BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko në ceremoninë e promovimit të librit: “Përballë Krizës, sfidat e teorisë dhe politikave ekonomike”, nga autorët Akad. Prof. Dr. Anastas Angjeli dhe Prof. Dr. Adrian Civici

Data e publikimit: 22.07.2021

 

Pandemia COVID-19 e vuri shoqërinë botërore përballë sfidave të paparashikuara dhe të jashtëzakonshme. Emergjenca e shëndetit publik e njëkohësisht vështirësitë ekonomike e financiare të shkaktuara nga kjo goditje dhe nga masat e ndërmarra për kufizimin e pandemisë dominuan dhe vazhdojnë të marrin vëmendjen e shoqërisë dhe politikëbërësve, si dhe të ndikojnë vendimmarrjet e tyre. Kompleksiteti i problemeve me të cilat përballemi kërkon ndërhyrje të shpejtë, të fuqishme dhe të koordinuar midis autoriteteve shëndetësore,  fiskale e atyre monetare. Masat e ndërmarra nga autoritetet mund të minimizojnë efektet negative të pandemisë dhe kanë krijuar premisat për një rimëkëmbje të shpejtë, duke shpresuar që vaksinimi dhe masat e tjera shëndetësore do t’i japin fund pandemisë.

 DSC8465 498

Ky diskutim vjen i shtjelluar me shumë profesionalizëm dhe realizëm në librin “Përballë Krizës,  sfidat e teorisë dhe politikave ekonomike”,  nga autorët Anastas Angjeli dhe Adrian Civici. Duke ndjekur problematikat shëndetësore, zhvillimet ekonomike, dhe përshkruar vendimmarrjen e autoriteteve,  ata kanë analizuar e përshkruar qartë mekanizmin e kësaj krize dhe të politikave ekonomike e financiare të ndërmarra si përgjigje ndaj saj.

Pandemia COVID-19  ka  venë autoritetet përballë zgjedhjeve të vështira dhe komplekse dhe ka thelluar edhe me tej problematikat me të cilat përballen shoqëritë tona dhe njerëzimi në nivel global. Autoritet kryejnë vendimmarrje të shpejta për t’ju përgjigjur zhvillimeve të papritura.  Politikat e adaptuara kanë imponuar ndryshimin e atyre tradicionale me ato jokonvencionale që kanë sjellë ndryshime të rëndësishme, jo vetëm në mënyrën e operimit të institucioneve, por edhe në ndryshimin e mandateve e objektivave të tyre.

 DSC8477 498

Pas një periudhe relativisht të gjatë e të vrullshme politikëbërjeje,  autoritetet janë duke i vlerësuar këto politika.  Vlerësimi kryhet jo vetëm për të matur suksesin e tyre por edhe për të kuptuar efektet potenciale dytësore që ato mund të transmetojnë   në  ekonomi  dhe shoqëri  në përgjithësi.

Zanafilla e librit është pikërisht ky diskutim. Përmes një kombinimi të ngjarjeve, historisë dhe doktrinave të teorive ekonomike autorët paraqesin një situatë të qartë të problemeve më të mprehta të kohës, si dhe të nevojës për të rishikuar mendimin ekonomik. Profesorët Angjeli e Civici e zbresin analizën nga niveli teorik në atë praktik, duke dhënë rekomandime konkrete mbi politikëbërjen dhe duke u ndalur në rastin e ekonomisë shqiptare.

Ky diskutim i hap rrugën një analize të thelluar të krizës mbi ekonominë shqiptare, e cila sipas tyre ka goditur kryesisht bizneset e vogla. Analiza paraqet përgjigjen e autoriteteve dhe vlerëson ndikimet e politikave të ndërmarra në ekonomi dhe në sektorët e veçantë të saj. Autorët përmbledhin e krahasojnë vlerësimet e kryera nga institucionet shqiptare dhe ato ndërkombëtare, si dhe paraqesin një vlerësim të thelluar mbi efektet e pandemisë në kuadrin e përgjithshëm makroekonomik e financiar.  Ata identifikojnë vulnerabilitetet dhe çështjet ekonomike e financiare që meritojnë të trajtohen me kujdes të veçantë. Një vëmendje e posaçme i kushtohet ndryshimeve strukturore në sistemin financiar dhe në tregjet e punës e të edukimit. Sa më sipër e kthen fokusin e diskutimit mbi drejtimet themelore që do të përcaktojnë edhe potencialet e rritjes e të zhvillimit në të ardhmen afatmesme e afatgjatë.

 DSC8606 498

Pa dashur të përsëritëm, theksoj se profesorët pohojnë me korrektësi që ky transformim nuk do të ndalet vetëm tek sistemi bankar por do të shtrihet në të gjithë ekonominë shqiptare. Transformimi duhet t’i përgjigjet zhvillimeve sektoriale, ndryshimeve strukturore dhe tendencave të digjitalizimit që do të prekin ekonominë.  Orientimi i programeve edukuese duhet të mbajë parasysh zhvillimet ekonomike e tregtare në rrafshin global.  Këto janë veçanërisht të rëndësishme për një ekonomi të vogël e të hapur si e jona.

Pas një përshkrimi të hollësishëm të paketave të ndihmës dhe të situatës financiare e ekonomike të bizneseve, libri paraqet një shpjegim të saktë të suksesit dhe të efekteve që pati vendimmarrja e autoriteteve te biznesi dhe në ekonomi. Në këtë kuptim libri i ofron lexuesve një mundësi për të vlerësuar ndikimet e politikave nga një këndvështrim i pavarur dhe kritik. Ai  ofron gjithashtu një mundësi për të optimizuar e koordinuar politikëbërjen në të ardhmen. 

Autorët me të drejtë konstatojnë se revolucioni digjital është një mundësi e madhe për zhvillimin e sistemit bankar dhe përfshirjen e shpejtë dhe të sigurt financiare të ndërmarrjeve.  Ky është gjithashtu edhe një rast i volitshëm për krijimin e instrumenteve fleksibël që mundësojnë përgjigje të shpejta ndaj goditjeve negative dhe garantojnë stabilitetin financiar të bizneseve dhe ekonomisë.  Digjitalizimi do të pasurojë gjithashtu me aktorë dhe shërbime të reja sistemet bankare e financiare.  

Gjatë krizës njerëzimi por edhe shoqëria shqiptare u përball me zgjedhje dhe dilema shumë të forta. Zgjedhja e vështirë mes ekonomisë dhe shëndetit evidentohet nga autorët si një dilemë themelore dhe më e  vështira  me të cilën u përballen autoritetet. Megjithatë në analizën e mëtejshme shtjellohet se zgjedhja mes ekonomisë dhe shëndetit, e cila dominoi vendimmarrjen afatshkurtër nuk është e shkëputur prej  vendimmarrjeve të tjera me të cilat përballen shoqëritë tona, të tilla si:  sundimi i ligjit, barazia përpara tij, si dhe reduktimi i pabarazive ekonomike e financiare. Nëse do t’i shtonim këtyre edhe problematikat  mjedisore, si për shembull ngrohja globale, do të kuptojmë se së bashku ato kanë një rol të rëndësishëm për kapacitetin e një shoqërie për të përballuar goditjet negative nga pandemia.

Siç e thashë edhe më lart, këto sfida kanë peshë themelore për rishikimin e mandatit dhe objektivave të institucioneve, përfshirë edhe të bankave qendrore.  Qëndrimi që mbajmë  ndaj tyre ka një efekt të drejtë për drejtë për qëndrueshmërinë ekonomike e financiare të familjeve,  bizneseve dhe të gjithë ekonomisë.  

Së fundi, dua të them se profesorët me shume zgjuarsi i kanë kushtuar një vëmendje të veçantë politikave dhe strategjive të adaptuara nga SHBA dhe BE për përballimin e krizës. E theksoj, me zgjuarsi, pasi filozofia e politikave dhe strategjive të zhvilluara dhe instrumenteve të adaptuar në dy ekonomitë më të mëdha të tregut, janë jo vetëm një objekt i rëndësishëm studimi nga këndvështrimi akademik, por shërbejnë edhe si një udhëzues për të gjitha ekonomitë e tjera.  Për më tepër, ekonomitë e zhvilluara janë partnerët kryesore të ekonomive të vogla dhe të hapura.   Ato emetojnë dy monedhat dominuese për ekonominë dhe financat botërore.  Për të gjitha këto arsye zhvillimet në SHBA dhe në BE kanë një kanë një vlerë të madhe dhe ndikim të drejtëpërdrejtë  në ekonominë tonë.  Rrjedhimisht duhet të mbahen parasysh në kontekstin e vendimmarrjes ekonomike e financiare. 

Në mbyllje, dëshiroj të përgëzoj Prof. Angjelin e Prof. Civicin për punën dhe përkushtimin gjatë analizës së shkëlqyer të efekteve ekonomike, financiare e shoqërore që COVID-19 solli në ekonominë botërore e atë shqiptare.  Jam i bindur se analizat,  komentet dhe rekomandimet e autoreve do të jenë shumë të vlefshme për institucionet dhe politikëbërësit.