BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko në ceremoninë e promovimit të librit “Paraja, bankat dhe shoqëria. Bashkudhëtimi historik që nga fillesat deri në kohët moderne”

Data e publikimit: 22.02.2019

 

Të nderuar profesorë,

Të nderuar pjesëmarrës,

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Është kënaqësi dhe ndihem i nderuar të çel këtë aktivitet krejtësisht të veçantë, tejet i ndryshëm nga ata që organizohen më së shpeshti në këtë holl historik të Bankës Shqipërisë, pasi del jashtë kornizave të së përditshmes sonë.

DSC 2016 - Copy 498

Sot kemi nderin të mikpresim miq të nderuar për të prezantuar librin “Paraja, bankat dhe shoqëria. Bashkudhëtimi historik që nga fillesat deri në kohët moderne”, një vepër me mjaft vlera, e publikuar nga dy figura të shquara dhe me kontribut të rëndësishëm akademik në studimin dhe diskutimin e ekonomisë dhe financave, Prof. Dr. Aristotel Pano dhe Akademik Prof. Dr. Anastas Angjeli.

DSC 1839 - Copy 498

Ajo çka e bën të rëndësishëm këtë libër, janë vlerat analitike, jashtëzakonisht njohëse e historike që ai shpalos dukshëm në çdo faqe të tij; e nuk do ta teproja, nëse do të thosha se kemi të bëjmë me një qëmtim shkencor të trinomit para-bankë-shoqëri.

Përpos sa përmenda, ky libër merr një rëndësi të veçantë edhe nga një këndvështrim tjetër, ai i edukimit financiar të publikut, që është një ndër objektivat tanë institucionalë kryesorë, në të cilin Banka e Shqipërisë është angazhuar fuqishëm prej disa vitesh, duke e kthyer atë në një konstante të punës së saj.

***

Të nderuar miq,

Sot ndihem dyfish i nderuar, jo vetëm si mikpritës i këtij eventi, por edhe si kontribues në parathënien e këtij libri.

DSC 1948 - Copy 498

Nëpërmjet tij, profesorët Pano dhe Angjeli na kanë sjellë një analizë të plotë të sistemeve monetare e financiare, të përshkruar në formën e një udhëtimi historik që nga lashtësia e deri në ditët tona. Paraja, banka dhe ndikimet e tyre në shoqëri janë tema që ngjallin interes dhe kuriozitet të përhershëm, pasi ato kanë qenë faktorë të rëndësishëm në të gjitha aspektet e zhvillimeve globale përgjatë të gjitha sistemeve shoqërore. Përmes fakteve dhe historive interesante të ilustruara me imazhe të zgjedhura me kujdes, libri “Paraja, banka dhe shoqëria”, është një burim i çmuar informacioni mbi rolin vendimtar që kanë luajtur sistemet e ndryshme monetare në historinë e Kontinentit Evropian dhe rrjedhimisht edhe në atë të vendit tonë.

DSC 1981 - Copy 498

Ky libër vjen në një moment të veçantë dhe të rëndësishëm. Ekonomia e financa ndjejnë nevojën për një analizë dhe reflektim të thellë, si në aspektin praktik, ashtu edhe në atë filozofik. Realitetet ne këto shkenca, shpeshherë janë larg supozimeve mbi të cilat është ngritur modelimi i tyre prandaj, është vërejtur një rigjallërim i interesit dhe rëndësisë së studimit në historinë ekonomike, monetare e financiare. Një gjë që ky libër e bën më së miri, në mënyrë të detajuar dhe përmes një komunikimi të thjeshtë.

Duke trajtuar me qartësi lindjen dhe evoluimin e parasë, si dhe rolin e saj në ndërtimin dhe funksionimin e sistemit monetar e financiar, autorët tregojnë se si ato kanë krijuar kushte për përparim dhe kanë ndryshuar botën në favor të dijes dhe zhvillimit të shoqërisë njerëzore. Libri tregon se dëshira për prosperitet dhe stabilitet ekonomik janë forcat kryesore që kanë motivuar zhvillimin e parasë, formave të saj dhe si rrjedhojë, edhe të vetë sistemeve monetare. Ndryshimet, inovacionet apo përshtatjet që janë motivuar nga këto qëllime, kanë mbetur në histori dhe kanë kontribuuar në prosperitetin e shoqërisë njerëzore.

Megjithatë, nuk duhet të harrojmë se sistemet monetare mund të garantojnë prosperitet e besueshmëri vetëm nëse ato “respektohen”. Krizat financiare globale apo rajonale nuk janë fenomene të reja apo të panjohura. Shkaqet pas këtyre krizave janë të njëjta përgjatë gjithë historisë. Përfitimet afatshkurtra, duke u interpretuar si oportunitete apo produkte në dobi të shoqërisë dhe individit, mund të sjellin shqetësime serioze tek stabiliteti afatgjatë makroekonomik e financiar. Prandaj agjentët ekonomikë duhet të jenë të edukuar financiarisht që të mos bien pre e mashtrimeve me qëllim përfitimin nga palët e treta.

Libri “Paraja, Banka dhe shoqëria” është një dëshmi se ashtu si vetë shoqëria, edhe kjo shpikje (paraja) është në ndryshim të vazhdueshëm për t’iu përshtatur kushteve të reja që krijon shoqëria. Shpesh ky ndryshim është rrjedhojë e gjenialitetit të individëve të veçantë e herë të tjera i detyrohet ndryshimeve të nevojshme që kanë përcaktuar kushtet e kohës. Pavarësisht kësaj, me çdo ndryshim e zhvillim që kanë pësuar, paraja dhe sistemi financiar, i kanë dhënë një hov të ri tregtisë, shkëmbimit, inovacionit, e përmes tyre, zhvillimit të shoqërisë.

DSC 2236 - Copy 498

Libri sjell në vëmendje të lexuesit rëndësinë e madhe që ka njohja dhe kuptimi i këtyre zhvillimeve. Ai duhet t’u shërbejë veçanërisht ekonomistëve dhe financierëve, të cilët duhet t’i kushtojnë vëmendje të posaçme efekteve anësore që vendimmarrja dhe reformat monetare e financiare kanë mbi ekonominë, bizneset dhe familjet, si në aspektin e prosperitetit ekonomik e financiar, ashtu edhe në aspektin e rishpërndarjes e të pabarazisë.

I shkruar si një bashkëpunim i dy prej profesorëve më të shquar të fushës së historisë monetare dhe financiare shqiptare, me një gjuhë të qartë dhe shpjegime e të dhëna lehtësisht të kuptueshme për të gjithë, libri është një kontribut i çmuar për të njohur, kuptuar dhe studiuar më tej historinë monetare dhe bankare në përgjithësi dhe atë shqiptare në veçanti. Ai është një vlerë e shtuar, jo vetëm për studiuesit e ekonomisë, financës, historisë e numizmatikës, por edhe për lexuesin e gjerë.  

Me kënaqësinë e veçantë të të qenurit një ndër lexuesit e parë të tij, si dhe me bindjen e plotë se ky libër do të mirëpritet nga publiku profesionist dhe jo vetëm, më lejoni të uroj dhe përgëzoj profesorët e nderuar, Aristotel Pano dhe Anastas Angjeli, për këtë vepër me vlera të padiskutueshme.

Faleminderit edhe njëherë, profesorë të nderuar, për këtë libër dhe për të tjerë që jua urojmë me shumë dëshirë!

Faleminderit të gjithëve për pjesëmarrjen!