BANKA E SHQIPËRISË

Fjala e Guvernatorit Sejko në ceremoninë e hapjes së Javës së Parasë, 12-18 mars 2018

Data e publikimit: 12.03.2018

 

I nderuar z. Pedrazzi,

Të dashur nxënës e studentë, mësues e miq të Javës së Parasë,

Si çdo vit, edhe këtë fillim pranvere kam kënaqësinë t’ju uroj mirëseardhjen në godinën tonë qendrore, si dhe t’ju falënderoj për pjesëmarrjen tuaj në Javën e Parasë, 2018.

Ky vit mbart një rëndësi të veçantë, pasi shënon plot një dekadë angazhimi të Bankës së Shqipërisë në fushën e edukimit financiar, që në mënyrë kuptimplotë, fillimin e saj e gjen pikërisht në një Memorandum Bashkëpunimi të nënshkruar me Ministrinë e Arsimit.

Edukimi dhe përfshirja financiare, gjatë këtyre viteve, kanë zënë gjithmonë e më shumë një vend të rëndësishëm në punën tonë të përditshme, duke krijuar dhe zbatuar projekte të panumërta edukative.

Ato u janë dedikuar grupmoshave të ndryshme, duke filluar nga trajnimet dhe broshurat, deri tek programet dedikuar shkollave të mesme “Financat personale në duar tuaja”, paketa mësimore për klasat fillore, si dhe aplikacionet mbi paranë.

Për më tepër, vetë Muzeu i Bankës së Shqipërisë shënon kurorëzimin e përpjekjeve tona, duke ofruar një hapësirë multi-funksionale, ku vizitorët mund të mësojnë më shumë jo vetëm për historinë monetare të vendit tonë dhe institucionin e Bankës Qendrore, por dhe të thellojnë kulturën e tyre financiare.

Të gjitha këto eksperienca të vyera, na kanë shërbyer që sot të jemi pjesë dinjitoze e Javës së Parasë, e cila sivjet festohet në më shumë se 135 shtete.

Java 12-18 mars 2018 njihet në mbarë botën si Java e Parasë. E iniciuar nga  Child and Youth Finance International, me mbështetjen e Organisation for Economic Co-operation and Development (OECD), dhe e përqafuar nga më shumë se 23.000 organizata anembanë globit, Java e Parasë është një fushatë e përvitshme ndërgjegjësimi financiar, e ndërtuar për të frymëzuar fëmijët dhe të rinjtë për të mësuar rreth çështjeve të parasë, mjeteve të jetesës dhe sipërmarrjes.

Kjo festë e parasë synon ndërgjegjësimin e brezit të ri për të qenë qytetarë të ardhshëm të përgjegjshëm dhe të aftë për të marrë vendime financiare të mirë-menduara.

Në kuadër të saj, ashtu si edhe në vitet e kaluara, Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Bankave dhe mbështetjen e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, si shumë institucione të tjera në mbarë globin do të organizojnë aktivitete të larmishme për t’i përfshirë fëmijët dhe të rinjtë, duke u mësuar si të kujdesen për paratë, si të kursejnë, si të mendojnë financiarisht apo si t’i kuptojnë ndryshimet në sistemet ekonomike ku jetojnë, si të fitojnë të ardhura nëpërmjet sipërmarrjes dhe të vendosin bazat për të ardhmen e tyre nëpërmjet kulturës financiare. Për t’i realizuar këto objektiva, gjatë javës do të organizojmë leksione, konkurse, vizita në banka dhe në Muze, duke synuar të përfshijmë një numër sa më të madh nxënësish dhe studentësh.

Këtë vit, motoja e zgjedhur “Paraja: Ç’të mbjellësh, do të korrësh”, thekson më shumë se çdo gjë tjetër rëndësinë e çështjeve të parasë si mjet i domosdoshëm për të arritur dhe ruajtur mirëqenien. Përmes aktiviteteve që do të na shoqërojnë gjatë gjithë kësaj jave, kemi kërkuar të tërheqim edhe njëherë vëmendjen e të rinjve dhe fëmijëve mbi domethënien e financave personale dhe ndikimin e vendimeve të mirëmenduara në suksesin personal të gjithsecilit e të shoqërisë si një e tërë.

Si në çdo aktivitet tjetër edukues të Bankës së Shqipërisë, përtej mesazhit që duam të përçojmë, vlerësojmë vendimtar frymëzimin, origjinalitetin dhe të menduarit aktiv, si mënyra më efektive për përthithjen e një teme sa komplekse, aq edhe të prekshme siç janë financat.

Me krenari e themi se të gjitha punët pjesëmarrëse në konkurset tona i përmbajnë këto elemente, duke demonstruar kështu që pavarësisht se sfidues, edukimi financiar i fëmijëve dhe të rinjve mund të jetë dhe është i mundur. Gjithashtu, puna dhe impenjimi i tyre na shërben si incentivë për të sjellë projekte gjithnjë e më ambicioze dhe si shtysë e qartë për ta shtrirë gjeografikisht këtë aktivitet çdo vit e më shumë.

Konkurset për nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, si dhe ato për studentët, janë pritur shumë mirë dhe pjesëmarrja në to çdo vit sa vjen e rritet, ku këtë vit janë përfshirë rreth 55 shkolla 9-vjeçare, 14 shkolla të mesme, 8 universitete dhe mbi 1000 nxënës e studentë në 14 qytete. Kjo falë edhe impenjimit të mësuesve e të pedagogëve, pa pasionin e të cilëve, të gjitha këto do ishin të pamundura.

Në përfundim, duke ju falënderuar të gjithëve ju për bashkëpunimin e deritanishëm, më lejoni t’i ftoj edhe njëherë të gjitha institucionet pjesëmarrëse dhe jo vetëm, për vazhdimin dhe intensifikimin e bashkëpunimit tonë edhe në të ardhmen, në këtë angazhim që kemi ndërmarrë në të mirë të brezave që do të vijnë dhe natyrisht të shoqërisë shqiptare si e tërë.