BANKA E SHQIPËRISË
NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko në Workshopin e 18-të të Kërkimeve Ekonomike për Evropën Juglindore
Data e publikimit: 19.11.2024
E nderuar Zonja Ambasadore Huber!
Të nderuar pjesëmarrës!
Më lejoni t’ju uroj mirëseardhjen në Takimin e 18-të të Kërkimeve Ekonomike për Evropën Juglindore të organizuar nga Banka e Shqipërisë. Edhe këtë vit, kam nderin të përshëndes këtë takim, ku studiues dhe akademikë, nga rajoni dhe më gjerë, mblidhen për të diskutuar mbi sfidat ekonomike dhe financiare që prekin ekonomitë tona.
Fillimisht, dëshiroj të falënderoj Departamentin e Kërkimeve në Bankën e Shqipërisë dhe të gjithë pjesëmarrësit nga bankat e tjera qendrore për kontributin e tyre të çmuar, si dhe mbështetjen në këtë bashkëpunim që vijon prej më shumë se një dekade.
Një mirëseardhje të veçantë i uroj Shkëlqesisë së saj, zj. Ruth Huber, Ambasadore e Zvicrës në Shqipëri, prania e së cilës nënvizon bashkëpunimin e ngushtë midis dy vendeve tona në avancimin e kërkimit ekonomik dhe ndërtimin e kapaciteteve. Aktualisht, po bashkëpunojmë për krijimin e një infrastrukture të fortë dhe të dobishme për modelimin ekonomik për të mbështetur vendimmarrjen e Bankës së Shqipërisë në lidhje me ndryshimet klimatike, si dhe ndikimin e tyre në stabilitetin financiar.
Takimi i këtij viti vjen në një moment të veçantë, ku ekonomia globale përballet me pasiguri të shtuara që vijnë nga një mjedis i paqëndrueshëm i inflacionit dhe normave të interesit, por edhe me pasiguri politike dhe institucionale që krijojnë terren për ndryshime të rëndësishme të politikave dhe qeverisjes në vitet e ardhshme. Gjithashtu, sfidat e tjera afatgjata të lidhura me ndryshimet e klimës, digjitalizimin dhe përfshirjen financiare, apo sigurinë kibernetike, kërkojnë ndërmarrjen e politikave të rëndësishme, të cilat nxiten nga diskutime në forume të tilla.
Përgjatë këtyre dy ditëve, materialet dhe studimet e prezantuara do të diskutojnë mbi implikimet e normave të interesit dhe kursit të këmbimit në ekonomi dhe në sektorin financiar, duke analizuar mënyrën se si tregtia dhe financa ndërveprojnë me njëra-tjetrën, si dhe me faktorët mjedisorë, socialë dhe të mirëqeverisjes (ESG), në kuadër të zhvillimit të qëndrueshëm dhe afatgjatë të ekonomisë. Një tjetër çështje që do të shqyrtohet është edhe ekuilibri midis politikave monetare dhe fiskale, dinamika e financave digjitale dhe implikimet e çmimeve të pasurive të patundshme në stabilitetin makrofinanciar. Pjesë e diskutimeve do të jetë roli jetik i flukseve hyrëse të kapitalit, si investimet e huaja direkte dhe remitancat, në nxitjen e rritjes dhe të stabilitetit makroekonomik. Pjesë e agjendës së këtij viti është edhe eksplorimi i metodave të kërkimit të inteligjencës artificiale dhe të machine learnig, si dhe fuqisë së tyre transformuese në politikëbërje dhe analiza. Përdorimi i këtyre mjeteve është bërë gjithnjë e më kritik në rritjen e saktësisë dhe përshtatshmërisë së vendimeve dhe politikave, veçanërisht përballë ndryshimeve të shpejta ekonomike dhe financiare, si dhe të një informacioni gjithmonë në rritje.
Më duhet të nënvizoj që ekonomia shqiptare ka pësuar ndryshime të rëndësishme strukturore, që lidhen me rritjen e shpejtë të turizmit dhe ndërtimit; ndryshime demografike të lidhura me plakjen e popullsisë, migrimin e saj, si dhe procesin e integrimit në BE. Gjatë pesë viteve të fundit, ekonomia e Shqipërisë është përballur me luhatje të konsiderueshme të çmimeve për shkak të fenomeneve natyrore, goditjeve ekonomike dhe zhvillimeve gjeopolitike. Si përgjigje, politika jonë monetare ka dëshmuar të jetë e zhdërvjellët ndaj këtyre ndryshimeve, duke siguruar që kushtet e financimit të mbeten të favorshme për një rritje ekonomike të qëndrueshme, të reflektuar në rritjen e kreditimit me bazë të gjerë dhe likuiditetin e bollshëm në sistemin financiar.
Nga ana tjetër, krahas rregullimeve në normat e interesit, Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë politika të tjera, si ato makroprudenciale në bashkëveprim me ato me natyrë mikroprudenciale. Në të njëjtën kohë, minimizuam paqëndrueshmërinë e çmimeve, duke ruajtur një ekuilibër delikat midis kërkesës dhe ofertës. Menaxhimi ynë strategjik i kushteve monetare siguroi që inflacioni të kthehej në objektiv pa shkaktuar recesion, duke nënvizuar angazhimin tonë ndaj stabilitetit makroekonomik në vend.
Paralelisht, Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë edhe një sërë nismash të tjera që kanë të bëjnë me rritjen e përfshirjes dhe kulturës financiare, ku ligji mbi shërbimet e pagesave dhe mbi llogarinë bazë, anëtarësimi ynë në SEPA dhe strategjia për edukimin dhe përfshirjen financiare, pritet të sjellin ndryshime të rëndësishme në zhvillimin e mëtejshëm të sistemit financiar. Këto masa synojnë ta modernizojnë atë, të rrisin përfshirjen financiare, të reduktojnë informalitetin në ekonomi, si dhe të përmirësojnë transmetimin e politikës monetare. Ato janë jetike për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe atij financiar, nxitjen e rritjes së qëndrueshme dhe mbështetjen e objektivave më të gjerë makroekonomikë të Shqipërisë.
Të nderuar pjesëmarrës,
Jam i bindur se njohuritë e marra në këtë forum, jo vetëm që do të pasurojnë njohuritë tona mbi çështjet komplekse me të cilat përballemi, por do të na ndihmojnë gjithashtu të krijojmë politika më efektive, në funksion të stabilitetit të çmimeve dhe atij financiar, për një rritje ekonomike të qëndrueshme dhe afatgjatë.
Mbi të gjitha, besoj se hulumtimi juaj kërkimor jep një kontribut të rëndësishëm për bankat qendrore, duke iu mundësuar atyre të shërbejnë si një shtyllë thelbësore e stabilitetit të çmimeve dhe të stabilitetit financiar, rol të cilin Banka e Shqipërisë e luan me shumë përgjegjshmëri.
Falënderoj edhe njëherë Shkëlqesinë e Saj, Zj. Ruth Huber, dhe në mënyrë të veçantë, Sekretariatin e Shtetit Zviceran për Çështjet Ekonomike, për kontributin që SECO i ka dhënë Bankës së Shqipërisë në kërkimin shkencor, politikën monetare dhe stabilitetin financiar. Ky kontribut ka ndihmuar në rritjen e njohurive, ekspertizës dhe aplikimit të metodave bashkëkohore të analizës ekonomike e financiare, si dhe në përmirësimin dhe zgjerimin e modeleve të parashikimit dhe të analizës. Jam besimplotë që këtë bashkëpunim do ta zgjerojmë edhe më tej në të ardhmen në fushat të tjera të bankingut qendror.
Më lejoni t’ju përgëzoj edhe njëherë, duke ju nxitur të vazhdoni projektet tuaja kërkimore, me qëllim gjenerimin e gjetjeve, sugjerimeve dhe këshillave të dobishme për vendimmarrësit.
Ju uroj diskutime sa më të frytshme, për të ndërtuar së bashku një të ardhme ekonomike afatgjatë të qëndrueshme për të gjitha vendet e Evropës Juglindore.
Faleminderit!