BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko në ceremoninë e nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit midis Sekretariatit të Shtetit Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO) dhe Bankës së Shqipërisë

Data e publikimit: 01.03.2019

 

Të nderuar pjesëmarrës,

Jemi mbledhur sot për të nënshkruar fazën e dytë të bashkëpunimit me Sekretariatin e Shtetit për Çështjet Ekonomike (SECO), i cili në emër të Qeverisë Zvicerane zhvillon programin e asistencës teknike në mbështetje të bankave qendrore.

Gjej rastin të shpreh vlerësimin e lartë dhe mirënjohjen për Qeverinë Zvicerane, që në vazhdim të asistencës ofruar Bankës së Shqipërisë drejtpërdrejt apo nëpërmjet organizmave të tjerë financiarë në fushën e pagesave, të përfshirjes financiare dhe atë të politikës monetare, vjen sot me një marrëveshje të re bashkëpunimi, në përsosjen e analizës dhe vendimmarrjes. Zhvillimi dhe pasurimi i vazhdueshëm i kapaciteteve shkencore të stafit tonë të talentuar, si dhe zbatimi i metodologjive të kërkimit e analizës në funksion të vendimmarrjes dhe politikëbërjes janë prioritet për Bankën e Shqipërisë.

DSC 2614 498

Në këtë kontekst, është kënaqësi dhe nder për mua, si Guvernator i Bankës së Shqipërisë, që së bashku me Sh.T.Z. Ambasador Maître, të nënshkruaj këtë marrëveshje midis institucioneve tona. Më duhet të them se ne si institucion jemi shumë entuziastë për këtë bashkëpunim. Nënshkrimi i sotëm vjen pas mbylljes së një bashkëpunimi të ngjashëm dhe shumë të suksesshëm në periudhën 2013-2018, i cili solli një përmirësim të dukshëm në punën tonë analitike, kërkuese dhe teknike. Kam kënaqësinë të them me plot gojën se programi ia ka arritur plotësisht këtij qëllimi. Ai ka prekur tre fusha shumë të rëndësishme për bankën qendrore: kërkimin shkencor, politikën monetare dhe stabilitetin financiar. Kontributi i tij qëndron jo vetëm në rritjen e njohurive, ekspertizës dhe aplikimit të metodave bashkëkohore të analizës ekonomike e financiare, por edhe në materializimin e produktit konkret për përmirësimin dhe zgjerimin e modeleve të vlerësimit, të parashikimit dhe të analizës. Këto modele janë aktualisht pjesë e rëndësishme e procesit të vendimmarrjes në Bankën e Shqipërisë.

Nga ky bashkëpunim kemi përfituar mbështetje teknike dhe financiare. Për të kuptuar më mirë plotësinë dhe impaktin e tij, po rendis disa statistika për fazën e parë. Gjatë periudhës 2013-2018, janë realizuar 30 aktivitete me natyrë të ndryshme, ku janë përfshirë 360 punonjës të Bankës së Shqipërisë. Ndër to do të veçoja organizimin e 18 seminareve me tematika të dedikuara për Bankën e Shqipërisë, ku kanë marrë pjesë 270 punonjës. Banka e Shqipërisë ka qenë pjesëmarrëse në 8 konferenca me karakter akademik, në të cilat 87 punonjës të saj kanë prezantuar punët kërkimore shkencore e njëkohësisht kanë marrë komente të vyera për përmirësimin e mëtejshëm të punës së tyre. Tre punonjës tanë kanë pasur mundësinë të vizitojnë Institutin e Gjenevës për studime pasuniversitare për një periudhë deri në 6 muaj dhe për të zhvilluar projektet e tyre të kërkimit nën mbikëqyrjen dhe asistencën e profesorëve të Institutit.

Si institucion i ngarkuar me hartimin dhe zbatimin e politikës monetare, me rregullimin dhe mbikëqyrjen e sektorit bankar, me rregullimin dhe zhvillimin e sistemit të pagesave, si dhe me promovimin e stabilitetit financiar të vendit, përfitimet e këtij bashkëpunimi nuk janë thjesht e vetëm të natyrës akademike, por dhe konkrete në fusha të ndryshme. Zhvillimi i modeleve të parashikimit e analizës të politikës monetare ka mundësuar një rol më proaktiv të saj, sikundër u pa dhe në administrimin e suksesshëm të presioneve mbiçmuese që patëm mbi kursin e këmbimit gjatë vitit të shkuar. Falë projekteve të bashkëpunimit të financuar nga SECO, Banka e Shqipërisë ka tashmë modele e metodologji bashkëkohore për vlerësimin e nivelit të përshtatshëm të rezervës valutore – nivel, i cili aktualisht është rreth vlerës 3.3-3.4 miliardë euro, për administrimin e likuiditetit në sektorin bankar, si dhe për përballimin e skenarëve të ndryshëm të goditjes. Po ashtu, studimi i fenomeneve të ndryshme të funksionimit të sistemit financiar, i ka hapur rrugën zhvillimit e miratimit të një sërë rregulloresh, të cilat – ndër të tjera – kanë përshpejtuar procesin e reduktimit të kredive me probleme dhe do të krijojnë një ambient rregullator më të sigurt e më eficient në administrimin e goditjeve financiare. Së fundi, bashkëpunimi me SECO-n ka gjeneruar një sërë projektesh, të cilat janë aktualisht në zbatim, edhe në fushën e sistemeve të pagesave. Këtu gjej me vend të përmend strategjinë kombëtare për nxitjen e përdorimit të pagesave me vlerë të vogël, e cila i shërben uljes së kostos së tyre, nxitjes së remitancave dhe rritjes së përfshirjes financiare.

 

Të nderuar pjesëmarrës,

Marrëveshja e re që nënshkruajmë sot, ashtu si edhe ajo e para, i mundëson Bankës së Shqipërisë, që të jetë pjesë e programit të asistencës dypalëshe të pasur, të thelluar dhe të larmishme në fushën e bankingut qendror. Qëllimi i këtij bashkëpunimi është që përmes kualifikimit dhe ngritjes së kapaciteteve njerëzore të ndihmojë në perfeksionimin e analizave, vendimmarrjes, e rrjedhimisht në procesin e politikëbërjes të Bankës së Shqipërisë. Unë mendoj se tashmë ne kemi ngritur themele të shëndosha, që sigurojnë një partneritet edhe më të fortë për fazën e dytë.

Pritshmëria jonë nga zbatimi i fazës së dytë është që vendimmarrja e politikës monetare të mbështetet nga kapacitete parashikuese të përmirësuara, që formulimi i politikës makroprudenciale të përdorë njohuri më të zgjeruara mbi rreziqe të ndryshme, që kërkimi të pasurohet më tej me metodologjitë dhe praktikat më të mira të kërkimit shkencor. Këto synime qëndrojnë edhe në thelb të strategjisë sonë afatmesme.

Banka e Shqipërisë synon të rrisë impaktin e rezultateve të kërkimit shkencor në vendimmarrje, shtrirjen e aktivitetit kërkimor edhe në departamentet e tjera dhe përvetësimin e standardeve të larta të etikës dhe rigorozitetit në kërkimin shkencor, çka bën që ai të mbetet një nga prioritetet e bashkëpunimit.

Shumë nga zhvillimet e sfidat aktuale me të cilat përballen vende apo rajone të tjera mund të duken si të largëta e të huaja, por globalizimi dhe përfshirja ekonomike bën që të kapërcehen kufijtë dhe impakti e efekti i tyre të ndihen edhe tek ne. Problematikat e mbartura nga kriza financiare, vazhdimi i programeve të lehtësimeve sasiore dhe normaliteti i ri me të cilin përballet politika monetare, ndikojnë mënyrën e funksionimit të bankës qendrore. Nga ana tjetër, sfidat dhe oportunitetet që sjellin zhvillimet teknologjike për politikën dhe vendimmarrjen e bankës qendrore, përfshirjen financiare dhe instrumentet financiare, janë fenomene që prekin jo vetëm bankën qendrore por të gjithë shoqërinë. Është e nevojshme që këto fenomene të studiohen, analizohen e të adresohen bazuar në faktet dhe analizat më të mira shkencore. Ne vlerësojmë që bashkëpunimi ndërkombëtar në këto fusha është shumë i rëndësishëm në përballjen me këto sfida dhe ndërmarrjen e politikave vizionare.

Vlen të theksohet se formati i zgjedhur për dhënien e asistencës teknike mundëson që produktet e bashkëpunimit të jenë të përshtatura me karakteristikat e ekonomisë shqiptare dhe të dedikuara për Bankën e Shqipërisë dhe kuadrin e saj vendimmarrës e operacional. Asistenca teknike përmbledh një grup aktivitetesh që në vetvete përfshijnë gjithë fazat e metodat e të mësuarit, dhe njëkohësisht prek të gjitha proceset konkrete dhe fleksibile të politikëbërjes në një bankë qendrore. Programi mbulon që nga leksionet e deri te zbatimi praktik i njohurive dhe aplikimi i tyre në projekte të veçanta, në përshtatje me prioritetet e Bankës së Shqipërisë.

Përzgjedhja e një partneri serioz është një aspekt tjetër i rëndësishëm për suksesin e kësaj marrëveshjeje. Instituti i Gjenevës për Studime Pasuniversitare është bërë një partner i rëndësishëm për Bankën e Shqipërisë, duke kontribuar jo vetëm me stafin e vet akademik, por duke përzgjedhur si bashkëpunëtorë, profesorë dhe figura që kanë lënë gjurmë në studimet në fushën e ekonomiksit, financës dhe bankingut.

Kjo marrëveshje e Bankës së Shqipërisë me SECO-n, që është qendra e ekspertizës për politikat ekonomike në Zvicër por jo vetëm, është pikërisht në funksion të objektivave, detyrave dhe sfidave që ka Banka e Shqipërisë për të ardhmen.

Falenderoj edhe një herë z. Maître, si dhe Sekretariatin e Shtetit Zviceran për Çështjet Ekonomike, për kontributin që SECO ka dhënë për Bankën e Shqipërisë, si dhe uroj që kjo marrëveshje të jetë akoma dhe më e frytshme edhe më e suksesshme se marrëveshja e parë!

Faleminderit të gjithëve për pjesëmarrjen!