BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko në Workshop-in e 12-të të Kërkimeve, 6 dhjetor 2018

Data e publikimit: 06.12.2018

 

Të nderuar pjesëmarrës,

Është kënaqësi t’ju uroj mirëseardhjen në Workshop-in e 12-të të Kërkimeve, një veprimtari që Banka e Shqipërisë e organizon çdo vit. Gjej rastin të falënderoj miqtë tanë nga bota akademike dhe përfaqësues nga banka qendrore, të cilët për 12 vite e kanë bërë këtë workshop një nga ngjarjet më të njohura dhe më të mirë–organizuara në lidhje me kërkimin në fushën financiare dhe ekonomike. Gjithashtu, më lejoni të falënderoj të gjithë drejtuesit e nderuar të sesioneve, folësit dhe pjesëmarrësit për angazhimin e tyre sot.

DSC 6645-2 - 498

Studimet që do të paraqiten dhe do të jenë subjekt i diskutimeve gjatë këtyre dy ditëve do të trajtojnë një gamë të gjerë çështjesh të rëndësishme ekonomike dhe financiare për bankat qendrore. Temat për politikën monetare, rrezikun e stabilitetit financiar, dhe metodologjitë e reja janë të gjitha mjaft të pranishme në veprimtarinë e përditshme të bankës qendrore. Banka e Shqipërisë është e përfshirë në vendimmarrjen për të gjitha këto çështje, dhe si rrjedhim, në mënyrë aktive e mbështesim me anë të punës kërkimore. Përveç studimeve që do të prezantohen sot në sesione, nesër do të paraqesim disa nga projektet tona në vazhdim në trajtën e një posteri. Pas këtij workshop-i, rezultatet e këtyre punimeve kërkimore do të kontribuojnë në procesin e vendimmarrjes dhe do ta ndihmojnë Bankën e Shqipërisë të marrë vendime që mbështeten në një informacion më të studiuar e më të hollësishëm, si dhe të përmirësojë modelet e saj dhe efektivitetin e politikëbërjes. Për këtë arsye, ju inkurajoj dhe ju ftoj të bëni pyetje, të komentoni dhe të vlerësoni punën tonë sipas mendimeve tuaja dhe ekspertizës suaj, për të sfiduar gjetjet dhe metodologjitë tona.

Natyra e kërkimit tonë padyshim që diktohet nga misioni ynë kryesor dhe shqetësimet tona më parësore. Për këtë arsye, pjesa më e madhe e kërkimit tonë përqendrohet te politika monetare, stabiliteti i çmimeve dhe ai financiar, modelet që lidhen me to dhe në ngjarjet ekonomike që ushtrojnë ndikimin më të madh në këto aspekte. Disa nga prirjet që do të diskutojmë sot janë me natyrë globale dhe themelore. Ato ndoshta nuk kanë mbërritur ende në ekonomitë tona, por pa dyshim do të kenë ndikim të konsiderueshëm në ekonominë tonë reale dhe në sistemin tonë financiar, në të ardhmen. Për shembull, teknologjitë e reja, të tilla si kripto-monedhat, inteligjenca artificiale, metoda analizuese e njohur si “Machine Learning”,  sipas së cilës sistemet mund të analizojnë të dhënat dhe të ndërtojnë modele dhe të marrin vendim me ndërhyrje minimale nga faktori njeri janë disa nga sfidat kryesore jo vetëm për bankat qendrore por edhe më gjerë. Padyshim, këto zhvillime do të kenë ndikime të shumanshme në stabilitetin monetar dhe financiar. Për këtë arsye, si vendet e zhvilluara dhe ato në zhvillim do të përfitonin shumë nga puna kërkimore në këtë fushë.

600foto grupi, konf e 12kerkimet - 498

Shumë herë ngjarje të paparashikuara dhe ndonjëherë ngjarje të reja globale apo rajonale godasin ekonomitë e brendshme, dhe autoriteteve u duhet të ndërhyjnë në bazë të njohurive që kanë dhe të përvojës së deritanishme. Është e rëndësishme të kuptohen ndikimet afatshkurtra dhe afatgjata të politikave të ndërmarra në këto mjedise të reja. Për shembull, kriza pati një ndikim të ndryshëm në ekonominë shqiptare nga ndikimet që kishim përjetuar historikisht. Në atë kohë, ekonomia shqiptare dukej se nuk ndikohej nga sektori i jashtëm, por analiza të mëvonshme treguan se ishin zhvilluar çekuilibra të brendshëm që e kishin bërë ekonominë të cenueshme ndaj goditjeve të jashtme mbi besueshmërinë. Si rrjedhim, duhet që kërkimi në bankat qendrore të përqendrohet në informacione të disponueshme dhe në metoda që shqyrtojnë paradigmat ekzistuese dhe e bëjnë këtë informacion të dobishëm për politikë-bërësit, para se të kthehet në një zhvillim të pafavorshëm. Megjithatë, për shkak të kufizimeve financiare dhe të kapitalit njerëzor me të cilat përballen bankat qendrore në ekonomitë e vogla dhe të hapura, besojmë se është e rëndësishme që këto çështje të diskutohen në këtë workshop me studiues të njohur nga bota akademike dhe bankat e tjera qendrore.

Dëshiroj gjithashtu të inkurajoj kërkuesit tanë që t’i publikojnë materialet tyre të diskutimit në revistat përkatëse që janë dhe certifikimi më i rëndësishëm i punës së tyre. Kjo do t’i bëjë projektet tuaja kërkimore të dobishme dhe do të lehtësojë shpejtësinë e zbatimit në politikë-bërjen në tërësi. Pavarësisht suksesit të fundit në publikime, një nga gjërat që dëgjoj më shpesh është se nuk ka shumë interes për kërkimin shkencor mbi zhvillimet në vendet e vogla e në zhvillim apo për ekonomitë e tregut në zhvillim, si Shqipëria. Nga këndvështrimi im, mendoj se ka interes për kërkim  shkencor për ekonomitë e vogla në zhvillim, si Shqipëria, për shkak të karakteristikave të veçanta dhe të dallueshme të ekonomisë sonë, të cilat mund të jenë të ndryshme nga gjetjet kryesore të kërkimit. Tiparet dalluese, si tregje financiare të cekët dhe të ngushtë, numri i kufizuar i instrumenteve financiare, tiparet e veçanta të sjelljes së agjentëve ekonomikë dhe memoriet e njohura ekonomike dhe financiare, mund të prodhojnë një sjellje jo tradicionale dhe/ose dukuri interesante që nuk shfaqen në tregjet e zhvilluara dhe, për këtë arsye, nuk janë trajtuar në materialet kërkimore mbi to. Identifikimi i këtyre karakteristikave të veçanta dhe ndikimi i tyre te gjetjet kërkimore mund të jetë mjaftueshëm i mirë për të ndezur interesin e revistave ekonomike dhe të konferencave ekonomike si dhe për t’i sjellë këto karakteristika në fokus të komunitetit kërkimor dhe të pasurojnë teorinë kryesore ekonomike.

Për të ilustruar disa nga rastet interesante të tyre do të dëshiroja t’ju kujtoja faktin se zhvillimi i tregjeve ekonomikë dhe financiarë në përgjigje të politikave të Bankës së Shqipërisë ka qenë i dobët dhe ndonjëherë i çuditshëm, duke e bërë të vështirë interpretimin e tij sipas modeleve kryesore ekonomike. Ndër të tjera, dëshira e huamarrësve të pambrojtur ndaj kursit të këmbimit për të marrë hua në monedhë të huaj, efektiviteti i reduktuar i mekanizmit të transmisionit në prani të besueshmërisë së bankës qendrore, roli potencial i tregjeve informale dhe paralele dhe aktiviteti ekonomik informal janë disa shembuj të tipareve interesante të sjelljes ekonomike. Shumë autorëve u duken tërheqëse zhvillime të tilla. Kështu, ata kanë kryer kërkime gjithëpërfshirëse për këto dukuri për ekonomi të ngjashme në zhvillim të cilat më vonë edhe janë publikuar.

Disa shembuj përfaqësues i gjejmë në punën kërkimore të bërë nga Banka Kombëtare e Austrisë për nivelin e euroizimit në rajon. Këto kërkime kanë dalë me rezultate interesante që kanë ndihmuar autoritetet, dhe kanë rritur interesin e institucioneve të tjera si dhe të akademikëve në lidhje me çështjet e euroizimit. Për më tepër, janë rritur shqetësimet për stabilitetin e tregut financiar dhe atë valutor në rast të një kthimi të papritur të kahut të flukseve të kapitalit në sistemin bankar rajonal. Së fundmi, në mjedisin ekonomik global po ndodhin ndryshime dramatike, përfshirë normalizimin e vazhdueshëm të qëndrimit të politikës monetare nga Fed, ShBA. Këto ndryshime potencialisht mund të ndikojnë mbi ecurinë e ekonomive të vogla e të hapura dhe për rrjedhojë duhen studiuar dhe kuptuar. Puna kërkimore e kryer nga Banka e Italisë është një tjetër shembull që përqendrohet në rajon duke ofruar një këndvështrim interesant rajonal për politikë-bërësit e eurozonës, për sa u përket vendimeve dhe veprimeve të tyre të politikës monetare. Ato kanë ofruar formalisht gjetje kërkimore mbi ndikimet e politikë-bërjes së tyre në grupin e madh të vendeve në periferi të euro zonës. Këto janë vetëm disa shembuj të kërkimit interesant e të dobishëm, që është i publikuar.

Këtë vit, kemi disa projekte që përfshijnë bashkëpunimin dhe punën e përbashkët midis kërkuesve të Bankës së Shqipërisë dhe atyre nga banka të tjera qendrore apo bota akademike. Kjo është një mënyrë tjetër për të rritur mundësinë e publikimit dhe do t’ju inkurajoja të rrisni numrin dhe fushat e bashkëpunimit në kërkim më hulumtues të huaj.

Për ta përfunduar, do të doja të ritheksoja se duhet të forcojmë efektivitetin e përgjithshëm të mekanizmit të transmisionit dhe qëndrueshmërinë e sistemit bankar dhe financiar, në mënyrë që goditjet e mundshme dhe të papritura të mos zhvillohen e të mos shndërrohen në rreziqe ekonomike dhe/ose sistemike. Kështu, duhet të rrisim kapacitetet dhe të kuptuarin për zhvillimet ekonomike dhe financiare dhe lidhjen e tyre me instrumentet e politikës, për t’ju përgjigjur si duhet rreziqeve të mundshme. Kjo mund të bëhet duke përmirësuar njohuritë tona aktuale mbi goditjet në periudha të mëparshme, zhvillimin dhe ndikimet e goditjeve të mundshme. Përvoja ka treguar se këto njohuri janë të plota vetëm kur ato janë rezultat i një procesi kërkimor të aftë dhe rigoroz. E fundit, por jo për nga rëndësia, duhet të vazhdojmë përpjekjet tona të politikës për të forcuar lidhjen midis kërkuesve dhe politikë-bërësve. Besoj se këto përpjekje do të zgjerohen si nga kërkuesit edhe nga përdoruesit fundorë të produktit kërkimor.

 

Të nderuar pjesëmarrës,

Materialet e diskutimit që do të paraqiten në këtë workshop pasqyrojnë mendimet serioze dhe diskutimet e kërkuesve ekspertë mbi çështje thelbësore. Ato përfshijnë jo vetëm punën e Bankës së Shqipërisë, por edhe punën kërkimore të kryer në banka të tjera qendrore dhe nga institucionet akademike. Temat trajtojnë një gamë të gjerë çështjesh të dobishme. Shpresoj që punët kërkimore që do të prezantohen sot do të nxisin një debat energjik dhe do të mundësojnë shkëmbenim e opinioneve të ndryshme që do të ndihmojnë për përmirësimin dhe forcimin e punës suaj nga një perspektivë ndryshe. Ftoj të gjithë pjesëmarrësit, si dhe kërkuesit e Bankës së Shqipërisë ta shohin këtë aktivitetet si një mundësi për të mësuar diçka të re dhe si një platformë për të forcuar bashkëpunimin, si në nivel vetjak dhe për institucionin që përfaqësoni.

Dëshiroj ta përfundoj fjalën time duke ju uruar një workshop produktiv dhe të suksesshëm.

 

Për të vizituar faqen e vjetër të internetit, klikoni këtu