BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko gjatë prezantimit të Raportit Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2020 në Kuvendin e Shqipërisë

Data e publikimit: 27.05.2021

 

I nderuar zoti Kryetar i Kuvendit,

Të nderuar zonja dhe zotërinj Deputetë,

Më lejoni t’ju falenderoj për mundësinë që më jepni për të prezantuar përpara jush punën dhe rezultatet e Bankës së Shqipërisë gjatë vitit të kaluar, nëpërmjet këtij komunikimi të drejtpërdrejtë.

Pandemia COVID-19 e vuri Bankën e Shqipërisë – ashtu si dhe gjithë ekonominë, shoqërinë dhe institucionet shqiptare – përballë sfidave të paparashikuara dhe të jashtëzakonshme. E ndërgjegjshme për madhësinë dhe kompleksitetin e problemit, në koordinim dhe me politikën fiskale, Banka e Shqipërisë ndërhyri në mënyrë të shpejtë dhe të plotë.

Objektiva të ndërhyrjes sonë ishin: (i) lehtësimi i impaktit afatshkurtër të krizës në ekonomi; (ii) reduktimi i pasojave të mundshme negative në potencialin prodhues të vendit; si dhe (iii) ruajtja e stabilitetit monetar dhe financiar të vendit.

Në tërësi, mendoj se masat tona për përballimin e krizës rezultuan të suksesshme:

  • ndikimi i krizës në ekonomi rezultoi më i vogël së pritjet tona fillestare, duke ilustruar si rezistencën dhe fleksibilitetin e sektorit privat, ashtu dhe ndikimin pozitiv të përgjigjes së politikave publike;
  • po ashtu, ndikimi i goditjes mbi faktorët afatgjatë të rritjes duket i përmbajtur. Me gjithë problemet e natyrshme, ne kemi shmangur falimentimet në masë të bizneseve dhe rritjen e fortë të papunësisë;
  • së fundi, pavarësisht testit të fortë të cilit iu nënshtruam, ekuilibrat ekonomikë dhe financiarë të vendit mbetën solidë.

Në gjykimin tonë, ekonomia shqiptare i gëzon premisat për një rimëkëmbje të shpejtë në të ardhmen.

DSC 8258 498

I nderuar zoti Kryetar i Kuvendit,

Më lejoni të theksoj se, gjatë vitit 2020, Banka e Shqipërisë ka përmbushur detyrat e saj të tjera ligjore, ka shënuar progres në implementimin e Strategjisë Afatmesme të Zhvillimit, si dhe ka zbatuar rekomandimet e lëna nga Kuvendi i Shqipërisë.

Në vijim do të paraqes një shtjellim më të plotë të punës dhe rezultateve tona gjatë vitit të shkuar.

  1. Ecuria ekonomike dhe reagimi i Bankës së Shqipërisë

Rritja e pasigurisë dhe masat e nevojshme të distancimit social, të marra për kufizimin e përhapjes së pandemisë COVID-19, e çuan ekonominë shqiptare në recesion, sollën rritje të papunësisë dhe krijuan vështirësi financiare për shumë biznese e familje gjatë vitit 2020.

Treguesit e balancave ekonomike u përkeqësuan. Vëllimi i aktivitetit ekonomik u tkurr me 3.3%, ekonomia shqiptare humbi rreth 43,000 vende pune dhe shkalla e papunësisë u rrit në 11.8%. Rënia e të ardhurave solli rritjen e borxhit privat e publik. Në pasqyrim të ngadalësimit të aktivitetit ekonomik, në vend dhe në botë, inflacioni mesatar për vitin 2020 rezultoi 1.6%, duke vijuar të mbetet poshtë objektivit tonë.

Kriza goditi në mënyrë të veçantë flukset tregtare dhe konsumin privat. Për rrjedhojë, pasojat e krizës ishin prezente në të gjithë sektorët e ekonomisë, por, në veçanti, ato u ndjenë në sektorin e industrisë dhe në degë të veçanta të sektorit të shërbimeve.

Madhësia dhe kompleksiteti i goditjes e bëri të domosdoshëm adresimin e saj me politika të koordinuara stimuluese fiskale, monetare e financiare. Brenda fushës së vet të kompetencës, Banka e Shqipërisë mori një paketë të plotë masash. Më konkretisht, ne:

  • ulëm normën bazë të interesit në minimumin e saj historik prej 0.5%, lehtësuam qasjen e sektorit bankar në fonde likuide dhe rritëm injektimet e likuiditetit në tregun ndërbankar;
  • miratuam ndryshime rregullatore të cilat inkurajuan shtyrjen me 6 muaj të kësteve të kredisë për klientët në vështirësi imediate, si dhe ristrukturimin e kredive për klientët në vështirësi më afatgjata;
  • pezulluam shpërndarjen e dividendit për sektorin bankar, duke synuar të rrisim kapacitetet absorbuese financiare të sektorit ndaj goditjes;
  • eliminuam kostot e përdorimit të platformave elektronike të pagesave ndërbankare që operon Banka e Shqipërisë, duke synuar përdorimin e pagesave elektronike.

Në vlerësimin tonë, masat e marra kanë qenë efektive për reduktimin e ndikimit të pandemisë në sektorin tonë.

Së pari, ndërhyrja jonë ndihmoi në ruajtjen e stabilitetit monetar dhe financiar të vendit. Tregu financiar rezultoi i qetë, i karakterizuar nga një aktivitet normal dhe volatilitet i ulët. Ky zhvillim është një ndryshim cilësor nga episode të mëparshme goditjesh dhe dëshmi e maturitetit të rritur të sistemit tonë financiar.

Së dyti, stimuli monetar dhe makroprudencial krijoi kushtet e nevojshme për vijimin e kreditimit. Kredia për sektorin privat shënoi rritje mesatare prej 6.7% gjatë vitit 2020. Gjithashtu, mbi 23,000 biznese e familje përfituan nga moratoriumi i kësteve dhe ristrukturimi i kredisë, për një portofol kredie që kap vlerën e rreth 200 miliardë lekëve. Në tërësi, vlerësimet tona tregojnë se kursi stimulues i politikës monetare të ndjekur gjatë katër viteve të fundit ka gjeneruar një vëllim rreth 3.7% më të lartë të aktivitetit ekonomik, duke dhënë një kontribut të konsiderueshëm në përmirësimin e mirëqenies sociale.

Së treti, mbikëqyrja e monitorimi i kujdesshëm i ecurisë së sektorit bankar, komunikimi i vazhduar me të dhe pezullimi i përkohshëm i shpërndarjes së dividendit, i shërbyen ruajtjes së një sistemi bankar likuid, të mirëkapitalizuar dhe me praktika të shëndosha për administrimin e rreziqeve.

Së fundi, garantimi i funksionimit të pandërprerë të sistemeve të pagesave dhe ulja e kostove për pagesat online në lek mbështeti funksionimin normal të tregut financiar.

  1. Stabiliteti financiar dhe mbikëqyrja bankare

Sektori ynë bankar mbajti mbi shpatulla një pjesë të konsiderueshme të barrës financiare të krizës, duke ushtruar në mënyrë të denjë funksionin e amortizuesit të goditjeve. Ky zhvillim cilësisht i ndryshëm nga episodet e mëparshme të krizave, pasqyron punën e vazhdueshme që Banka e Shqipërisë ka kryer në drejtim të përmirësimit të mbikëqyrjes dhe rregullimit, të përmirësimit të rrjetave të sigurisë, si dhe të konsolidimit të sektorit bankar.

Pavarësisht sfidave, veprimtaria e sektorit bankar u shfaq e qëndrueshme. Gjatë vitit 2020, aktivet e këtij sektori u rritën me rreth 7%, rezultati financiar mbeti në territor pozitiv, kapitalizimi i tij mbetet i kënaqshëm, ndërsa raporti i kredive me probleme zbriti në 8.1% në fund të vitit.

Ekspozimi i drejtpërdrejtë i aktivitetit të sektorit bankar ndaj rreziqeve të tregut mbetet i kontrolluar. Vlerësimet e industrisë bankare dhe ushtrimet e provës së rezistencës, sugjerojnë se kapacitetet e sektorit bankar janë të mjaftueshme për të përballuar rritje potenciale të tyre.

Krahas masave të marra në kuadër të pandemisë, Banka e Shqipërisë ka vijuar punën për forcimin afatgjatë të kuadrit mbikëqyrës të sistemit bankar. Drejtimet kryesore të punës konsistojnë në:

  • zbatimin e rekomandimeve të Komitetit të Ekspertëve të KiE-së për Vlerësimin e Masave kundër Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit (MONEYVAL), ku janë bërë plotësimet e nevojshme në kuadrin rregullator dhe është shtuar numri i inspektimeve me fokus në çështjet e financimit të terrorizmit;
  • përmirësimin e mëtejshëm të kuadrit rregullator, duke vijuar përafrimin me acquis të BE-së, parimet e Komitetit të Bazelit dhe praktikat më të mira të ndërkombëtare;
  • kryerjen e inspektimeve në vend, duke vendosur prioritete dhe duke kryer inspektime të targetuara në kushtet e kufizimeve;
  • fuqizimin e aftësisë për ndërhyrje të jashtëzakonshme, ku në cilësinë e Autoritetit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme, janë hartuar planet e ndërhyrjes së jashtëzakonshme për bankat sistemike.
  1. Aktivitete të tjera

Të nderuar zonja dhe zotërinj, Banka e Shqipërisë ka ruajtur një vëmendje konstante dhe ndaj fushave të tjera të aktivitetit të saj, të cilat kanë një kontribut direkt në zhvillimin e tregut financiar dhe në jetën ekonomike të vendit.

Në këtë drejtim, gjej me vend të evidentoj:

  • zhvillimin e mëtejshëm të sistemit të pagesave, nëpërmjet përmirësimeve ligjore e infrastrukturore;
  • furnizimin e vazhduar të ekonomisë me para fizike dhe rritjen e cilësisë së saj;
  • mirëadministrimin e rezervës valutore;
  • mbështetjen e integrimit evropian;
  • përmirësimin e statistikave financiare;
  • intesifikimin e përpjekjeve në drejtim të rritjes së edukimit dhe përfshirjes financiare; si dhe,
  • punën kërkimore dhe përmirësimin e komunikimit me publikun.

Gjithashtu, sistemet e kontrollit të brendshëm të ngritura kanë vijuar të kontribuojnë në mirëadministrimin e proceseve normale të punës dhe vijueshmërinë e të gjitha funksioneve të bankës.

***

Të nderuar zonja dhe zotërinj Deputetë,

Viti 2021 pritet të shënojë një kthesë pozitive në drejtim të gjallërimit të ekonomisë së vendit.

Hapja e ekonomive partnere, vaksinimi i popullsisë, dhe stimuli monetar e fiskal në vend do të mbështesin zgjerimin e aktivitetit ekonomik gjatë vitit 2021 dhe atij 2022. Megjithatë, pasiguritë mbi këto pritje mbeten të pranishme dhe probabiliteti i goditjeve të tjera negative në të ardhmen nuk është i neglizhueshëm.

Rimëkëmbja e plotë e ekonomisë dhe kthimi i qëndrueshëm i inflacionit në objektiv duhet të vijojnë të mbështeten nga stimuj makroekonomikë në afatin e shkurtër. Në afatin e mesëm dhe të gjatë, politikat ekonomike duhet të zhvendosen drejt një balance më të qëndrueshme midis nevojës për të ofruar stimul dhe nevojës për të ruajtur stabilitetin monetar dhe financiar.

Në fund të fjalës sime, më lejoni të theksoj se përfundimi i krizës duhet të shoqërohet me rikthimin e plotë të vëmendjes në nevojën e përshpejtimit të axhendës së reformave strukturore. Këto reforma janë instrumenti i vetëm për përshpejtimin e qëndrueshëm të ritmit të rritjes ekonomike dhe për shndërrimin e fryteve të saj në një përmirësim sa më të gjerë të mirëqenies sociale. Ato duhet të synojnë rritjen e konkurrueshmërisë, përmirësimin e mëtejshëm të klimës së investimeve dhe të biznesit, si dhe forcimin afatgjatë të qëndrueshmërisë së financave publike.

Ju faleminderit!