I nderuar zoti Kryetar,

Të nderuar zonja dhe zotërinj Deputetë,

Në radhë të parë, më lejoni t’ju falënderoj për ftesën dhe mundësinë që më keni dhënë për të prezantuar përpara jush Raportin Vjetor të Bankës së Shqipërisë. Ky Raport pasqyron kontributin e Bankës së Shqipërisë në ruajtjen e stabilitetit monetar e financiar të vendit - një arritje e çmuar kjo në kontekstin e sfidave të paprecedenta me të cilat u përballëm gjatë vitit të shkuar - si dhe masat që kemi marrë në përmbushje të detyrave dhe angazhimeve tona të tjera ligjore e institucionale.

DSC 7111

Pandemia COVID-19 dhe masat e nevojshme të marra për kontrollin e saj dhanë një goditje të fortë mbi ekonominë shqiptare, me pasoja negative në vëllimin e aktivitetit ekonomik, në punësim, në gjendjen financiare të familjeve dhe bizneseve shqiptare, si dhe në ekuilibrat e brendshëm dhe të jashtëm të vendit.

Në koordinim me stimulin fiskal, Banka e Shqipërisë vuri në jetë një paketë të plotë masash monetare, makroprudenciale dhe operacionale, të cilat synuan ruajtjen e likuiditetit në tregjet financiare, uljen e kostove të huamarrjes, vijimin e kreditimit dhe ruajtjen e një fluksi të pandërprerë të shërbimeve financiare. Nëpërmjet tyre, ne mundësuam: reduktimin e kostos financiare të krizës tek familjet dhe bizneset; shmangien e përcjelljes së saj tek sektori financiar; dhe ruajtjen e një ambienti të qetë monetar dhe financiar, duke krijuar kështu premisat për një rimëkëmbje sa më të shpejtë me normalizimin e situatës.

DSC 7162

Për rrjedhojë, ndikimi i krizës në ekonomi rezultoi më i vogël nga sa pritej, duke dëshmuar si efektin e pozitiv të masave të marra nga autoritetet publike ashtu dhe fleksibilitetin dhe rezistencën e ekonomisë dhe të sistemit tonë financiar.

Parashikimet tona sugjerojnë se ekonomia shqiptare do të shënojë një kthesë drejt rimëkëmbjes gjatë vitit 2021, me reduktimin gradual të ndikimit negativ të pandemisë. Vëllimi i aktivitetit ekonomik pritet të lëvizë në një trajektore rritëse në afatin e mesëm e të gjatë, i mbështetur nga kushtet e favorshme të financimit, nga reduktimi i pasigurive, si dhe nga rikuperimi progresiv i kërkesës së brendshme dhe të huaj. Megjithatë, garantimi i qëndrueshmërisë së rritjes ekonomike dhe administrimi i rreziqeve të shumta të kahut të poshtëm do të kërkojnë vëmendje e kujdes të vazhdueshëm.

DSC 7181

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Në vijim do të ndalem më në detaje në drejtimet dhe rezultatet kryesore të punës sonë gjatë vitit 2020.

***

  1. Ecuria ekonomike, stabiliteti i çmimeve dhe reagimi i Bankës së Shqipërisë

Viti 2020 ishte një vit i vështirë dhe sfidues, i shënjuar nga efekti negativ i pandemisë COVID-19. Masat e marra për kontrollin e saj dhe rritja e pasigurisë e çuan ekonominë shqiptare në recesion, sollën rritjen e papunësisë dhe krijuan vështirësi financiare për shumë biznese e familje. Treguesit e balancave ekonomike u përkeqësuan: deficiti korrent u zgjerua, të ardhurat buxhetore pësuan rënie, borxhi publik i vendit u rrit, ndërsa bilancet e operatorëve të sektorit bankar e financiar të vendit u vunë në presion. Paralelisht me to, premisat për kthimin e inflacionit në objektiv u zbehën.

DSC 7317

Shifrat e publikuara nga INSTAT për vitin 2020 japin një tablo të detajuar të ndikimit të kësaj krize në ekonominë shqiptare. Kështu, vëllimi i aktivitetit ekonomik u tkurr me 3.3% dhe shkalla e papunësisë u rrit në 11.8%. Rënia ekonomike pasqyroi kontraktimin e njëkohshëm të thuajse të gjithë përbërësve të kërkesës agregate dhe të të gjithë sektorëve të ekonomisë, por kriza goditi në mënyrë më të veçantë konsumin privat dhe flukset tregtare, ku rënie shënoi si eksporti i mallrave ashtu edhe ai i shërbimeve. Nga ana tjetër, konsumi dhe investimet publike erdhën në rritje, duke kompensuar pjesërisht rënien e kërkesës private. Rritja e shpenzimeve buxhetore paralelisht me rënien e të ardhurave fiskale sollën rritje të deficitit buxhetor dhe të borxhit publik. Ky i fundit arriti në 76.1% të PBB-së në fund të vitit 2020, nga 66.3% në fund të vitit 2019.

DSC 7192

Në terma kohorë, ndikimi maksimal negativ i krizës u shfaq në tremujorin e dytë, ndërkohë që dy tremujorët në vijim shënuan një përmirësim gradual të treguesve ekonomikë, por duke mbetur gjithsesi poshtë niveleve të shënuara gjatë vitit paraardhës. Në veçanti, prodhimi dhe punësimi mbeten në nivele më të ulëta në raport me vitin 2019, duke ilustruar pozicionin e dobët ciklik të vendit dhe duke sugjeruar se kërkesa agregate mbetet në nivele të pamjaftueshme për të gjeneruar punësim të plotë të faktorëve të prodhimit. Për rrjedhojë, presionet e brendshme inflacioniste mbetën të ulëta, ndërsa rënia e inflacionit në partnerët tanë tregtarë frenoi rritjen e inflacionit të importuar. Për pasojë, inflacioni mesatar i vitit 2020 rezultoi në nivelin 1.6%, duke mbetur poshtë objektivit tonë.

DSC 7277

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Pandemia COVID-19 është sfida më serioze ekonomike me të cilën jemi përballur gjatë dy dekadave të fundit. Në këto rrethana, ndërhyrja e autoriteteve publike me masa të jashtëzakonshme stimuluese ishte e domosdoshme, jo vetëm për të lehtësuar efektet negative imediate të krizës, por edhe për të kufizuar ndikimin afatgjatë të saj në ekonomi.

DSC 7125

Duke qëndruar brenda juridiksionit të saj, Banka e Shqipërisë ndërmori një paketë gjithëpërfshirëse masash, të cilat konsistuan në:

  • Uljen e normës bazë të interesit në minimumin historik prej 0.5%, si dhe rritjen e injektimeve të likuiditetit, nëpërmjet adoptimit të një strategjie operacionale, e cila mundësoi injektim të pakufizuar të likuiditetit në tregun ndërbankar;
  • Masa rregullatore të cilat inkurajuan shtyrjen me 6 muaj të pagimit të kësteve të kredisë për klientët në vështirësi imediate, si dhe ristrukturimin e kredive për klientët të cilët kishin perspektiva solide biznesi, por vështirësi afatshkurtra dhe afatmesme financiare;
  • Pezullimin e shpërndarjes së dividendit për sektorin bankar, për të rritur kapacitetet amortizuese të sektorit ndaj goditjes;
  • Eliminimin e kostove të përdorimit të platformave elektronike të pagesave që operon Banka e Shqipërisë, duke synuar reduktimin e kontakteve fizike, rritjen e përdorimit të pagesave elektronike dhe administrimin më të mirë të kërkesave të ekonomisë për para fizike;
  • Trajtimin në mënyrë të lehtësuar të ekspozimeve të bankave ndaj titujve të borxhit të Qeverisë Shqiptare në monedhë të huaj, sipas rregullores së mjaftueshmërisë së kapitalit dhe rregullores së ekspozimeve të mëdha, për titujt e emetuar gjatë vitit 2020;
  • Së fundi, ne u angazhuam në një komunikim frekuent dhe transparent me publikun, mbi masat e marra, efektin e tyre dhe pritjet për të ardhmen.

Ne vlerësojmë se masat e marra kanë qenë efektive, duke mbështetur ekonominë në disa drejtime.

Së pari, stimuli monetar dhe makroprudencial mundësoi uljen e kostove financiare dhe mbështetjen e vazhduar të familjeve dhe bizneseve shqiptare me kredi bankare.

Reagimi ynë i menjëhershëm dhe injektimi i sasive të bollshme të likuiditetit mundësuan aktivitetin normal të tregjeve financiare dhe transmetimin e uljes së normës bazë tek çmimi i kredisë. Aktualisht, kostot e financimit dhe të shërbimit të borxhit në ekonomi janë më të ulëta se një vit më parë dhe kursi i këmbimit është i qëndrueshëm.

Normat e ulëta të interesit dhe likuiditeti i bollshëm u shoqëruan me një rritje mesatare prej 6.7% të portofolit të kredisë gjatë vitit 2020, duke mbështetur vijimin e investimeve dhe nevojat në rritje të ekonomisë për kapital qarkullues. Të ndihmuar edhe nga skemat e garancisë shtetërore, kontribuuesit kryesorë në rritjen e kredisë ishin kreditimi për biznese dhe ai në lekë. Në këtë drejtim, gjej me vend të evidentoj se, për herë të parë gjatë dy dekadave të fundit, pesha e portofolit të kredisë në lekë u barazua me peshën e portofolit të kredisë në monedhë të huaj në fund të vitit të shkuar. Ky trend pozitiv krijon premisa për rritjen e efektivitetit të politikës monetare dhe për forcimin e stabilitetit financiar të vendit.

Po ashtu, mbi 23,000 biznese e familje me kredi në vlerën e rreth 200 miliardë lekëve, përfituan nga moratoriumi i pagesës së kësteve të kredisë dhe ristrukturimi i kredive ekzistuese. Këto fonde të mbetura në dispozicion të tyre i kanë shërbyer zbutjes së vështirësive financiare me të cilat u përballën familjet dhe bizneset me fillimin e krizës.

Në tërësi, vlerësimet tona sugjerojnë se politika jonë stimuluese monetare ka prodhuar një efekt pozitiv prej 3.7 pikë përqindjeje në vëllimin e aktivitetit ekonomik gjatë katër viteve të fundit, duke dhënë një kontribut të prekshëm në punësim dhe në mirëqenie për familjet shqiptare.

Së dyti, mbikëqyrja dhe monitorimi i kujdesshëm i performancës së sektorit bankar, komunikimi intensiv dhe i vazhduar me të, si dhe pezullimi i përkohshëm i shpërndarjes së dividendit, i shërbyen ruajtjes së një sistemi bankar likuid, të mirëkapitalizuar dhe me praktika të shëndosha për administrimin e rreziqeve.

Treguesit e cilësisë së aktiveve, të rezultatit financiar dhe të kapitalit të sektorit bankar, paraqiten në nivele të mira. Raporti i kredive me probleme ka mbetur në nivele të ulëta dhe ekspozimi i drejtpërdrejtë i aktivitetit të tij ndaj rreziqeve të tregut mbetet i kontrolluar.

Së treti, rritja e kapaciteteve operacionale për furnizimin e ekonomisë me para, garantimi i funksionimit të pandërprerë të sistemeve kombëtare të pagesave dhe ulja e kostove për pagesat online në lek, mundësuan funksionimin normal të sistemit financiar.

Së fundi, intensifikimi i komunikimit me partnerët e brendshëm dhe të jashtëm, si dhe me publikun e gjerë, ndihmuan në reduktimin e pasigurisë dhe rritjen e besimit në të ardhmen.

Në tërësi, ne vlerësojmë se ekonomia shqiptare i ka premisat e nevojshme për një rimëkëmbje të shpejtë të aktivitetit ekonomik, me normalizimin e situatës epidemiologjike. Ky vlerësim konfirmohet dhe nga parashikimet tona, të cilat projektojnë zgjerim të konsumit dhe investimeve, rritje të vëllimit të aktivitetit ekonomik, rritje të punësimit, dhe përmirësim të gjendjes financiare të bizneseve dhe familjeve gjatë periudhës në vazhdim. Rritja ekonomike do të ndihmojë në shtimin e presioneve inflacioniste dhe kthimin e inflacionit në objektiv, brenda vitit 2022.

  1. Mbikëqyrja bankare dhe stabiliteti financiar

Pavarësisht sfidave që paraqiti situata e pandemisë në vend, veprimtaria e sistemit bankar u zhvillua në mënyrë të qëndrueshme. Masat operacionale të marra nga bankat për sigurimin e vijueshmërisë së funksioneve kritike dhe marrëdhënieve me klientelën, të ndërthurura me masat e marra nga autoritetet publike për zbutjen e goditjes së pandemisë, mundësuan që veprimtaria e ndërmjetësimit financiar të vijojë në mënyrë të përshtatshme dhe treguesit financiarë të sektorit bankar të mbeten në nivele të mira.

Aktivet e sektorit bankar u rritën me rreth 7%. Ndonëse sektori bankar mori përsipër një pjesë të madhe të barrës financiare të krizës gjatë vitit 2020, ai rezultoi me një rezultat financiar pozitiv, edhe pse 15% më të ulët se viti paraardhës. Paralelisht me të, niveli i kapitalizimit të sektorit mbetet i mirë, mbi nivelin 18%, duke i mundësuar atij të vijojë veprimtarinë e ndërmjetësimit financiar. Po kështu, cilësia e kredisë u përmirësua lehtë gjatë vitit, ku raporti i kredive me probleme zbriti në 8.1% në fund të vitit, nga 8.4% një vit më parë. Masat e marra prej Bankës së Shqipërisë për të ndihmuar bankat në trajtimin e kredive të kredimarrësve në vështirësi të përkohshme financiare dhe për ristrukturimet e kredive, krijuan hapësira për stabilizimin e nivelit të përgjithshëm të kredive me probleme, ndaj Banka e Shqipërisë mbetet veçanërisht e kujdesshme në monitorimin e këtij treguesi.

Ekspozimi i drejtpërdrejtë i aktivitetit të sektorit bankar ndaj rreziqeve të tregut mbetet i kontrolluar, por disa nga treguesit e këtyre rreziqeve kanë pasur prirje rritëse. Sektori bankar mbetet i ndjeshëm ndaj rrezikut të kursit të këmbimit, përmes segmentit të kredisë së pambrojtur në valutë. Ekspozimi ndaj rrezikut të normës së interesit mbetet i pranishëm, por vlerësohet i kufizuar. Banka e Shqipërisë i ka adresuar këto rreziqe nëpërmjet veprimeve rregullatore të natyrës mikroprudenciale dhe instrumenteve të politikës makroprudenciale. Pasiguria për zhvillimet ekonomike, në kushtet e pranisë së pandemisë, mbetet e konsiderueshme, dhe të tilla mbeten edhe sfidat për veprimtarinë bankare e financiare. Megjithatë, vlerësimet e industrisë bankare dhe ushtrimet e provës së rezistencës, sugjerojnë që kapacitetet e sektorit bankar për t’u përballur me këto sfida janë të mjaftueshme.

Pas kësaj tabloje të sistemit bankar në vend, do të rendis shkurtimisht disa nga drejtimet kryesore të punës së Bankës së Shqipërisë për forcimin e mbikëqyrjes bankare dhe për mbështetjen e stabilitetit financiar.

Zbatimi i rekomandimeve të Komitetit të Ekspertëve të Këshillit të Evropës (KiE) për Vlerësimin e Masave kundër Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit (MONEYVAL). Në raportin vlerësues të Moneyval-it, subjektet financiare, e veçanërisht bankat, janë vlerësuar në nivel lartë të efektivitetit (“substantial/i konsiderueshëm”), duke marrë përgjithësisht masat e duhura për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Komiteti ka lënë dhe një sërë rekomandimesh për autoritetet shqiptare. Në kuadër të adresimit të tyre, ne jemi përfshirë në zbatimin e planit kombëtar të masave sipas përkatësisë, duke bërë plotësimet e nevojshme në kuadrin rregullator dhe duke forcuar procesin mbikëqyrës. Numri i inspektimeve me fokus të veçantë çështjet e financimit të terrorizmit dhe zbatimit të sanksioneve ndërkombëtare është shtuar. Këto inspektime janë drejtuar veçanërisht për subjektet financiare jobanka dhe zyrat e këmbimit valutor.

Përafrimi rregullator e metodologjik dhe rritja e kapaciteteve mbikëqyrëse. Banka e Shqipërisë ka vijuar punën për përmirësimin e kuadrit rregullator, nëpërmjet miratimit të akteve të reja rregullatore dhe rishikimit të rregulloreve në fuqi, duke e përafruar më tej këtë kuadër me acquis të BE-së, parimet e Komitetit të Bazelit dhe me praktikat më të mira të mbikëqyrjes bankare. Procesi i rishikimit të kuadrit rregullator në fuqi ka marrë në konsideratë dhe situatën e krijuar në vend nga pandemia. Gjithashtu, një pjesë e akteve nënligjore të miratuara kanë synuar të plotësojnë kuadrin rregullator në fushën e ndërhyrjes së jashtëzakonshme, autoriteti përgjegjës për të cilën është Banka e Shqipërisë.

Monitorimi rigoroz i sistemit financiar nëpërmjet inspektimeve në vend. Situata e pandemisë dhe kufizimet e vendosura kanë detyruar kryerjen e diferencuar të inspektimeve në vend. Nga ana tjetër, ne kemi shtuar korrespondencat me bankat dhe institucionet financiare jobanka, për ndarjen e informacionit dhe rritjen e raportimeve. Gjatë vitit u zhvilluan 27 inspektime në banka e institucione financiare jobanka, si dhe 74 në zyrat e këmbimit valutor. Këto inspektime kanë pasur objektiv kryesor rrezikun e kredisë.

Fuqizimi i aftësisë për ndërhyrje të jashtëzakonshme. Në cilësinë e Autoritetit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme, Banka e Shqipërisë ka hartuar planet e ndërhyrjes së jashtëzakonshme për bankat sistemike, ka identifikuar pengesat potenciale ndaj zbatimit të ndërhyrjes së jashtëzakonshme dhe ka hartuar masat për heqjen e këtyre pengesave. Gjithashtu, gjatë vitit 2020, ka përfunduar cikli i parë i hartimit të planeve të ndërhyrjes së jashtëzakonshme në lidhje me bankat josistemike.

Zhvillimi dhe zbatimi i politikës makroprudenciale në funksion të stabilitetit financiar. Banka e Shqipërisë ka një rol parësor në hartimin dhe zbatimin e politikës makroprudenciale. Kjo politikë parandalon akumulimin e rreziqeve dhe forcon rezistencën e sistemit financiar. Gjatë vitit 2020, janë futur në zbatim akte të reja rregullatore - si ai për raportin e mbulimit të likuiditetit dhe rregullorja për zbatimin e shtesave makroprudenciale të kapitalit - të cilat synojnë zbutjen e rreziqeve dhe forcimin e rezistencës së sektorit bankar.

Realizimi i detyrave institucionale nënkupton dhe një vëmendje konstante ndaj fushave të tjera të aktivitetit të Bankës së Shqipërisë, të cilat do të përpiqem t’i përmbledh më poshtë.

  1. Aktivitete të tjera

Funksionimi i ekonomisë dhe i sistemit bankar është mbështetur nga një sistem eficient dhe i sigurt i pagesave. Dy sistemet që operon Banka e Shqipërisë në lekë - ai për pagesat me vlerë të vogël, AECH, dhe ai për pagesat me vlerë të madhe, AIPS - kanë treguar diponueshmëri maksimale dhe kanë funksionuar në mënyrë të sigurt dhe efikase. Gjatë vitit 2020, u bë rishikimi i kuadrit rregullator që lidhet me operimin e dy sistemeve të pagesave. Sistemet janë vlerësuar nga ekspertët ndërkombëtarë kundrejt parimeve të Bankës për Rregullime Ndërkombëtare (BRN) dhe Bankës Qendrore Evropiane (BQE) dhe kanë rezultuar të përputhshme me këto parime.

Në kuadër të promovimit të reformave në tregun e pagesave, Banka e Shqipërisë vijon të luaj një rol aktiv në zbatimin e Strategjisë Kombëtare të Pagesave me Vlerë të Vogël (2018-2023). Më shumë se 50% e masave të parashikuara në planin e veprimit të strategjisë janë realizuar, nëpërmjet një sërë ndërhyrjesh rregullatore dhe masave për rritjen e edukimit financiar. Në funksion të realizimit të objektivave të strategjisë, Banka e Shqipërisë ka nisur punën për transpozimin e Direktivës së BE-së “Për llogarinë e pagesës”, e cila pritet të rrisë transparencën në shërbimet e pagesave dhe përfshirjen financiare të popullsisë.

Viti i kaluar shënoi një rritje me 18.5% të përdorimit të instrumenteve të pagesave elektronike, trend i cili është ndikuar edhe nga masat e Bankës së Shqipërisë për uljen e kostove të transfertave elektronike në lekë. Përdorimi i instrumenteve elektronike dhe zgjerimi i përfshirjes së popullatës në përgjithësi, pritet të nxitet më tej pas finalizimit të Ligjit “Për Shërbimet e Pagesave”. I inicuar nga Banka e Shqipërisë, miratimi i këtij ligji përbën një arritje të rëndësishme për rritjen e aksesit të popullatës në shërbimet e pagesave, si dhe shënon një hap më tej drejt integrimit me praktikat më të mira të BE-së.

Si një nga institucionet e përfshira në planin kombëtar për integrimin evropian, Banka e Shqipërisë ka përmbushur të gjitha detyrimet për raportim, si dhe ka integruar rekomandimet e Komisionit Evropian në realizimin e detyrave të saj të përditshme. Paralelisht me to, ne kemi vijuar me punën paraprake për përgatitjen për negociata të Kapitujve 4 dhe 17, për të cilat Banka e Shqipërisë ka rolin e koordinatorit kombëtar, si dhe kemi forcuar dialogun për të identifikuar rrugët optimale për përballimin e goditjes.

Po ashtu, vëmendja jonë ka qenë e drejtuar tek masat parandaluese edhe efektet e pandemisë në aktivitetin e brendshëm të institucionit. Një vit më parë, ne përfunduam platformën për menaxhimin e vijueshmërisë së veprimtarisë. Gjatë vitit 2020, kjo platformë i mundësoi njësive të Bankës së Shqipërisë të reagojnë me efikasitet për të siguruar vazhdimësinë normale të proceseve gjatë pandemisë. Të gjitha aktivitetet kryesore të Bankës kanë vijuar normalisht punën, pa asnjë ndërprerje.

Gjithashtu, gjej me vend të theksoj se Banka e Shqipërisë ka bërë progres edhe në fushat e tjera të veprimtarisë së saj, si në drejtim të përpilimit dhe shpërndarjes së statistikave financiare, të administrimit të rezervës valutore, të kërkimit shkencor dhe komunikimit më publikun, të administrimit të monedhës kombëtare etj. Të gjitha këto aspekte të punës sonë janë pasqyruar me vërtetësi në Raport.

***

Të nderuar zonja dhe zotërinj Deputetë,

Ekonomia shqiptare shfaqi një rezistencë të admirueshme ndaj goditjes gjatë vitit të shkuar dhe ka premisa pozitive zhvillimi edhe në të ardhmen e afërt e të largët. Megjithatë, rreziqet e kahut të poshtëm mbeten të shumta dhe mjedisi ekonomik dhe financiar mbetet sfidues.

Në gjykimin tonë, politikat makroekonomike duhet të vijojnë të ruajnë kahun e tyre stimulues, derisa rritja ekonomike dhe zgjerimi i punësimit të jenë vendosur në shina të qëndrueshme. Më tej, prioriteti i politikave duhet të zhvendoset drejt shëndoshjes së balancave ekonomike, e në veçanti drejt reduktimit të borxhit publik dhe krijimit të hapësirave të nevojshme fiskale për përballimin e goditjeve të tjera në të ardhmen.

Paralelisht me to, politikëbërësit, në çdo nivel, duhet të punojnë për të çuar përpara reformat strukturore. Stimujt fiskalë, monetarë dhe financiarë, janë instrumente thelbësore për nxitjen e kërkesës agregate, por vetëm reformat strukturore mundësojnë zgjerimin e qëndrueshëm të kapaciteteve prodhuese të ekonomisë dhe rritjen e mirëqenies shoqërore.

Më lejoni t’Ju siguroj se, nëpërmjet ruajtjes së stabilitetit monetar e financiar, Banka e Shqipërisë mbetet e përkushtuar për të dhënë kontributin e saj në këtë drejtim.

Ju faleminderit!