BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko në konferencën “A i ndryshojnë krizat themelet ekonomike në vendet e Evropës Juglindore?”, organizuar nga Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Qendrën e Studimeve të Evropës Juglindore të Universitetit të Oksfordit

Data e publikimit: 30.10.2015

 

I nderuar z. Kryeministër,

I nderuar Guvernator Hamza dhe përfaqësues të lartë të bankave qendrore,

Të nderuar shkëlqesi ambasadorë,


Të nderuar pjesëmarrës, miq dhe kolegë,

Ju uroj mirëseardhjen në konferencën vjetore të Bankës së Shqipërisë që organizohet në bashkëpunim me Qendrën e Studimeve të Evropës Juglindore pranë Universitetit të Oksfordit. Është një kënaqësi që ky bashkëpunim sjell mes nesh bashkëpunëtorë të vjetër dhe të rinj.

Viti që po përgatitemi të lëmë pas ka qenë i vështirë dhe plot sfida për ekonominë e Shqipërisë e për rrjedhojë dhe për punën e institucionit tonë. Rimëkëmbja e plotë e rritjes ekonomike dhe përmirësimi i mëtejshëm i saj në të ardhmen ka qenë dhe mbetet një nga prioritetet kryesore të punës sonë njëvjeçare.

Kriza ekonomike e tejzgjatur na ka detyruar ne ashtu si dhe institucionet homologe në mbarë botën të rishqyrtojmë shumë nga aksiomat ekonomike të cilat për shumë kohë i konsideronim të mirëqena.

Jo rastësisht edhe tematika kryesore e konferencës së këtij viti fokusohet mbi kasualitetin dhe zgjidhjen e problemeve afatgjata me të cilat po ballafaqohemi gjatë kësaj periudhe.

Përgjatë një periudhë 5-vjeçare ekonomia shqiptare ka vazhduar të rritet në terren pozitiv, por gjithsesi poshtë  potencialit të saj. Kemi të bëjmë me një fenomen global, post-krizë, me shtrirje në gjithë rajonin e Evropës Juglindore, ku normat e rritjes kanë qenë akoma më të ulëta.

Shpresoj se gjatë kësaj konference ne do të kemi mundësinë të analizojmë në thellësi arsyet që qëndrojnë pas kësaj situate, burimet që e ushqejnë si dhe vështirësitë që ajo imponon në modelin e biznesit dhe të ndërmjetësimit financiar. Akoma më tej, do të ishte e vlefshme të diskutonim edhe mbi opsionet në dispozicion të politikëbërësve dhe rrugëdaljet nga kjo situatë, që unë jam i bindur se është e përkohshme dhe jo një ekuilibër afatgjatë ekonomik.

Banka e Shqipërisë ka përdorur në mënyrë aktive dy instrumentet kryesore që ajo zotëron, politikën monetare dhe atë makroprudenciale, për të dhënë kontributin e saj në mbylljen sa më të shpejtë e sistematike të hendekut negativ të prodhimit në vend. Banka ka vazhduar të ndjekë një politikë monetare lehtësuese duke e ulur normën bazë të interesit në nivelin historik 2%.

Me gjithë skepticizmin që ka shoqëruar këtë proces, ulja e normës bazë është reflektuar në një gamë të gjerë normash interesi në tregun financiar, përfshirë edhe ato për kredinë dhe për letrat me vlerë të qeverisë. Fakti se rritja ekonomike ka vazhduar të jetë nën potencial jo detyrimisht reflekton mungesën e një kanali efektiv të transmetimit të politikës monetare. Gjithnjë e më shumë po na forcohet bindja se mbi të gjitha kemi një kërkesë agregate të dobët e cila nuk krijon stimujt e duhur për gjallërimin e aktivitetit ekonomik.

Megjithatë, të dhënat e fundit ekonomike na bëjnë më optimistë. Sektori real po shfaq shenja të një përmirësimi të vazhdueshëm,  mbështetur edhe nga disa zhvillime pozitive në ambientin e jashtëm. Veçanërisht, dua të nënvizoj se qartësimi i situatës politiko-ekonomike në Greqi do të ndikojë pozitivisht gjatë periudhës në vijim. Banka e Shqipërisë ka monitoruar pa ndërprerje zhvillimet në fqinjin tonë jugor duke qenë e ndërgjegjshme për rreziqet e ndryshme që mund të përcilleshin në ekonominë vendase. Por falë edhe ndërhyrjeve të sakta dhe në kohë sidomos në sektorin bankar, këto rreziqe fatmirësisht nuk u materializuan.

Lehtësimi i vazhdueshëm i politikës monetare duket se po reflektohet sidomos në treguesit e investimeve, ku ato të brendshme dhe të huaja shfaqën përmirësime të ndjeshme gjatë gjysmës së parë të vitit. Nga ana jonë, ne jemi të kënaqur që këto investime nuk ishin vetëm falë ndërhyrjeve të sektorit publik por kishin dhe një komponent të qenësishëm dhe nga sektori privat. Kjo na bën të besojmë se projekte të mirëstudiuara nga ana e investitorëve së bashku me një klimë biznesi gjithmonë e më të shëndetshme, pro-investimeve, do të shërbejnë si lokomotivat kryesore që të do të tërheqin ekonominë drejt një rritjeje jo vetëm më të madhe por edhe më të qëndrueshme në të ardhmen e afërt.

Në përputhje dhe me praktikat më të mira bashkëkohore, Banka e Shqipërisë është përpjekur të rrisë transparencën e saj në komunikimin me publikun jo vetëm rreth vendimmarrjes aktuale por edhe parashikimeve tona. Banka e Shqipërisë ka transmetuar në mënyrë të vazhdueshme tek agjentët ekonomikë idenë se politika monetare do vazhdojë të jetë lehtësuese dhe mbështetëse për rivitalizimin e ekonomisë. Si rrjedhojë, ne shpresojmë që ky udhëzim mbi të ardhmen e politikës monetare të Bankës së Shqipërisë  të kuptohet mirë nga të gjithë agjentët e tregut dhe publiku i gjerë.

Bankat dhe sipërmarrësit duhet ta shfrytëzojnë këtë mundësi për të rritur aktivitetin e tyre, të sigurt se banka qendrore do të vazhdojë të jetë mbështetëse dhe përkrahëse e veprimtarisë së tyre.

Krahas lehtësimit të politikës monetare, Banka e Shqipërisë i ka kushtuar një vëmendje të madhe reformës në sektorin financiar dhe mbikëqyrjes së kujdesshme të sektorit bankar. Kryetarja e Bordit të Guvernatorëve të Sistemit të Rezervës Federale, zj. Yellen, jo shumë kohë më parë nuk lë vend për mëdyshje mbi domosdoshmërinë e reformave në sektorin financiar kur thotë se, citoj: “...riparimi i plotë i sistemit financiar është një kusht themelor për rimëkëmbjen e qëndrueshme të ekonomisë pas një krize”.

Nga ky këndvështrim, në bashkëpunim me Kuvendin, qeverinë dhe agjencitë apo entet e ndryshme rregullatore publike kemi ndërmarrë një sërë nismash dhe ndryshimesh të natyrës legjislative dhe rregullatore, duke synuar krijimin e stimujve për një gjallërim dhe siguri më të madhe në aktivitetin kreditues.

Falë reformave që kemi ndërmarrë gjatë këtij viti, kemi filluar të vjelim rezultatet e para pozitive për sa i takon situatës së kredisë me probleme.

Si rezultat, raporti i kredive me probleme është ulur për herë të parë pas një periudhe gati 7-vjeçare rritjeje të vazhdueshme. Procesi i pastrimit së kredive të humbura pa shpresë arkëtimi, e kam shpjeguar edhe më herët, ishte finalizim i një pune të përbashkët ndërinstitucionale. Gjatë këtij procesi, ne kemi pasur mundësinë të asistohemi dhe mbikëqyremi dhe nga institucionet e rëndësishme ekonomike ndërkombëtare si Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Përtej problemit të kredive me probleme, sistemi bankar ka vazhduar të jetë i mirëkapitalizuar, likuid dhe financiarisht i shëndetshëm. Problemi i kredive me probleme do të kërkojë ende kohë për t’u zgjidhur por kjo nuk duhet të na pengojë për gjallërimin e aktivitetit kreditues në vend. Për aq kohë sa indikatorët e tjerë të sipërpërmendur vazhdojnë ecurinë e tyre pozitive, sektori bankar në vend ka hapësirat dhe mundësinë për të kredituar projekte dhe investime bindëse. Në gjykimin tim, është e rëndësishme që të administrojmë me kurajë dhe këmbëngulje perceptimin që mbizotëron aktualisht se kreditë me probleme kanë detyruar bankat të ndërmarrin një qasje tejet konservatore në kreditim.

Për të adresuar në mënyrë të përhershme këtë problem janë ndërmarrë dhe do të ndërmerren masa të tjera në vazhdim. Do të doja që shumë shkurt të ndalem në iniciativën më të fundit në këtë drejtim: planin e bashkërenduar mes Bankës së Shqipërisë, Ekzekutivit Shqiptar, Shoqatës së Bankave dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. Ky plan konsiston në dy shtylla kryesore:

Shtylla e parë ka të bëjë me hartimin dhe plotësimin e legjislacionit që rregullon praktikën kredituese nga lidhja e kontratës deri në përfundim të saj, përfshirë dhe trajtimin e mosmarrëveshjeve ndërmjet palëve. Këto ndryshime do të synojnë saktësimin më  të plotë ligjor të të gjitha procedurave që shoqërojnë veprimtarinë e bankave, shoqërimeve përmbarimore, kredimarrësve dhe institucioneve të tjera shtetërore të lidhura.

Shtylla e dytë është e lidhur me bazën rregullatore të veprimtarisë së sistemit bankar dhe për rrjedhim është e lidhur me aktivitetin e përditshëm të Bankës së Shqipërisë dhe të sistemit bankar. Kemi identifikuar disa rregullore ku do të ndërhyjmë. Përveç objektivit për të krijuar një fleksibilitet më të lartë në lidhje me disa aspekte të veprimtarisë në trajtimin e portofolit të kredisë do të synojmë të adoptojmë një koncept të ri: atë të “biografisë” së klientit në raport me kredinë bankare. Ne besojmë se ky element i ri do të lehtësojë bankat në vlerësimin e potencialit kredimarrës të çdo klienti.

Pavarësisht sa thashë më sipër, është fakt që kohët e fundit kreditimi në monedhën vendase, ka shënuar rritje pozitive nga një muaj në tjetrin. Ky fenomen, sigurisht që përveç të tjerash është shoqëruar me një efekt pozitiv anësor në një shpejtësi dhe në një intensitet më të lartë në mekanizimin e transmetimit të politikës monetare në ekonomi.

Të nderuar pjesëmarrës,

Siç e theksova në fillim, aktiviteti ekonomik në vend vazhdon të mbetet në një trajektore pozitive, por ende jo aty ku do të donim të ishte. Kërkimet ekonomike të kryera në Bankë gjatë këtij viti vazhdojnë të konfirmojnë se ekonomia shqiptare ka potencial të papërdorur dhe se mbyllja e këtij hendeku ngelet sfida kryesore për politikëbërësit. Ndërhyrjet qoftë nëpërmjet politikës monetare e qoftë nëpërmjet instrumenteve makroprudenicale deri më sot nuk kanë arritur ta mbyllin në mënyrë definitive hendekun e sipërpërmendur. I theksoj të gjitha këto, pasi jo rastësisht konferenca e këtij viti titullohet “A ndryshon kriza, themelet ekonomike?” Ndërhyrjet e sipërpërmendura janë veprimet kryesore që u lejohen bankave qendrore nga ana legjislative por dhe që rekomandohen nga teoria më moderne ekonomike.

Nëse këto ndërhyrje nuk arrijnë të sjellin në një ekuilibër  pozitiv e afatgjatë ekonominë, atëherë me të drejtë lind pyetja: çfarë tjetër duhet bërë?

Përgjigjja qëndron në togfjalëshin “reforma strukturore”. Edhe pse mund të tingëllojë si një togfjalësh me të cilin është spekuluar shpesh, e vërteta është kokëfortë: vetëm vullneti për të ideuar dhe ndërmarrë reforma të guximshme dhe largpamëse përbën çelësin e artë të suksesit.

Ky fakt u theksua me forcë edhe në deklaratën përfundimtare të ministrave të financës dhe të guvernatorëve të bankave qendrore të 24 vendeve më të zhvilluara (Komiteti Financiar i Fondit Monetar), në mbledhjen vjetore të FMN–së zhvilluar më herët këtë muaj në kryeqytetin e Perusë, Lima. “ Rritja e qëndrueshme afatgjatë – thuhet në këtë deklaratë – kërkon reforma strukturore të shtrira në kohë të orientuara drejt një produktiviteti, një prodhimi potencial dhe një standardi jetese më të lartë. Ato duhet të forcojnë besueshmërinë mbi ekonominë dhe të kontribuojnë në zbutjen e pabarazisë sociale.”.

dua të nënvizoj mbështetjen e Bankës së Shqipërisë për një sërë reformash të ndërmarra kohët e fundit si pjesë e marrëveshjes afatmesme mes Qeverisë, Bankës së Shqipërisë dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Shqipërisë ashtu sikurse gjithë rajonit të Evropës Juglindore, i duhet një shteg i ri nëpër të cilin investitorët e huaj të fillojnë të shikojnë përsëri oportunitete fitimi. Është jetike për të tërë ne, që rajoni të largohet sa më shpejt nga perceptimi si një zonë gjeografike jo relevante, e fragmentuar, me potencial të papërfillshëm njerëzor, financiar dhe ekonomik. Duhet të bëjmë çmos, me çdo çmim, që t’i rikthehemi edhe një herë trendit dhe vitalitetit që ky rajon shfaqte përpara krizës.

Ju faleminderit!