BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko në Ceremoninë e Përfundimit të Projektit të Binjakëzimit “Forcimi i kapaciteteve të Bankës së Shqipërisë në kuadër të përafrimit me legjislacionin e Bashkimit Evropian

Data e publikimit: 18.01.2021

 

Të nderuar zotërinj Ambasadorë Soreca, Bucci dhe Zingraf,

I nderuar z. Franco,

Të nderuar përfaqësues të Bankës së Italisë dhe Bankës së Gjermanisë,

Zonja dhe zotërinj, miq dhe kolegë,

 

Kam kënaqësinë t’ju uroj mirëseardhjen në ceremoninë e përfundimit të Projektit të Binjakëzimit “Forcimi i kapaciteteve të Bankës së Shqipërisë në kuadër të përafrimit me legjislacionin e Bashkimit Evropian”.

Projekti u prezantua në dhjetor të vitit 2019,  dhe u financua nga fondet e Bashkimit Evropian, në vazhdimësi të projektit të  mëparshëm “Identifikimi i nevojave për përafrimin e Bankës së Shqipërisë” - konceptuar dhe udhëhequr nga Banka Qendrore Evropiane, në partneritet me 11 banka qendrore të Bashkimit Evropian.

#498 DLL 7064

 

Në pjesën e parë të vitit 2020, të gjithë ne, u përballëm me shpërthimin dhe përhapjen e shpejtë globale të pandemisë COVID-19.  Brenda një kohe të shkurtër, bota ndryshoi rrënjësisht shumë aspekte të normalitetit, të cilat kurrë më parë nuk ishin imagjinuar. Për shkak të situatës së jashtëzakonshme të krijuar, projekti u ndërpre përkohësisht.  Megjithatë, duke parë se pandemia do të zgjaste, ashtu si e gjithë bota, ne u përshtatëm me mënyrën e re, atë të punuarit në distancë. Ky realitetet i ri shpejt rezultoi po aq efektiv sa mënyra “tradicionale e të punuarit”.   Kështu, ja dolëm të përfundonim  projektin me sukses dhe në kohë.  

#498DLL 7077

 

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Programi i Binjakëzimit përfshiu 8 departamente të Bankës së Shqipërisë, të cilët adresuan çështje të rëndësishme, në fushën e:

  • Mbikëqyrjes Bankare dhe Stabilitetit Financiar;
  • Politikës Monetare dhe Statistikave;
  • Kontrollit të Brendshëm;
  • Sistemeve të Pagesave; si dhe
  • Funksioneve të tjera të bankingut qendror, si burimet njerëzore dhe integrimi evropian.

Secili prej komponentëve u pasqyrua në një numër rezultatesh të matshme, në formën e dokumenteve rregullatorë, manualeve dhe rekomandimeve specifike të natyrës politikëbërëse.  Prandaj, me kënaqësi vë në dukje se:

  • U miratuan akte nënligjorë për zbatimin e standardeve të Basel III dhe Direktivës për Kërkesat e Kapitalit;
  • U hartuan dokumente dhe udhëzues të rinj për politikën me qëllim përafrimin me rekomandimet e Bordit Evropian të Rrezikut Sistemik;
  • U publikua dokumenti i përmirësuar i Politikës Monetare;
  • U hartuan akte nënligjorë dhe manuale të rinj me qëllim përafrimin e statistikave monetare të Bankës së Shqipërisë dhe të llogarive financiare me kërkesat e Bankës Qendrore Evropiane;
  • U zhvilluan akte nënligjorë, manuale, dokumente të politikës dhe plane trajnimi për harmonizimin e veprimtarisë së auditimit me standardet e BQE-së dhe ato të SEBQ-së;
  • U hartua akti i ri nënligjor me qëllim zbatimin e Direktivës për llogaritë e pagesave;
  • U hartuan manuale të rinj për përafrimin me standardet e BQE-së si dhe kuadri i mbikëqyrjes së sistemit të pagesave të Bakës së Shqipërisë;
  • U zhvillua një analize e hendekut të ndjekur nga një hartë gjurmimi për sistemin Target 2 të BQE-së (ECB Target 2 sytem);
  • U hartuan udhëzime të reja për përafrimin me standardet e BQE-së në lidhje me proceset e rekrutimit, rekrutimin e aplikantëve nga jashtë dhe kushtet e punësimit të stafit;
  • U struktura një hartë gjurmimi për të përcaktuar rolin dhe sfidat e Zyrës së Integrimit Evropian.

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Më lejoni të bëj disa falënderime për të gjithë institucionet dhe ekspertët e përfshirë në këtë angazhim dhe projekt të përbashkët. Së pari, dëshiroj të falënderoj Komisionin Evropian, mbështetja e të cilit mundësoi financimin e këtij projekti. Jam i bindur se Komisioni do të vijojë të na mbështesë edhe në nisma të tjera të që do të ndërmarrim në të ardhmen, me qëllim përfarimin dhe progresin në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Falënderoj në mënyrë të veçantë, Delegacionin e Bashkimit Evropian në Tiranë për asistencën e tyre të vyer gjatë periudhës përgatitore të projektit.  Shpresoj dhe uroj që Këshilli i BE-së do të miratojë së shpejti kuadrin  për hapjen e negociatave me Shqipërinë, duke shënuar kështu një fazë të re në procesin e integrimet të Shqipërisë në BE. 

Dëshiroj të falënderoj Bankën e Italisë, për angazhimin e saj afatgjatë në mbështetjen e institucionit tonë.  Puna shkëlqyer e kryer nga ekspertët italianë meriton lavdërime të veçanta, veçanërisht në rrethanat aktuale të jashtëzakonshme të pandemisë. Kështu, përfitoj nga rasti të falënderoj personalisht Drejtuesin e Projektit, z. Zeloni dhe Këshilltarin Rezident të Binjakëzimit, z. Gola, për angazhimin dhe mbështetjen e tyre në realizimin e këtij projekti.

Sigurisht, i jemi mirënjohës Bankës së Gjermanisë, për pjesëmarrjen e saj aktive në këtë projekt dhe për rolin e saj drejtues në projektin rajonal për “Fuqizimin e Kapaciteteve të Bankave Qendrore të Ballkanit Perëndimor në përafrimin me Sistemin Evropian të Bankave Qendrore”. Gjithashtu, falënderoj Bankën Kombëtare të Rumanisë dhe Bankën e Francës për përfshirjen e tyre specifike në këtë projekt.  Ne besojmë se bashkëpunimi me këto dy banka do të forcohet më tej në të ardhmen.

E fundit, por jo më pak e rëndësishme, dëshiroj të shpreh vlerësimin tim për stafin e Bankës së Shqipërisë, i cili kapërceu vështirësitë e shkaktuar nga pandemia Covid-19, dhe ja doli të përfundojë me sukses këtë projekt në të gjithë objektivat e tij të përcaktuar.  

Dëshiroj të mbyll fjalën time duke siguruar se Banka e Shqipërisë mbetet e angazhuar në rrugën e saj për konvergjimin e shpejtë me modelin e Sistemit Evropian të Bankave Qendrore. Ne jemi besimplotë se ky është kontributi më i mirë që mund të japim për vendin tonë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian - një objektiv strategjik që e kemi përfshirë në planet tona të punës për vitin 2021 dhe më tej.  Jam i sigurt se bashkëpunimi ynë do të vazhdojë në të ardhmen dhe mbështetja e udhëheqja evropiane do të na shoqërojë në çdo hap që hedhim drejt integrimit në familjen e përbashkët evropiane.    

Faleminderit!