BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko në konferencën e dytë të Shoqatës Shqiptare të Bankave

Data e publikimit: 14.11.2017

 

I nderuar zoti Kryeministër,

I nderuar Ministër Ahmetaj,

I nderuar zoti Kryetar i Shoqatës së Bankave,

Të nderuar pjesëmarrës,

Është një kënaqësi e veçantë të marr pjesë në konferencën e dytë që organizon Shoqata Shqiptare e Bankave, të cilën dëshiroj ta përgëzoj për përzgjedhjen e temës kryesore të kësaj konference. Rritja ekonomike e vendit është një argument që na intereson të gjithëve.

Koha në të cilën mbahet kjo konferencë, përkon me një moment interesant nga këndvështrimi i ecurisë së aktivitetit ekonomik të vendit. Vlerësimet më të fundit tregojnë se ekonomia jonë ka hyrë në një trajektore rigjallërimi afatgjatë. Siç u përmend dhe në Deklaratën e fundit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, ekonomia shqiptare u rrit me 4.1% gjatë tremujorit të dytë të vitit, mbështetur kryesisht nga gjallërimi i kërkesës së brendshme private, nga përmirësimi i bilancit të shkëmbimeve tregtare me jashtë, nga rritja e shpenzimeve publike, si dhe nga nivelet e larta të investimeve të huaja direkte gjatë kësaj periudhe.

 dsc8370-14.11.2017

Politika monetare stimuluese e Bankës së Shqipërisë ka qenë një nga faktorët e rëndësishëm që kanë ndikuar në gjallërimin e kërkesës së brendshme. Ajo ka garantuar në vazhdimësi një mjedis financiar me norma të ulëta interesi dhe me likuiditet të bollshëm. Por në përmirësimin e klimës ekonomike ka ndikuar edhe sjellja konsoliduese e politikës fiskale, e cila, përveç se ka ndikuar në uljen e primeve të rrezikut, ka krijuar hapësira më të mëdha për financimin e sektorit privat.

Pritshmëritë tona mbi të ardhmen afatshkurtër dhe atë afatmesme të zhvillimit ekonomik të vendit, mbeten pozitive. Ne synojmë një rritje të qëndrueshme në rrjedhën e viteve dhe, në këtë kontekst, sektori bankar përfaqëson një nga industritë kyçe në mbështetjen e gjallërimit ekonomik. Instrumentet që ai disponon kanë një kontribut të qenësishëm në këtë drejtim, dhe ndër më kryesorët prej tyre është kreditimi.

Pavarësisht luhatjeve të herëpashershme, roli i industrisë bankare në mbështetjen e aktivitetit ekonomik të vendit ka qenë domethënës. Kjo u vu re veçanërisht në fillim të viteve 2000, pas privatizimit të ish-Bankës së Kursimeve, periudhë gjatë së cilës teprica e kredisë rritej me norma vjetore të konsiderueshme.

Megjithatë, këto norma të larta rritjeje dhe shpërthimi i krizës globale nxorën në pah edhe një sërë çrregullimesh, si dhe sollën rritjen e pandërprerë të nivelit të kredive të këqija. Më konkretisht, raporti i kredive me probleme kundrejt totalit të kredisë kulmoi në nivelin rekord prej 25%, duke përkeqësuar në mënyrë ekstreme aftësinë kredituese të sistemit. Arsyet që na çuan deri në këtë pikë janë diskutuar gjerësisht në të shkuarën dhe sot nuk dua të ndalem sërish tek to.

 dsc8347-14.11.2017

Ajo çfarë dua të theksoj është fakti që situata aktuale është e ndryshme nga ajo e disa viteve më parë. Treguesi i kredive me probleme po ulet vazhdimisht, duke regjistruar një nivel prej rreth 10 pikë përqindjeje më të ulët se piku i tij në vitin 2014. Falë përpjekjeve të përbashkëta, bilancet e sistemit janë sot më të shëndetshme, situata e likuiditetit është optimale, e ndërkohë dhe çmimet e tij janë ulur në nivele historike.

Si rrjedhojë, jam i mendimit se industria bankare duhet të adoptojë një përqasje më aktive në thellimin e ndërmjetësimit financiar, që në analizë të fundit do të thotë fuqizim i aktivitetit të kreditimit.

Sipas Raportit të fundit të Stabilitetit Financiar, gjashtëmujori i parë i vitit 2017 e gjen sistemin bankar, financiarisht më të shëndetshëm. Ky fakt të bën të besosh se aktorët e tij, të cilët ndikojnë në formë të padiskutueshme krahun e ofertës në kredinë për ekonominë, duhet të priren të jenë më aktivë.

Nga krahu tjetër, vlerësimet janë optimiste edhe përsa i takon kërkesës për kredi. Më konkretisht, rezultatet e vrojtimit mbi gjendjen financiare dhe huamarrjen e ndërmarrjeve, në gjysmën e parë të vitit 2017, tregojnë për një përmirësim të situatës financiare të bizneseve dhe ky optimizëm karakterizon si të ardhmen afatshkurtër, ashtu dhe atë afatmesme.

Vitet e fundit, Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me legjislativin dhe ekzekutivin shqiptar, ka ndërmarrë një sërë lëvizjesh, përfshirë këtu dhe ndryshime ligjore, të cilat ishin ngritur si shqetësime nga industria. Duke qenë të ndërgjegjshëm për dobishmërinë e tyre, ne i ndërmorëm këto ndryshime dhe rezultatet mendoj se janë konkrete. Bilancet tuaja janë pastruar dhe gjendja financiare paraqitet më e shëndetshme.

Pikërisht për këtë arsye, ne si Bankë Qendrore kërkojmë që brenda niveleve të logjikshme të prudencës, të shfrytëzoni çdo mundësi dhe hapësirë për të identifikuar projekte dhe plane biznesi që meritojnë të mbështeten. Ka ardhur momenti që kredidhënia të zërë vendin që i takon në mbështetjen e ekonomisë, dhe kjo kërkon profesionalizëm, energji, integritet dhe përkushtim.

Industria bankare disponon një sërë instrumentesh dhe përkrah nevojës për rigjallërimin e kreditimit, si ndër më të rëndësishmin prej tyre, në vijim dua të prek edhe disa tregues të tjerë si, shkallën e zhvillimit të sistemit financiar dhe përfshirjen e edukimin financiar. Këto përbëjnë disa elemente të tjera, mjaft të rëndësishme dhe me ndikim në aktivitetin ekonomik të vendit.

Sistemet financiare të pazhvilluara janë të ekspozuara drejt rreziqeve të natyrës sistemike dhe krijojnë çrregullime e sfida për efektivitetin e politikës monetare dhe stabilitetin financiar të vendit. Fatmirësisht, jetojmë në një kohë kur inovacioni financiar ka sjellë risi të shumta në modelet e biznesit, si në procese ashtu dhe në produkte. Edhe në Shqipëri, ne duhet t'i përqafojmë ato. Revolucioni i madh teknologjik ka eliminuar barrierat fizike duke bërë gjithnjë e më të lehtë aksesin e individëve në tregun financiar, pavarësisht vendndodhjes gjeografike, moshës, kualifikimit, formimit kulturor apo traditës. Përveç aksesit më të lehtë, edhe kostot dhe shpejtësia në kryerjen e shërbimeve janë përmirësuar dukshëm. Të gjitha këto janë elemente që sistemi ynë bankar duhet jo vetëm t'i shfrytëzojë, por edhe t'i zhvillojë më tej.

Përfshirja dhe edukimi financiar janë dy sfidat e tjera që mendoj se duhet të integrohen në axhendën tonë në vitet në vijim. Indikatorët e Zhvillimit Botëror, flasin për një nivel ende të ulët të përfshirjes financiare të popullatës.

Në vitin 2014, vetëm 38% e popullatës kishte një llogari në sistemin financiar të licencuar, ndërkohë që 22% e të rriturve zotëronin kartë debiti dhe vetëm 6% e tyre kartë krediti. Kjo tregon një hendek të madh mes nesh dhe vendeve të OECD-së, ku 92% e popullatës ka një llogari financiare, ndërkohë që 80% e të rriturve kanë kartë debiti dhe 40% kanë kartë krediti.

Roli i bankave është mjaft i rëndësishëm dhe deri-diku i pazëvendësueshëm edhe përsa i përket edukimit financiar. Thellimi dhe zgjerimi i njohurive financiare të klientëve tuaj jo vetëm që ka një impakt social të lartë, por njëkohësisht u shërben edhe vetë bankave, për të rritur më tej një potencial, i cili do të jetë konsumatori i produkteve dhe shërbimeve bankare.

Të nderuar pjesëmarrës,

Së fundmi, dua të ndalem edhe tek kontributi i sektorit bankar në luftën kundër informalitetit, një fenomen ky mjaft i dëmshëm, fatkeqësisht me një shtrirje ende të gjerë në ekonominë shqiptare, aq sa mund të konsiderohet një rrezik serioz për stabilitetin ekonomik dhe financiar të vendit.

Edhe në këtë drejtim, roli i sistemit bankar është tejet i rëndësishëm. Përdorimi i të dhënave të certifikuara nga autoritetet, si përsa i takon bilanceve të kompanive, ashtu edhe aktorëve të tjerë ekonomikë, është kthyer në një domosdoshmëri. Mbi të gjitha, ato janë masa prudenciale, të cilat rrisin nivelin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë, veçanërisht në fushën e kredidhënies.

Reforma ndaj informalitetit është ndër më prioritaret për autoritetet shqiptare dhe sektori bankar, - me rrjetin e tij, ekspertizën dhe njohuritë që shumë prej jush i mbartin me vete nga vendet e origjinës të grupit bankar të cilit i përkasin, - duhet të ofrojë ndihmesën e tij në këtë qëllim të përbashkët.

Thënë sa më sipër, ju ftoj që debati apo analizat tuaja në këtë konferencë njëditore të përqendrohen në këto linja, duke shpresuar që ky takim të krijojë një konvergim idesh dhe konkluzionesh në lidhje me gjallërimin e mëtejshëm të aktivitetit ekonomik.

Mbështetja e Bankës së Shqipërisë do të jetë e pakushtëzuar në këtë drejtim. Ashtu si në të kaluarën, ne vazhdimisht do të jemi në kërkim për të adoptuar strategji dhe rregulla që synojnë një sistem bankar të shëndetshëm financiarisht dhe të aftë të mbështesë zhvillimin ekonomik të vendit.

Jam besimplotë se bashkëpunimi në të ardhmen mes të gjithë aktorëve: industrisë bankare, ekzekutivit shqiptar dhe Bankës së Shqipërisë, do të thellohet më tej, në të mirë të prosperitetit ekonomik dhe financiar të vendit.

Ju falenderoj për vëmendjen dhe i uroj suksese punimeve të kësaj konference!