BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko në hapjen e fushatës ndërgjegjësuese “As i vjetër e as i ri, jam thjesht Lek!”

Data e publikimit: 17.11.2021

 

I nderuar Prof.Dr. Civici,

E nderuar Dr. Treska,

Të nderuar pjesëmarrës, kolegë e gazetarë,

Kam kënaqësinë t’ju uroj mirëseardhjen në këtë aktivitet të organizuar nga Banka e Shqipërisë, me rastin e hapjes së fushatës ndërgjegjësuese “As i vjetër e as i ri, jam thjesht Lek!”. Kjo iniciativë e re e institucionit tonë në lëmin e edukimit financiar të publikut nuk është e vetme, por bën pjesë në një korpus të gjerë programesh dhe projektesh në kuadër të njohjes dhe përkujdesjes për monedhën dhe kartëmonedhën kombëtare. Ajo është gjithashtu kurorëzim i përpjekjeve të Bankës së Shqipërisë në përmbushje të rekomandimeve të lëna nga Kuvendi i Shqipërisë në rezolutat për vlerësimin e veprimtarisë së institucionit tonë, për përdorimin e termave të gabuar “lek i ri” dhe “lek i vjetër”. Të gjithë ne jemi të ndërgjegjshëm, se për fat të keq, kjo ndodh rëndom jo vetëm në komunikimin e përditshëm të qytetarëve me njëri-tjetrin, por edhe në marrëdhëniet e tyre ekonomike dhe financiare, duke u kthyer kështu në burim për keqkuptime të qëllimshme ose jo.

 DSC1212 498

Por, përpara se të vijoj me parashtrimin e fushatës, më lejoni të them dy fjalë mbi kontekstin historik të lindjes së këtij fenomeni. Reforma monetare e vitit 1965 solli zëvendësimin e kartëmonedhave të mëparshme Lek me kartëmonedha të reja, në raportin 10 me 1, duke ndryshuar në të njëjtën shkallë shprehjen e çmimeve, pagave dhe të çdo veprimi tjetër financiar. Pra, që prej asaj kohe, një pjesë e mirë e publikut nuk është përshtatur ende me këtë ndryshim dhe komunikon me “lekë të vjetër”, duke shkaktuar konfuzion në komunikimin e çmimeve të mallrave dhe shërbimeve dhe leximin e drejtë të treguesve ekonomikë e financiarë.

Edhe përpara çeljes së kësaj fushate ndërgjegjësuese, të shtyrë në kohë për shkak të vështirësive të shkaktuara nga kufizimet e gjendjes së pandemisë COVID-19, Banka e Shqipërisë në vazhdimësi është kujdesur që ta përfshijë këtë mesazh në botimet dhe programet e saj edukative, siç është p.sh. Java Globale e Parasë apo fushata për hedhjen në qarkullim të prerjeve të reja të kartëmonedhave.

 DSC1479 498

Ndërkohë së fundmi, kemi kryer matjen e shkallës së përdorimit të terminologjisë “lek i ri - lek i vjetër” në bazë kombëtare, përmes përfshirjes së disa pyetjeve në anketën për matjen e kulturës financiare të popullsisë shqiptare të krijuar sipas modelit të Rrjetit Ndërkombëtar për Edukimin Financiar (INFE, OECD). Analiza e këtyre pyetjeve jep informacion mbi shkallën e përdorimit të gabuar të terminologjisë sipas vendbanimit, grup-moshave, gjinisë, arsimimit, punësimit dhe nivelit mesatar të të ardhurave, si dhe ambienteve ku përdoret më shpesh, me qëllim përshtatjen e fushatës së ndërmarrë nga Banka e Shqipërisë për heqjen e termit “lek i ri - lek i vjetër”.

Rezultatet e mbledhura nga anketa tregojnë se të vendosur përballë një kartëmonedhe 500 Lekë më shumë se gjysma (54%) e të intervistuarve instinktivisht e lexojnë  apo e identifikojnë gabim vlerën e saj, duke i shtuar një 0 për ta kthyer në “lek të vjetër”. Situatat apo ambientet në të cilat të anketuarit shprehen se flasin rëndom, në mbi 80% të rasteve, me “lek të vjetër”, janë kryesisht ambientet joformale apo familjare: dyqanet e vogla apo tregjet e fruta/perimeve; bisedat me familjarë, miq dhe kolegë; të ndjekur nga mjetet e transportit publik. Nga ana tjetër, të dhënat dëshmojnë se komunikimi i gabuar i vlerës së lekut ndodh shumë më rrallë në institucione financiare (banka, jobanka etj.) me vetëm 28.1%, apo në zyra të administratës publike (39.4%), megjithëse mund të pritej që këto shifra të ishin edhe më të ulëta.

 DSC1694 498

Përveç institucioneve shtetërore dhe financiare, një faktor tjetër vendimtar që e ndikon mënyrën e komunikimit të publikut është edhe media, si ajo e shkruar ashtu edhe ajo audio-vizuale. Sipas perceptimit të 20% të publikut, mediat i komunikojnë gjithmonë ose shpesh çmimet dhe vlerat monetare në “lekë të vjetër”. Kjo përqindje, megjithëse e ulët, nxjerr në dritë nevojën për më shumë përfshirje të mediave në përpjekjen për ta zhdukur plotësisht këtë fenomen, veçanërisht duke pasur parasysh detyrimin e saj për përcjelljen e informacionit të vërtetë dhe të saktë tek publiku, si dhe rolin edukativ të saj.

Sa i përket analizës sipas grupeve socio-demografike, rezultatet e vrojtimit tregojnë se vlerën monetare në “lek të vjetër” e komunikojnë më shpesh: (i) meshkujt; (ii) personat e moshuar; (iii) individët me nivel më të ulët arsimor; (iv) individët joaktivë në tregun e punës; si dhe (v) ata me nivel të ulët të të ardhurave familjare. Pikërisht këto grupe të identifikuara nga vrojtimi do të përbëjnë edhe fokusin e projekteve ndërgjegjësuese të fushatës për eliminimin e përdorimit të terminologjisë së gabuar “Lek i ri/Lek i vjetër”.

Për të gjitha këto arsye, Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë këtë fushatë ndërgjegjësuese që po çelim sot, e cila do të shtrihet në kohë dhe do të synojë të jetë sa më gjithpërfshirëse, duke prekur grupe të ndryshme interesi. Në një periudhë afatmesme dhe përmes kanaleve të shumëllojta, synojmë të trokasim në dyert e të gjithë shqiptarëve për çrrënjosjen e termave “i ri” apo “i vjetër”, duke shmangur konfuzionin në komunikimin e çmimeve dhe në leximin e treguesve ekonomikë e financiarë. Në Shqipëri, monedha kombëtare është Leku dhe vlera nominale e çdo monedhe apo kartëmonedhe është ajo e shkruar mbi të.

Megjithatë, fakti që ky keqpërdorim është trashëguar në të folurën e përditshme dhe i ka rezistuar kohës për mbi 55 vjet, dëshmon që përpjekjet sporadike dhe të izoluara të një institucioni të vetëm për ta korrigjuar fenomenin, nuk mjaftojnë. Nevojitet një angazhim i përbashkët dhe i koordinuar mes institucioneve qendrore të vendit, mediave dhe aktorëve të tjerë relevantë. Veçanërisht i rëndësishëm për suksesin e kësaj fushate është roli i medias, e cila me fuqinë e përçimit të mesazheve në publik, ka aftësinë të ndikojë mendësinë dhe normën e komunikimit të publikut të gjerë. Një tjetër aktor me rëndësi për krijimin dhe ngulitjen e një mendësie të re, ka edhe shkolla, e cila mund të ndikojë në ndërprerjen e një zinxhiri 55-vjeçar dhe mos përcjelljen e tij tek brezi i ri.

Në emër të Bankës së Shqipërisë, ftoj të gjitha institucionet pjesëmarrëse dhe jo vetëm, të na bashkohen në angazhimin tonë për të edukuar publikun shqiptar që të lërë pas njëherë e përgjithmonë përdorimin e kësaj terminologjie të gabuar në marrëdhëniet ekonomike e financiare, për ta kthyer atë përfundimisht në një relikt linguistik.

Ju falënderoj përzemërsisht për kontributin tuaj dhe ju kujtoj se monedha jonë nuk është as e vjetër e as e re, por është thjesht Lek!