BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko në Workshopin e 10-të të Kërkimeve Ekonomike në Evropën Juglindore, me temë “Përfshirja e goditjeve në vendimmarrjen e politikës monetare dhe atë të stabilitetit financiar”

Data e publikimit: 01.12.2016

 

Të nderuar pjesëmarrës,

Është një kënaqësi të hap punimet e Workshop-it X të Kërkimeve Ekonomike për Evropën Juglindore të organizuar nga Banka e Shqipërisë dhe t’i uroj mirëseardhjen të gjithë miqve të rinj dhe atyre që rikthehen. Përgëzoj gjithashtu punonjësit e Bankës së Shqipërisë që, si çdo vit, sjellin për të diskutuar materialet e punës së tyre kërkimore.

Workshop-i i këtij viti është ndërtuar rreth temave kryesore që dominojnë debatet ekonomiko-politike dhe akademike në fushën e ekonomisë, financës dhe bankingut qendror. Konkretisht, tematika është “Përfshirja e goditjeve në vendimmarrjen e politikës monetare dhe atë të stabilitetit financiar”.

 dsc8191 498py 8951 0

Fokusi drejt këtyre tematikave, justifikohet nga fakti se Banka qendrore dhe politikat duhet të përfshijnë në vendimmarrje një numër gjithnjë e më të madh goditjesh që po vijnë jo vetëm si rrjedhojë e fenomeneve ekonomike, por edhe e atyre politike, ligjore e rregullative. Sfidat me të cilat përballet politika monetare dhe stabiliteti financiar reflektojnë problematikat e shoqërisë në aspektin ekonomik, social e gjeopolitik. Këto sfida e gjejnë shembullin më të mirë në mosfunksionimin eficient të mekanizmave të transmisionit që duhet të përçojnë dhe të amplifikojnë efektet pozitive të vendimmarrjes nga bankat qendrore. Ato (sfidat) shkaktojnë rritjen e paqartësisë, pasigurisë dhe luhatshmërisë së tregjeve të mallrave e shërbimeve dhe atyre financiare, zgjerojnë dhe gërshetojnë natyrën e goditjeve dhe i vendosin autoritetet përballë fenomeneve të reja të paevidentuara më parë.

Këto zhvillime e bëjnë më të vështirë miradministrimin e politikave monetare e të stabilitetit financiar. Rrjedhimisht, është e nevojshme që kërkimi shkencor të hulumtojë e të propozojë zgjidhje të reja dhe modele teorike e empirike më efikase për implementimin e politikave nga bankat qendrore, të vlerësojë efektet e politikave të adaptuara, si dhe të ndjekë me kujdes efektet anësore në ekonomi apo sistemin financiar që potencialisht mund të shoqërojnë këto politika.

Bankingu qendror, për shkak të politikave monetare të pandodhura më parë, gjendet praktikisht në territore të pashkelura dhe është e nevojshme të vlerësohet se si ekonomia reagon ndaj goditjeve në këto kushte. Banka e Shqipërisë ka interes në identifikimin e goditjeve potenciale dhe modelimin e tyre për të garantuar zgjidhjen optimale në terma të çmimeve, aktivitetit ekonomik, punësimit dhe shëndetit të sistemit financiar. Prandaj ju ftoj të diskutojmë me transparencë e në detaje të gjitha materialet që do të prezantohen gjatë këtyre dy ditëve. Kjo do të na shërbente për të diskutuar e përmirësuar materialet e paraqitura dhe për të vlerësuar efektshmërinë e tyre për vendimmarrjen e BSH-së.

Banka e Shqipërisë vlerëson se aktualisht ekonomia dhe sistemi financiar paraqiten të shëndetshëm dhe në përputhje me pritshmëritë e parashikimet ekonomike që ne bëjmë. Treguesit aktualë të çmimeve dhe rritjes ekonomike nuk janë ende në ekuilibrat e tyre afatgjatë, por njëkohësisht nuk paraqesin surpriza që kërkojnë vëmendje të menjëhershme të Bankës së Shqipërisë dhe ndryshimin e politikave të saj monetare e të stabilitetit financiar. Ato janë në përputhje me pritshmëritë dhe shërbehen shumë mirë nga kursi aktual i vendimmarrjes së institucionit.

Konkretisht, çmimet e konsumit, të cilat përbëjnë dhe objektivin kryesor të politikës monetare, janë kthyer në trajektoren rritëse dhe pritet që në të ardhmen të afrohen gjithmonë e më shumë drejt objektivit prej 3%. Aktiviteti ekonomik mbetet i qëndrueshëm në shifra pozitive, duke shfaqur një tendencë të lehtë rritjeje dhe pritet të shfaqet njësoj edhe në të ardhmen.

Megjithatë, në vlerësimin tonë, shifrat aktuale mbeten larg kushteve optimale dhe ka vend për përmirësim të mëtejshëm si në normën e inflacionit, ashtu dhe në aktivitetin ekonomik. Ne gjykojmë gjithashtu se ka vend për një rritje më të shpejtë të kreditimit dhe ekspansionit monetar, por kjo mbetet e ndikuar nga situata e bilanceve të sektorit privat dhe sistemit bankar. Rënia e normave të interesit është përçuar në të gjitha segmentet e tregut financiar, duke ndikuar në uljen e kostos së kredive ekzistuese dhe duke mundësuar investime në projekte të reja. Përçimi i vendimmarrjes së politikës monetare ka ndihmuar sadopak në zbutjen e efekteve negative dhe në përmirësimin e bilanceve të familjeve dhe bizneseve. Gjithashtu, vlen të theksohet se gjatë kësaj kohe është vënë re një rritje e kreditimit në monedhën vendase që në vetvete përbën një arritje për transmetimin e politikës monetare dhe shëndetin e sistemit financiar e atë të sektorit privat.

Mbi të gjitha, vendimmarrja e politikës monetare ka ndihmuar ekonominë duke mos shkaktuar ndikime negative në treguesit e shëndetit bankar. Politikat monetare lehtësuese kanë potencialisht efekte anësore negative, të cilat nuk janë materializuar, si pasojë e administrimit të kujdesshëm të ndërhyrjeve në masë dhe në kohë të politikës monetare. Ruajtja e një sistemi të shëndetshëm është në fokus të veçantë të punës së përditshme dhe çdo vendim i Bankës merr në konsideratë edhe implikimet mbi sistemin bankar në vend.

Në perspektivë, goditjet afatshkurtra të së shkuarës janë kthyer në ekuilibra të qëndrueshëm në afatin e mesëm dhe politikat jotradicionale, të cilat po kthehen në mjete konvencionale të politikëbërjes nga partnerët tanë, kanë nxitur një sjellje të re ndërmjet agjentëve ekonomikë e financiarë. Këto ndryshime ndikojnë mbi aftësinë e Bankës së Shqipërisë për të stimuluar ekonominë e për të zbutur efektet e goditjeve ekonomike gjatë vështirësive që mund të lindin në të ardhmen. Mbetet për t’u vlerësuar nga studimet nëse po përjetojmë një ekuilibër të ri apo ka probleme të tjera në transmetimin e politikave lehtësuese dhe nëse qëndrueshmëria dhe reagimi ndaj goditjeve mbetet si në periudhat para krizës.

Ndërkohë, proceset rregullatore e axhustuese që po shoqërojnë vendimmarrjen e politikës monetare (dhe sidomos ato që do të pasojnë kthimin në normalitetin e të shkuarës) mund të nxisin goditje të përkohshme me efekte si në ekonominë evropiane, ashtu edhe në ekonomitë e vogla të lidhura me të. Është përsëri detyrë e kërkimit shkencor të hetojë e analizojë goditjet potenciale e t’i modelojë ato në kuadrin e modeleve ku bazohet vendimmarrja e bankës qendrore. Kjo situatë nuk është unike për Shqipërinë, por është një problematikë globale. Prandaj jemi të lumtur të kemi pjesëmarrës nga të gjitha rajonet, të cilët me kërkimin e tyre do të sjellin eksperienca të reja nga të cilat do të përfitojmë jo vetëm prej konkluzioneve të studimeve, por edhe prej metodologjive të kërkimit që janë përdorur.

Fatmirësisht, temat që do të diskutohen prekin të gjithë spektrin e interesit të bankës qendrore dhe do të pasurojnë përvojën tonë me gjykimin dhe fokusin e kërkimit tuaj shkencor. Uroj që dhe eksperienca e Bankës së Shqipërisë të jetë interesante për ju dhe të sjellë informacion të vlefshëm për kërkimin tuaj shkencor aktual dhe në të ardhmen.

I jam mjaft mirënjohës bankave qendrore të rajonit dhe atyre evropiane, që vlerësojnë lart Workshop-in tonë të kërkimit shkencor dhe që kontribuojnë në ngritjen e reputacionit të tij me pjesëmarrjen e tyre.

Në përfundim, dëshiroj t’ju uroj punë të mbarë gjatë këtyre dy ditëve të Workshop-it dhe shpresoj të shihemi përsëri në aktivitetet e ardhshme të Bankës së Shqipërisë.

Ju faleminderit!