BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko në Forumin “Digjitalizimi kundrejt parasë fizike” të organizuar nga Shoqata Shqiptare e Bankave

Data e publikimit: 14.06.2022

 

I nderuar z. Zëvendëskryeministër Ahmetaj,

E nderuar zj. Ministre e Financave Ibrahimaj,

I nderuar z. Kryetar i Shoqatës Shqiptare të Bankave,

Të nderuar pjesëmarrës,

 

Është një kënaqësi e veçantë të marr pjesë në këtë Forum që vjen natyrshëm si një hap i mëtejshëm dhe rrjedhojë logjike e diskutimeve dhe tryezave të përbashkëta në lidhje me digjitalizimin e shërbimeve financiare.

Dëshiroj të theksoj se mbështetja dhe nxitja e pagesave elektronike, si në eksperiencat ndërkombëtare ashtu edhe në kontekstin shqiptar, janë parë si një nga mekanizmat më efikasë dhe të fuqishëm drejt nxitjes së përfshirjes financiare dhe formalizimit të mëtejshëm të ekonomisë.

498-5695

Në këto kushte, pavarësisht diskutimeve dhe nevojave për ndërveprim dhe zhvillim nga aktorët, duket sikur objektivat dhe synimet po konvergojnë gjithnjë e më shumë, dhe sinergjia e krijuar sigurisht do të ndikojë në një përshpejtim të arritjes së objektivave të caktuar.

Në këtë kuadër, vlen të theksohet se Banka e Shqipërisë ka vendosur tashmë një shtrat efektiv për krijimin e një revolucioni digjital në tregun e pagesave, nëpërmjet kuadrit ligjor e rregullativ në fuqi, i cili mund të konsiderohet avangard dhe në kontekstin e Bashkimit Evropian. Ndërkohë në nivel rajonal, Shqipëria është vendi i parë që ka miratuar kuadrin ligjor e rregullativ dhe po nxit zbatimin e “open banking” në treg.

498-5732

Këtu do dëshiroja të ndalesha dhe të shpjegoja se koncepti i “open banking” nënkupton krijimin e zhvillimeve teknologjike, me qëllim që informacioni i klientëve të bankave të jetë i hapur ndaj palëve të treta. Në këtë drejtim, duhet të kuptojmë që pavarësisht digjitalizimit të dëshiruar nga të gjithë ne këtu, ky zhvillim kërkon investime dhe rregullime mjaft komplekse, të cilat do promovojnë inovacionin në një ambient që do të garantojë siguri maksimale. Duke marrë parasysh se nevoja për krijimin e një ambienti tejet prudent bëhet akoma më domethënëse në rastin e Shqipërisë, ku edukimi dhe përfshirja financiare janë relativisht të ulëta, nevoja për hedhjen e hapave të sigurt nga ana e aktorëve të tregut është shumë e rëndësishme.   

498-5844

Përtej “open banking” dhe ridimensionimit të tregut nëpërmjet prezantimit të aktorëve dhe shërbimeve të reja, dua të përmend se janë ndërmarrë edhe një sërë masash rregullative dhe zhvillime infrastrukturore, të cilat kanë në fokus pikërisht nxitjen e pagesave elektronike në kuadër të Strategjisë Kombëtare të Pagesave me Vlerë të Vogël. Vlen të theksohet se me masat e ndërmarra deri më tani, objektivat e parashikuar në strategji për vitin 2023 janë arritur në mënyrë të kënaqshme që në vitin 2021.

498-5677

Ky sigurisht është një kontribut i një game të gjerë aktorësh, ku veçanërisht bankat, por dhe institucionet, kanë luajtur rol kyç. Në këtë drejtim, dëshiroj të theksoj se tregu është ndërgjegjësuar dhe është i vetëdijshëm se digjitalizimi është e ardhmja, jo vetëm si rrjedhojë e revolucionit teknologjik që po ndodh në çdo fushë të jetës, por edhe nga pikëpamja e zhvillimit strategjik të tyre, në kuadër të minimizimit të kostove e rreziqeve të mbartura nga praktikat tradicionale, dhe njëkohësisht të rritjes së produktivitetit efektiv. 

Pa dashur të përsëris deklaratat e mëparshme, e konsideroj me vlerë të theksoj se të gjithë aktorët e tregut duhen parë si bashkëpunëtorët tanë strategjikë, të cilët me mënyrën e tyre gjithnjë kanë kontribuuar në përfshirjen financiare dhe promovimin e shërbimeve të pagesave elektronike. Nëse deri pak vite më parë, pagesa e faturave utilitare, e gjobave, pagesave e tatimeve, doganave dhe sigurimeve shoqërore nëpërmjet internetit dhe celularit dukej një utopi, sot këto shërbime po gjejnë gjithnjë e më shumë përdorim nga publiku i gjerë. Për ta materializuar në shifra këtë zhvillim, vlen të përmendet se në vitin 2012, rreth 96% e transfertave incioheshin në letër në sportelet e bankave, ndërkohë që sot rreth 50% e transfertave procesohen në distancë. Nëse në llogaritje përfshijmë dhe pagesat me kartë, rezulton se 79% e pagesave dhe transfertave kryhen në distancë dhe vetëm 21% në degët e bankave. Në këtë këndvështrim, vlerësoj se bankat mbeten të angazhuara për të akomoduar edhe nevojat e platformës e-Albania, si në kushtet ekzistuese, ashtu edhe pas krijimit të “open banking”. Harmonizimi dhe koordinimi kësaj platforme dhe atyre të sistemit bankar, si dhe dhënia e prioritetit zhvillimeve të nevojshme që kërkohen në lidhje me to, do të sjellë jo vetëm një lehtësim dhe ndërveprim më efikas, por dhe shtim të sinergjisë midis të gjitha palëve të përfshira në këto procese.

Megjithatë, të gjitha këto zhvillime sigurisht që nuk mund të kishin ndodhur nëse nga ana e një sërë institucionesh dhe kompanish shtetërore nuk do të ishin kryer zhvillime teknologjike, të cilat mundësojnë ndërveprimin midis tyre dhe bankave. Procesi i fiskalizimit vlerësohet si një zhvillim mjaft i rëndësishëm, si nga pikëpamja e formalizimit të ekonomisë, ashtu edhe në kuadër të krijimit të parakushteve të nevojshme që bizneset të ofrojnë mjete elektronike për pagesa. Kjo, duke filluar që nga mundësia e përdorimit të kodit QR në pagesën e faturave apo dhe çdo instrumenti tjetër elektronik që mund të përdorë infrastrukturën teknologjike të krijuar, deri tek fleksibiliteti që krijon legjislacioni për kryerjen e transfertave me vlerë të madhe, nëpërmjet kanaleve bankare.  

Nga ana tjetër, krijimi i një “depozitari qendror” të të dhënave biometrike të popullsisë, të cilat mund të përdoren si elemente sigurie në komunikimin edhe autentifikimin në distancë, është një zhvillim mjaft pozitiv për digjitalizimin e shërbimeve bankare. Për më tepër, zhvillimi i nënshkrimit elektronik dhe përmirësimi i legjislacionit për nënshkrimin e kontratave në distancë është gjithashtu një masë mbështetëse në këtë drejtim.   

Pavarësisht këtyre zhvillimeve pozitive, duhet të jemi të ndërgjegjshëm që mbetet ende punë për t’u bërë. Në radhë të parë, vlerësoj se, nga ana e bankave dhe jobankave, është i nevojshëm angazhimi për zbatimin në praktikë të të gjitha risive të synuara nga ligji “Për shërbimet e pagesave”. Gjithashtu, është e nevojshme të shihen dhe të vlerësohen mundësitë e zhvillimeve infrastrukturore të parashikuara në strategji, të cilat do të sjellin një efikasitet të shtuar në procesimin e pagesave dhe transfertave, si Instant Payments apo SWITCH-i kombëtar.

Për t’i mbështetur të gjitha këto zhvillime, Banka e Shqipërisë është duke punuar për përmirësimin dhe përditësimin (upgrade) e sistemeve të operuara prej saj, me qëllim akomodimin e kërkesave të tregut. Gjithashtu, vëmendje i kemi kushtuar dhe hartimit të kuadrit ligjor për krijimin e llogarisë bazike, kuadër ky i cili synon të nxisë më tej përfshirjen financiare të popullsisë. Vlerësojmë se miratimi i këtij ligji dhe zbatimi i tij nga tregu është tepër i rëndësishëm sa i përket digjitalizimit të shërbimeve financiare, por edhe atyre qeveritare.

Megjithatë, krahas nxitjes së përfshirjes financiare dhe digjitalizimit të shërbimeve, edukimi financiar është një element shumë i rëndësishëm për materializimin e masave dhe arritjen e objektivave të synuar. Në këtë këndvështrim, mendoj se është shumë e rëndësishme që të gjithë së bashku të bashkërendojmë veprimet dhe të intensifikojmë bashkëpunimin, në kuadër të nxitjes së edukimit financiar si një reformë kombëtare.

Përveç sa më sipër, me rëndësi mbetet edhe kapërcimi i çdo problematike të identifikuar gjatë gjithë këtyre viteve nga zbatimi i inovacioneve të përmendura më parë. Një theks i veçantë duhet vendosur mbi problematikat e hasura nga hapja e llogarive dhe nënshkrimi i kontratave në distancë, të cilat janë parakusht i nevojshëm për digjitalizimin e shërbimeve.

Pavarësisht parashikimeve ligjore e rregullative në lidhje me këto çështje, zbatimi në praktikë ka dëshmuar se mbart problematika të karakterit teknik. Për këtë qëllim, do të inkurajonim bashkëpunimin e gjithë institucioneve dhe aktorëve të tregut për të tejkaluar problematikat që mund të lindin në lidhje me: parandalimin e pastrimit të parave; nënshkrimin elektronik; lidhjen e kontratave në distancë; promovimin e përdorimit të dokumenteve elektronike dhe informacioneve të nevojshme gjatë aplikimeve të qytetarëve pranë bankave. Të gjitha këto do të lehtësonin më tej digjitalizimin, jo vetëm të pagesave, por dhe të shërbimeve të tjera, si huadhënia dhe investimet, duke kontribuuar ndjeshëm në objektivin e përbashkët të formalizimit dhe rritjes së qëndrueshme të ekonomisë. 

Gjithashtu, vlerësoj se duke hulumtuar eksperiencat e fqinjëve tanë dhe më gjerë, ne mund të identifikojmë masa të tjera shtesë, të cilat do të nxisin formalizimin e ekonomisë dhe reduktimin e përdorimit të parasë fizike në ekonomi.

Dëshiroj ta përfundoj fjalën time, duke shprehur edhe një herë angazhimin e plotë të Bankës së Shqipërisë për të mbështetur çdo zhvillim të nevojshëm, me qëllim arritjen e objektivave të synuar.

Gjej rastin të përgëzoj Shoqatën Shqiptare të Bankave për punën e palodhur dhe të kahershme të saj, duke nxitur dhe mbështetur çdo projekt, iniciativë ose nevojë të evidentuar nga tregu dhe më gjerë! Përkushtimi dhe profesionalizimi juaj ka kontribuuar në mënyrë mjaft efektive, në përmbushjen e rolit të ndërmjetësit midis palëve, duke shërbyer njëkohësisht edhe si katalizator për të promovuar arritjen e objektivave të synuar.       

Jam i bindur se edhe punimet e këtij forumi do të rezultojnë mjaft frytdhënëse në këto drejtime dhe çështje me mjaft rëndësi.

Faleminderit!