BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko në aktivitetin “Kreditimi dhe Financimi i Bujqësisë Shqiptare”

Data e publikimit: 26.01.2022

 

I nderuar Zoti Kryeministër,

Të nderuara Zonja Ministre,

E nderuara zonja Drejtuese e BERZh-it për Shqipërinë,

Të dashur miq e kolegë,

Në radhë të parë, më lejoni t’ju falenderoj për ftesën për të marrë pjesë në këtë eveniment, të dizenjuar për të diskutuar mbi problemet e kreditimit të sektorit bujqësor në vend dhe për të prezantuar nismën mbi mekanizmin lehtësues të financimit të agrobiznesit dhe turizmit shqiptar.

Banka e Shqipërisë ka mirëpritur në vazhdimësi dialogun transparent e konstruktiv midis autoriteteve publike, sektorit privat, industrisë bankare dhe partnerëve ndërkombëtare, për të adresuar çështje të cilat i shërbejnë zhbllokimit të potencialit zhvillimor të vendit dhe rritjes së mirëqenies së tij.

 DSC8446 498

Në veçanti, më lejoni të evidentoj faktin se – me gjithë progresin e dukshëm të bërë gjatë viteve të fundit – sektori bujqësor shqiptar në tërësi dhe degët e lidhura me të: agroturizmi dhe agrobiznesi, janë ende larg shfrytëzimit të plotë të resurseve dhe mundësive që ato zotërojnë.

Për ta ilustruar me shifra, thuajse gjysma e popullsisë në Shqipëri banon në zona rurale dhe sektori bujqësor punëson rreth 1/3 e forcës punëtore të vendit. Megjithatë, ky sektor gjeneron diçka më pak se 20% të vlerës së shtuar në ekonomi, ndërsa produktiviteti i fuqisë punëtore të angazhuar në bujqësi dhe të ardhurat e tyre për frymë janë sa gjysma e degëve të tjera të ekonomisë.

 DSC8292 498

Në këndvështrimin tim, është e qartë se zhvillimi i qëndrueshëm dhe i balancuar i vendit kërkon një vëmendje më të madhe për sektorin bujqësor, në interes jo vetëm të përmirësimit të strukturës prodhuese, por edhe të rritjes së mirëqenies së popullsisë rurale dhe të promovimit të barazisë sociale.

Problemet e zhvillimit të sektorit bujqësor janë të shumta e komplekse. Në një masë të madhe, ato qëndrojnë jashtë sferës së ekspertizës e kompetencës së Bankës së Shqipërisë. Megjithatë, jam i bindur se tema e diskutimit të sotëm; mbështetja me fonde dhe kredi e sektorit bujqësor, meriton të ketë një vëmendje më të madhe nga sektori bankar.

 DSC8258 498

Aktualisht, sektori bujqësor përfiton vetëm 1.7% të financimit që bankat ofrojnë për biznesin privat. Ky raport nuk ka ndryshuar në dekadën e fundit, me gjithë risitë që ka ofruar sistemi bankar për tregun e kredidhënies, dhe mbetet larg nevojave reale të sektorit.

Problemet specifike të kreditimit të sektorit bujqësor janë evidentuar me kohë dhe një pjesë e tyre mbeten ende relevante. Megjithatë, mendoj se disa prej tyre janë drejt adresimit ndërsa pengesat e tjera duhet të jenë pjesë e një vlerësimi kritik dhe zgjidhja e tyre duhet të jetë pjesë integrale e axhendave tona të punës në të ardhmen.

 DSC8181 498

Më konkretisht, arsyeja e parë e nivelit të ulët të kreditimit ka të bëjë me rrezikun e lartë, real e të perceptuar, që ka investimi në bujqësi. Megjithatë, ky rrezik mendoj se është drejt reduktimit. Nga njëra anë, përmirësimi i infrastrukturës mbështetëse të prodhimit bujqësor, përmirësimi i rrjetit rrugor dhe konsolidimi i zinxhirit të tregtisë që sjell produktet në tregje, përmirëson modelin e biznesit të këtij sektori. Nga ana tjetër, promovimi i agroturizmit dhe mbështetja e agrobiznesit, rrit zinxhirin e vlerës së shtuar dhe rentabilitetin e investimit në bujqësi.

Në këtë kontekst, dëshiroj të përshëndes skemën e mekanizimit lehtësues të agrobiznesit, skemë e cila përfshin kontributin e përbashkët të Qeverisë Shqiptare dhe të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Kjo skemë ofron një kontribut të qenësishëm, rreth nivelit të 150 milionë eurove, si në formën e kredive direkte dhe në atë të mbështetjes me garanci për kreditim. Sa më sipër, duke konstatuar përgjigjen pozitive që sektori bankar i ka dhënë kësaj skeme, ku tashmë katër banka janë pjesë e saj, dëshiroj të inkurajoj dhe bankat e tjera drejt adoptimit të një përqasjeje më pozitive ndaj këtij sektori.

 DSC8682 498

Gjithashtu, gjej me vend të theksoj se përvoja botërore sugjeron se reduktimi i rrezikut në bujqësi mund të adresohet edhe nëpërmjet promovimit të skemave të sigurimit privat, të cilat duhet të jenë në të ardhmen pjesë integrale e këtij ekuacioni.

Arsyeja e dytë e nivelit të ulët të kreditimit në bujqësi ka të bëjë me fragmentarizimin e tokës bujqësore, fragmentarizim i cili pengon gjenerimin e ekonomive të shkallës, ul produktivitetin e sektorit dhe redukton atraktivitetin e tij për industrinë bankare. Për ilustrim, duke ju referuar të dhënave të Komisionit Evropian, një fermë tipike shqiptare zotëron mesatarisht 1.2 hektarë tokë, krahasuar me një mesatare prej rreth 14 hektarë në Evropë. Në të njëjtën kohë, sipas të dhënave të INSTAT-it, rreth 99.6% e bizneseve bujqësore punësojnë  nga një deri në katër të punësuar, një raport ky dukshëm më i lartë se mesatarja e sektorëve të tjerë të ekonomisë.

Në këtë kontekst, larg emocioneve negative që mund të ngjallë memoria e kooperativave ineficiente të kohës së komunizmit, mendoj se ka nevojë për një ndërgjegjësim më të madh të fermerit shqiptar për krijimin e partneriteteve dhe skemave kolektive të ndarjes së rrezikut, të bazuara mbi iniciativën e lirë dhe interesat e përbashkëta. Këto partneritete përmirësojnë aksesin e fermerëve në kredi dhe shanset e tyre për sukses.

Arsyeja e tretë e nivelit të ulët të kreditimit në bujqësi ka të bëjë me mungesën e një kolaterali të shëndoshë. Në shumë raste, titulli i pronësisë mungon ose vlera e tij është e ulët përkundrejt nevojave për financim.

Skemat e garancisë sovrane ofrojnë një zgjidhje të përshtatshme – në afatin e shkurtër e të mesëm – për zbutjen e këtij problemi. Megjithatë, adresimi i tij në afatin e gjatë do të kërkojë më shumë vëmendje nga autoritetet lokale.

 

Të nderuar përfaqësues të sektorit bankar,

Banka e Shqipërisë gjykon se ka ardhur koha që sektori bankar të rrisë vëmendjen ndaj sektorit bujqësor. Shqipëria gëzon rreth 24% të territorit të saj si tokë bujqësore, si dhe ofron mundësi ende të pashfrytëzuara plotësisht në fushën e agroturizmit dhe të agrobiznesit.

Ky potencial duhet parë si një mundësi e përbashkët rritjeje e bujqësisë dhe e industrisë bankare, si dhe si një mundësi për të diversifikuar burimet e rrezikut të kredisë në bilancet tuaja.

Përmirësimet e vazhdueshme strukturore, modernizimi i bujqësisë dhe rritja e produktivitetit, mbështetja në rritje e me fonde dhe vëmendje publike, ofrojnë një realitet të ri në sektorin bujqësor. Përtej tyre, procesi i konvergjencës me Bashkimin Evropian ofron oportunitete shtesë.

Në këtë kontekst, pa cenuar treguesit e tij të shëndetit, jam i bindur se sektori bankar do të dijë të pozicionohet si një agjent mbështetës zhvillimi. Ky sektor duhet të rrisë vëmendjen  dhe kapacitetet e tij financuese, analizuese dhe këshilluese, duke përmbushur misionin e tij në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.

Ju faleminderit!