BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko gjatë prezantimit të Raportit Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2022 në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave

Data e publikimit: 31.05.2023

 

I nderuar zoti Kryetar i Komisionit,

Të nderuar zonja dhe zotërinj Deputetë,

Si gjithnjë, dëshiroj ta filloj këtë prezantim duke ju falënderuar për ftesën dhe duke ju siguruar për rëndësinë që Banka e Shqipërisë i jep komunikimit me Kuvendin e Shqipërisë. Në këndvështrimin tim, prezantimi i Raportit Vjetor përpara këtij Komisioni është një shtyllë e rëndësishme e llogaridhënies së institucionit, llogaridhënie e cila ka qenë dhe mbetet një parakusht i rëndësishëm i pavarësisë sonë.

 DSC4534 498

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Aktiviteti i Bankës së Shqipërisë gjatë vitit 2022 është orientuar nga përmbushja e misionit dhe detyrave tona ligjore, nga jetësimi i angazhimeve që kemi marrë në strategjinë afatmesme të zhvillimit, si dhe nga respektimi i rekomandimeve të lëna nga Kuvendi i Shqipërisë për vitin 2022.

Ekonomia shqiptare është ballafaquar me një valë goditjesh komplekse e të paprecedenta gjatë viteve të fundit. Këto goditje kanë testuar qëndrueshmërinë e ekuilibrave ekonomikë dhe financiarë të vendit, kanë ofruar sfida serioze për bizneset dhe familjet shqiptare, si dhe kanë kërkuar reagimin e shpejtë dhe të koordinuar të autoriteteve publike.

 DSC4297 498

Ndonëse është ende shpejt për të bërë një bilanc përfundimtar të pasojave të luftës në Ukrainë, unë konstatoj me kënaqësi se ekonomia shqiptare ka shfaqur një rezistencë të lartë ndaj goditjeve. Kjo rezistencë është shfaqur, së pari, në ruajtjen e trendit pozitiv të rritjes ekonomike dhe, së dyti e po aq e rëndësishme, në ruajtjen e stabilitetit të përgjithshëm ekonomik e financiar të vendit. Në veçanti, rritja e shpejtë e çmimeve gjatë vitit të shkuar është vënë nën kontroll dhe inflacioni ka shfaqur një trend rënës gjatë muajve të fundit, duke lehtësuar presionet mbi buxhetet e familjeve dhe duke reduktuar pasiguritë për bizneset. Në të njëjtën kohë, sektori bankar paraqitet i shëndetshëm, treguesit e qëndrueshmërisë së borxhit të huaj e të borxhit publik kanë ardhur në përmirësim, mjedisi financiar është i qetë, dhe bilancet e bizneseve e familjeve mbeten solide.

 DSC4615 498

Këto arritje nuk janë fryt i rastësisë. Ato reflektojnë, ndër të tjera, politikat e drejta dhe të koordinuara monetare, financiare e fiskale, si dhe frytet e reformave të vazhdueshme strukturore që kemi ndërmarrë në sektorin financiar. Reagimi në kohë dhe proporcional i këtyre politikave ka minimizuar pasojat imediate të goditjeve dhe ka ruajtur të paprekur potencialin prodhues të vendit. Paralelisht me to, reformat e vazhdueshme strukturore kanë rritur fleksibilitetin dhe rezistencën e ekonomisë shqiptare, duke ndihmuar stabilitetin monetar e financiar të vendit.

 DSC4628 498

Në vijim të fjalës sime do të ndalem shkurtimisht tek drejtimet kryesore të punës së kryer gjatë vitit 2022 dhe rezultatet e saj. Më tej, dëshiroj të ndaj me ju një përmbledhje të shkurtër të pritjeve tona dhe të nënvizoj disa nga objektivat prioritarë të punës për vitin në vazhdim.

***

  1. Ecuria ekonomike, stabiliteti i çmimeve dhe politika monetare e Bankës së Shqipërisë

Mjedisi gjeopolitik dhe ekonomik botëror ndryshoi në mënyrë të papritur e radikale në fillim të vitit 2022, si pasojë e sulmit të pajustifikuar ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës. Ky sulm solli një rritje të shpejtë të çmimeve të ushqimeve, të produkteve energjitike, të lëndëve të para dhe të inflacionit, duke kërcënuar stabilitetin monetar dhe financiar, si në nivel botëror dhe në nivel kombëtar. Në të njëjtën kohë, rritja e pasigurisë, gërryerja e fuqisë blerëse dhe shtrëngimi i kushteve të financimit, përkeqësuan perspektivën e aktivitetit ekonomik botëror.

Si një ekonomi e vogël dhe e hapur, Shqipëria nuk bëri përjashtim nga këto tendenca. Goditja e huaj u pasqyrua në rritje të pasigurisë, rritje të kostove të prodhimit për bizneset, rritje të kostove të jetesës për familjet, si dhe rritje të përgjithshme të normave të interesit.

Impakti i goditjes së huaj ishte veçanërisht i dukshëm në ecurinë e çmimeve. Inflacioni mesatar u rrit, nga niveli mesatar prej 2.0% në vitin 2021, në nivelin 6.7% në vitin 2022. Kjo rritje u nxit fillimisht nga çmimet e huaja, por, më pas, ajo gjeti një mbështetje gjithnjë e më të madhe nga rritja e kostove të prodhimit dhe e pritjeve për inflacionin në vend. Për rrjedhojë, presionet e përgjithshme inflacioniste filluan të shfaqin një bazë të gjerë dhe të bëhen gjithnjë e më të qëndrueshme. Këto tipare u pasqyruan në rritjen e shpejtë të inflacionit bazë gjatë vitit 2022, tregues ky i cili është dhe barometri më i mirë i presioneve më të qëndrueshme inflacioniste.

Në këtë mjedis të ri ekonomik, në funksion të respektimit të mandatit të saj ligjor të stabilitetit të çmimeve, Banka e Shqipërisë nisi procesin e normalizimit të qëndrimit të politikës monetare. Ky normalizim u realizua nëpërmjet rritjes së normës bazë të interesit, nga niveli 0.5% në fillim të vitit 2022 në nivelin 2.75% në fund të tij. Paralelisht me të, në prani të rritjes së pasigurive në tregjet financiare – të cilat u ballafaquan me rritje të normës bazë të interesit për herë të parë pas më shumë se një dekade – ne intensifikuam komunikimin me tregjet e publikun, për të sqaruar strategjinë tonë të politikës monetare.

Kjo strategji bazohet në tre parime të rëndësishme:

  • Së pari, normalizimi i qëndrimit të politikës monetare ishte dhe mbetet një masë e nevojshme për kthimin e qëndrueshëm të inflacionit në objektiv. Ky normalizim nuk synoi të adresojë rritjen e çmimeve në tregjet ndërkombëtare, por të frenojë transmetimin e tyre në rritje të përgjithshme e të qëndrueshme të çmimeve në ekonominë tonë. Në këtë kontekst, ai ishte në linjë me reagimin e të gjitha bankave të tjera qendrore gjatë vitit të shkuar dhe atij aktual.
  • Së dyti, shpejtësia dhe intensiteti i normalizimit kanë ndjekur një proces gradual e të kujdesshëm, të udhëhequr nga informacioni i ri dhe në harmoni me kahun e politikës fiskale dhe zhvillimet e tregut financiar. Në këtë prizëm, gjej me vend të theksoj se qëndrimi i politikës sonë monetare ka qenë – nga njëra anë – konsistent me kthimin e inflacionit në objektiv, dhe – nga ana tjetër – i kujdesshëm për të pasur një ndikim sa më të ulët në aktivitetin ekonomik dhe në stabilitetin financiar. Po ashtu, dëshiroj të nënvizoj se shpejtësia e normalizimit në Shqipëri ka qenë më e ulët se ajo e ndjekur nga partnerët tanë tregtarë, për arsye të faktit se politika fiskale ka ndjekur një kah konsolidues gjatë vitit 2022, si dhe për arsye të faktit se forcimi i kursit të këmbimit na ka frenuar përcjelljen e presioneve të huaja inflacioniste në tregun vendas. Në mungesë të këtyre faktorëve, rritja e normës bazë të interesit gjatë vitit 2022 e në vazhdim do të duhej të kishte qenë më e shpejtë dhe më agresive.
  • Së treti, edhe në prani të normalizimit, qëndrimi i përgjithshëm i politikës monetare vijon të mbetet në kahun stimulues për rritjen e konsumit dhe të investimeve, por ai ofron kushte më të mira financiare për një ecuri më të balancuar të kërkesës dhe ofertës agregate në ekonomi.

Politika monetare ka pasur një përcjellje të mirë në tregjet financiare. Transmetimi i saj ishte i menjëhershëm dhe i plotë në tregun ndërbankar, i shpejtë në tregun e letrave me vlerë të qeverisë, dhe vijon ende në tregun e kredisë dhe të depozitave. Megjithatë, edhe pse normat e interesit kanë ardhur në rritje, fluksi i kredive vijon të mbetet pozitiv dhe sektori bankar shqiptar vijon të furnizojë ekonominë me fondet e nevojshme për zgjerimin e aktivitetit dhe për mbulimin e nevojave për likuiditet. Vëllimi i kredisë për sektorin privat u rrit mesatarisht me 12.3% në vitin 2022, ndërkohë që cilësia e portofolit të kredisë mbetet e mirë dhe treguesi i kredive me probleme qëndron rreth niveleve më të ulëta të dekadës së fundit. Qëndrueshmëria financiare e sektorit bankar dhe qasja pozitive e tij ndaj kreditimit krijojnë premisa për mbështetjen e mëtejshme me fonde të ekonomisë.

Në një plan më të përgjithshëm, efektet e para të reagimit tonë janë të dukshme në frenimin e rritjes së inflacionit. Ky i fundit, pas një rritjeje progresive deri në muajin tetor, u ngadalësua në vijim, duke zbritur në 7.4% në fund të vitit 2022 dhe 4.6% në muajin mars 2023. Paralelisht më të, pritjet e agjentëve ekonomikë për inflacionin në të ardhmen kanë ardhur në rënie, duke qëndruar më pranë objektivit tonë. Vlerësimet tona tregojnë se në mungesë të veprimeve tona, inflacioni do të ishte mesatarisht 4.5 pikë përqindje më i lartë për gjithë horizontin 2022 - 2024, duke pasur pasoja të ndjeshme negative në fuqinë blerëse të familjeve dhe në treguesin e kredive me probleme.

Nga ana tjetër, edhe pse në prani të goditjeve të huaja dhe të shtrëngimit të kushteve të financimit, ekonomia shqiptare ruajti trendin rritës, si në terma të prodhimit dhe në terma të punësimit e pagave. Kështu, rritja ekonomike e vitit 2022 ishte relativisht e lartë, rreth nivelit 4.8%, duke vijuar rimëkëmbjen pas goditjes së pandemisë. Rritja ekonomike vijoi të ketë një shpërndarje të mirë sektoriale dhe u mbështet nga zgjerimi i konsumit, i investimeve dhe i eksporteve shqiptare. Paralelisht me të, përmirësim i dukshëm u shënua edhe në tregun e punës. Punësimi u rrit me 4.2%, norma e papunësisë ra në 10.8% dhe rritja e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore tregoi se një numër gjithnjë e më i madh shqiptarësh janë të punësuar. Vrojtimet tona të besimit tregojnë se bizneset kanë një kërkesë të lartë për punë, ndërkohë që mungesa e fuqisë punëtore vijon të jetë një faktor pengues për rritjen e aktivitetit të tyre. Të gjitha këto elemente të tregut të punës kanë gjetur pasqyrim në rritjen dinamike të pagave. Në veçanti, pagat në sektorin privat u rritën mesatarisht me 12.2% gjatë vitit 2022.

Së fundi, gjej me vend të theksoj se viti 2022 shënoi progres edhe në drejtim të përmirësimit të qëndrueshmërisë së bilanceve të huaja dhe atyre të sektorit publik. Më konkretisht, viti 2022 shënoi një rritje prej 42% të eksporteve shqiptare, të udhëhequra nga rritja e të ardhurave të turizmit, çka i hapi rrugën reduktimit të deficitit tregtar dhe atij të llogarisë korrente të vendit. Ky i fundit zbriti nga niveli 7.8% i PBB-së në vitin 2021, në nivelin 6% në vitin 2022. Së bashku me rritjen e shpejtë të investimeve të huaja direkte dhe qëndrueshmërinë e tregjeve të brendshme financiare, këto i hapën rrugë forcimit të kursit të këmbimit të lekut gjatë vitit. Po ashtu, sipas të dhënave fiskale, deficiti buxhetor i vendit zbriti nga niveli 4.6% i PBB-së në vitin 2021, në nivelin 3.7% të PBB-së për vitin 2022, ndërkohë që borxhi publik u reduktua nga niveli 74.5% të PBB-së në nivelin 64.6%. Ky përmirësim pasqyroi si efektin e rritjes së bazës nominale të të ardhurave ashtu edhe kursin e konsolidimit fiskal të ndjekur gjatë vitit.

 

Të nderuar zonja dhe zotërinj deputetë,

Banka e Shqipërisë është e bindur se kursi normalizues i politikës monetare është qëndrimi i duhur i politikës monetare, jo thjesht në përmbushje të detyrimeve tona ligjore por edhe në interes të ruajtjes së ekuilibrave makroekonomikë të vendit dhe rritjes së qëndrueshme dhe afatgjatë të mirëqenies së shoqërisë.

Ndërkohë, paralelisht me të, gjatë vitit 2022, Banka e Shqipërisë i ka kushtuar vëmendje edhe forcimit të stabilitetit financiar të vendit. Më lejoni të ndalem në detaje në vazhdim.

***

  1. Mbikëqyrja bankare dhe stabiliteti financiar

Tensionet gjeopolitike dhe luhatjet në tregjet ndërkombëtare e kanë gjetur relativisht të përgatitur sistemin tonë financiar në përgjithësi dhe sektorin bankar në veçanti. Në këtë drejtim, një rol esencial ka luajtur si përmirësimi i sistemeve të administrimit të rreziqeve nga vetë bankat, ashtu edhe mbikëqyrja dhe monitorimi i vazhdueshëm i aktivitetit të sektorit bankar nga ana jonë.

Në këtë kontekst, dëshiroj të evidentoj se aktiviteti i Bankës së Shqipërisë gjatë vitit 2022 u përqendrua në tre drejtime:

  • së pari, me nisjen e luftës në Ukrainë, ne bëmë një vlerësim të plotë të rreziqeve që i kanoseshin sistemit bankar nga ekspozimet që mund të kishte në tregjet e lidhura me luftën. Këto ekspozime rezultuan të ishin minimale. Megjithatë, në bashkëpunim me bankat ne kryem disa ushtrime të provës së rezistencës, për të parë kapacitetin e bankave për të përballuar kostot e mundshme financiare të kësaj goditjeje. Ato treguan se sektori bankar ishte likuid dhe i mirëkapitalizuar, si dhe i aftë për të përballuar goditjen e pritur;
  • së dyti, trendi rritës i normave të interesit në tregjet ndërkombëtare i përballi bankat me rivlerësime të shpeshta dhe të konsiderueshme të bilanceve të tyre, të cilat mund të ndikonin në mënyrë të pafavorshme veprimtarinë ndërmjetësuese të bankave. Në këtë kontekst, ne kryem një proces intensiv dialogu me bankat për të monitoruar e administruar këtë rrezik, i cili deri tani mbetet i kontrolluar;
  • së treti, viti 2022 u karakterizua nga një valë intensive sulmesh kibernetike ndaj sektorëve me rëndësi kritike në vend, përfshirë edhe atë bankar. Rreziku kibernetik u vendos në fokus të analizave dhe inspektimeve tona, duke shtuar kërkesat për investime të bankave në administrimin optimal të këtij rreziku. Sektori bankar ka rritur vigjilencën ndaj sistemeve mbrojtëse dhe masave parandaluese, si edhe ka forcuar kapacitetet për monitorimin dhe neutralizimin e sulmeve kibernetike.

Përkundrejt këtyre sfidave, zhvillimet e vitit 2022 ishin pozitive për sistemin bankar. Ndërmjetësimi financiar ka vijuar të zgjerohet, rezultati financiar ishte pozitiv dhe në vlera të krahasueshme me një vit më parë, niveli i mjaftueshmërisë së kapitalit ishte në nivelin 18%, duke treguar një aftësi të konsiderueshme të sektorit për përballimin e rreziqeve; ndërsa niveli i kredive me probleme zbriti pranë shifrës 5.0%. Analizat tona periodike mbi rreziqet sistemike të sistemit bankar, tregojnë se këto rreziqe mbeten të kontrolluara.

Një zhvillim i rëndësishëm gjatë vitit ishte dhe konsolidimi i mëtejshëm i veprimtarisë bankare. Me blerjen e aksioneve të Bankës Alpha në Shqipëri nga Banka OTP, sistemi bankar shqiptar rezulton i përbërë prej 11 bankash.

Përtej monitorimit të shëndetit të sistemit bankar, puna jonë është orientuar në drejtim të forcimit të mëtejshëm të mbikëqyrjes bankare dhe konsolidimit të planeve për ndërhyrjen e jashtëzakonshme. Më poshtë, do të rendis disa nga prioritetet e punës së Bankës së Shqipërisë në këtë drejtim.

  • Së pari, Banka e Shqipërisë vijoi punën për përmirësimin e kuadrit të saj mbikëqyrës e rregullator, me synim përafrimin e tij me acquis të BE-së dhe parimet e Komitetit të Bazelit. Rishikimi i rregulloreve ka synuar zbatimin e kërkesave për forcimin e standardeve të kapitalizimit të veprimtarisë bankare.
  • Së dyti, duke qëndruar në të njëjtën linjë, ne kemi bërë progres të mëtejshëm në drejtim të njohjes së ekuivalencës së kuadrit tonë mbikëqyrës rregullator me atë të BE-së. Kjo ekuivalencë është mjaft e rëndësishme për të ulur kostot e operimit të industrisë bankare në vend dhe për të nxitur më tej zgjerimin e sektorit bankar dhe zhvillimin e tregjeve financiare. Në këtë kuadër, gjatë vitit 2022 ne kryem një rivlerësim të pavarur të nivelit të ekuivalencës, sipas metodologjisë së re të publikuar nga EBA. Ky rivlerësim konkludoi se kuadri rregullator dhe praktikat tona mbikëqyrëse kanë një nivel të lartë konvergjence me standardet e Bashkimit Evropian dhe, në bazë të këtij konkluzioni, ne paraqitëm kërkesën pranë EBA-s për të përfshirë Shqipërinë në procesin e vlerësimit zyrtar prej tyre.
  • Së treti, plotësimi i kuadrit rregullator për shërbimet e pagesave. Me miratimin e ligjit “Për shërbimet e pagesave”, gjatë vitit 2022 janë miratuar aktet nënligjore, të cilat rregullojnë veprimtarinë, mbikëqyrjen dhe administrimin e rreziqeve të subjekteve që ofrojnë shërbime pagesash. Plotësimi i kuadrit bën të mundur funksionimin e sigurt dhe eficient të institucioneve të parasë elektronike, duke krijuar hapësira për rritjen e shërbimeve të pagesave, rritjen e konkurrueshmërisë në treg, si dhe rritjen e transparencës dhe mbrojtjen e konsumatorit shqiptar.
  • Së katërti, zbatimi i rekomandimeve të Komitetit të MONEYVAL në kuadër të forcimit të masave për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit. Si pjesë integrale e planit kombëtar të masave për parandalimin e pastrimit të parasë dhe të financimit të terrorizmit, Banka e Shqipërisë ka ushtruar përgjegjësinë e saj për përmirësimin e kuadrit rregullator dhe forcimin e efektivitetit të procesit mbikëqyrës. Po ashtu, ne kemi vijuar inspektimet në vend për çështje që lidhen me parandalimin e pastrimit të parave, me një fokus të veçantë çështjet e financimit të terrorizmit dhe të zbatimit të sanksioneve ndërkombëtare. Për shkeljet e evidentuara janë marrë edhe masa administrative.
  • Së pesti, monitorimi rigoroz i sektorit bankar, nëpërmjet inspektimeve në vend dhe analizave në distancë. Fokusi i ekzaminimeve ka qenë vlerësimi i cilësisë së portofolit të kredisë, vlerësimi i rrezikut operacional, i teknologjisë së informacionit, i likuiditetit, i sistemeve të qeverisjes dhe transparenca me klientët. Subjektet në monitorim – banka dhe jobanka – ndjekin një qasje të kujdesshme në administrimin e rreziqeve dhe janë – në përgjithësi – në përputhje me kuadrin rregullator.
  • Së fundmi, fuqizimi i aftësisë për ndërhyrje të jashtëzakonshme. Në cilësinë e Autoritetit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme, kemi përfunduar dhe komunikuar planet e ndërhyrjes së jashtëzakonshme të të gjitha bankave, duke përfshirë strategjinë për ndërhyrje sipas specifikave të bankave, kërkesat minimale për mjetet financiare të nevojshme për përthithjen e humbjeve dhe për rikapitalizim, si dhe kërkesat për rritjen e aftësisë për ndërhyrje të jashtëzakonshme. Bankat kanë demonstruar përparime në drejtim të rritjes së kapaciteteve financiare dhe të aftësisë për sigurimin e vazhdimësisë operacionale në ndërhyrje të jashtëzakonshme, ndërkohë që ne kemi lënë një sërë rekomandimesh për të minimizuar pengesat e mundshme për zbatimin e planit.

Krahas objektivit parësor të ruajtjes së stabilitetit të çmimeve dhe rolit të saj në mbështetjen e stabilitetit financiar të vendit, Banka e Shqipërisë është përgjegjëse edhe për një sërë veprimtarish të tjera, me rëndësi të madhe për nxitjen e zhvillimit dhe rritjen e mirëqenies së shoqërisë, disa prej të cilave do t’i përmend shkurtimisht më poshtë.

  1. Aktivitete të tjera

Sistemet e pagesave të administruara nga Banka e Shqipërisë kanë garantuar disponueshmëri maksimale dhe kanë funksionuar në mënyrë të sigurt dhe eficiente. Krahas sistemeve ekzistuese të pagesave në Lek, në janar të vitit 2022 nisi operimin për herë të parë sistemi i shlyerjes të pagesave në Euro brenda vendit (AIPS Euro), me kosto shumë më të ulëta dhe në një afat kohor shumë më të shkurtër krahasuar me procesin e mëparshëm. Konsumatorët dhe bizneset shqiptare vlerësohet të kenë kursyer rreth 10 milionë euro nga përdorimi i këtij sistemi gjatë vitit 2022.

Paralelisht me to, zhvillimi i infrastrukturës së shërbimeve të pagesave ka mbështetur zgjerimin e përdorimit të instrumenteve të pagesave elektronike dhe përfshirjen financiare të popullsisë. Statistikat tona tregojnë një rritje prej 18% të pagesave me karta, të pagesave me para elektronike si dhe të pagesave home banking. Përdorimi i pagesave elektronike për frymë arriti në nivelin 17 nga 10 pagesa që është objektivi i vitit 2023 në Strategjinë Kombëtare të Pagesave me Vlerë të Vogël. Aktualisht, Banka e Shqipërisë po punon për implementimin e infrastrukturës për pagesat e shpejta (instant payment). Kjo risi në fushën e pagesave synon mbulimin e segmenteve të tregut, të cilat nuk kanë përdorim të instrumenteve elektronike.

Në fushën e emetimit të monedhës, gjatë vitit 2022 përfundoi procesi i hedhjes në qarkullim të serisë së re të kartëmonedhave shqiptare, të cilës i është shtuar edhe prerja prej 10 000 Lekësh. Seria e re mbart elemente bashkëkohore dhe të sofistikuara të sigurisë. I gjithë procesi është shoqëruar me një fushatë edukimi mbi përdorimin e monedhës kombëtare.

Banka e Shqipërisë ka administruar me përgjegjësi rezervën valutore, duke respektuar objektivat kryesorë të likuiditetit dhe sigurisë. Me gjithë problemet që patën tregjet financiare ndërkombëtare gjatë vitit të shkuar, niveli i rezervave tona valutore është në përputhje me kriteret tona të mjaftueshmërisë dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.

Banka e Shqipërisë ka përmbushur detyrimet institucionale në kuadër të Planit Kombëtar për Integrimin Evropian. Me hapjen e negociatave në muajin korrik, kemi rritur aktivizimin dhe kontributin në takimet dypalëshe me Komisionin Evropian, ndërsa kemi vazhduar dialogun ekonomik e financiar nëpërmjet pjesëmarrjes në komitete të përbashkëta me autoritetet e tregut të Eurozonës.

Rritja e transparencës dhe llogaridhënies nëpërmjet komunikimit të hapur kanë drejtuar marrëdhëniet tona me publikun e gjerë dhe me grupet e interesit. Megjithatë, vendimet tona nuk mund të përçohen drejt në një ambient ekonomik të karakterizuar nga një shkallë e kufizuar edukimi financiar. Për këtë arsye, gjatë vitit 2022, është punuar për hartimin dhe implementimin e “Strategjisë kombëtare të edukimit dhe përfshirjes financiare”, e cila synon përmirësimin e kulturës dhe përfshirjes financiare të publikut të gjerë.

Së fundi, përmirësime të dukshme janë bërë në drejtim të përmirësimit të qeverisjes së institucionit, nëpërmjet përditësimit të sistemeve për administrimin e rrezikut dhe sigurimin e vijueshmërisë së veprimtarisë me praktikat më të mira ndërkombëtare. Në veçanti, nisur nga sulmet e organizuara kibernetike me të cilat u përball vendi gjatë vitit të shkuar, Banka e Shqipërisë i kushtoi një vëmendje të posaçme rritjes së qëndrueshmërisë së sektorit bankar, të tregjeve financiare dhe të sistemeve të pagesave të operuara nga Banka e Shqipërisë. Më konkretisht, Banka e Shqipërisë rishikoi planet e vazhdimësisë për rimëkëmbjen e aktivitetit të institucionit në rast të një sulmi kibernetik, intensifikoi kontrollet dhe monitorimet që kryen mbi sistemet dhe shërbimet që ofron, si dhe forcoi bashkëpunimin me institucione vendase, si Agjencia Kombëtare e Certifikimit Elektronik dhe Sigurisë Kibernetike (AKCESK) dhe Shoqata Shqiptare e Bankave, dhe me institucione ndërkombëtare, si Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore.

***

Të nderuar zonja dhe zotërinj Deputetë,

Në mbyllje të fjalës time, dëshiroj të përsëris edhe një herë se stabiliteti i çmimeve ka qenë dhe mbetet misioni kryesor i Bankës së Shqipërisë. Ruajtja e fuqisë blerëse të monedhës sonë kombëtare, garantimi i vlerës së kursimeve të familjeve shqiptare, mbështetja e stabilitetit financiar dhe krijimi i kushteve sa më optimale të kreditimit për një periudhë kohore afatgjatë, janë shërbimi më i mirë që ne mund t’i japim ekonomisë shqiptare.

Parashikimet tona sugjerojnë se inflacioni do të kthehet në objektiv brenda vitit 2024, i ndikuar nga stabilizimi i çmimeve në tregjet globale dhe efektet e kursit normalizues të politikës monetare. Rritja graduale e normës bazë të interesit drejt një niveli neutral do ta sjellë kërkesën dhe ofertën në ekonomi në një balancë më të shëndetshme. Paralelisht me të, rritja ekonomike pritet të ruajë norma të qëndrueshme rritjeje në afatin e mesëm, pavarësisht luhatjeve afatshkurtra të pritura gjatë vitit aktual dhe atij të ardhshëm. Nga ana e saj, Banka e Shqipërisë do të vijojë të përshtatë në vazhdimësi qëndrimin e politikës të saj monetare me realitetin e ri ekonomik. Ne do të kujdesemi që ky qëndrim të jetë – nga njëra anë – konsistent me respektimin e objektivit të stabilitetit të çmimeve dhe – nga ana tjetër – i koordinuar me kahun e politikës fiskale dhe zhvillimet në tregjet financiare.

Paralelisht me të, episodet e fundit të stresit në sistemin bankar amerikan dhe atë zviceran kanë risjellë në fokus rëndësinë e një sistemi financiar të rregulluar dhe të mbikëqyrur mirë. Në këtë kontekst, më lejoni të ritheksoj se sektori bankar shqiptar paraqitet likuid, fitimprurës, i mirëkapitalizuar dhe i aftë të ushtrojë funksionin e tij primar të ndërmjetësimit financiar dhe të ruajtjes së vlerës së kursimeve të familjeve shqiptare. Megjithatë, Banka e Shqipërisë do të monitorojë me kujdes situatën, do të vijojë mbikëqyrjen dhe rregullimin e kujdesshëm të këtij sektori, si dhe do të kujdeset për harmonizimin e mëtejshëm të kuadrit tonë mbikëqyrës e rregullator me atë të Bashkimit Europian.

Së fundi, gjej me vend të risjell në vëmendje rëndësinë e vazhdimit të reformave strukturore, si një instrument i pazëvendësueshëm për të rritur potencialin e ekonomisë, për të forcuar rezistencën e saj ndaj goditjeve, si dhe për të rritur mirëqenien e shoqërisë.

Ju falënderoj për vëmendjen!