BANKA E SHQIPËRISË
NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko në 20 vjetorin e Bankës Raiffeisen në Shqipëri
Data e publikimit: 26.09.2024
Të nderuar anëtarë të Këshillit Drejtues, të Bordit të Menaxhimit dhe punonjës të Raiffeisen Bank,
Të nderuar pjesëmarrës e kolegë,
Është nder dhe kënaqësi të takohemi në këtë përvjetor, i cili shënon një moment historik në veprimtarinë e Bankës Raiffeisen në Shqipëri, institucion kyç i sistemit tonë financiar në dy dekadat e fundit. Në emër të Bankës së Shqipërisë, dëshiroj të uroj përzemërsisht bordin, menaxhimin e bankës dhe stafin, për arritjen e këtij momenti të rëndësishëm.
Ndërsa mblidhemi për të festuar këtë arritje, është thelbësore të vlerësojmë rolin që ka luajtur Raiffeisen Bank në zhvillimin ekonomik të vendit tonë.
20 vite për grupin Raiffeisen mund të përfaqësojnë vetëm një fraksion të historisë së tij mbi 130-vjeçare, por në vendin tonë, këto 20 vite kanë njohur një dinamikë jo të lehtë ndryshimesh dhe transformimesh dhe janë vite të rëndësishme të formësimit të tregut financiar në vend.
Edhe pse duket shumë e largët, sfida kryesore para dy dekadave ishte krijimi i besimit tek sistemi financiar, për të mos thënë krijimi i themeleve të një tregu financiar. Sot mund ta themi me krenari se kjo sfidë u tejkalua me sukses dhe se Raiffeisen ka luajtur një rol kyç, si banka më e madhe në vend në atë kohë.
Edhe pas 20 vitesh në treg, Raiffeisen Bank vijon të jetë një nga tre bankat më të mëdha në vend, duke gëzuar besimin e depozituesve shqiptarë dhe investitorëve të ndryshëm, të cilët shohin në bankën tuaj partnerin strategjik për t’u besuar kursimet dhe për zhvillimin e biznesit të tyre.
Patjetër që sistemi ynë bankar dhe financiar në tërësi ndodhet në kushte të tjera nga ato të dy dekadave më parë dhe jemi të vetëdijshëm, që veprimtaria e bankave sidomos në pesëvjeçarin e fundit u zhvillua në një mjedis tejet të vështirë, nën ndikimin e efekteve të pastërmetit, të pandemisë, zhvillimeve në arenën ndërkombëtare të ndikuara nga lufta në Ukrainë, presioneve inflacioniste, të cilat sollën rritje të normave të interesit, por mund të themi me krenari, që sistemi bankar shqiptar përfshirë këtu dhe Bankën Raiffeisen i kaluan me sukses këto sfida, duke ruajtur treguesit e shëndetit financiar në raport me cilësinë e portofolit të kredisë.
Nuk mund të lë pa përmendur dhe daljen e Shqipërisë, në vitin 2023, nga lista e juridiksioneve nën monitorim të shtuar, njohur ndryshe si “lista gri” nga FATF dhe bankat (përfshirë këtu dhe Bankën Raiffeisen), kanë luajtur një rol të rëndësishëm në bashkëpunim me organet ligjzbatuese në drejtim të parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit (PPP/PFT).
Në këtë përvjetor duhet të vlerësojmë dhe rolin e Raiffeisen përtej veprimtarisë bankare. Si themelues i Fondit të parë të investimeve, si dhe aktivitetit në tregun e pensioneve private vullnetare, Banka Raiffeisen ka qenë gjithnjë mbështetëse e zhvillimeve të tregut të kapitalit dhe atyre ekonomike në vend dhe partner i rëndësishëm në projektet e zhvillimit ekonomik.
Zhvillimet teknologjike po transformojnë mënyrën e të ofruarit të shërbimeve bankare dhe Banka Raiffeisen mund të konsiderohet më së miri promotor i inovacionit, zhvillimeve digjitale në vend, duke iu ofruar klientëve, produkte dhe shërbime digjitale nëpërmjet platformave dhe kanaleve të ndryshme, për t’iu përshtatur më tepër nevojave të tyre. Fokusi i dhënë zhvillimeve në fushën e teknologjisë dhe sigurisë së informacionit bënë që banka të administronte sulmet kibernetike të vitit të kaluar, të cilat vijojnë të jenë një tjetër kërcënim për sistemin bankar dhe jo vetëm.
Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të punojë ngushtë me të gjitha institucionet financiare për të garantuar stabilitetin dhe integritetin e sistemit tonë financiar.
Në mbyllje, dëshiroj të uroj edhe një herë Bankën Raiffeisen për këtë moment simbolik, por dhe të rëndësishëm. Nuk kam asnjë dyshim se ju do të vazhdoni të luani një rol kyç në rritjen dhe zhvillimin ekonomik të vendit, duke ruajtur standarde të larta të qeverisjes korporative, menaxhimit të rrezikut dhe transparencës me klientin.
Faleminderit dhe i uroj Bankës Raiffeisen edhe shumë vite të tjera suksesi dhe prosperiteti!