BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko në konferencën "Qeverisja ekonomike evropiane dhe procesi i anëtarësimit në BE: Roli i bankave qendrore”, organizuar nga Banka Kombëtare e Serbisë, Beograd, 28 maj 2015

Data e publikimit: 12.06.2015

 

Të nderuar kolegë!

Mendoj se ky sesion ngre katër pyetje të rëndësishme, të cilat janë thelbësore për përmbushjen e kërkesave të qeverisjes së re të Bashkimit Evropian (BE) dhe të nevojshme për një analizë të mirë të politikave dhe të vendimmarrjes nga secila bankë qendrore.

foto beograd 7461 0


Diskutimi i sotëm vendos theksin mbi rolin që kanë bankat qendrore në përgatitjet për Kapitullin 17. Po ashtu, është e rëndësishme të përmendet se kapituj shtesë, si për shembull ata që kanë të bëjnë me shërbimet financiare (Kapitulli 9) ose me taksimin (Kapitulli 16), janë gjithashtu të rëndësishëm për këtë diskutim. Këta kapituj kanë ndikim domethënës mbi çështje të tilla si çmimet, prodhimi, konsumi, dhe investimet e për rrjedhojë kanë një rëndësi tejet të madhe për politikat e bankave qendrore. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Kapitujt 23 dhe 24, të cilët trajtojnë zbatimin e legjislacionit dhe ekzekutimin e kolateralit, si dhe për Kapitullin 18 i cili trajton statistikat.

Zbatimi i duhur i këtyre kapitujve ndërvepron në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë me rolin që luan banka qendrore për politikën monetare, stabilitetin financiar, mbikëqyrjen bankare, si dhe, në fund, po jo për nga rëndësia, me rolin e saj si agjenci statistikore.

Megjithatë, duke iu rikthyer sfidave me të cilat përballen bankierët qendrorë, nisur nga përvoja ime, mund të them se ka dy çështje me rëndësi, që meritojnë vëmendjen maksimale, dhe më lejoni të përdor si shembull Bankën e Shqipërisë.

Pika e parë ka të bëjë me aftësinë e bankës qendrore për të analizuar dhe parashikuar zhvillimet ekonomike aktuale dhe të pritshme, që përmbushin kërkesat e qeverisjes së re ekonomike të BE-së si pjesë e procesit të integrimit.

Gjatë njëzetepesë vjetëve të fundit, objektivat dhe instrumentet e politikave të Bankës së Shqipërisë kanë pësuar ndryshime domethënëse. Si pasojë, Banka është shndërruar në një institucion modern që ruan stabilitetin e çmimeve dhe atë financiar, kryen mbikëqyrjen bankare, si dhe detyra të tjera tradicionale të bankingut qendror.

Banka e Shqipërisë prodhon analiza të hollësishme dhe parashikime për treguesit kryesorë makroekonomikë që lidhen me politikat monetare, stabilitetin financiar, operacionet monetare dhe mbikëqyrjen bankare. Aktualisht, politika monetare mbështetet në kuadrin e shënjestrimit të inflacionit dhe vendimmarrja mbështetet së pari në parashikimet e inflacionit dhe skenaret e analizave të goditjeve.

Në këtë kuadër, statistikave, analizave dhe instrumenteve për parashikime u janë kushtuar mjaft kërkime të qenësishme, të cilat publikohen dhe dokumentohen rregullisht. Ato jo vetëm që i mundësojnë bankës qendrore të kuptojë dhe parashikojë inflacionin, por edhe i japin informacione shtesë për ekonominë, duke përfshirë këtu sektorin fiskal, punësimin, aktivitetin e ekonomisë reale dhe zhvillimet në ekonominë e jashtme. 

Duke i marrë të gjitha së bashku, është e lehtë të kuptohet se Banka e Shqipërisë e ka kapacitetin për të prodhuar një vëllim domethënës analizash, parashikimesh dhe skenarë goditjesh për pothuajse çdo tregues dhe zhvillim në ekonominë e vendit. Sidoqoftë, bashkëpunimi teknik me Bankën Qendrore Evropiane (BQE) dhe banka qendrore anëtare të saj do të ishte një mbështetje e madhe për përvojën dhe ekspertizën tonë.

Çështja e dytë ku do të doja të ndalesha është bashkërendimi, bashkëpunimi dhe diskutimi i përbashkët, brenda dhe jashtë bankës qendrore, i cili është, po ashtu, shumë i rëndësishëm. Aktualisht, ne i dërgojmë Komisionit Evropian parashikime dhe analiza në lidhje me zhvillimet e fundit ekonomike në vend dhe kryejmë takime të rregullta disa herë në vit. ǒështë më e rëndësishmja, banka qendrore ka të njëjtin nivel përfaqësimi si dhe Ministria e Financave në diskutimet për politikat ekonomike dhe atë monetare.

Pavarësisht nga kjo, ka ende hapësirë për të bërë më shumë, në veçanti në lidhje me rritjen e nivelit të bashkëpunimit me BQE-në dhe institucione të tjera të mbikëqyrjes financiare, për shembull Autoritetin Evropian Bankar (EBA). Më lejoni ta ilustroj këtë me disa ide.

Bankat qendrore të vendeve kandidate do të përfitonin nga pjesëmarrja e rregullt në takime ku diskutohen ndryshime të rëndësishme në infrastrukturën ligjore, institucionale, monetare dhe financiare. Ne do të përfitonim nga informacioni në lidhje me praktikat aktuale të bashkërendimit të anëtarëve të BQE-së me Komisionin e BE-së dhe se si procedurat dhe kuadri i qeverisjes janë bashkërenduar midis autoriteteve kombëtare dhe Komisionit.

Përparimi në kërkimet ekonomike dhe shpejtësia me të cilën ndryshojnë instrumentet dhe praktikat e politikave vendimmarrëse e bëjnë të nevojshëm shkëmbimin e informacionit të përditësuar për vendimet e marra nga BQE-ja dhe EBA-ja.

Rezultatet e kërkimit në Bankën e Shqipërisë na tregojnë se vendimet e politikave të ndërmarra nga BQE-ja dhe EBA-ja në kontekstin e instrumenteve të reja dhe inovative të politikave monetare dhe makroprudenciale, mund të kenë një ndikim domethënës mbi ekonomitë tona. Këto goditje dhe ndikimet e pritshme prej tyre përbëjnë informacion të vlefshëm që duhet modeluar në mënyrë të saktë dhe duhet përfshirë në modelet tona të parashikimit.

Ndaj, besoj se është e nevojshme që vendet kandidate të kenë një rol formal gjatë diskutimit të komiteteve teknike dhe të jenë në gjendje të parashtrojnë pikëpamjet e tyre për çështje të rëndësishme për to. Këto mendime do t'u japin mundësinë autoriteteve të BE-së të njohin ndikimet e mundshme të vendimeve të tyre si dhe t'u japin bazat për rinegociimin e  politikave dhe të objektivave të përcaktuar në kuadrin e marrëveshjes së anëtarësimit.

Së fundi, por jo për nga rëndësia, krijimi i rrjeteve rajonale të kërkimit teknik dhe politikave për diskutimin e ecurisë ekonomike të vendeve në veçanti do të shërbente si një proces për të mësuar. Bankat qendrore të rajonit duhet ta përdorin shpesh këtë mundësi për bashkëpunim dhe të shkëmbejnë përvojat në lidhje me modelimin, analizat dhe parashikimin. Rrjetet rajonale do të ndihmonin për bashkërendimin e këtyre çështjeve dhe përmirësimin e proceseve në kuadrin e qeverisjes ekonomike evropiane dhe të procesit të anëtarësimit në BE  në përgjithësi.

Në përfundim, mendoj se nuk kemi pengesa madhore për të ecur përpara; megjithatë, përmirësimi i gjendjes aktuale dhe përvetësimi i praktikave më të mira nga BE-ja dhe institucionet ndërkombëtare apo bankat qendrore të Eurozonës, mund të sjellin përfitime shtesë për procesin e qeverisjes së re ekonomike. Kjo do të ndihmonte si Komisionin ashtu edhe bankat qendrore të vendeve kandidate për të përmirësuar komunikimin dhe bashkëpunimin si dhe për të prodhuar rezultate më të mira në lidhje me politikat ekonomike dhe monetare me qëllim arritjen e konvergjencës reale, stabilitetit dhe prosperitetit.

Faleminderit!

  * Ky panel u organizua në kuadrin e konferencës '' Qeverisja ekonomike evropiane dhe procesi i anëtarësimit në BE: Roli i bankave qendrore”, organizuar nga Banka Kombëtare e Serbisë.