BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes me Bankën Evropiane të Investimeve

Data e publikimit: 23.01.2025

 

I nderuar Zëvendëspresident i Bankës Evropiane të Investimeve, z. De Groot,

I nderuar z Perr,

Të nderuar të pranishëm,

Kam kënaqësinë e veçantë t’ju mirëpres në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Bankës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane të Investimeve, si dëshmi e përkushtimit të përbashkët të institucioneve tona për t’i dhënë një impuls të ri zhvillimit të qëndrueshëm financiar në Shqipëri, duke ndihmuar në përballimin e sfidave klimatike dhe në krijimin e kushteve për zhvillimin e një ekonomie më të gjelbër dhe më rezistente. Ky bashkëpunim shënon një hap të parë dhe shumë të rëndësishëm në ndërtimin e një partneriteti të fortë midis institucioneve tona.

DSC 4560 498x332

Së pari, më lejoni të shpreh mirënjohjen tonë të sinqertë për Bankën Evropiane të Investimeve - e njohur ndryshe si “banka e klimës për BE-në” - e cila sjell një kombinim të pasur të ekspertizës dhe përvojës globale, duke ofruar mbështetje të paçmueshme për avancimin e agjendës sonë të financave të qëndrueshme dhe përballimin e sfidave klimatike. Jemi krenarë që po ndërtojmë këtë bashkëpunim të ri me një institucion kaq të rëndësishëm, me ndikim të jashtëzakonshëm në financat globale.

DSC 4576 498x332

DSC 4634 498x332

Banka e Shqipërisë ka qenë dhe vazhdon të jetë në krye të përpjekjeve për të integruar financat e gjelbra dhe për të ndërtuar një sistem financiar që përballon sfidat klimatike dhe mbështet një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm. Strategjia jonë e Gjelbër Afatmesme, e miratuar në 2023, është një reflektim i këtij përkushtimi dhe një udhërrëfyes për arritjen e objektivave tanë në këtë kuadër.

DSC 4554 498x332

Gjatë vitit 2024, kemi ndërmarrë disa nisma të rëndësishme që dëshmojnë angazhimin tonë konkret, përfshirë analizën e ekspozimit të sektorit bankar ndaj rreziqeve klimatike, e cila ka ndihmuar në identifikimin e rajoneve dhe sektorëve më të prekur, si dhe hartimin e Udhëzuesit për Menaxhimin e Rreziqeve Klimatike, i cili krijon një kornizë të qartë për bankat që t’i integrojnë këto rreziqe në sistemet e tyre të menaxhimit të rrezikut.  

DSC 4712 498x332

Këta janë hapa tejet të rëndësishëm drejt një kuptimi më të thellë të ndikimit të klimës në sektorin financiar dhe drejt zhvillimit të masave të përshtatshme për të adresuar sfidat e së ardhmes.

DSC 4725 498x332

E megjithatë, ato janë vetëm fillimi i një procesi më të gjerë për transformimin e sistemit tonë financiar. Në këtë drejtim, bashkëpunimi me partnerë strategjikë ndërkombëtarë është jetik. Bashkëpunimi me Bankën Evropiane të Investimeve është thelbësorë për të avancuar në tranzicionin tonë të gjelbër.

DSC 4797 498x332

Përmes Programit për Sistemet Financiare të Gjelbra të BEI-ve, ne do të zhvillojmë një taksonomi të gjelbër dhe do të forcojmë kuadrin rregullator për adresimin e rreziqeve klimatike. Taksonomia e gjelbër do të shërbejë si një udhërrëfyes për klasifikimin e aktiviteteve të qëndrueshme, duke ndihmuar në kanalizimin e fondeve drejt projekteve që kanë një ndikim pozitiv në mjedis dhe duke rritur transparencën për investitorët dhe institucionet financiare.

DSC 4870 498x332

Në këtë pikë, më lejoni të ndalem edhe te rëndësia e përafrimit me standardet e Bashkimit Evropian. Si një vend në proces integrimi në BE, harmonizimi i kuadrit tonë ligjor dhe rregullator me direktivat evropiane për financat e qëndrueshme është një prioritet për ne. Marrëveshja që nënshkruajmë sot është një hap konkret në këtë drejtim. Ajo reflekton përkushtimin tonë për të ndërtuar një sistem financiar në harmoni me praktikat më të mira evropiane dhe që ndihmon në arritjen e objektivave strategjikë të vendit.

DSC 4921 498x332

Gjithashtu, dëshiroj të falënderoj Bashkimin Evropian për mbështetjen e vazhdueshme në procesin e integrimit të Shqipërisë dhe për promovimin e financave të qëndrueshme. Puna e përbashkët për ndërtimin e një të ardhmeje të gjelbër dhe të qëndrueshme është një shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit që sjell përfitime konkrete për qytetarët shqiptarë dhe mjedisin tonë.

DSC 4904 498x332

DSC 4833 498x332

Në përfundim, dua të shpreh mirënjohjen time të thellë ndaj Bankës Evropiane të Investimeve për mbështetjen dhe angazhimin e tyre. Dua gjithashtu të falënderoj ekipet e të dy institucioneve që kanë punuar për këtë marrëveshje, për përkushtimin dhe profesionalizmin e tyre.

DSC 4985 498x332

DSC 4977 498x332

Bashkëpunimi me EIB është thelbësor për t’u përballur me sfidat globale të klimës dhe për të siguruar që Shqipëria të ketë një sistem financiar që jo vetëm përballon vështirësitë, por edhe krijon mundësi të reja për zhvillim të qëndrueshëm. Jam i bindur se ai do të sjellë rezultate konkrete dhe do të kontribuojë ndjeshëm në realizimin e objektivave tanë për një ekonomi të qëndrueshme dhe rezistente ndaj sfidave klimatike.

DSC 5003 498x332

Faleminderit të gjithëve për pjesëmarrjen dhe mbështetjen tuaj të palëkundur!

DSC 5009 498x332