BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko në çeljen e punimeve të Workshop-it XV të Kërkimeve Ekonomike për Evropën Juglindore

Data e publikimit: 06.12.2021

 

Të nderuar profesorë dhe studiues nga akademia,

Të nderuar kolegë dhe studiues të bankave qendrore,

Të nderuar pjesëmarrës,

Është kënaqësi të hap punimet e Workshop-it XV të Kërkimeve Ekonomike për Evropën Juglindore, të cilin edhe këtë vit po e organizojmë online për shkak të kufizimeve që vazhdojnë të mbeten në fuqi si pasojë e pandemisë. Përfitoj nga rasti t’ju uroj të gjithëve shëndet dhe sa më pak probleme të shkaktuara nga COVID-19. Shpresoj se vaksinimi, avancimi i njohurive e kurave për COVID-19 dhe lehtësimi i pandemisë do të na mundësojnë që vitin tjetër të mund t’ju mirëpresim në Tiranë. Vërej me kënaqësi se edhe këtë vit kemi një pjesëmarrje të gjerë dhe një program të pasur, ku në dy ditët e aktivitetit do të prezantohen punët e kolegëve dhe kërkuesve nga bankat qendrore dhe universitetet prestigjioze brenda dhe jashtë vendit. Duke vlerësuar shumë interesimin tuaj për pjesëmarrje dhe punimet kërkimore në Bankën e Shqipërisë gjatë vitit 2021, shpreh bindjen se do të keni diskutime interesante në të gjitha panelet e Workshop-it.

 DSC2275

Organizimi i përvitshëm i këtij workshop-i, na ka shërbyer jo vetëm për këmbimin e eksperiencave me bankat qendrore të vendeve pjesëmarrëse, por kanë pasuruar punën kërkimore e përmes kësaj janë bërë pjesë integrale e formulimit të politikave. Ato kanë dhënë një kontribut të vlefshëm për konfirmimin e modeleve dhe interpretimin e rezultateve të kërkimit që mundësojnë hartimin, kalibrimin dhe implementimin e masave për përballimin e pandemisë dhe goditjeve të ngjashme. Konkluzionet, komentet dhe diskutimet tuaja iu vijnë në ndihmë autorëve tanë të përmirësojnë studimet e përmes kësaj kontribuojnë në formulimin dhe vendimmarrjen e politikave në bankën qendrore. Evidencat, analizat dhe parashikimet e bazuara në punën që ju do të paraqisni në këto dy ditë do të ofrojnë informacion të saktë dhe të vlefshëm për orientimin dhe koordinimin e vendimmarrjes edhe në të ardhmen.

Këtë vit do të prezantohen e diskutohen 20 punime, të cilat pavarësisht se mbulojnë një gamë të gjerë tematikash mbeten të lidhura drejtpërdrejt me aktivitetin dhe interesin e bankës qendrore. Kemi prekur pothuajse të njëjtat tema edhe një vit më parë, megjithatë kushdo që ndjek debatin aktual të bankingut qendror, mund të thotë me habi: “Kush është diferenca krahasuar me një vit më parë?!”.

E them këtë sepse kujtoj se vjet diskutimi fokusohej te politika monetare moderne, sipas të cilës bilanci i bankës qendrore mund e duhet të përdoret gjerësisht si një instrument i përhershëm i politikës monetare për të nxitur kërkesën agregate.

 DSC2353 copy

Ndërkohë tema që mbizotëron sot diskutimin e politikës monetare, është shqetësimi për inflacionin e vërejtur së fundi dhe jetëgjatësinë e tij. Zhvillimet e fundit inflacioniste i kanë ndarë akademikët dhe bankierët qendrorë në dy kampe që mbajnë qëndrime diametralisht të kundërta. Në njërën anë janë ata që mendojnë se inflacioni aktual është një fenomen i rrezikshëm që rrezikon të nxisë një situatë inflacioniste e rrjedhimisht kërkojnë ndërhyrjen e menjëhershme për të zhbërë politikat e bilancit e rritjen e normave të interesit. Në anën tjetër, qëndron grupi i cili mendon se zhvillimet aktuale të inflacionit janë fenomene të përkohshme, të nxitura nga problematikat e ofertës që reflektojnë efektet negative të pandemisë. Kuptohet që këto pikëpamje diametralisht të kundërta ndërmjet ekonomistëve tregojnë se puna për përmirësimin e modeleve të inflacionit nuk duhet të ndalet, sidomos kur edhe pas gjithë këtyre viteve pune dhe kërkimi për njohjen e fenomenit të inflacionit përsëri kemi dyshime dhe qëndrime të dyzuara.

 DSC2532 foto grupi copy 498

Ashtu siç parashikuam në workshop-in e vitit të kaluar, pasiguria e lartë për prodhimin dhe shpërndarjen janë faktorë që mbajnë peng rimëkëmbjen. Pandemia duket se ka ngritur barriera për globalizimin dhe kjo pritet të ketë efekte të rëndësishme në ekonomi. Kombinimi i këtyre dy efekteve e ka dhënë ndikimin e vet të menjëhershëm te çmimet, duke nxitur rritjen e inflacionit si pasojë e këtyre efekteve të ofertës. Megjithatë, ky nuk është një konkluzion i qartë. Jo pak zëra nga bota akademike dhe ajo e bankingut qendror mendojnë se inflacioni mund të jetë efekt edhe i politikave ekspansioniste të bankave qendrore. Natyrisht qëndrimet e kundërta vijnë si rezultat edhe i paqartësive mbi efektet, gjeografinë dhe masën me të cilën pandemia ka prekur ekonomitë. Prandaj studimet mbi efektet e pandemisë duhet të vazhdojnë. Ndërkohë, që është e qartë se të gjitha modelet, sado të mira të jenë, kanë nevojë për interpretim nga këndvështrimi i ngjarjeve të momentit dhe fenomeneve mbisunduese të kohës.

Baner 15th South-Eastern European Economic Research Workshop of the Bank...

 

Të nderuar pjesëmarrës,

COVID-19 me problematikat dhe kufizimet e tij, vazhdon të mbetet një faktor dominant i jetës dhe aktivitetit ekonomik e shoqëror dhe natyrisht është pjesë e rëndësishme e analizës dhe kërkimit edhe për bankën qendrore. Kjo nuk është një surprizë dhe mendoj se goditja që pandemia shkaktoi dhe efektet e saj do të vazhdojnë të mbeten në agjendat e kërkimit për një kohë të gjatë edhe pas mbarimit të saj.

E megjithatë, zhvillimet e vitit të fundit tregojnë se agjendat e kërkimit të bankave qendrore janë pasuruar me studimin e rreziqeve të tjera, si ato që lidhen me ndryshimin e klimës e mjedisin, rreziqet demografike, digjitalizimi dhe monedhat digjitale etj. Këto janë identifikuar si sfida të mëdha e afatgjata për ekonominë globale dhe autoritetet e çdo vendi. Banka e Shqipërisë ka filluar punën për krijimin e infrastrukturës për modelimin dhe analizën e këtyre fenomeneve. Është e rëndësishme që për këto tema të mos mendohet vetëm në formën e testimit të hipotezave apo diskutimeve akademike, por të mendohet më shumë në kuadrin konkret të politikëbërjes dhe vendimmarrjes. Jam i sigurt se ato do të bëhen tema të rëndësishme diskutimi Workshop-it tonë të Kërkimeve në të ardhmen.

Duke uruar që të keni dy ditë të mbushura me diskutime dhe komente produktive, ju ftoj në panelet e prezantimeve dhe diskutimeve frytdhënëse!