BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko në ceremoninë e hapjes së Javës së Parasë, 22-26 mars 2021

Data e publikimit: 23.03.2021

 

E nderuar zj. Ministre e Arsimit Sportit dhe Rinisë,

I nderuar z. Kryetar i Shoqatës Shqiptare të Bankave,

Të nderuar nxënës e mësues, miq dhe kolegë,

Kam kënaqësinë t’ju uroj mirëseardhjen në ceremoninë çelëse të Javës Globale të Parasë për vitin 2021. Prej pothuajse 10 vitesh, Banka e Shqipërisë është bërë pjesë e kësaj lëvizjeje ndërkombëtare, duke organizuar përgjatë çdo fund marsi aktivitetet edukative dhe ndërgjegjësuese për grupmoshat e nxënësve të arsimit para universitar dhe atij universitar. Si është tashmë e traditës, Java Globale e Parasë organizohet në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Bankave dhe me mbështetjen e vyer të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Për shkak të vështirësive shkaktuar nga pandemia COVID-19, Java Globale e Parasë për këtë vit nuk do të çelet si zakonisht në mjediset e Muzeut të Bankës së Shqipërisë, por virtualisht, në respektim të rregullave të distancimit social.  

Ashtu si e kam theksuar edhe gjatë prezantimeve të shkuara, kjo javë është një nismë ndërkombëtare e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) , e cila synon ndërgjegjësimin e brezit të ri për të qenë qytetarë të përgjegjshëm financiarisht në të ardhmen.

DSC 5358 498

Çdo vit, gjatë muajit mars, bankat qendrore, agjencitë shtetërore, institucionet financiare, dhe organizata të shoqërisë civile në mbarë botën organizojnë Javën e Parasë. Numri i vendeve të angazhuara në këtë event global dhe rrjedhimisht edhe i fëmijëve e të rriturve të përfshirë në të, ka ardhur në rritje. Këtë vit, Java Globale e Parasë do të organizohet në rreth se 175 vende të botës dhe pritet të përfshihen në të rreth 40 milionë fëmijë dhe të rinj.

Emergjenca globale shëndetësore dhe ekonomike e COVID-19, si dhe impaktet e saj shoqërore, kanë ndikuar pothuajse të gjitha aspektet e jetës të të gjitha nëngrupeve të shoqërisë.  Tashmë është e qartë që grupmosha të ndryshme po i përjetojnë këto ndikime në mënyra të ndryshme. Kështu, sa i përket nxënësve dhe të rinjve, krahas aspektit shëndetsor, pandemia i ka përballur ata edhe me sfida në fushat e edukimit dhe punësimit. Për këto arsye, tashmë është më e rëndësishme se kurrë t’i pajisim ata me dijen e duhur mbi menaxhimin e financave personale dhe shfrytëzimin e saktë të produkteve bankare.

DSC 5315 498

Ndaj, konkurset dhe aktivitetet e këtij viti janë organizuar nën temën “Kujdesu për veten, kujdesu për paratë e tua”.  Tema nënvizon rëndësinë kyçe që kanë njohuritë mbi një treg financiar gjithnjë e më të digjitalizuar dhe inovator, i cili i mundëson publikut të shmangë marrëdhënien fizike gjatë përdorimit të produkteve financiare e bankare, duke siguruar kështu edhe një mbrojtje më të mirë të shëndetit publik. Në këtë këndvështrim, Banka e Shqipërisë, si institucioni mbikëqyrëse dhe nxitës i sistemit bankar shqiptar, përveç përgjigjes së menjëhershme ndaj vështirësive të ardhura si pasojë e COVID-19, përmes një pakete të plotë masash monetare, mbikëqyrëse, makroprudenciale dhe operacionale, e gjen jo më pak të rendësishme edhe hartimin dhe organizimin e iniciativave edukuese si është dhe Java Globale e Parasë.

Nëpërmjet aktiviteteve edukuese dhe ndërgjegjësuese të kësaj jave, ne synojmë të afrojmë brezin e ri me botën e ndërlikuar të financave dhe bankingut; të prezantojmë dhe të përçojmë njohuri mbi mundësitë, por dhe rreziqet, që produktet e larmishme bankare e  financiare mbartin; si dhe të prezantojmë publikun e ri me informacione të nevojshme mbi huamarrjen dhe kursimin.  Ky komunikim dhe ndërgjegjësim i brezit të ri, ndihmon gjithashtu që tregu financiar e ai bankar të bëhen më të qëndrueshëm, gjithëpërfshirës dhe efecientë. 

Iniciativat edukuese të Bankës së Shqipërisë nuk kufizohen vetëm në aktivitetet e Javës Globale të Parasë. Edukimi financiar i publikut  është pjesë e rëndësishme e punës tonë të përditshme. Kështu, përmes mjeteve edukative virtuale të vendosura në faqen tonë zyrtare, nxënësit dhe mësuesit mund të mësojnë gjatë gjithë vitit mbi çështje të financave, duke parë video dhe shfletuar literaturë dedikuar arsimit parauniversitar dhe studentëve. Faqja jonë përmban informacione të thjeshtëzuara mbi tema të jetës së përditshme si hapja e një llogarie bankare, menaxhimi i buxhetit personal, hartimi i planeve të kursimit, aplikimi për kredi bankare etj.   

Për ata që duan të marrin njohuri më të thelluara, faqja jonë zyrtare ofron gjithashtu mjete didaktike për të kuptuar më mirë aspekte të ekonomisë dhe financës që e ndikojnë jetën e të gjithë qytetarëve, si p.sh.: çfarë është rritja ekonomike, tregu i punës, fluksi qarkullues, si përhapen krizat financiare, çfarë është konkurrenca etj.

Gjithashtu, lënda me zgjedhje "Financat personale në duart tuaja",  e integruar prej vitesh në kurrikulën mësimore të shkollave të mesme, i njeh nxënësit me botën e financave personale, për t’i informuar dhe për të formuar tek ta aftësitë e nevojshme për të administruar në mënyrë sa më fitimprurëse paratë. Teksti mësimor ofrohet dhe shpërndahet falas për të gjitha shkollat e mesme që zgjedhin ta zhvillojnë atë.  Ky tekst shoqërohet edhe me një udhëzues për mësuesit e lëndës së ekonomisë. Një përqasje e ngjashme është zgjedhur edhe për më të vegjlit. Kështu, paketa mësimore dedikuar edukimit financiar të nxënësve që ndjekin klasën I, II dhe III, të shkollës 9-vjeçare, trajton tema të tilla si: ndryshimi mes nevojave dhe dëshirave, nga vjen paraja dhe për çfarë shërben ajo, administrimi i duhur i parave dhe kursimi etj. Ajo mund të përdoret në orët e lira mësimore, në orët dedikuar projekteve shkollore apo si projekt ndërlëndor.

Nga sa përmenda më sipër është e qartë se Banka e Shqipërisë  vlerëson se edukimi financiar duhet të nisë sa më herët. Ky pohim përbën dhe filozofinë e programeve të institucionit tonë, i cili synon ndërtimin e urave të komunikimit, ndërgjegjësimin dhe rritjen e njohurive financiare  tek brezi i ri.  Ata duhet të përftojnë gradualisht njohuritë, aftësitë, qëndrimin dhe sjelljet e nevojshme për të marrë vendime të shëndosha financiare, me qëllim që në të ardhmen e tyre si individë të maturuar të arrijnë mirëqenie financiare si dhe të jenë të aftë të përballojnë situatat e emergjencës, siç është kjo që po kalojmë aktualisht.

Për ta përmbyllur, dëshiroj të falënderoj të gjithë pjesëmarrësit dhe bashkëpunëtorët e Bankës së Shqipërisë në të gjitha iniciativat dhe e programet e saj edukuese, dhe specifikisht për Javën Globale të Parasë. Sigurisht që tematika të tilla si planifikimi i financave personale nuk janë çështje tërheqëse për grupmoshat e reja, megjithatë, duke njohur rëndësinë dhe ndikimin e tyre në jetën e secilit prej nesh, është vendimtare që ne si institucione, të mos i rreshtim përpjekjet tona për t’i sjellë ato në vëmendje të brezit të ri.  Kjo është ajo që jemi përpjekur të bëjmë edhe përmes aktiviteteve dhe konkurseve që do të zhvillohen gjatë Javës Globale të Parasë 2021, dhe të cilat jeni të mirëpritur tí ndiqni.

Ju falënderoj përzemërsisht për kontributin tuaj, dhe i uroj të gjithë pjesëmarrësve suksese!