BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko në Prezantimin e Raportit të Tranzicionit të BERZH 2017- 2018

Data e publikimit: 11.04.2018

 

I nderuar zoti Colangeli,

I nderuar zoti Sanfey,

Të nderuar Pjesëmarrës,

Është kënaqësi e veçantë të ofrojmë sërish mikpritjen dhe bashkëpunimin tonë në takimin e radhës për prezantimin e “Raportit të Tranzicionit 2017-2018”, të përgatitur nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Raporti i këtij viti ndalet ne diskutimin e disa çështjeve shume te rëndësishme për ekonomitë në tranzicion, siç janë konvergjenca e produktivitetit dhe dinamika e firmave, rëndësia e infrastrukturës rrugore për rritjen ekonomike, dhe oportunitetet e reja që mund të sjellë ekonomia e gjelbër.

Është kënaqësi të vëresh se raporti ka një vlerësim pozitiv mbi zhvillimet në rajon. Pas disa vitesh me rritje ekonomike anemike, tashmë rajoni shfaq një rigjallërim të aktivitetit ekonomik dhe prospektet mbeten pozitive, pavarësisht problemeve gjeopolitike dhe sfidave të brendshme e të jashtme me të cilat përballemi. Disa vende të rajonit kanë ecur më shpejt se vende të tjera të globit me madhësi dhe zhvillim të njëjtë. Flukset hyrëse të kapitalit kanë qenë relativisht të ndjeshme, duke çuar në ngushtimin e diferencës së normave të interesit në rajon në krahasim me ato në ekonomitë e mëdha. Më e rëndësishme, duket se inflacioni po kthehet gradualisht në nivelet e shënjestruara dhe rritja ekonomike e përshpejtuar në Ballkanin Perëndimor po mbështetet nga kreditimi i bankave dhe nga disa projekte madhore në infrastrukturë.

Megjithatë, raporti vëren se rritja e produktivitetit është ngadalësuar dhe për këtë, dinamika e bizneseve private identifikohet si një nga problemet kryesore që duhet të shqetësojë rajonin tonë.

Shkaqet kryesore të këtyre zhvillimeve duket se vijnë nga disa faktorë.

  • Së pari, shkalla e ulët e tregjeve dhe bizneseve për tu rigjeneruar frenon zëvendësimin e firmave joproduktive me kompani të reja inovative, dhe pengon një shpërndarje më eficiente të burimeve.
  • Së dyti, bizneset e vogla nuk arrijnë të shtojnë prodhimin apo të zgjerojnë numrin e të punësuarve. Sipas studimeve, produktiviteti i tyre është mjaft më i ulët se ai i bizneseve të mëdha. Bizneset e vogla përbëjnë numrin më të madh të subjekteve prodhuese – rreth 80 për qind në zonën BERZH, dhe 95 për qind në Shqipëri. Për këtë arsye, duhet bërë më shumë për integrimin e bizneseve të vogla në rrjetet globale të prodhimit, gjetja e kapitalit njerëzor, aksesi në sistemin financiar apo në tregjet e kapitalit.

Banka e Shqipërisë vlerëson se zhvillimi i sistemit financiar është i domosdoshëm për zhvillimin ekonomik të vendit. Në këtë drejtim, nëpërmjet politikave tona, ne po përpiqemi të nxisim një shpërndarje më eficiente të kreditimit bankar, në mënyrë që të jetë sa më pak i fragmentarizuar apo i përqendruar në sektorë të caktuar të ekonomisë.

Po kështu, ne po ndjekim nga afër gjendjen financiare dhe hua-marrëse të ndërmarrjeve mikroekonomike, përfshirë këtu edhe ato në sektorin bujqësor. Këto subjekte kanë një peshë të konsiderueshme në vlerën e shtuar bruto dhe në numrin e të punësuarve në Shqipëri. Sipas anketimeve tona së fundmi, shqetësimet parësore për firmat e vogla janë konkurrenca e pandershme, vështirësitë për gjetjen e tregjeve për shitjen e produkteve, dhe më pak aksesi i kufizuar në financim apo kostoja e ofrimit të produkteve bankare.

Ne jemi të vetëdijshëm se rritja e produktivitetit, sidomos për firmat më të vogla, është mjaft e rëndësishme për konvergjencën ekonomike të vendit. Përmbushja e nevojave për kapital investues është një sfidë kryesore për prodhuesit e vegjël, duke qenë se ato kanë pak ose aspak histori kredi-marrëse në sistemin financiar. Për këtë arsye, analizat me të dhëna mikro janë bërë tashmë objekt i diskutimit në aktivitetet dhe konferencat e organizuara nga Banka e Shqipërisë, për të kuptuar nevojat e bizneseve të vogla dhe si mund të ndihmojmë në përmirësimin e infrastrukturës me qëllim rritjen e përfshirjes së tyre financiare në të ardhmen.

Produktiviteti është i rëndësishëm pasi përcakton edhe shpejtësinë e konvergjencës drejt ekonomive të zhvilluara. Deri tani, konvergjenca e produktivitetit të vendeve tona me ato të zhvilluara është udhëhequr më tepër nga ri-alokimi i burimeve nga ndërmarrjet me pronësi shtetërore në ato me pronësi private. Megjithatë, ky proces nuk ka arritur të shkojë më tutje drejt zhvillimit të produkteve inovative. Nëse këto tendenca nuk ndryshojnë, ka të ngjarë që bizneset shqiptare dhe rajonale të humbin konkurrueshmëri kundrejt partnerëve të tyre ne Bashkimin Evropian. Në një plan të përgjithshëm, kjo të thotë se konvergjenca ekonomike dhe barazia e të ardhurave me vendet e BE-së do të vonohet ndjeshëm. Në një aspekt më specifik, procesi i integrimit evropian do të ngadalësohet, për sa kohë që bizneset tona nuk do të jenë në gjendje të përballojnë presionet e konkurrencës që ka ky treg.

Për këtë arsye, mendoj se autoritetet rajonale dhe shqiptare duhet vazhdojnë zbatimin e reformave strukturore, të cilat synojnë:

  • Rritjen e shkallës së formalizimit të ekonomisë, si një instrument për rritjen e konkurrencës, për inkurajimin e konsolidimit, për përmirësimin e  qeverisjes së bizneseve dhe për uljen e kostos së tyre të financimit;
  • Nxitjen e hapësirave për zhvillimin e bizneseve në fusha ku rajoni dhe Shqipëria ofron avantazhe konkurruese, si turizmi apo agro-industria, dhe në fusha të cilat kanë vlerë të shtuar të lartë, si teknologjia e informacionit apo shërbimet financiare.
  • Zhvillimin e tregut të kapitaleve, si një instrument për mbështetjen e bizneseve të reja, inovative, por edhe si një partner për ndarjen e rrezikut financiar të sipërmarrësve në fazën e zgjerimit e zhvillimit.

Të nderuar pjesëmarrës,

Më lejoni të theksoj se, pavarësisht fokusit në sfidat e së ardhmes, raporti mbart një frymë optimiste për rajonin. Ai ve në dukje se, ndryshe nga ekonomitë e tjera ne zhvillim, prezantimi i industrive produktive do te kontribuojë ne rritjen e punësimit.

Gjithashtu, integrimi rajonal ne nivel industrie ka kapacitetin te gjenerojë rritje te produktivitetit, te konkurrojë me mire importet, dhe te kontribuoje ne rritjen e eksporteve te rajonit. Përshtatja dhe konvergjenca institucionale është shumë e rëndësishme për integrimin e bizneseve shqiptare në zinxhirin e prodhimit global, si dhe për rritjen e shkallës së tyre të sofistikimit dhe të specializimit në tregun botëror.

Një potencial tjetër për kalimin në një ekonomi me bazë inovacioni është “ekonomia e gjelbër”, ku aftësia e konvertimit të proceseve ekzistuese të prodhimit në procese me më pak karbon mund të shihet si një oportunitet për zhvillimin e mëtejshëm të rajonit tonë.

Lidhur me të ardhmen, raporti vlerëson pozitivisht reformat e ndërmarra nga autoritet shqiptare. Mjedisi makroekonomik vlerësohet i qëndrueshëm dhe prospektet tregojnë për ruajtjen e ritmit pozitiv të rritjes së ekonomisë. Në rritjen ekonomike gjatë vitit 2017 spikatën degët e tregtisë, ndërtimit, transportit dhe industrisë, si dhe ngushtimi i deficitit në sektorin e jashtëm të ekonomisë. Në të njëjtën kohë, veprimtaria e sistemit financiar ka vazhduar të shfaqë përmirësime të dukshme dhe aftësia e tij për të përballuar rreziqet e veprimtarisë është e mirë. Treguesit e performancës financiare, të kapitalizimit dhe të likuiditetit të veprimtarisë evidentojnë përmirësimin e ndjeshëm të cilësisë së kredisë dhe dëshmojnë rëndësinë e vijimit të masave të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë.

Raporti gjithashtu evidenton se projektet dhe investimet ne infrastrukture kane ndihmuar ne rritjen e integrimit ekonomik te Shqipërisë  me vendet e rajonit duke dhënë një efekt pozitiv ne produktivitet dhe rritjen e oportuniteteve. Ne vlerësojmë se investimi i TAP do te ketë efekte pozitive ne infrastrukturën energjetike dhe do te kontribuojë në rritjen e produktivitetit përmes kostove me te ulëta dhe mbulimit e nevojave për kapacitete energjetike, duke reduktuar kështu një nga dobësitë strukturore të ekonomisë shqiptare (furnizimin e besueshëm me energji).

Në mbyllje do të theksoja sugjerimet e raportit se tashme është koha qe sistemi financiar të fokusohet te ndërmarrja, si njësia baze e punësimit, inovacionit, produktivitetit dhe rritjes ekonomike. Rrjedhimisht, politikat zhvillimore duhet të fokusohen te ndërmarrja dhe e ardhmja e saj, si burim i rritjes e konvergjencës. Politikat dhe prioritetet ekonomike të zhvillimit, në nivel makro dhe mikro, duhet të fokusohen në përmirësimin e infrastrukturës institucionale e financiare, në zhvillimin e tregut të kapitalit, në investimet infrastrukturore dhe në integrimin rajonal.

***

Të nderuar pjesëmarrës,

Raporti i Tranzicionit 2017-2018, i përgatitur nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, përbën një dokument të rëndësishëm për të gjithë. Pavarësisht statusit tonë si vendimmarrës, politikë bërës, studiues, akademik apo gazetar, Raporti na siguron informacion të bollshëm për të përforcuar më tej analizat dhe konkluzionet tona.

Ju ftoj të gjithëve të njiheni me të dhe në mënyrë racionale dhe të përgjegjshme të materializoni konkluzionet e tij në analizën tuaj për të tashmen dhe perspektivën e ekonomisë sonë dhe më gjerë.

Ju faleminderit!